Martesa me qëllim të shkurorëzimit

Shumë prej sfidave me të cilat sot ballafaqohen shoqëritë bashkëkohore në sfondin familjaro-shoqëror duket se nuk janë edhe aq të reja sa duken në shikim të parë. Fenomenet që rrezikojnë qelizën e parë të shoqërisë familjen, pothuajse një pjesë e tyre datojnë qysh nga kohët e hershme, mirëpo univerzaliteti i Sheriatit islam dhe gjithpërfshirshmëria e normave të tij kanë bërë që këto probleme në mos të evitohen në tërësi, por të reduktohen në masë tejet të madhe.

Në realitet, sa herë që bashkëshortët, qoftë burri ose gruaja, me veprimet e tyre përpiqen që të anashkalojnë apo nëpërkëmbin dispozitat e Allahut, s'është larg mendsh që të tillët të përballën edhe me pasoja jo të këndshme. Mosmarrja në konsideratë e synimeve të Ligjvënësit në martesë, dhe natyrës së saj si lidhje e përhershme në mes çiftit, së paku ashtu siç duhet të imagjinohet në parim, bën që lidhja e tillë të pësojë plasaritje e të çara që doemos se shumë shpejt edhe mund t'i japin fund dhe ta shkatërrojnë në themel atë lidhje. Madje, thënë troç, synimi i një trajtese të tillë është me shumë i ndërlidhur me një fenomen jo edhe shumë të rrallë, të cilin edhe e favorizojnë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në vende perëndimore, ose gjetiu. Ata, në pamundësi të inkuadrimit në shoqëritë e atjeshme, ose të rregullimit të lejeqëndrimit, për vite të tëra, kanë zgjedhur martesën me femrat që kanë nënshtetësi të vendeve gjegjëse, si rrugë për t'i bërë vetes një vend në ato shoqëri. Martesat me femrat e tilla kanë shërbyer si mjet që ka hapur rrugë të legjitimimit të qëndrimit të tyre në ato shtete, edhe pse pak prej tyre janë preokupuar me pasojat e mundshme që do të përballen nga martesat e tilla. Fillimisht duhet theksuar takti se martesa e myslimanit me një femër, ithtare të Librit (të krishtere ose çifute) në parim është e lejuar, gjithmonë nëse martesa e tillë nuk ka pasoja negative të sigurta. Këtë lejesë e vë në pah një ajet kuranor, ku Zoti thotë: ”...(U janë lejuar për martesë). Gratë e ndershme besimtare, dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë Libri para jush, kur atyre u jepni pjesën e caktuar të kurorës, por duke pasur për qëllim martesën, jo imoralitetin dhe jo si dashnore ilegale.” (El Maide, 5).
A është e qëlluar apo jo martesa e tillë, është një çështje që ka nevojë të studiohet në rrafshe dhe dimensione të ndryshme. Një gjë e tillë ka nevojë edhe për trajtesë të veçantë e më të zgjeruar, mirëpo ne këtu do të përkufizohemi vetëm në disa pika që kanë të bëjnë më formën e lidhjes së kontratave të tilla, si dhe dimensionet e legjitimimit të tyre në aspektin sheriatik islam. Pikat esenciale të këtij trajtimi kanë të bëjnë me kushtëzimin që e bën ndonjëri bashkëshort në aktin e kurorëzimit, që të shkurorëzohet pas një periudhe kohore, ose, eventualisht, kur njëri prej tyre e fsheh në vete qëllimin e vet që e ka, pra për t'u ndarë nga tjetri, por këtë qëllim nuk ia bën publik partnerit/es gjatë aktit të kurorëzimit. Këtu synojmë të sqarojmë faktin se sa e lëndojnë aktin e kurorës këto kushtëzime ose qëllime të shkurorëzimit, dhe atë qysh në start.

Kontrata e martesës ka natyrë të përhershme

Në rrethana normale, marrëveshja e kurorëzimit do të duhej të kishte natyrë të lidhjes së fuqishme, dhe si e tillë do të duhej të ruhej e të trajtohej nga të dy palët kontraktuese. Ngase edhe Allahu në Librin e Tij këtë kontratë e quajti si "besatim të fuqishëm”, duke thënë: "Dhe si mund të merrni atë (mehrin nga ato pas ndarjes) kur njëri-tjetrit i jeni bashkuar (në një shtrat), dhe kur ato kanë marrë prej jush një besë të fortë?” (En Nisaë, 21)
Nga ky ajet është dhënë sinjal i fuqishëm se gratë nga bashkëshortët e tyre, në rastin e kurorëzimit - niqahit, kanë marrë një besatim dhe marrëveshje të fuqishme, e cila nuk është mirë të thyhet apo të afatizohet për çfarëdo arsyetimi.

Ndalimi i kontratës së përkohshme martesore

Për të qenë më të drejtpërdrejtë, duhet thënë qartazi se, nëse theksohet në aktin martesor që çifti bashkëshortor ka rënë dakord p.sh., për martesë që do të zgjasë me javë ose edhe me vite të caktuara ose të kufizuara (sikur nëse bihet dakord për martesë që do të zgjasë 2 muaj p.sh.), ose çfarëdo periudhe kohore qoftë ajo, më e gjatë ose më e shkurtër se kaq, martesa e tillë me koncenzus të dijetarëve nuk lejohet, dhe si e tillë është e paligjshme sepse i ngjan asaj që quhet "nika-hul-mut’ah”- martesë e përkohshme me qëllim pasioni e dëfrimi, dhe një gjë e tillë është vetëm përpjekje që t’i vishet petku i ligjshmërisë një lidhjeje të pasionit, e cila qartazi është aventureske.(1)
Një martesë e tillë, edhe pse për rrethana të jashtëzakonshme, u lejua në fillim të shpalljes, sepse si e tillë ishte evidente edhe para ardhjes së Muhamedit a.s., si pejgamber. Por, ajo u anulua në mënyrë të prerë dhe përfundimtare nga vetë Muhamedi a.s., afërsisht tre vjet para vdekjes së tij.
Transmeton Sebrete Ibn Ma'bed El-Xhuhenij, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s., duke thënë: “O ju njerëz, unë ua pata lejuar që ju të dëfreheni me martesa të përkohshme me gratë, por dijeni se Allahu e ka ndaluar këtë deri në Ditën e Kiametit, e kush ka ndonjë grua të këtij lloji, le ta lëshojë atë e të mos marrë asgjë nga mehri-paja që i ka dhënë asaj!”(2)
E nëse ndonjëri prej bashkëshortëve kushtëzon shkurorëzimin, duke thënë se: ”Pranoj të martohem me kusht që të ndahem prej teje pas kësaj periudhe kohore”, atëherë, sipas hanefinjve dhe një transmetimi të hanbelinjve, ky akt kurorëzimi është i vlefshëm në vetvete, mirëpo kushti i shkurorëzimit anulohet me automatizëm, e që do të thotë se konsiderohet sikur mos të ishte fare ekzistent, prandaj martesa vazhdohet.
Ndërsa, sipas Shafiinjve , malikinjve dhe hanbelinjve, në një transmetim ky akt i kurorëzimit, që kushtëzohet me shkurorëzim pas një periudhe të caktuar, në tërësi është jovalid, dhe si i tillë nuk vlen fare.(3)
Nga shfaqja e dy mendimeve të shkollave juridike islame lidhur me kushtëzimin e shkurorëzimit në aktin martesor mund të konstatojmë se një kusht i këtillë mund ta lëndojë në thelb aktin e martesës, në veçanti nëse nuk eliminohet kushtëzimi i shkurorëzimit, që, rrjedhimisht edhe mund të çojë deri te prishja e kurorës në mënyrë të domosdoshme.

Martesa me nijet-qëllim të shkurorëzimit

Diskutimet e dijetarëve ishin me këmbëngulëse në rast se kushtëzohet shkurorëzimi qysh në start të martesës, sepse një gjë e tillë i jep karakter të përkohshëm martesës, ndërsa dihet se me martesë synohet jetëgjatësia e përjetësia e saj. Mirëpo, fenomeni që është evident në rastet më të shpeshta nga martesat me femra jomyslimane, sidomos në Perëndim nga bashkatdhetarët tanë, është i tipit që ata, në shumicën e rasteve, e fshehin në vete synimin për ndarje nga ato femra, pas një periudhe kohore, e cila rëndom ndërlidhet me kohën që ata zgjedhin problemin e lejeqëndrimit në vendet gjegjëse. Prandaj, nëse personi pas pak synon ndarjen-shkurorëzimin, dijetarët islamë qysh në kohët e hershme kanë dhënë mendimet e tyre.

Mendimi i pare është i Imam Evzaiut, dhe një transmetim i Imam Ahmedit, që konsiderojnë se martesa që e bën personi dhe ka për qëllim shkurorëzimin pas një kohe është e pavlefshme, sikurse "nikhaul mut'ah-martesa e përkohshme me qëllim argëtimi”, dhe si e tillë është jovalide, Këtë e kanë krahasuar edhe me rastin e sipërpërmendur, kur çifti pajtohet që të kushtëzojnë shkurorëzimin në akt të kurorës, por edhe si i tillë e bën aktin të konsiderohet i përkohshëm, e kësisoj ai është i ndaluar dhe i pavlefshëm.
Ndërsa Imam Ebu Hanifeja, Imam Maliku e Imam Shafiu, mendojnë se efekt në çështjen e kurorëzimit kanë shprehjet kontraktuese e jo qëllimet e cilësdo palë, e që në të vërtetë as që mund të zbulohen e të dihen në këtë fazë të krijimit të lidhjes bashkëshortore, ngase burri rëndom një qëllim të tillë nuk e bën fare publik në atë rast.(4)
Prandaj nëse plotësohen të gjitha kushtet e një kurore të ligjshme, dhe burri fsheh në vetvete nijetin-qëllimin e shkurorëzimit, kurora e tillë është valide, sepse nuk i mungon asnjë kusht i validitetit të saj nga ana juridike, Mirëpo, pothuajse shumica dijetarëve që e konsideruan një kurorëzim të tillë si të ligjshëm, këtë qëllim të fshehur e kanë konsideruar si shenjë të josinqeritetit dhe jokorrektësisë në raportet bashkëshortore, pavarësisht nëse femra e tillë është myslimane apo ithtare e Librit. Prandaj, sipas shumicës së atyre që e lejojnë një kurorëzim të tillë me qëllim të shkurorëzimit, ky veprim është ose i ndaluar ose i urrejtur, ani pse nuk prek ligjshmërinë e aktit të tillë. Madje Muhamedi a.s., në Hytben Lamtumirëse pati vënë theksin në veçanti në mirësjelljen ndaj grave, duke thënë: "Ju këshilloj që të silleni mire me gratë tuaja, sepse ato i patët marrë me emanet - besë të Zotit, dhe ju lejua intimiteti bashkëshortor në mes vete, me fjalën e Zotit (Niqahin-kurorëzimin)..."(5)
Prandaj, nëse e kuptojmë se bashkëshortet janë amanet prej Zotit në duart tona, atëherë sinqeriteti në raport me to dhe korrektësia kundruall tyre edhe më shumë do ta shprehin përkushtimin tonë që ta çojmë në vend amanetin e Zotit, ashtu siç është kërkuar.
Për fund duhet thënë edhe diçka: se aktet e kurorëzimit që bëhen nga bashkatdhetarët tanë gjithandej nëpër botë, edhe nëse ngërthejnë në vete qëllimin për ndarje, nuk janë veprime të mira, sepse ky veprim nuk ua lejon atyre asnjëherë që t'i neglizhojnë të drejtat bashkëshortore ndaj grave të tilla. Sepse, me aktin e tillë secila e ka tretmanin e një bashkëshorteje legjitime, dhe me të i ka fituar të gjitha të drejtat që ia ka dhënë Ligjdhënësi.


_____________
(1) Samerkandi, Tuhfetul-Fukaha (2119), Darul-Kutub-EL-ilmijje. Bejrut. Bot. i dytë. 1994.
(2) Sahih Muslim (Nr. i hadithit 1406).
(3) Ibn Kudame, El-Mugnij (7179), Bot. El-Kitab-El-Arabij.
(4) Po aty.
(5) Suneni i Ebu Davudit (Nr. i hadithit, 1905).



Mr. Driton Arifi