Haxhxhaxh ibn Jusuf ishte njëri prej mëkatarëve nga fisi Thekif. Ka kryer funksionin e mëkëmbësit gjatë kohës së sundimit të Abdulmelikut, i cili ka dënuar edhe për shkak të insunacioneve dhe ka kontrolluar kundërshtarët e tij në të gjitha cepet e shtetit islam, duke rrëzuar nga froni edhe sundimtarin e tij.
Mbi popullin ka vepruar me tirani pamëshirë duke mos u frikësuar nga Allahu i Plotfuqishëm dhe Madhështor. Halid ibn Abdulmelik el-Kasri në atë kohë ishte mëkëmbës i Mekës. E dinte që në territorin e tij jetonte Ibn Xhubejri dhe urdhëroi që ta burgosin.
Pas kësaj, dëshiroi ta lirojë dhe e dërgoi në përcjellje të Ismail Ibn Vasit el-Bexhelij te Haxhxhaxh Ibn Jusufi.
Haxhxhaxhi e pyeti: “Si quhesh?”
“Seid Ibn Xhubejri” - u përgjigj ai.
Haxhxhaxhi i tha: “Ti je Shekkijj ibn Kusejr (I pafat djalë i të Zhdukurit)”
Ibn Xhubejri u përgjigj: “Nëna ime e di më mirë emrin tim se ti!”
Haxhxhaxhi ia ktheu: “Të pafat je ti dhe nëna yte!”
Seidi u përgjigj: “Ti nuk i di të fshehtat, ato i di dikush tjetër!”
Haxhxhaxhi i tha: “Duhesh që në dynja ta ndiesh flakën e zjarrit!”
Seidi u përgjigj: “Sikur të dija që kjo është në dorën tënde, do të mendoja si zot.”
Haxhxhaxhi e pyeti: “Çfarë thua për Muhammedin?”
Seidi u përgjigj: “Pejgamber i mëshirës dhe imam i udhëzimit.”
Haxhxhaxhi e pyeti: “E çfarë thua për Aliun, a është banor i Xhennetit apo i Xhehennemit?”
Seidi i tha: “Sikur të kisha hyrë në Xhennet dhe Xhehennem, kisha ditur të tregoj kush janë banorët e tyre!”
Haxhxhaxhi e pyeti: “E çfarë thua për halifët?”
Seidi u përgjigj: “Nuk jam përfaqësues i tyre!”
Haxhxhaxhi e pyeti: “Cili për ty është më i dashuri?”
Seidi i tha: “Më i dashuri për mua është ai me të cilin është më i kënaquri Krijuesi im!”
Haxhxhaxhi përsëri e pyeti: “E me të cilin është më i kënaquri Krijuesi yt?”
Në këtë Seidi i tha: “Këtë e di vetëm Ai që i di fshehtësitë e tyre!”
Haxhxhaxhi e pyeti: “Ç’është me ty, përse nuk qesh?”
Seidi u përgjigj: “Si do t’i qeshi krijesës e cila është krijuar nga dheu e këtë zjarri e djeg?”
Haxhxhaxhi e pyeti: “E ç’është me ne, që tani ne qeshim?”
Seidi u përgjigj: “Nuk janë të gjitha zemrat e njëjta!”
Haxhxhaxhi pastaj urdhëroi që t’i sjellin diamant, biser dhe zbukurime duke i vendosur para tij. Atëherë Seidi i tha: “Nëse këto i ke grumbulluar për t’u ruajtur nga trishtimet e Kijametit, atëherë ke vepruar mirë. Në të kundërtën dije që secila mëkuese do ta hudh fëmiun e saj nga tmerri. E mira e dynjasë vlen vetëm për atë që u pastrua.”
Pas kësaj Haxhxhaxhi urdhëroi t’ia sjellin fyellin dhe flautën dhe filloi t’i fryejë. Në këtë moment Seidi filloi të qajë. Haxhxhaxhi i tha: “Çfarë të bëri të qash, ky argëtim?”
Seidi i tha: “Jo, por qajta nga pikëllimi. Kur fryre në flautë, m’u kujtua dita e madhe kur do të fryhet në Sur. Fyelli është dru e prerë padrejtë, ndërsa telat e harfës janë nga (zorrët) e deleve e cila do të ringjallet në ditën e Gjykimit.”
Haxhxhaxhi i tha: “I mjeri ti, o Seid!”
Seidi u përgjigj: “Nuk është i mjerë ai i cili është i larguar nga zjarri dhe hyn në xhennet!”
Haxhxhaxhi i tha: “Seid, zgjidh në çfarë dëshiron të mbys!”
Seidi i tha: “Jo, por ti zgjidh si të duash. Betohem në Allahun, si do të më mbytësh mua, Allahu në të njëjtën mënyrë do të mbyt në Ahiret.”
Haxhxhaxhi i tha: “A dëshiron që të fal unë?”
Seidi i tha: “Falja vie nga Allahu, ndërsa sa të përket ty nuk dëshiroj të arsyetohem.”
Haxhxhaxhi urdhëroi ta mbysin. Kur dolën për ta mbytur, Seidi qeshi.
I treguan Haxhxhaxhit dhe përsëri e sollën para tij. Haxhxhaxhi e pyeti: “Përse qeshe?”
Seidi u përgjigj: “Quditem sesi Allahu është i butë dhe i mëshirshëm ndaj teje, edhepse ke bërë kaq shumë zullum!”
Haxhxhaxhi përsëri urdhëroi ta mbysin. Atëherë Seidi filloi t’i thotë fjalët e Alllahut:
“Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!” (El - En’amë, 79)
Haxhxhaxhi tha: “Mos e ktheni kah kibla!”
Seidi tha:
“Dhe kahdo që të ktheheni, aty është anë e All-llahut.” (El - Bekare, 115)
Haxhxhaxhi tha: “Vendoseni me fytyrë për tokë!”
Seidi tha:
“Prej asaj (tokës) Ne u krijuam ju, e ju do t'ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t'ju nxjerrim edhe një herë.” (Ta Ha, 55)
Haxhxhaxhi bërtiti: “Therrni!”
Seidi tha: “Unë dëshmoj se nuk ka zota pos Allahut, Një i Vetëm i Cili nuk ka shok dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Allahut. Merre kokën time deri në Ditën e Gjykimit kur do të takohemi përsëri. O Allahu im, mos i lejo që pas meje ta mbyt dikë tjetër!”
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi