Xhamia dhe roli i saj në shoqërinë islame

Gjatë historisë xhamia shërbeu si objekt fetarë, qendër shkencore, por edhe si vend për zgjidhjen e problemeve shoqërore që ne sot e quajmë parlament.

Xhamia është institucion, dhe ajo duhet të kuptohet edhe si vend ku formohen personalitete të pastra njerëzore, sepse ajo është shtyllë kryesore që e orienton njeriun kah përsosshmëria e shpirtit dhe personalitetit.

Gjatë gjithë historisë së ekzistimit njeriu çdo herë ka pasur nevojë për faltore apo vend ku do t’i lutej Zotit. Në botë mund të gjenden vende apo
qytete pa bedena, pa qytetërim, pa letërsi e teatër, mirëpo asnjëherë nuk është dukur ndonjë qytet pa tempuj fetarë e pa njerëz që në një farë forme i përulen Zotit. Ka pasur dhe edhe sot gjenden turma njerëzish pa shkencë, pa art e filozofi, por asnjëherë nuk ka pasur shoqëri pa fe.

Me shpalljen e Islamit si fe dhe sistem i jetës, u vunë edhe themelet e shoqërisë së shëndoshë. Që në fillim të theksojmë se akti i parë i Muhammedit a.s. pas shpërnguljes në Medine, ishte ndërtimi i një xhamie. Xhaminë e parë Muhammedi a.s. e ndërtoi në qytetin e quajtur Kuba afër Medinës, e më vonë edhe Medine. Me këtë akt u tregua se muslimanët patjetër duhet të posedojnë një vendtubim që do të shërbejë edhe për kryerjen e obligimeve fetare.

Gjatë historisë Islame, xhamia luajti rol mjaft të rëndësishëm. Besimtari musliman asnjëherë nuk ka mundur ta paramendojë ekzistencën e vet pa xhami. Xhamia ishte dhe do të jetë qendra shpirtërore e besimtarëve musliman. Ajo është qendër kryesore e Ummetit. Xhamia është nyja ku gërshetohen dy botërat: bota fizike dhe ajo shpirtërore. Në islam, xhamia nuk luan vetëm rolin shpirtëror, sikundër kisha në krishterizëm, por, roli i saj është me dimensione shumë më të gjera dhe të natyrave të ndryshme.

Xhamia është institucion, dhe ajo duhet të kuptohet edhe si vend ku
formohen personalitete të pastra njerëzore, sepse ajo është shtyllë kryesore që e orienton njeriun kah përsosshmëria e shpirtit dhe personalitetit. Në të, ka vend si për të varfërinë ashtu edhe për të pasurin, të gjithë njerëzit, aty janë të barabartë të gjitha kategoritë dhe nivelet, përparësia është vetëm për nga devotshmëria.

Njerëzit çdo herë kanë anuar kah ajo që të afrohen pranë njëri-tjetrit, të
shkëmbejnë mendime dhe të bisedojnë rreth çështjeve të ndryshme. Në të kaluarën e gjithë kjo bëhej në xhami. Me një fjalë xhamia i tubon njerëzit, i bashkon dhe i edukon. Aty mund të hyjnë njerëz të të gjitha etniteteve, ngjyrave dhe racave. Ajo i bashkon të gjithë popujt. Xhamia
nuk bën përjashtim dhe diskriminim të njerëzve, sepse një gjë të tillë rreptësisht e ndalon Islami.


Rolin i xhamisë përgjak historisë

Gjatë kohës së Muhammedit a.s. xhamia luajti një rol të rëndësishëm. Siç theksuam edhe më lartë, vepra e parë e Muhammedit a.s. pas hixhretit ishte ndërtimi i një objekti ku do t’i tubojë besimtarët për punët e tyre që kanë të bëjnë me bashkësinë, si dhe për kryerjen e obligimeve të tjera fetare. Si xhami e parë në sipërfaqen e tokës është ajo në Mekkë, e quajtur el-Mesxhidul haram për të cilën flet edhe Libri i Allahut -Kur′ani:

″Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo që u ngrit në Bekë (Mekkë), e dobishme dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin″.( Ali Imran, 96)

Këtu vlen të theksojmë edhe xhaminë e njohur në Jerusalem e quajtur Mesxhidu Aksa apo Bejtul Makdis, e njohur në historinë islame si vend prej ku Muhammedi a.s. shkoi nëMi′raxh. Pasi që për besimtarët muslimanë falja e pesë kohëve të namazit u bë obligim i domosdoshëm, i njëjti në fillim kryhej duke u drejtuar kah Mesxhidu Aksaja sepse ajo ishte drejtimi apo Kibleja kah e cila duhej te drejtoheshin muslimanët, por, pas gjashtëmbëdhjetë muajve apo me saktësisht në muajin Sha′ban të vitit II të hixhretit, Allahu i Madhëruar shpalli ajetin:

“Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabja) që ti e do atë. Pra kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes) dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni ka ajo anë….. ( El- Bekare 144).

Me këtë ajet kur’anor Allahu obligon Muhammedin a.s., por edhe gjithë besimtaret tjerë që gjatë faljes së namazit të kthehen kah Mesxhidul harami - Mekka.

Kështu vazhdon sot e kësaj dite ku muslimanët gjatë faljes së namazit kthehen kah Qabeja e cila gjendet në Mekkë. Roli i xhamisë është shumëdimensional. Këtë e vërteton edhe fakti se menjeherë pas ngritjes së xhamisë në Medine, Muhammedi a.s. së bashku me besimtarët tjerë përgatiti edhe një kushtetutë e cila nuk u shkrua kund tjetër pos në xhami.

Nga kjo kuptojmë se gjatë historisë xhamia shërbeu si objekt fetar, institucion shkencor, por edhe si vend për zgjidhjen e problemeve shoqërore që ne sot e quajmë parlament. Në xhami tuboheshin njerëzit
për të mësuar dituri të disiplinave të ndryshme. Xhamia ishte institucioni që ofroi njerëzimit personalitete me arsimim dhe vizion të pastër. Xhamia ishte ajo që njerëzimit i dha figura të shquara fetare e udhëheqëse si: Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun, Bilalin, Ajshen, Ibën Abasin dhe shumë të tjerë. Kjo ishte një gjeneratë e tërë me një vizion të pastër islamik. Të gjithë këta ishin nxënës të edukatorit më të madh të historisë së njerëzimit- Muhammedit a.s. Historia asnjëherë nuk shënoi një vend apo një qendër prej nga kanë dalë dijetarë dhe emisarë të denjë dhe të ndritur, siç ishte rasti me xhaminë e Muhammedit a.s. Po nga këta nxënës të kësaj xhamie (institucioni shkencor) u përhap edhe kultura dhe qytetërimi islam


Xhamia zemër e shoqërisë

Për dallim nga tempujt fetarë të besimeve tjera, si në krishterizëm, hebraizëm, budizëm etj., të cilët ndërtohen larg vendbanimeve, në praktikën islame xhamitë ndërtohen sa më afër njerëzve dhe në qendër të vendbanimeve. Gjatë zhvillimit të qytetërimit Islam, çdoherë xhamitë janë ngritur në zemrën e vendbanimeve. Kjo ishte një praktikë që aplikohej nga koha e Muhammedit a.s. Ai urdhëroi që xhamia të ndërtohet në qendër të vendbanimit në Medinë. Kjo vazhdoi edhe gjatë periudhave të
mëvonshme historike. Pra, karakteristikë e qyteteve islame është që në qendër të qytetit të ndërtohet xhami. Xhamia është ajo e cila ka të
bëjë me njerëzit dhe me shoqërinë, prandaj ato edhe çdoherë ngriteshin në qendër të vendbanimeve, qyteteve, fshatrave, aty ku lëvizja e njerëzve është më e madhe dhe më e gjallë. Aty mund të mbahen ligjërata të lëmive të ndryshme, tribuna shkencore, gara në dituri të ndryshme etj. Aty afër xhamisë apo nën një kulm me xhaminë formoheshin edhe shkolla të posaçme, siç u ndërtuan në Tunizi (universiteti Zejtun, i cili po ashtu ekziston pranë xhamisë së madhe), në Kajro themelimi i xhamisë El-Ez′her, ku në kuadër të xhamisë është ndërtuar edhe universiteti
ku zhvillohen edhe lëndë të ndryshme shkencore, po ashtu
raste të ngjashme kemi në Bagdad, Damask, Stamboll etj.


Xhamitë dhe përkujdesja ndaj tyre

Allahu i Lartmadhërishëm për ndërtimin e xhamive në Kur′anin Famëlartë thotë:

″E drejta e përkujdesjes së xhamive te Allahut është vetëm e
atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së fundit e që e falë namazin, jep zeqatën e nuk i frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit″.(Et -Teube, 18)

Kur′ani në mënyrë të thuktë tregon dhe e ndërlidh ndërtimin e
xhamive së bashku me besimin në Allahun, besimin në Ditën e Fundit, faljen e namazit, dhënien e zeqatat dhe frikën vetëm nga Allahu. Përkujdesja ndaj xhamive mund të jetë në disa mënyra, siç është nisma për ndërtimin e tyre, organizimi i punës, pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në ndërtim, ndihma materiale, morale etj.

Në një rast Muhammedi a.s. ka thënë: ″Ndërtesat me të dashura për
Allahun janë xhamitë″.

Në fund të theksojmë së besimtari çdoherë duhet të jetë ai i cili preferon, nxitë dhe përkrah ndërtimin e xhamive si dhe objekteve të tjera arsimore, të cilat çdo herë do të jenë të dobishme për njerëzit. Nga kjo arsye në mbarë rruzullin tokësor u ngritën xhami dhe objekte të mëdha, të cilat i shërbyen njerëzve.

Sot, xhami të mëdha ekzistojnë edhe në qendrat më të mëdha të
qytetërimit perëndimor siç janë në Paris, Londër, Hamburg, Vjenë,
Berlin, Romë, Zagreb, Milano, Nju Jork, Uashington si dhe në qytete tjera të Amerikës, Australisë etj.



Mr. Lutfi Nexhipi
Gazeta Hëna e Re