Në shenj të 1439 vjetorit të lindjes së Muhammedit a.s. - Personalitetet më të shquara në historinë njerëzore

Në atë epokë të para katërmbëdhjetë shekujsh, ishte një vend ku errësira ishte edhe më e madhe, edhe më e dendur sesa në vendet tjera. Në këtë vend nuk kishte shkolla, biblioteka nuk kishte arsimim fare. Individët e rrallë që dinin të shkruanin e lexonin nuk ishin të arsimuar sa duhet që të interesoheshin për shkencën, artin.

Ai vend ishte pa pushtet; ekzistonte vetëm Ligji i xhunglës, ku plaçka, djegia, vrasja e të dobëtit dhe të pafajshmit ishte praktikë e ditës.

Nuk dallohej çka është njerëzore e çka është e panjerëzishme; bëhej jetë e vështirë me traditë barbare. Ishin të zhytur në imoralitet (zina), pa kurrfarë turpi dilnin të zhveshur, bile edhe gratë dilnin të zhveshura. Për të mos pasur dhëndër vajzat e veta i varrosnin të gjalla.

Sa i përket besimit, adhuronin gurët, drunjtë, fantazmat. Nuk dinin asgjë për mësimet e mëparshme; mësimet e tyre ishin të mbushura me trillime të shëmtuara, kurse jeta e tyre ishte e ngjyrosur me të zezë. Ky vend ishte Arabia, dhe këta njerëz ishin arabët.

Në atë kohë dhe në atë vend, para katërmbëdhjetë shekujsh, pikërisht para 1 439 vjetëve u lind një njeri. Pikërisht ditën e Hënë më 20 prill të vitit 571, pa zbardhur akoma drita, nënë Eminéja lindi djalë. E kishte të caktuar qysh më parë që emrin t’ia lente Muhamed, ngase Natën që do të lindte, Eminéja pa ëndërr një engjëll që e porositi ta quante djalin” Muhamed”, që në shqip do të thotë ”I Lavdëruar”. Ky emër nuk përdorej më përpara fare nga arabët.

Prindërit e Muhamedit i vdiqën në fëmijërinë e tij. Mbetet nën mbikëqyrjen e gjyshit, i cili pas një kohe i vdiq. Domethënë se ai ishte i shlyer edhe prej edukatës prindërore.

Të vëzhgojmë shkurtimisht jetën dhe veprën e këtij njeriu të vlefshëm, jo vetëm në kontekstin e shoqërisë arabe, por të tërë botës së atëhershme.

Ky njeri dallohet krejtësisht prej njerëzve në mesin e të cilëve është lindur.
Dëshiron të vendosë themelet e një bote të re e më të mirë.
Pas një meditimi të thellë e të gjatë – disa ditë e net, i kthehet popullit të vet me këto fjalë:

1. Asnjë qenie njerëzore e as yjet, druri, guri, fantazma – nuk meriton të adhurohet. E tërë gjithësia dhe krejt çka ajo përmban i takon vetëm Zotit,
2. Padrejtësia, Plaçkitja, vrasja, mizoria dhe të gjitha të metat që ju i keni janë krime tek Zoti,
3. Fliteni të vërtetën, bëhuni të drejtë, merrni vetëm pjesën që ju takon, kthejani huanë atyre që u keni borxh,
4. Bëhuni fisnik dhe të ndershëm, të sinqertë… shpirtmirë;
5. Ju jeni qenie njerëzore, të gjitha qeniet njerëzore janë të njëjta tek Zoti.
6. Fati juaj do të varet prej veprave të juaja. Do jepni llogari për veprat e juaja, si ato të mira poashtu edhe ato të këqija, asgjë nuk mund të fshihni, as të mirën e as të keqen….
7. Mos u mashtroni!

Ky është mesazhi të cilin e solli ai. Populli i paarsimuar u kthye kundër tij me fyerje dhe gjuajtje gurësh, thuaja se terë Arabia u ngrit kundër tij. Tërë këtë i duroi pa e ndryshuar për asnjë grimë qëndrimin e tij.

Zgjodhi rrugën të vuajë, e flijoi fatin e vet personal për të mirën e të tjerëve. Nuk pranoi të ndërpres luftën për mirëqenien e tyre - të popullit të vet.

Kjo këmbëngulësi, kjo vendosmëri, ky qëndrim i paluhatshëm për të udhëhequr lëvizjen e tij deri në suksesin final, është argument i qartë i vërtetësisë së plotë të thirrjes së tij.
Sikur të kishte vetëm një gjurmë më të vogël të dyshimit, të pasigurisë në zemrën e vet, ai nuk do te mundej asnjëherë t’i bëj ballë stuhisë, e cila bënte kërdi shumë vite me radhë.
Pra këto ishin disa nga mendimet dhe qëndrimet e Muhamedit, që jetoi para 1 439 vjetëve, shembull i pazakonshëm në botën njerëzore.
Ky njeri dallohet krejtësisht prej njerëzve në mesin e të cilëve është lindur.

Po i veçojmë disa cilësi të tij:

- asnjëherë nuk ka gënjyer,
- ishte i ndershëm dhe shpirtmirë,
- asnjëherë nuk ka përdor fjalë fyese dhe të turpshme,
- kishte personalitet sharmant, sjellje të mirë me te cilën e mbushte zemrën e atij me të cilin ishte në kontakt…
- ndiqte parimet e drejtësisë
- ishte shumë i besueshëm, bile edhe armiqtë e tij i lenin sendet e çmuara për t’ua ruajtur
- kishte kulturë të lartë dhe shikim të mirë estetik – e populli i tij ishte i vrazhdë, i paarsimuar dhe i ndyrë;
- kishte zemër të pasur me butësinë njerëzore…
- nuk i bën dëm askujt, por më gëzim duron për të tjerët;
- kishte shpirt aq të pastër sa që e dinte se asgjë, as në qiej as në tokë nuk duhet të adhurohet, përveç Zotit të Vetëm dhe të Vërtetë!

Shkurt, personaliteti i jashtëzakonshëm dhe brilant i këtij njeriu u paraqit në mes të një ambienti të errët, si kështjellë e dritës e cila ndriçon plotësisht natën e errët.

Disa nga urtësitë e Muhamedit:

1. Kërkoni të mësoni prej djepit gjer në varr.
2. Kërkoni diturinë qoftë edhe në Kinë. (Kina dihej si vend shumë i largët).
3. Kërkoni diturinë, se ajo na bën të zotë të dallojmë të mirën nga e liga, na ndriçon udhën për në parajsë, është shoqja jonë në shkretëtirë, na shoqëron në vështirësi, nuk ndahet nga né edhe kur largohen shokët, është ngushëlluese në vuajtje, është një zbukurim në mes të shokëve dhe një armë kundër armiqve.
4. Njeriu më i mirë është ai që jeton një jetë të gjatë dhe e kalon duke bërë vepra të mira.
5. Njeri i lig është ai që jetën e tij të gjatë e përdorë për të bërë vepra të liga.
6. Nuk është musliman i vërtetë ai që barkun e vet e ka plot, e fqiu i tij s’ka bukë për të ngrënë.
7. Thënia e së vërtetës para një sunduesi tiran është vepra më e mirë.
8. Folu njerëzisë sipas mundësisë së mendjeve të tyre, se po t’u flasësh të gjithëve njëlloj, ndoshta disa prej tyre mund të mos kuptojnë e mund të keq interpretojnë fjalët e tua dhe mund të bëjnë gabim.
9. Ruaju nga lutjet që i bën kundër teje ai të cilit i ké bërë keq, sepse në mes lutjeve këtij dhe Perëndisë nuk ka perde.
10. Largoni smirën (zilinë) nga ju sepse ajo i ha veprat e mira, sikundër zjarri që ha drurin e thatë.

Të tjerët për Muhamedin:
1. Bernard Shaux, filozof francez, përveç tjerash shkruan:
”Muhamedi bëri shumë për popullin e vet arab, e nxori prej errësirës në dritën e vërtetë; e bashkoi popullin e vet të shpërndarë në mijëra kilometra katrorë, u priu, i udhëzoi dhe i drejtoi në rrugën e së drejtës, të vërtetës, në rrugën e lumturisë shpirtërore. Atë çka ai bëri për popullin e vet, deri me sot nuk arriti ta bëjë asnjë filozof, poet, shkrimtar, historian, asnjë diplomat apo burrë shteti, asnjë reformator e asnjë njeri që deri me sot e njeh historia botërore…!”

2. Michael H. Hart, publicist e shkrimtar amerikan, shkruan: në librin e tij me titull: ”The 100 a rankning of the most influental persons in history” (“Njëqind personalitetet më të shquara në histori”), të shqipëruar nga Ilinden Spasse e të botuar në Tiranë 2001, në vendin e parë e vë Muhamedin, duke lënë prapa Jezu Krishtin, Shën Pavlin, Isak Njutonin, Konfuçinë, Budën etj, etj.
Ja se çfarë Vendimi bjen autori i librit në klasifikimin e 100 personaliteteve më të shquara në historinë njerëzore:

1. Muhamedi (571 – 632)
2. Isak Njuton (1642 – 1727)
3. Jezu Krishti (6 p.e.s. – 30)
4. Buda (563 – 483 p.e.s.)
5. Konfuçi (551 – 479 p.e.s)
6. Shen Pavli (4 – 64)



99. Justiniani I (483 – 565)
100. Mahavira (599- 527 p.e.s.)

Dhe këtë Vendim, Michael H. Hart në këtë libër, e arsyeton me këto fjalë:
“Vendimi për t’i dhënë Muhametit vendin e parë në këtë libër me personalitetet më të shquara të historisë, mund tu duket e papritur disa lexuesve, ndërsa të tjerëve mund tu zgjojë dyshimin, nëse është ky i vetmi njeri në histori që ka arritur suksese të jashtëzakonshme si në zhvillimin e fesë së tij, ashtu dhe ne atë të nivelit qytetar?

Nga një prejardhje e thjeshtë, Muhameti arrit të krijojë dhe të përhapë një nga fetë më të mëdha në botë dhe të bëhet një nga udhëheqësit politikë me efikasitet të jashtëzakonshëm. Sot, më tepër se trembëdhjetë shekuj pas vdekjes se Muhamedit, ende është shumë i fuqishëm ndikimi i veprimtarisë së tij fetare.

Shumica e personaliteteve te këtij libri kanë pasur fatin të lindin në erën e civilizimit, në nacionalitete të dukshme politike dhe me kulture të lartë. Ndërsa Muhameti, lindi në Mekë, qytet në Arabinë Jugore – në atë kohë një rajon i prapambetur, larg gjithë qendrave të tregtisë, kulturës e të shkencës. Në moshën gjashtëvjeçare mbeti jetim dhe u rrit në një mjedis të thjeshtë. Sipas të dhënave islamike ishte i pashkollë. Deri në moshën 40-vjeçare tek ai nuk duk ndonjë shenjë e jashtme e një personaliteti të ardhshëm kaq të njohur.

Në këtë rast, në këtë libër, mund të duket si jo e drejtë vendosja e Muhametit përpara Krishtit, kur dihet së të krishterët në botë janë rreth dyfish më shumë se myslimanët.

Për këtë klasifikim në libër ka shumë shkaqe.
Së pari, Muhameti ka luajtur rol shumë më të rëndësishëm për zhvillimin e islamizmit, se sa Jezusi për zhvillimin e kristianizmit. Edhe pse Jezusi ka dhënë bazat e normave etike dhe morale të krishterimit, Shën Pavli është ai që përpunoi teologjinë kristiane, është ithtari kryesor i zjarrtë i idesë së re dhe autor i një pjese të madhe të Dhiatës së RE.

Ndërsa Muhameti është krijuesi i teologjisë islamike dhe i principeve kryesore e morale të myslimanizmit. Veç kësaj, ai ka luajtur rolin kryesor në përhapjen e fesë së re dhe krijimin e ideve të saj. Para se gjithash, ai është autori i librit fetar mysliman, Kuranit, një fjalor me urtësi të Muhametit, të frymëzuara kryesisht nga ai. Kurani është aq i rëndësishëm për myslimanët sa Bibla për të krishterët, ndikimi i Muhametit për hartimin e Kuranit është i padiskutueshëm. Në këtë aspekt, nuk përjashtohet mundësia që ndikimi i Muhametit në përhapjen e islamizmit të jetë më i madh sesa ndikimi përgjithshëm i Jezu Krishtit dhe Shën Pavlit në përhapjen e kristianizmit. Në një aspekt të drejtë mund të thuhet se ndikimi i Muhametit në historinë njerëzore është i njëjtë për nga rëndësia me atë të Jezusit.

Edhe diçka tjetër: Muhameti, në ndryshim nga Jezusi, është figurë udhëheqëse si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë botëror.
Në të vërtetë, duke i parë luftërat arabe si forca lëvizëse, Muhameti mund të renditej në vend të parë si udhëheqësi politikan më i shquar i gjithë kohërave.
Siç duket, pushtuesit arabë, si gjatë shekullit VIII, ashtu edhe sot, vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në historinë njerëzore.
E pikërisht, ai gardh i perreshtur i ndikimit botëror dhe fetar na jep të drejtën që Muhamedin ta vlerësojmë si figurën më të shquar në historinë njerëzore.



Mr Ismet Hasani, Suedi