Besimtarët myslimanë në Akuila të Italisë tashmë do të falen në xhaminë e re e cila sapo është ndërtuar, falë kontributit vullnetar të të gjithë komunitetit shqiptar që veprojnë në këtë vend.
Mërgimtarët shqiptarë bën inaugurimin e xhamisë në prezencën e shumë përfaqësuesve të institucioneve vendore , komunës, policisë, avokatit, si dhe shumë mysafirëve të ndryshëm dhe mjeteve të informacionit. Shiriti i përurimit u pre para namazit të drekës nga imami i xhamisë Arsim ef. Dauti dhe kryetari i këshillit të xhamisë Dashmir Zendeli.
Fjalë rasti në këtë manifestim mbajti mysafiri nga Tetova Bekim ef.Sulejmani i cili falënderoi për punën e mirë që është bërë, sepse tashmë besimtarët mysliman do të mblidhen në një vend të vetëm, pra në xhaminë e sapondërtuar.
Sulejmani mes të tjerash theksoi se kjo xhami do të luajë një rol vendimtar në brumosjen dhe përgatitjen e personaliteteve të mirëfillta, sepse shoqëria Italiane në përgjithësi dhe banorët e Akuilës në Itali kanë nevojë për njerëz të arsimuar dhe të edukuar, për njerëz me vlera të mirëfillta që do ti shërbejnë kësaj shoqërie.
Sepse besimtari mysliman duhet të jetë ndërtues dhe jo shkatërrues, prandaj i porositi që të ndërtojnë vlera të mirëfillta që do të jenë në shërbim të të gjithë shoqërisë sonë.
Mysafir tjetër ishte edhe hafiz Ibrahim ef. Alija, imam pranë xhamisë së Rinisë në Tetovë, i cili përpos përgëzimeve për këtë punë fisnike, theks të posaçëm i dha asaj se hapja e kësaj xhamia dhe kësaj qendre ngërthen në vete kryerjen e tre obligimeve madhore që ka besimtari ndaj vetes, shoqërisë dhe krijuesit.
Fjalimin kryesor e pati hafiz Arsim ef. Dauti i cili vuri në pah kurorëzimin e të gjitha përpjekjeve, sakrificave, angazhimeve që rezultoi në hapjen e kësaj xhamie. Pas bërjes së duasë u shtrua një drekë me ushqime tradicionale shqiptare.
Ndryshe për këtë xhami në Akuila të Italisë kanë raportuar edhe mediat italiane si ato elektronike poashtu edhe ato të shtypit.
Brunilda Shengjergji Kuçi