Dimensioni kombëtar i revistës "Dituria islame”

Periodiku, përveçse kronikë besnike e kohës dhe e proceseve historike, është edhe dëshmi e nivelit kulturor e të përgjithshëm të një shoqërie. Madje-madje, periodiku fetar është edhe dëshmi e gjendjes shpirtërore të bashkësisë që e prodhon dhe së cilës i dedikohet.

"Dituria islame"- rrugëtimi i saj

"Dituria islame” shquhet si një faktor i rëndësishëm për formimin e drejtë fetar islam, për njohjen e së kaluarës sonë fetare e kombëtare, për vlerësimin e drejtë të zhvillimeve që lidhen me bashkëkohësinë dhe sidomos për projeksionin sa më të saktë të së ardhmes sonë si bashkësi që mbështetet në vlera të caktuara shpirtërore.
Le të na lejohet të supozojmë vetëm për moment, duke shtruar pyetjet: Si do të dukej bashkësia jonë islame e Kosovës dhe përgjithësisht e shqiptarëve pa këtë revistë? A do ta kishte këtë dinamizëm që e ka sot, këtë nivel të dijeve islame dhe këtë traditë të komunikimit të tyre? A do të kishim informacionin e duhur mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së kulturës islame në makrosistemin tonë kulturor kombëtar? Pa asnjë dyshim, përgjigjet e këtyre pyetjeve e vërtetojnë gjithanshëm rolin e madh që ka luajtur kjo revistë, e konceptuar fillimisht, pothuajse ekskluzivisht, si fetare, për të evoluar me kohë në një strukturë më komplekse dhe më gjithëpërfshirëse tematike nëpërmjet plotësimit me komponente të rëndësishëm kulturorë e shkencorë, qofshin të traditës sonë, qofshin të asaj botërore. Një krahasim i thjeshtë ndërmjet numrave të fillimit dhe atyre që dalin sot e vërteton, ne mënyrë të plotë, ndryshimin cilësor që kanë shënuar përmbajtja, mënyra e trajtimit të çështjeve dhe niveli i avancuar i shqyrtime kulturore e shkencore, sikundër që dëshmi e kësaj ecjeje përpara është edhe përfshirja e një numri gjithnjë e më të madh të ndihmuesve në faqet e saj, autoritete të dëshmuara të jetës e të mendimit islam, të vlerave kulturore kombëtare shqiptare dhe të kaluarës së këtij vendi.

"Dituria islame" rilindte ”Rilindjen"

Kryeredaktori i saj i parë, Haxhi Jetish efendi Bajrami, nën drejtimin e të cilit dolën 17 numrat e parë, në njëzetvjetorin e botimit vinte theksin te karakteri informativ i "Diturisë islame", duke e përqendruar objektivin e saj tek “informimi i drejtë dhe objektiv i besimtarëve." Për një kohë të caktuar roli informativ i "Diturisë islame" do të shtrihej edhe në informacione të zakonshme për gazetat ditore, sikurse janë ato të aktualitetit shoqëror, dhe kjo është veç një dëshmi se si revistë pati fatin e besimtarëve të saj, të cilët u cenuan në të gjitha dimensionet e jetës në fund të viteve 80 dhe në fillim të atyre 90 të shekullit të kaluar. Në të vërtetë, shqiptarët e Kosovës në vazhdën e cenimit nga pushteti serb i kohës u ndodhën në një terr informativ, si rezultat i ndalimit të të gjitha medieve të shkruara dhe elektronike të asokohshme në gjuhën shqipe. Ishte koha kur "Dituria islame", me ato mundësi që kishte, rilindte sadopak "Rilindjen" e ndaluar, duke e përçuar te lexuesi fjalën shqipe, informacionin e saktë që kishte nisur të çlirohej nga lëvozhga skllavëruese ideologjike sllave e komuniste. Ishte vetëdija e lartë e Redaksisë dhe përgjithë- sisht e Bashkësisë Islame të Kosovës se, vetëm duke ndihmuar për lirinë e atdheut, mund të sigurohej liria e vërtetë e manifestimit të identitetit fetar, se njeriu e ka detyrimin e të qenit rob vetëm në raport me Krijuesin, por asnjëherë në raport me pushtuesin e tokave tona, pavarësisht se cili ishte ai dhe cila ishte forca e tij ushtarake-policore. Duke shfletuar "Diturinë islame" të asaj kohe të mugët për fatin tonë kombëtar, lexuesi do të bindet për dimensionin e saj përtejfetar, dhe sidomos për misionin atdhetar. Kështu në faqet e saj mund të lexojmë të dhëna për të gjitha trajtat e dhunës që po i zbatonte Serbia mbi shqiptarët e mbetur në pamëshirën e saj. Sado që Serbia synonte që në heshtje t'i kryente të gjitha të paudhësitë dhunuese mbi shqiptarët, lexuesi do ta mësonte, madje edhe nëpërmjet "Diturisë islame", kronikën e rëndë të helmimeve masive të nxënësve shqiptarë në shkolla, kronikën e dhimbshme të pushimeve të punonjësve shqiptarë nga vendet e tyre të punës - pra të privimt nga buka e gojës, ndalimin e medieve në gjuhën shqipe, burgosjen e deputetëve shqiptarë që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, plaçkitjen e ekonomisë dhe të të githa resurseve të Kosovës, barbaritë mbi xhamitë etj. Mirëpo, nuk mund të mos e përmend edhe praninë e një lajmi aq të rrallë, pothuajse të pabesueshëm, që u botua atëkohë në faqet e revistës sonë, me çka i çirrej maska hipokrite pushtuesit me barbar të kohës moderne. Fjala është për lajmin që informonte opinionin se si policia serbe po e akuzonte Fidan Asllanin, fëmijë pesëvjeçar, për kinse sulm ndaj saj. Kjo tregon tërë absurdin e një pushteti të çmendur, të cilit urrejtja kombëtare ndaj shqiptarëve ia kishte errësuar çdo minimum të arsyes. Duhet shtuar me këtë rast se në informacionet e "Diturisë islame" për ato zhvillime dramatike e tragjike nuk bënin pjesë vetëm lajmet që trajtonin dhunën serbe, ngase paralelisht me to botoheshin edhe qëndrimet e vendosura të subjekteve tona politike, të asociacioneve të tjera kulturore e shoqërore e të tubimeve shqiptare që rreshtoheshin në mbështejte të vullnetit mbarëpopullorë për shkëputje definitive nga Serbia dhe kundërshtimin e rreptë të të gjitha masave represive që po i ndërmerrte atëbotë regjimi pushtues. Edhe periudha e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë
viteve 1997-1999, do të dëshmojë për rolin kombëtar të "Diturisë islame", e Cila iu kushtonte vëmendje të veçantë zhvillimeve tragjike, dramatike e historike për Kosovën. Duke i bërë vend në faqet e saj të vërtetës së mohuar, “Dituria islame" u shndërrua në modelin e vendosmërisë së guximshme për ta vazhduar rrugën e pakthyeshme të lirisë. Hapësirën e saj për çështje të interesit fetar e dedikoi me zemërgjerësi për çështje të interesit mbarëkombëtar, për çështjen e Kosovës, me çka u bë zëdhënëse e fuqishme e përpjekjeve për liri. Pa asnjë dyshim rimodelimi i funksionit të saj primar, në kohën kur rrezikohej qenia kombëtare dhe kur përcaktohej fati i saj historik, u bë me bekimin dhe përcaktimin e udhëheqjes së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të redaksisë së saj.


Përmbajtje me interes kombëtar

Përveçse nuk pranoi të heshtte në kohën kur ishte e nevojshme të ngrihej zëri për të vërtetën lidhur me shqiptarët, duke u bërë pjesë e angazhuar e luftës për liri dhe të drejta kombëtare dhe përgjithësisht njerëzore, revista "Dituria islame” u bë tribunë e paraqitjes së vlerave të spikatura e identifikuese të botës shqiptare. Kujtojmë faktin se, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, hapësira për të publikuar shkrimet, me karakter shkencor e publicistik, ishte ngushtuar së tepërmi. Vetëm një numër i paktë revistash, me vëllim e tirazh të përgjysmuar, vijuan të dilnin kohë pas kohe. Mundësia për të botuar në faqet e kësaj reviste u bë shpeshherë burim frymëzimi i shumë dijetarëve tanë për të vijuar punën e tyre intelektuale e shkencore.
Meritë e madhe e "Diturisë islame” është edhe prishja e klishesë, sipas së cilës, për dekada të tëra të errësirës komuniste, kontributet fetare janë parë të veçuara nga ato kombëtare, madje-madje edhe me një farë antagonizmi ” të natyrshëm” ndërmjet tyre. Shkrimet në faqet e kësaj reviste i trajtonin këto kontribute në dritën e së vërtetës objektive, në dritën e burimeve
të dokumentuara, sipas të cilave veprimtaria atdhetare dhe fetare e shumë personaliteteve të shquara të botës shqiptare ishte zhvilluar si një tërësi e pandashme dhe funksionale. Retushimet mashtruese që i anashkalon¡n, apo edhe përjashtonin krejtësisht kontributet fetare, i morën goditjet e para pikërisht në faqet e "Diturisë islame”, ndërsa konceptimi për figura dhe ngjarje historike të kombit tonë u bë më i gjithanshëm dhe më i plotë.
Është veçmas i madh numri i kontributeve historiografike të autorëve tanë eminentë të përfshira në 300 numrat e kësaj reviste. Kështu, shumë figura tona historike të përmasës kombëtare do të zbuloheshin apo do të riktheheshin në vëmendjen e opinionit tonë shkencor në saje të publikimit të shkrimeve në faqet e "Diturisë islame". Rrjedhimisht, me kontributet e këtilla diturore, historia jonë do të bëhet më objektive, më e plotë, më e drejtë dhe më e besueshme, ndërsa diskutimi për shumë figura tabu e ngjarje tabu, të shpallura si të tilla nga sistemi sllavo-komunist, do të sillte klimën e debatit të mirëfilltë shkencor aq të nevojshëm për ne.
Të mos harrojmë se si, deri në atë kohë, shumë figura të rëndësisë parësore kombëtare ¡shin lënë anash vetëm për faktin e përkatësisë identitare islame, edhe pse vlera e veprimtarisë së tyre ishte vendimtare për zhvillimet tona historike. Dhe, kur dëmtohen figurat bartëse, doemos dëmtohet e gjymtohet, në mënyrë të pariparueshme, edhe vetë ngjarja historike, edhe vetë historia jonë. Kujtojmë me këtë rast se si anashkalimi i figurës së Myderriz Ymer Prizrenit, kryetarit të komitetit kombëtar të Lidhjes, ndikoi ndjeshëm në paraqitjen e shtrembëruar dhe të mangët të kësaj ngjarjeje madhore në historinë tonë.
Në planin e ngjarjeve historike janë trajtuar tema me interes që shtrihen në një periudhë kohore nga Lufta e Kosovës 1389, e deri te ngjarjet e zhvillimeve të bashkëkohësisë. Natyrshëm, periudhat që shënuan kthesat në zhvillimet historike në hapësirën shqiptare, sikundër janë, ta zëmë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, apo pushtimi sllav më 1912, e kanë tërhequr më tepër vëmendjen e studiuesve. Sa i përket trajtimit të figurave tona kombëtare, duhet thënë se janë rilindësit tanë ata që prijnë në këtë drejtim. Ka shkrime në të cilat trajtohen aspekte përtejfetare të veprimtarisë së Hoxha Hasan Tasinit, Myderriz Ymer Prizrenit, Naim Frashërit, Sami Frashërit, Abdyl Frashërit, Ibrahim Dalliut, Hafiz Ali Korçës, Vehbi Dibrës, Hoxhë Vokas, Xheladin Vesel Gutës etj.
Megjithatë, ideologu i shtetit shqiptar, dijetari më i madh i kohës në botën shqiptare, Samiu, është figura qendrore e shqyrtimeve për personalitetet kombëtare në faqet e kësaj reviste. Ndër emrat që dallohen me kontribute historiografike të aspekteve përmbajtjesore kombëtare të ngjarjeve dhe të personaliteteve me peshë kombëtare do të veçonim: Hakif Bajramin, Muhamet Pirrakun, Ilaz Rexhën, Zekeria Canën, Sabit Ukën, Gazmend Shpuzën, Shemsi Ajvazin, Jusuf Osmanin, Fahrush Rexhepin, Hatixhe Ahmedin, Esilda Lukun, Nuridin Ahmetin etj.
Një ndihmesë të madhe kjo revistë e ka dhënë edhe sa i përket nxjerrjes në dritë të vlerave të rëndësishme të kulturës shqiptare e në këtë kontekst edhe të alhamiados shqiptare dhe të kthimit të vëmendjes sonë te to, si një punë shumë e dobishme për krijimin sa më të plotë të njësisë kulturore shqiptare. Gjithsesi shkrimet e autorëve, si Mahmud Hysa, Feti Mehdiu, Qazim Qazimi, Muhamed Pirraku, lsmail Ahmedi, Shefqet Pllana, Ilaz Rexha, Mehdi Polisi, Nehat Krasniqi, Abdullah Hamiti, Isa Memishi, Nexhat Ibrahimi, Idriz Vuçitërna etj., do të jenë një ndihmesë e madhe në plotësimin e mozaikut shkrimor shqiptar, në të cilin trashëgimia jonë kulturore, e shkruar në shqip me alfabet arab, ende nuk e ka zënë vendin që i takon.
Që nga emërtimi i saj e deri te politikat redaktuese, del e kuptueshme se "Dituria islame" ishte dedikuar për folësit e shqipes dhe, në këtë kontekst, pa asnjë dyshim, mund të thuhet se është një dëshmi e rëndësishme gjuhësore e shqipes. Përveçse përqafoi shqipen standarde si një faktor i kohezionit kulturor e historik kombëtar, jo një herë, kjo revistë, kryesisht në saje të punimeve të prof. lsa Bajçincës, por edhe të akademik Mehmet Halimit, u bë burim i formimit të drejtë gjuhësor për lexuesit e saj. Natyrisht, revista do të ndihmonte shumë edhe në planin e saktësimit të terminologjisë islame ndër ne, sidomos ne periudhën kur kishte pak botime me përmbajtje islame. Në faqet e "Diturisë islame” ka pasur shkrime që trajtonin trashëgiminë tonë kulturore e kombëtare, shpirtërore e materiale, me shtresim islam. Sa u përket elementeve islame në folklorin tonë do të veçonim kontribute e vyera të Shefqet Pllanës dhe të Adem Zejnullahut, ndërsa lidhur me monumentet materiale spikatin shkrimet e Sadik Mehmetit dhe të Ramadan Shkodrës.
"Dituria islame" shquhet edhe për karakterin e saj të angazhuar si revistë. Rrjedhat shoqërore dhe historike të shqiptarëve dhe të Kosovës janë pasqyruar gjerësisht në faqet e saja. Editorialet dhe reagimet lidhur me zhvillimet, përveçse shprehje e qëndrimeve të saja dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës, shpeshherë kanë shërbyer si motiv për t'u përballur me vështirësitë që sillte shtypja kombëtare dhe për t'i kapërcyer sfidat në rrugën e lirisë. Botuesit dhe drejtuesit e saj nuk u fshehën asnjëherë prapa petkut fetar. Përkundrazi, me shkrimet publicistike dhe qëndrimet parimore, u bënë thirrës në rrugën e lirisë. Ndër autorët që u shquan me shkrime të këtilla të karakterit publicistik janë: Qemajl Morina, Naim Tërnava, Rexhep Boja, Resul Rexhepi etj.
Një numër i konsiderueshëm tekstesh të botuara në faqet e "Diturisë islame" janë përkthime nga gjuhë të ndryshme. Nevoja për të pasur literaturë më të shumtë fetare islame, kulturore e shkencore, shtroi si domosdo përkthimin në shqip të autorëve të dalluar nga kultura të tjera. Natyrisht, pasurimi i burimeve të formimit me autorë eminentë botërorë, sidomos të autorëve të dijeve teorike, ishte parakusht për një hap cilësor edhe sa u përket autorëve tanë. Veçojmë në këtë drejtirn përkthimet e Qemajl Morinës, Hajrulla Hoxhës, Rrustem Spahiut, Miftar Ajdinit, Nexhat Ibrahimit, Avni Aliut, Mehdi Polisit etj.

Humanizimi i individit, shoqërisë, kombit...

Veçori tjetër e "Diturisë islame" është edhe karakteri i saj edukativ e arsimor. Është e vetëkuptueshme që në një revistë të këtillë edukimi islam të jetë në rend të parë, dhe gjthsesi informacioni për këtë aspekt të jetë sa më i plotë, por jo i vetmi. Parimi se vetëm individi me formim të përgjithshëm mund të jetë edhe besimtar i mirë thua se ka qenë një moto e redaksisë në të gjitha periudhat. Prandaj, krahas informacionit fetar, aty gjejmë mjaft lëndë të kulturës, të artit, të shkencës etj. Me një fjalë, formimi fetar dhe ai intelektual e kombëtar, bazuar në konceptin ekzistues të revistës, kanë ecur në linja paralele, për t'u shkrirë në atë që quhet formim i kompletuar i individit dhe përgjithësisht i shoqërisë.
Një dimension tjetër që lidhet me edukimin ka të bëjë me shkrimet që trajtojnë devijimet shoqërore, të cilat, përveçse janë të ndaluara me parime islame, po ashtu janë dëshmuar si shumë të dëmshme në planin e funksionimit praktik të secilës shoqëri. Për botën e sotme problemet sikur vëtëvrasja, vëllavrasja, prostitucioni, narkomania, alkooli, sëmundjet ngjitëse, delikuenca e të rinjve, aktet amorale etj., përbëjnë shqetësim të vazhdueshëm, ndërkaq tekstet me parimësi islame, të botuara në "Diturinë islame", për të gjitha këto, ofrojnë zgjidhje që mbështetet në parandalimin dhe mobilizimin shpirtëror të besimtarëve për t'u përballur me këto sfida rrënuese shoqërorë e kombëtare. Prandaj, pse të mos thuhet se krahas objektivit për një bashkësi të emancipuar islame, kjo revistë ka dhënë ndihmesë të theksuar edhe për humanzmin e përgjithshëm të shoqërisë sonë.
Mëgjithëqë ky shkrim merr në shqyrtim materien historike-kulturore kombëtare të revistës, është e pamundur të mos theksohet edhe rënd137sia e komponentit fetar si element qëndror i saj. Për të nderuar të gjithë ato kontribute të vyera e të shumta nuk do të përmend emra, i bindur thellë se të gjithë kanë vendin e nderit në këtë monument shkrimor të besimit islam, i cili, si rrallë ndonjë tjetër, po e shënon edicionin e tij të treqindtë. Megjithatë, nuk mund të mos i zë ngojë emrat e kryeredaktorëve, Jetish Bajrami, Qemajl Morina, Sabri Bajgora, Ahmet Sadriu, Bahri Simnica dhe Rexhep Suma, të cilët, bashkë me anëtarët e tjerë të redaksisë dhe me mbështetjen e pakursyer të strukturave udhëheqëse të Bashkësisë Islame të Kosovës, bartën barrën e rëndë të nismës së mbarë, të vijimësisë dhe të të gjitha transformimeve e begatimeve përmbajtjesore që e sollën "Diturinë islame" në këtë format, deri në ditët e sotme, duke e bërë shenjën më identifikuese të shtypit islam në gjuhën shqipe gjithandej hapësirës sonë kombëtare.
Marrë në përgjithësi, revista “Dituria islame", me praninë e saj në jetën tonë shpirtërore e diturore, fetare, shoqërore, kombëtare e shtetërore, e ka shtrirë ndikimin edhe përtej kufirit të ekzistencës së saj, sidomos në rrafshin e plotësimit të boshllëqeve të lëna nga periudhat paraprake; i ka angazhuar në drejtim të ngritjes fetare e kulturore të shqiptarëve potencialet tona më të mira; ka qenë zë i fuqishëm dhe i patrembur në mbrojtje të përcaktimit tonë kombëtar për liri, ka krijuar një gjeneratë që i ka sintetizuar në një unitet atdhedashurinë dhe përkushtimin fetar si dy komponentë që s'bëjnë dot pa njëri-tjetrin; më tej, duke e qartësuar historinë e zhvillimit shoqëror e shpirtëror të shqiptarëve, "Dituria islame" është bërë pjesë e historisë; e duke punuar me përkushtim në të sotmen sfiduese, ajo bëhet pjesë kreative e dinamike e të ardhmes sonë, fetare e kombëtare, më të përparuar e më humane.



Prof. Dr. Hysen Matoshi