Muslimanët shqiptar në SHBA (1914-2000)

Amerika, toka e premtuar për evropianët, por dhe shqiptarët, udhëtimet e para drejt saj i kanë nisur që në fund të shek. XIX, që në vitin e largët 1876, ndërsa i regjistruari i parë zyrtarisht që ka hyrë në SHBA është Kolë Kristofori në 1889 nga rrethi i Korçës.

Në vitet 1900 numri i shqiptarëve që jetonin në SHBA ishte 42 persona kryesisht shqiptarë nga Jugu, të vendosur në Massachusetts, ndërsa mbas Luftës së Parë Botërore (1918), në një studim thuhet se numri i shqiptarëve në SHBA kishte arritur në afër 50.000 banorë.[1] Ndër shqiptarët që kanë emigruar drejt Amerikës kanë qenë të besimeve të ndryshme, normalisht dhe shumë myslimanë, aktualisht në SHBA ka mbi 20 xhami[2] të shqiptarëve ku shumë prej tyre kanë dhe qendrat multifunksionale.
Organizimi i shqiptarëve myslimanë si komunitet në SHBA ka filluar që në 16 shkurt 1914, dhe në 11 prill 1915, për herë të parë myslimanët shqiptar në Biddeford me mbledhjen e parë të tyre, vendosin të ngrenë një organizatë përfaqësuese dhe organizuese për ta, “Shoqëria Muhemedane Kombëtare” dhe si kryetar të tyre caktuan Bexhet Nepravishtën, anëtarët që morën pjesë nga qytetet e tjera ishin ata që morën përsipër që të përfaqësojnë shoqërinë myslimane në qytetet e tyre. Më 28 korrik, Sekretari i Shoqërisë do të thërriste anëtarët në një mbledhje tjetër dhe kështu do bëheshin ndryshime sërish, ku si Kryetar dhe Sekretar u caktua Hasan Bitinca (me rrogë 35$/muaji), rrogë të cilën kryetari nuk e kërkoi ta marrë duke patur parasysh gjendjen ekonomike të Shoqërisë, edhe pse disa pjesëtarë të kryesisë hoqën dorë nga rroga, sërish bilanci i shoqatës ishte negativ. Paralelisht me këto zhvillime në Maine, që në vitin 1915 u ndërtua Xhamia e parë nga shqiptarët në SHBA, kurse në 1919 në Connecticut u ndërtua xhamia e dytë.
Më 8 mars 1916 organizatorët me anë të një thirrjeje të quajtur “Thirrja Muhamedane” bënë një kuvend të madh të myslimanëve shqiptarë në No Grosvenordale Coon, ku si kryetar u zgjodh Sefer Prishtina, dhe mbas bisedave dhe debateve konstruktive ndër të tjera vendosën që të hapeshin 10 degë të tjera të Shoqërisë Shqiptaro-myslimane në SHBA, ndër të cilat: No Grosvenordale Coon, (No Grosvenordale) So Bridge, Londsdale, R. I., Milwauke, Wisc., Waterbury, Coon., Philadelphia, Pa., Pontiac, Mich., New Beddford, Mass., Central Falls, [3] Në vitin e dytë të veprimtarisë së Shoqërisë gjërat do të shkonin mirë, të ardhurat financiare do të ishin të mjaftueshme për veprimtarinë fillestare. Më 1 janar 1917 thirret mbledhja tjetër duke patur parasysh nevojat, mblidhen kryetarët e qendrave dhe pas bisedimesh e debatesh të nxehta vendosën që qendra e shoqërisë të vendoset në Waterbury Coon. dhe kryetar e sekretar i saj të zgjidhet Adem S. Vishocica (pa rrogë). Duket qartazi që në vitin e tretë të jetës së saj, shoqëria ishte në drejtimin e duhur, ishte e njohur tashmë dhe punohej për ta stabilizuar dhe për ta përparuar akoma më tej.
Në vitin e katërt të jetës (1918), shoqëria mblidhet sërish për të bërë bilancet, si kryetar zgjidhet Refo Çapari. Ashtu si vetë e shprehin në revistën “Shqipërija”, “Shoqëria Fetare Muhamedane Shqiptare” është themeluar mbi parimet e kombësisë, dashurisë, bashkimit të plotë midis shqiptarëve…” Më 11 mars 1918 në mbledhjen e e bërë nga Sh. F. M. Sh. u vendos: Me anë të një marrëveshje të gjithë grupet e përçara të bashkohen për sigurimin e atdheut, myslimanë e jo-myslimanë dhe më 14 mars 1918 për këtë do të mbahet një kongres në qendrën e F. M. SH. në Waterbuty Coon. Të ftuar për të marrë pjesë në këtë nismë ishin 35 anëtarë, ndër të cilët personalitete të ndryshme fetare, etj.[4]
Pothuajse çdo vit “Shoqëria e Shqiptarëve Myslimanë në Amerikë” do të bënte mbledhjen e saj të përgjithshme duke diskutuar për çka ishte bërë mirë, çka duhej përmirësuar dhe në çdo vit do të ndërroheshin drejtuesit me dakortësi mes tyre, duke bërë zgjedhje me votë për drejtuesin e radhës, për më tepër që e gjithë kjo, ‘postet’ e marra nga kjo detyrë kishin paga shumë të ulëta ose nuk kishin fare, thënë ndryshe gjithçka bëhej për hir të Zotit, pra për interesin e mbarë myslimanëve dhe jo për interesa të ngushta financiare. Më 6 janar 1919 do të bëhej mbledhja e radhës, si gjithmonë me mirësjellje mbledhjen e hap kryetari i vitit që sapo mbaroi, zgjidhet kryetari i ri dhe pikërisht ky vazhdon mbledhjen dhe aktivitetin, në këtë vit kryetar u zgjodh Mazllëm Panariti dhe sekretar Iljas Përmeti. Kjo praktikë e drejtimit të Qendrave Islame Shqiptare në SHBA do të ishte pothuajse e përhershme deri në ditët e sotme, ku dëshira për të kontribuar jo domosdoshmërisht shprehet me “synimin e drejtimit” të Qendrave Islame, por respektohen fillimisht të diturit, hoxhallarët, e më pas zgjedhjet bëhen me vota të mbarë pjesëmarrësve dhe Kryetari i zgjedhur e konsideron privilegj, por njëkohësisht dhe përgjegjshmëri të lartë. Ajo që bie më shumë në sy në këtë mbledhje që zgjati më shumë se të tjerat është se, Kryetari tashmë u caktua me rrogë të plotë që të merrej intensivisht me këtë çështje, në çdo qytet ku ka myslimanë shqiptarë mund të hapej një degë të shoqërisë, u propozua që anëtarët të paguanin këste mujore më të larta për t’i ardhur në ndihmë qendrës, u propozua kuota prej 2 $ për anëtar,[5] ishte një shumë minimale, nga marsi 1918-1919 kjo shoqëri kishte dhe zërin e saj në media revistën SHQIPËRIJA, e cila nuk do ta kishte jetën e gjatë, do të mbyllej për arsye financiare.[6] Një nga xhamitë më të vjetra është dhe ajo e shqiptarëve e ngritur në Harper Woods.[7]
Për arsye se nuk kemi arritur në asnjë lloj të dhëne se cili ishte aktiviteti i myslimanëve shqiptar në SHBA që nga fundi i Luftës së Parë Botërore (saktësisht që nga 1919 deri në vitin 1948/49, kjo periudhë kohore ngelet e pa trajtuar, megjithatë, gjendja mbas Luftës së Dytë Botërore do të ndryshonte krejtësisht, ku numri i shqiptarëve në SHBA do të shtohej, gjithashtu dhe numri i myslimanëve, të cilët tashmë kishin nevojë për hoxhallarë të kualifikuar, për një edukim më të mirë fetar për ta dhe fëmijët e tyre, do kërkonin hoxhallarë të ditur shqiptarë nga Shqipëria ose nga gjithandej nga ata njihnin. Një nga këta thirrës ishte dhe hoxha i nderuar Imam Vehbi Ismaili (1919 -2008), një nga drejtuesit e myslimanëve shqiptarë në Detroit për rreth 6 dekada, (prill 1949 – 1996) me kërkesën e Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane më vonë Qendra Islame Shqiptare pra me kërkesë të myslimanëve, thirret që të shërbejë si imam në Detroit. Më 30 korrik 1949 organizoi Kongresin e Parë të Myslimanëve në Detroit, qendra nën drejtimin e tij do të botonte revistën islame “Jeta muslimane shqiptare”(1949-1958), gjithashtu dhe do të organizohej më mirë, aq sa vetëm për një kohë të shkurtër nga ardhja e hoxhës në Detroit, saktësisht më 6 qershor 1951, u inaugurua xhamia e parë e ndërtuar nga vetë shqiptarët, e cila u zgjerua më 1959 vendi i së cilës do të shitej në 1962 për të ndërtuar një xhami dhe kompleks më të madh. Në vitin 1963 në Detorit u ndërtua një Qendër e madhe Islame. Xhamia kishte një kapacitet prej 500-600 vendesh dhe ambiente të tjera ndihmëse si bibliotekë, zyra, klasa, etj. Gjatë viteve 1970-80 imam Vehbiu tregoi se dashuria për atdheun i ishte shtuar më shumë nga largësia, gjë që e tregoi duke vizituar 3 herë trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, duke tentuar të vizitojë Shqipërinë për të cilën ka bërë disa kërkesa që i janë refuzuar dhe vetëm në vitin 1988, pas 49 vitesh largimi, do të bëhej e mundur që Imami të vizitonte Shqipërinë, në 1991 e vizitoi sërish vendin e tij me një delegacion të madh nga SHBA. Gjatë viteve 1963-1993, Qendra Islame në Detroit me në krye Imamin, do të vazhdonte aktivitetet e saj në thirrjen e njerëzve në fenë e Allahut, në përmirësimin moral dhe shpirtëror të shqiptarëve, gjithashtu në organizimet e shumta mbarë-shqiptare që bëheshin për të diskutuar dhe konsultuar mbi gjendjen në Shqipëri, veçanërisht mbas ndalimit të Besimit(1967), ku shpesh i gjen krah për krah hoxhallarët e priftërinjtë, duke diskutuar se çka mund të ndryshohej dhe me se mund të kontribonin ata si shqiptarë ndaj shtetit të tyre të katandisur si mos më keq nga komunistët. Ishte sërish imam Vehbiu i cili bëri të mundur organizimin e një mbledhje të myslimanëve shqiptarë e të realizonte më 10.07.1993 themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar për SHBA-në dhe Kanadanë me Kryetar të zgjedhur njëzëri nga pjesëmarrësit, të nderuarin Imam Vehbiun.[8] Në mbledhjen e dytë të tij, Komuniteti vendosi të botojë revistën “Thirrja Islame” (el DAWU)[9], revistë fetare – kulturore, e cila do të dilte çdo tre muaj, me përmbajtje tërësisht fetare, përjashto lajmet që vinin nga mbarë shqiptarët, apo numrin 14-15, i cili i është kushtuar totalisht luftës në Kosovë[10], dhe për të cilën Qendra Islame Shqiptare në Detroit, por jo vetëm, ka ndihmuar shumë duke sensibilizuar të huajt për realitetin në të cilën gjendej Kosova, por gjithashtu duke nxitur shqiptarët për t’u bërë pjesë e luftës duke ndihmuar financiarisht apo në çdo lloj mënyre, ku në vitin 1994, kanë arritur ta ndihmojnë Qeverinë e Republikës së Kosovës me një shumë prej 17.200$, një shumë mjaft e dobishme për Kosovën në ato ditë të vështira.
Në vitin 1994 revista “Thirrja Islame” ka uruar për Bajram 12 qendra shqiptare-islame në mbarë SHBA-në, gjë që tregon se Komuniteti Mysliman Shqiptar i SHBA-së kishte arritur një nivel të kënaqshëm institucionalizimi dhe njëkohësisht njohje zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.[11] Një nga punët e mira të realizuara gjatë këtij viti ishte më 16.10.1994 në Kenosha, Wisconsin ku u hap një Qendër e Madhe Islame e Shqiptarëve bashkë me xhaminë, me fondet e vetë myslimanëve me një vlerë prej 382.400 $, Qendër e cila do të drejtohej prej Imam Iljaz Fetahut dhe me pjesëmarrjen e 140 anëtarëve.
Myslimanët shqiptarë në Nju Jork[12]
Aktiviteti i organizuar nga myslimanët në këtë shtet do të ishte në një nivel shumë më të lartë, një organizim i cili do të nisë pothuajse paralel me ndalimin e besimit në Shqipëri. Kongresi i Parë i myslimanëve shqiptarë të Nju Jorkut u mbajt më 15 maj 1966, me iniciativën e Imam Isa Hoxhës (mbërritur këtu në 1962), këshilli provizor i myslimanëve mbajti mbledhjen e parë, si kryetar të mbledhjes dhe kryetar nderi zgjodhi të nderuarin Salih Myftija (70 vjeç) ish-Myfti i Shkodrës dhe Kosovës, i cili kishte vetëm disa muaj që kishte ardhur në SHBA. Si kryetar të Qendrës Islame Shqiptare në Amerikë pjesëmarrësit zgjodhën të nderuarin Vahid Çika dhe Rexhep Kumbarçe sekretar. Përgjatë dy viteve punë aktiviteti i drejtuesve do të përqendrohej në njohjen juridikisht të Qendrës Islame, më pas kryetari i paraqiti dorëheqjen Salih Myftisë, i cili nuk e pranoi por e mbështeti që të vazhdojë punën.
Në nëntor 1968 u mblodh Kongresi i Dytë i cili pikë së pari, si gjithmonë zgjodhi kryetarin duke rikonfirmuar Vehbi Çikën, gjithashtu në këtë mbledhje u mor vendimi për botimin e revistës Përpjekja Jonë, organ fetar e kulturor i Qendrës Islame, botimin e parë do ta kishte në janar 1970. Në vitin 1967/1968 është hapur shkolla e parë fetare kombëtare shqipe në “Setlement University” në Manhatan, ku kanë marrë pjesë 70 nxënës me mësues Selahudin Velaj dhe Nesti Andrea që jepnin gjuhën shqipe, Isa Hoxha që jepte bazat e besimit e shumë mësues të tjerë.[13] Kongresi i Tretë u mbajt në Nëntor 1970 si kryetar u zgjodh Ing. Mahmut Cungu, i cili në 16 maj 1971 jep dorëheqje për arsye shëndetësore, gjatë diskutimit u vendos që të formoheshin komisione për lagjet e dy qyteteve me kryetarët përkatës që të monitoronin situatën dhe të punonin për Thirrjen Islame. Kongresi i Katërt u mbajt në maj 1971 i quajtur ndryshe i Jashtëzakonshëm, pasi kryetari i mëparshëm Ing. Mahmut Cungu, jep dorëheqje për arsye shëndetësore, si kryetar u zgjodh i nderuari Rexheb Kumbarçe, i cili kishte qenë aktiv dhe pjesë e stafit të Qendrës që nga Kongresi i parë, i cili do të jepte rezultat që në këtë mbledhje, duke u fokusuar në dy pika të rëndësishme, 1- Hapi fushatën për foltoren, duke trokitur çdo derë për ndërtimin e Xhamisë. 2- Blerja e një ndërtese për faltore brenda 6 muajsh, vetëm në hapje të kësaj fushate pikërisht në këtë mbledhje, u mblodhën 12.200 $. Përfundimisht në nëntor 1972 kjo nismë do të përmbyllej duke inaguruar Qendrën Islame Shqiptare me Xhaminë dhe mbarë kompleksin e saj në praninë e shumë shqiptarëve dhe mediave vendase.
Edhe pse Qendra ishte futur në borxhe qëllimi kryesor dhe madhështor ishte arritur në një kohë rekord. Për këtë u bë dhe një event madhështor në të cilën ishin të ftuar dhe përfaqësues të besimeve të tjera, katolikë, ortodoksë dhe bektashinj, njëri nga të pranishmit Zef Pashko Deda mban një fjalim të gjatë ku ndër të tjerat tha: “Kjo Qendër do të bëhet strehë jo vetëm e lutjeve dhe e selisë së “Qendrës Islame Shqiptare në Amerikë” por edhe shkollë për mësimin e gjuhës (shqipe) të fesë e të moralit, ashtu si edhe për çdo shërbim tjetër shoqëror e patriotik” dhe si problem kryesor ai nuk shikon se cila nga besimet ka më shumë përkrahës shqiptarë, por se si realisht ishte Vendlindja e tyre, që sapo kishte ndërmarrë një hap aq të guximshëm sa asnjë shtet tjetër gjatë shek. XX nuk e kishte ndërmarrë, pra heqjen e besimit nga zemrat e njerëzve. Për këtë ai vazhdon e thotë se: “Komunistët shqiptarë që ta privojnë popullsinë nga çdo e drejtë më e natyrshme politike, civile e shoqërore; që ta zhveshin nga çdo virtyt e parim të lartë njerëzor, që ta zbresin në shkallën më të ultë të skllavërisë, në një makinë pa shpirt e pa ndjenja, që ta shkëpusin nga besimi në Zotin, në mirësi e drejtësi, pikë së pari hoqën lirinë si më e para dhe më e madhja pengesë në realizimin e planit të tyre çnjerëzor dhe gjakatar. Prandaj ne që jetojmë në botën e lirë duhet ta ndjejmë më shumë detyrën dhe përgjegjësinë që të punojmë gjë luftojmë kundër këtij çnjerëzimi në emër të lirisë së përbashkët kombëtare qoftë edhe “njëri te kisha tjetri te xhamia”. Vlerësimi i tij për objektet e kultit që po ngriheshin në SHBA është se: “Edhe një herë faltoret shqiptare si gjatë gjithë historisë së tyre po bëhen çerdhe të nacionalizmit shqiptar për ruajtjen e gjuhës dhe të traditave të mira shqiptare, për të cilën shquhemi dhe nderohemi në botë.” [14] Ky ishte inaugurimi i xhamisë së 4 shqiptare në USA, në Nju Jork, Neju Xhersi, Detroit, Uaterbori dhe Çikago. Për t’u përmendur në veçanti në ndërtimin e kësaj xhamie është dhurimi i 650$ nga Lidhja Katolike Shqiptare Amerikane, të mbledhura nga katolikët shqiptarë për ndërtimin e xhamisë[15] diçka e ngjashme kishte ndodhur më parë me ndërtimin e Qendrës Islame në Detroit, kur Fan Noli kishte dhuruar 500$ për ndërtimin e kësaj qendre.
Në 16 shtator 1973 (pra 2 vjet mbas zgjedhjes së kryetarit) u mblodh Kongresi i Pestë në të cilin normalisht mori pjesë dhe kryetari Rexhep Kumbarçe, i cili pasi vuri në dukje punën e bërë deri nën drejtimin e tij, me të mirat dhe mangësitë, me këshillën se ku duhej vënë theksi i lë vendin kryetarit të ri, zotërisë Abdullah Kaloshi. Puna më e madhe e këtij kryetari bashkë me stafin normalisht do të ishte shlyerja e borxhit të marrë për ndërtimin e qendrës, gjë të cilën do ta realizonte deri në kongresin e radhës (1975).
Kongresi i Gjashtë u mbajt në 22 Qershor 1975, pjesëmarrësit të kënaqur nga puna e kryetarit Abdullah Kaloshit, e rizgjedhin për herë të dytë si kryetar të tyre. Në këtë kongres me telegram përshëndet dhe kryetari i “Albanin Islamic Center Jamaica” e gjithashtu me vonesë në kongres mbërrin dhe kryetari e njëkohësisht imami i “Albanin Islamic Center Filadelfia”.[16] Abdullah Kaloshi do të ishte drejtues i Qendrës Islame deri në 27 Prill 1980 kur u mbajt Kongresi i Tetë, në të cilin për herë të parë kryetari u shkarkua nga detyra, dhe në vend të tij u zgjodh Remiz Barolli, dhe ky aktivist shumëvjeçar i Qendrës në fjalë. Barrolli e drejtori qendrën për 6 vite rresht, deri në 20-27 Prill 1986, kur qendra do të mbushte plot 20 vjet jetë, për të cilën do të zhvillohej një ceremoni madhështore festimi. Në këtë datë u mbajt Kongresi Njëmbëdhjetë (Prill 1986), një tubim madhështor që sipas të pranishmëve mund të ishin më shumë se 1000 vetë. Në këtë kongres u vunë në dukje çfarë janë bërë nën drejtimin e stafit aktual të Qendrës por dhe stafit që Qendra ka patur gjatë 20 viteve, duke vënë në dukje veçanërisht punën e palodhur të aktivistëve si zotërinjve Salih Myftija (i cili kishte ndërruar jetë në 1978) gjithashtu dhe kryetarët ndër vite si Vahit Çika, Ing. Mahmut Cungu, Rexhep Kumbarçe, Abdullah Kaloshi dhe kryetari i fundit Remzi Berolli, i cili u zgjodh kryetar nderi i përhershëm.
Ndryshe nga kongreset e tjera aktivitetet ishin të shumta dhe fjalën do ta kishin organizatorët dhe drejtuesit, me praninë e personaliteteve të ndryshme fetare, gazetarë, etj., do të bëhej një eveniment madhështor dhe kryetari i ri do të zgjidhej vetëm në ditën e fundit. Si kryetar u zgjodh Zenun Nezaj.[17]
Sa për numrin e shqiptarëve myslimanë në SHBA gjatë viteve 1966-1986 ekziston vetëm një të dhënë mbi martesat e lidhura mes tyre që në total shkon në rreth 400 çifte, ku shumica janë shqiptarë të pastër, ndërsa një pakicë shqiptarë/re që janë martuar me jo-shqiptarë/re,[18]
Gjatë dekadës së fundit të shek. XX, që në fillim të viteve ‘90 mbarë shqiptarët myslimanë në SHBA dhe Kanada e në gjithë diasporën janë angazhuar me çështjen e Kosovës, duke dhënë kontributin e tyre moral, financiar, duke informuar dhe ndërgjegjësuar mbarë opinionin botëror dhe politikanët për çka ndodhte realisht në Kosovë, pasi serbët e paraqisnin situatën ‘paqësore’ me probleme të vogla. Nuk ka munguar nga shqiptarët lobimi pranë drejtuesve ndërkombëtarë për ndërhyrje të shpejtë në Kosovë dhe të parandaloheshin masakrat që po ndodhnin atje, dhe ndërhyrja e SHBA-së ishte e shpejtë me nismën e saj pa miratimin e OKB-s, e cila do ta mbështeste pas ndërhyrjes.


________________________________________
[1] www.albanian.irib.ir/radioculture/lajme/artikuj/culture/item/78613-40-vjetori-i-xhamis%C3%AB-qendr%C3%ABs-islame-shqiptare-%E2%80%93-amerikane-p%C3%ABr-shtetet-neë-york-%E2%80%93-news-jersey
[2] Shqiptarët myslimanë në amerikë po ndërtojnë dy xhami të reja marrë nga: www.malesia.org
[3] Shqipërija, Nr. 1, Mars 1918; Waterbury Coon.-ShBA.
[4] Të dhënat nga periudha 1914-1919 janë marrë nga 2 botimet e Revistës SHQIPËRIJA që kemi mundur të sigurojmë.
[5] Shqipërija, Viti dytë i botimit, Volumi II, Nr. 2; Vjeshta e parë 1919; Waterbury Coon.-ShBA,
[6] DRITA ISLAME, Viti XXII Nr. 3, Mars 2013- Tiranë.
[7] Për më shumë shih: http://www.biid.lsa.umich.edu dhe webe tjera të qendrave të ndryshme islame shqiptare në SHBA.
[8] Imam Vehbi Ismaili, Jeta dhe Vepra, V. 1; Logos-A- Shkup 2009, fq. 20.
[9] Thirrja Islame, Nr. 2-4, 1994, Beverley – New York 1994.(vetëm 2 kopje gjenden në Bibliotekën Kombëtare Shqiptare).
[10] Thirrja Islame, Nr. 14-15, 1998, Beverley – New York 1998.
[11] Thirrja Islame, Nr. 2-4, 1994, Beverley – New York 1994.
[12] www.aicc-ny.org ; www.islamicfinder.org
[13] Përpjekja Jonë, Vol. XIII, No. 13-14, Prill – Maj 1987, fq. 41.
[14] Zef Pashko Deda, Edhe një tjetër faltore…, Përpjekja Jonë, Volumi III, Nr.4, 12.11.1972, New York – New Jersey ; fq. 166-168.
[15] Shih revistën; Përpjekja Jonë, Volumi III, Nr.4, 12.11.1972, New York-New Jersey; fq. 166-168.
[16] Përpjekja Jonë, Volumi V, Nr.7-8, 12.11.1976, New York-New Jersey, f. 125-134.
[17] Përpjekja Jonë, Vol. XIII, No. 13-14, Prill – Maj 1987, fq. 39-47.
[18] Përpjekja Jonë, Vol. XIII, No. 13-14, Prill – Maj 1987 gjithashtu dhe në Vol. XIV, No. 15-16, Gusht – Shtator 1989.



Edmond Sharka
(Revista Drita Islame, Korrik 2013)