Muslimanja nga Sllovenia, me prejardhje nga Bosnja dhe Hercegovina, Faila Pashiq-Bishiq, është kandidatja e parë me shami për Parlamentin Evropian, kanë njoftuar mediat sllovene.
Pashiq-Bishiq në Slloveni është e njohur si aktiviste për barazi, tolerancë dhe bashkëjetesë të qetë mes religjioneve dhe popujve të ndryshëm.
Deri tani ajo ka marrë pjesë në shumë aksione humanitare në Slloveni, Bosnje dhe Kosovë.
Ajo është kandiduar në zgjedhjet evropiane me insistim të eurodeputetit Jelko Kacin, raportues i PE-së për Evropën juglindore.
“Një kohë të gjatë kam kuptuar se shumë gjëra të rëndësishme mund të zgjidhen me angazhimin politik. Politika është bërë puna ime kreative, e cila ndihmon jetët e miliona njerëzve, pasi që politika është qeverisje me jetën dhe shoqërinë në përgjithësi” ka deklaruar Faila Pashiq-Bishiq.
Punën në Parlamentin Evropian e sheh si sfidë pasi që në këtë institucion të lartë sillen vendime shumë të rëndësishme për tërë shoqërinë evropiane.
“Kur kemi të bëjmë me Bashkimin Evropian diku ligjet janë më të prirura për muslimanët, e diku nuk janë. Ligjet e disa shteteve i përjashtojnë dhe i diskriminojnë muslimanët. Themi ligjin për mbajtjen e hixhabit (mbulesës).
E dimë që edhe disa shtete tolerojnë islamofobinë. Ashtu që kandidimi im është hap drejt përmirësimit të drejtave dhe pozitës së gruas muslimane. Dua që për zgjedhjet e ardhshme të motivojmë kryesisht gratë” thekson Pashiq-Bishiq.
Kjo politikane konsideron që për gjendjen sociale, kulturore dhe shoqërore të muslimanëve në Evropë, përgjegjës janë vet ata.