Me rastin e 400 vjetorit të themelimit të Tiranës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, më 11.02.2014., hapi ekspozitën “400 vjet qytet – Gjurmët Islame në Tiranë”.
Në ceremoninë e hapjes nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Klodian Shehi u shpreh se themelimi i Tiranës daton që në vitin 1614, ku dhe u hodh gurthemeli i ndërtesës së parë, i Xhamisë së Vjetër nga Sulejman Pashë Bargjini, gurthmel i cili sot nuk ekziston më. “Mungesa e disa prej këtyre objekteve të kultit, dhe jo vetëm, është një humbje e madhe jo vetëm për memorien shpirtërore, por edhe atë kulturore, arkitekturore dhe urbanistike të qytetit”, nënvizoi z. Shehi.
Ndërsa Drejtori i Kulturës në KMSH z. Genti Kruja shpreh se teksa përkujtojmë këtë përvjetor nuk mund të mos përmendim edhe kontributin e paçmuar të klerikëve myslimanë, të cilët i dhanë jetë qytetit me ndërtimin e objekteve të kultit. “Xhamia-vendadhurimi, hamami-pastërtia dhe furra e bukës-ushqimi dhe begatia, këto tre objekte të ndërtuara 400 vjet më parë nga Sulejman Pashë Bargjini, u bënë pjesë e këtij qyteti dhe banorëve të tij, duke e bërë Tiranën një qytet simbol të mikpritjes dhe trashëgimisë kulturore”, tha z. Kruja.
Prefekti i Tiranës z. Sadi Vorpsi teksa e cilësoi hapjen e kësaj ekspozite si eveniment të rëndësishëm u shpreh se Tirana dhe banorët e saj me u mirësinë dhe butësinë e tyre u kanë hapur krahët dhe kanë ndihmuar gjithsecilin që ka ardhur këtu për të ndërtuar jetën e tij. “Sot ne themi me krenari se Tirana e përmbushi detyrën e saj si kryeqytet, por njëkohësisht me zhvillimet e fundit moderne ka akoma shumë punë për të bërë”, theksoi z. Vorpsi.
Drejtori i Kulturës në Bashkinë e Tiranë z. Arben Skënderi përcolli përshëndetjet e Kryebashkiakut Basha dhe uroi KMSH për këtë aktivitet të rëndësishëm. Ai u shpreh se “Bashkia e Tiranës në kuadër të 400 vjetorit të themelimit ë këtij qyteti ka vendosur të evidentojë disa momente të rëndësishme historike siç është edhe ndërtimi i një instalacioni në formë memoriali në vendin ku ka qenë xhamia e vjetër si dhe vendosja e monumentit të Sulejman Pashës në vendin ku i takon, përsa i përket rëndësisë historike që ai mbart.”
Ekspozita e cila mblodhi dhjetëra qytetarë të Tiranës, ka paraqitur pamje të vjetra të qytetit që nga koha e themelimit e deri në ditët e demokracisë. Ekspozita u hap më 11 shkurt 2014, datë në të cilën është themeluar Tirana dhe ka qëndruar e hapur për dy ditë, në sheshin para Xhamisë së Et’hem Beut. /DI/
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1392382132.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1392382152.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/4_1392382170.jpg[/img]