Flamujt kombëtarë, veshjet tradicionale dhe plisat e bardhë kanë qenë imazhi kryesor i xhamisë së fshatit Kraishte këtë të premte të 28 Nëntorit, në 102-vjetorin e mëvetësisë së Shqipërisë, raporton KTV.
Bashkë më qindra besimtarë me plisa në kokë, në sexhde janë përkulur edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, kreu i Lipjanit, Imri Ahmeti, dhe ish-kryetari, Shukri Buja.
Tërnava, duke uruar festën e Flamurit Kombëtar, ka bërë thirrje që shqiptarët të mos i lëshojnë trojet e tyre.
“Urojmë që gjeneratat e reja të kenë një ardhmëri të ngritur e të ditur, të kenë ardhmëri më të mirë se sa tonën dhe të punojmë që këtë mëmëdhe dhe këtë tokë mos ta lëmë, mos të largohemi nga këto troje, por të ngelim këtu përkundër vështirësive ekonomike me të cilët ballafaqohemi, por buka në këtë tokë ka një domethënje të vecantë është e ëmbël derisa buka në tokën e huaj nuk e ka aromën e gjirit të nënës, nuk e ka aromën e shtëpisë së pragut të derës dhe nuk e ka aromën e tokës në të cilën mësuam të ecim”, tha myftiu i Kosovës.
E, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka theksuar se pos që duhet të kujtojmë të kaluarën e lavdishme të shqiptarëve, duhet të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi për të ardhmen, transmeton Koha.net.
E në cilësinë e gjeneralit, xhematit i është drejtuar Shukri Buja, i cili për disa vjet ka udhëhequr Lipjanin.
Në këtë ceremonin festive u ndanë disa dhurata për tri familje të dëshmorëve në komunën e Lipjanit, si dhe tre arsmitarëve të historisë, pas ceremonisë u fal edhe namazi I xhumasë