Këshilli i shtetit grek miraton ndërtimin e xhamisë në Athinë

Këshilli i shtetit grek miratoi ndërtimin e një xhamie në Athinë, sipas faqes së internetit “GreekReporter”.

Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Shtetit hodhi poshtë një ankesë për të ndaluar ndërtimin e një xhamie në rajonin e Votanikos si dhe financimin e saj nga shteti grek.
Këshilli i Shtetit miratoi një fond prej 1,1 milionë eurosh për ndërtimin e xhamisë në një zonë në Votanikos që i përkiste marinës greke.
Gjykata Administrative greke vendosi se korniza ligjore për ndërtimin e xhamisë nuk i shkel parimet themelore të barazisë dhe lirisë së shprehjes së besimit fetar, por e kundërta ai mbron të drejtat e myslimanëve.
Sipas gjykatës, ndërtimi i xhamisë është i nevojshëm për përmbushjen e traktateve ndërkombëtare që Greqia ka nënshkruar si dhe ngaqë kushtetuta kërkon ushtrimin e lirë të besimit.
Peshkopi Serafim i Pireut, Shoqata Kulturore “Athina”, dy oficerë të marinës greke dhe pesë rezidentë në Votanikos kanë bërë kërkesë kundër ndërtimit të xhamisë.
Në korrik 2013 u zhvilluan tendera për ndërtimin e xhamisë duke shkaktuar reagimin e grupeve të së djathtës ekstreme si partia neonaziste ”Agimi i artë”, që zhvilloi shumë protesta të dhunshme kundër këtij projekti. Athina është i vetmi kryeqytet evropian që nuk ka një xhami për më shumë se 200 mijë myslimanët që jetojnë në të.