Asije Agolli: Im atë, njeriu që legjitimoi fetarisht Aktin e Pavarësisë

Është e lumtur që ka arritur në këtë jubile të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Ka arsye të ndihet e tillë, sepse i ati, Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) është një nga ideologët dhe organizatorët që ka firmën e tij në këtë dokument të rëndësishëm, i cili shënoi themelimin e shtetit të parë modern shqiptar. Por, përtej simbolikës festive, 92 vjeçarja nuk mbetet vetëm nostalgjike, kjo pasi roli i të atit si figurë e shquar fetare e atdhetare dhe kontributi i tij për zgjerimin e vetëdijes kombëtare dhe për organizimin e lëvizjes për liri e pavarësi mbeten të patjetërsueshme. Edhe pse në një moshë të thyer Asija të mahnit me kujtesën që ka, teksa tregon me detaje ngjarje apo kujtime që i kanë lënë një shije të veçantë. Në këtë intervistë ajo nuk harron të përmendë edhe atmosferën madhështore e të mrekullueshme të këtij jubileu të rëndësishëm për gjithë shqiptarët dhe emocionet e përjetuara në momentin kur Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i dorëzoi Librin e Aktit të Pavarësisë, në shenjë vlerësimi për kontributin e paçmuar të babait të saj.

Jeni e bija e personalitetit të shquar të lëvizjes kombëtare dhe njërit prej patriotëve më në zë të rilindjes shqiptare, Haxhi Vehbi Dibrës. Na tregoni pak për babain tuaj, shkollimin dhe veprimtarinë e tij patriotike…

Ju jam shumë mirënjohëse që po më jepni mundësinë të shprehem për jetën, aktivitetin dhe meritat e babait tim. H. Vehbi Dibra i përket një familjeje të nderuar e të respektuar në Dibër të Madhe, familje e njohur për patriotizëm e atdhedashuri, mjedis në të cilin ai u rrit dhe u formua. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll me rezultate të shkëlqyera për Filozofi, Shkenca Juridike e Teologji. Zotëronte shumë mirë gjuhët arabisht, turqisht e persisht. Dallohej për zgjuarsinë, vullnetin e tij, ishte shumë i dashur, i respektuar dhe mbi të gjitha shumë i thjeshtë si me ne, ashtu dhe me të tjerët. Që në moshë të re u përpoq të mësonte sa më shumë për historinë e popullit të tij, për luftërat për liri, etj, të cilat e ndihmuan për të formuar personalitetin e tij patriotik. Ishte ideator dhe organizator i lëvizjes patriotike të vitit 1890. Në Kuvendin e Dibrës më 1899 bëri thirrje për bashkim kombëtar. Në vitin 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit, për një alfabet të gjuhës shqipe. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh edhe Kryetar i Kongresit. Në vitin 1912 merr pjesë në Kuvendin e Vlorës, ku kryeson grupin e delegatëve të Dibrës. Zgjidhet Kryetar i Pleqësisë dhe nënkryetar i qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali. Në vitin 1913 ngarkohet me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndërsa tre vjet më vonë në detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Naltë të Sheriatit.

Si delegat dhe kryetari i delegacionit të Dibrës, H. Vehbi Dibra ishte një nga 40 firmëtarët e Aktit të

Pavarësisë, më 28 Nëntor të 1912…

Ishte një ngjarje e madhe, e paharrueshme për të gjithë shqiptarët. Në atë kohë babai im ishte bërë i njohur si një udhëheqës fetar e popullor. Veprimtaria e tij patriotike bashkoi dëshirën e dibranëve me atë të gjithë shqiptarëve, në luftë për liri e pavarësi.

Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh kryetar i Kuvendit të Pleqësisë, duke zëvendësuar në mungesë Ismailin Qemalin në krye të qeverisë e punëve të shtetit. Si e shpjegoni këtë vlerësim e respekt karshi figurës së babait tuaj?

Për vlerat që manifestonte, për intelektin e tij, për pjekurinë e tij, për autoritetin fetar që gëzonte, babai u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Pleqësisë. Shumë shpejt ai fitoi respektin e admirimin e delegatëve, veçanërisht të Ismailit Qemalit, i cili e konsideronte si krahun e djathtë të tij. Ishte person me shumë influencë, prandaj Ismail Qemali ia besonte atij drejtimin e qeverisë. Mbaj mend që në shtëpinë tonë vazhdimisht vinin shumë figura të shquara të kohës. Bisedat e tyre kishin gjithnjë si bosht çështje të rëndësishme kombëtare e jetike për kohën. Kam parë të vinin Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e shumë patriotë të tjerë.

Vijmë në periudhën e themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në vitin 1924. Emërimi i babait tuaj si drejtues i parë i Islamit në Shqipëri dhe roli që ai luajti në funksion të rigjallërimit të ndjenjave fetare dhe forcimit të frymës së bashkëjetesës fetare te shqiptarët…

Meqenëse im atë njihej si personalitet dhe figurë e kompletuar fetare, ai emërohet në postin e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Pavarësisht vështirësive, ai bëri përpjekje të mëdha për ngritjen e një institucioni modern dhe në përshtatje me imperativat e kohës, duke i shërbyer në njëfarë mënyre edhe pavarësisë së Shqipërisë. Por për bindjet dhe aktivitetin e tij babai përndiqej dhe luftohej shumë. Këtu dua të ndalem në një kujtim që e kam të ngulitur thellë në kujtesë, çastin kur babai u nis për në Mekë. Shtëpia jonë ishte plot me besimtarë dhe dashamirës që kishin ardhur për ta përcjellë drejt vendeve të shenjta. Si klerik mysliman babai ka marrë shumë vlerësime. Ai bekoi simbolin e flamurit, Shqiponjën me dy kokë. Gjithashtu iu besua lutja e fundit në mbylljen e ritualit të haxhit në Mekë. Kontribut të jashtëzakonshëm ai ka dhënë për sa i përket forcimit dhe konsolidimit të harmonisë fetare në vend. Në momentet që këto marrëdhënie acaroheshin, babai dilte krahë për përkrah me At Visarion Xhuvanin përgjatë bulevardit, për t’iu treguar të gjithëve se mbi çdo gjë ne jemi vëllezër shqiptarë. Në mendje më ka mbetur edhe iniciativa e babait për heqjen e perçes (në vitin 1937). Kjo u realizua në ditën e ndarjes së tij nga jeta. Pikërisht në ceremoninë mortore, femrat për herë të parë u paraqitën pa perçe. Fjalën e rastin në lamtumirën e fundit të babait e mbajti At Visarion Xhuvani.

Me vendosjen e regjimit komunist u goditën shumë figura intelektuale e patriotike, por edhe familjarë apo të afërm të tyre, duke vuajtur jo pak. Po me ju çfarë ndodhi?

Në vitet e sistemit komunist, shumë personalitete u denigruan, u persekutuan, u lanë në harresë. Të njëjtin fat pësuan familjarët dhe të afërmit e tyre. Po përmend si rast konkret familjen e bashkëshortit tim, një familje po aq e nderuar nga Dibra e Madhe (Qamil bej Dibra), e cila nuk u pa me sy të mirë nga regjimi komunist, u persekutua, u tatua, dhe bashkë me të u zhduk edhe ndonjë kujtim që më kishte ngelur nga babai (tespitë, ora e xhepit, etj.)

Në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë nderoi kontributin e 40 firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, mes tyre edhe babain tuaj. Si e pritët këtë vlerësim?

Është shumë emocionues fakti që, në moshën 92 vjeçare, shikoj se si vlerat e këtyre burrave të mençur, po dalin në dritë. Kontributi i tyre na bën të ndjehemi krenarë. Falë Zotit, edhe pse në moshë të thyer, unë gëzoj shëndet të plotë. I jam shumë mirënjohëse Krijuesit që më mundësoi të jem prezente në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku m’u dorëzua nga znj. Jozefina Topalli, një pasardhëse e denjë e atyre atdhetarëve, Libri i Aktit të Pavarësisë. U ndjeva shumë e gëzuar dhe e mbushur shpirtërisht. U lumturova kur dëgjova se Kryeministri Sali Berisha i ka quajtur ata burra të mençur “40 shenjtorë”. Po kaq emocionues është edhe fakti që këta burra Presidenti i Republikës i ka nderuar me titullin “Nderi i Kombit”. Më thuaj pra, si mund të ndihet një 92 vjeçare për babanë e vet, a ka gëzim më të madh?

Ku jetojnë pasardhësit e Haxhi Vehbi Dibrës, tanimë?

Pasardhësit e H. Vehbi Agollit, më së shumti jetojnë në Shqipëri. Mes tyre ka akademikë, profesorë, artistë, ekomonistë, të gjithë të zotë në punët e tyre. Ka të tjerë që jetojnë në Itali, Gjermani, Kanada, Amerikë. Madje në Amerikë jeton dhe nipi i tij, i cili mban emrin Vehbi Agolli. Do kisha dashur që në festën madhështore të 100 vjetorit të merrte pjesë edhe ai, por rrugë e gjatë… Jam e bindur se ai ka qenë me zemër e me shpirt këtu bashkë me ne.

Si e përjetuat atmosferën festive të këtij 100 vjetori të Shqipërisë?

Në pamundësi për të ecur, disa herë fëmijët e mi më kanë shëtitur me makinë nëpër Tiranë. Jam mrekulluar vërtetë. Tirana e zbukuruar ndrinte në të katër anët, me flamuj që valëviteshin në rrugë, në dritare e në ballkone. Edhe në ballkonin tim vendosa dy flamuj. Shumë kënaqësi. Po në atë ditë të madhe kisha edhe një gëzim të dytë, që juve nuk mund t’jua fsheh. Një nga tre fëmijët e mi ka lindur më 28 nëntor. Dhe unë në drekën e shtruar për këtë festë ngrita dy dolli, një për 100 vjetorin e Pavarësisë dhe një për 65 vjetorin e lindjes së vajzës time. Shumë bukur, apo jo!



Intervistoi: Haxhi Lika
(Revista Drita Islame, Dhjetor 2012)