Në Maqedoni provim shtetëror edhe për hoxhallarët e priftërinjtë

Provimit shtetëror do t’i nënshtrohen edhe studentët e Fakultetit të Shkencave Islame dhe Fakultetit teologjik të krishterë ‘Shën Klimenti i Ohrit’ në Shkup.

Nga Fakulteti i Shkencave Islame thonë se ende nuk e kanë marrë zyrtarisht propozimin e Qeverisë për ndryshim në Ligjin për Arsim të Lartë, por thonë se përkrahin të gjitha reformat që ndërmerr Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Parimisht ne pajtohemi me çdo reformë të qëndrueshme e cila është në dobi të ngritjes së cilësisë së arsimimit dhe edukimit në Republikën e Maqedonisë, por për këtë çështje ne ende nuk kemi qëndrim të ndërtuar lidhur me këtë çështje, mbetet të shohim mënyrën dhe materien se si ata planifikojnë ta realizojnë provimin shtetëror dhe më pas ne do të kemi qëndrimin tonë lidhur me këtë çështje”, tha Fahrudin Ebini, dekan i Fakultetit të Shkencave Islame.

Ndërkohë nga Fakulteti teologjik i krishterë i cili ka status të anëtarit më të ri të Universitetit ‘Shën Kirili dhe Metodij’ në Shkup, thonë se janë pro idesë së MASH-it që të përmirësoj Ligjin për Arsim të Lartë, por kujtojnë ata se në njëfarë forme, vetë organizojnë Provim Shtetëror.