Bankimi Islam ndihmon në amortizimin e krizës globale

Falë qasjes së tyre etike me risk të ulët bankat islame kanë ndihmuar në amortizimin e krizës financiare globale, duke mbërritur norma të larta fitimi në vitin 2009.

Ky është përfundimi i një studimi. “Një qasje konservative ndaj riskut dhe lidhje të forta ndërmjet sektorit financiar dhe aseteve reale kanë ndihmuar në mbrojtjen e këtij sektori nga kriza më e keqe e kredisë”, -thotë Brajen Kaplan, editor i Banker Magazine në një studim të cituar nga Agence France Presse (AFP). Ky studim i porositur nga kjo revistë me qendër në Londër dhe një nga njësitë e bankës HSBC thotë se: Institucionet financiare islame e kanë mposhtur krizën, që i goditi ashpërsisht bankat konvencionale. Një furtunë financiare e përfshiu SHBA-në dhe të gjithë botën në shtator 2008 pas falimentimit të Lehman Brothers, një nga gjigantët e Uoll Stritit. Ajo i çoi në knock down shumë kompani të mëdha në mbarë botën, duke shkaktuar humbje të vendeve të punës, rënien e të ardhurave familjare dhe i detyroi konsumatorët ta rrudhnin dorën për shpenzimet e tyre. Studimi ia atribuon suksesin e bankave islame që i ndalojnë investimet në obligacione debiti kolaterale dhe në forma të tjera asetesh toksike, që shkaktuan krizën financiare në fjalë. Rregullat e financimit dhe të bankimit islam mund të merren se si mund të parandalojmë fatkeqësitë e këtij lloji që kanë mbërthyer tregun botëror aktual. Islami i ndalon myslimanët ta përdorin kamatën, të marrin apo të japin interesa mbi borxhin. Transaksionet e bankave islame duhet të mbështeten nga asete reale dhe jo nga hipotekime pas hipotekimesh.
Financimi sipas Sheriatit merret me marrëveshje qiradhënie, blerje e përbashkët dhe marrëveshje shitje ose ortakërie. Investuesit kanë të drejtën të dinë se si janë përdorur fondet e tyre dhe sektori vëzhgohet nga borde mbikëqyrësish të posaçëm po ashtu edhe nga autoritetet rregullatorë kombëtare.
Shpërthimi
Për shkak të sigurisë së saj industria financiare islame po ndërton “një pistë solide të dhënash”, thotë studimi. “Për momentin ka një kërkesë të madhe për kapitale të garantuara apo për kapitale prodhimesh të sigurta”, - i deklaroi Rojterit David Dju, zyrtar i lartë i HSBC Amaneh. Ky studim vëren se asetet e mbajtura nga bankat sipas Sheriatit apo njësitë islame në bankat konvencionale janë rritur me 28,6%, ose me 822 miliardë $ në 2009 në krahasim me 639 miliardë $ në 2008. Kjo kontraston shumë me amullinë që ka përfshirë sektorin e bankimit konvencional. Një vëzhgim i Banker Magazine në 1.000 bankat më të mira në botë i publikuar në korrik tregon se rritja vjetore e aseteve është vetëm 6.8%. Financa Islame është një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në industrinë globale financiare. Ajo ka pasur një rritje thelbësore dhe ka tërhequr vëmendjen e investuesve dhe të bankierëve në të gjithë botën. Një listë e gjatë institucionesh ndërkombëtare përfshirë këtu Citigroup, HSBC Deutsche Bank po i drejtohen përherë e më tepër biznesit të bankimit islam. Tashmë janë përafërsisht 300 banka dhe institucione islame në të gjithë botën asetet e të cilave parashikohet të rriten në 1.3 biliardë $ më 2013.



Përktheu: Roald A. Hysa