Numri 300 jubilar i revistës fetaro-informative “Dituria Islame”

"Dituria Islame” promotore e vlerave fetare dhe kombëtare

U mbushën 30 vjet që revista fetare, shkencore e kulturore "Dituria Islame" filloi rrugëtimin e pandalshëm. Ka pasur, dhe ka informim të drejtë dhe profesional, duke promovuar vlera islame e kombëtare, për ta mbajtur të informuar drejtë opinionin e gjerë. Kjo ka bërë që kjo revistë të shënojë 30 vjetorin dhe numrin jubilar, të treqindtë, si dhe të jetë këtu ku është sot.
Me temat e saj përkrahte dhe mbështeste luftën e UÇK-së, si luftë të drejtë për çlirimin e Kosovës nga Serbia, duke mbrojtur kështu interesat nacionale dhe kombëtare, por edhe në këtë periudhë të pasluftës, të tranzicionit e të ndryshimeve të mëdha shoqërore në Kosovë, kjo revistë ishte pjesë e ndryshimeve pozitive, duke i njoftuar lexuesit për ngjarjet dhe rrjedhat e mëdha, si në hapësirën kosovare ashtu edhe në atë të mërgatës.
Në vitet e nëntëdhjeta, kur në Kosovë mbretëroi terr informativ, për shkak të mbylljes së medieve në gjuhën shqipe nga pushteti i atëhershëm serbosllav, “Dituria Islame” ishte dritare informimi për storiet dhe ndodhitë që ngjanin në Kosovë, e sidomos në periudhën e paraluftës dhe gjatë luftës. Atëherë, me një krenari dhe guxim të pashoq "Dituria Islame" shkruante tema nga zonat e luftës, dhe mbulonte me informacione e me tema për gjendjet e tensionuar dhe të luftës që përjetonte populli ynë i dashur.
Ajo tashmë është bërë pjesë e çdo familjeje kosovare dhe më gjerë, duke u bërë e dashur me lexueshmërinë më të lartë nga të gjitha brezat. E udhëhequr nga realiteti, guximi dhe prosperiteti, me këtë kreativitet tejet të rezonuar, revista qëndron krenare, ballëhapur dhe bujare karshi lexuesve të saj të shumtë.
Rasti e do që një falënderim i veçantë t'i bëhet botuesit të kësaj reviste Mr. Naim ef. Tërnavës, si dhe ndihmuesve shumëvjeçarë dhe redaksisë së tanishme, për përpjekjet dhe arritjet për të ndërtuar një tribunë që i kundërvihet dhe vazhdon t'i qëndrojë stoikisht tentativës për rrënimin e fjalës së lirë dhe pengimin e shprehjes së mendimit neutral dhe mesatar.
“Dituria Islame” është revistë e pranueshme. Është familjare, dhe këtë, si lexues, ia dëshirojmë edhe në të ardhmen, duke pasur parasysh se pa një të tillë do të kishte vdekje të mendimit dhe opinionit qytetar në kohë dhe hapësirë. Shpresa vjen nga kjo fletë, që lejon një kundërshti ndaj dukurive negative që po zhvillohen në shoqërinë tonë. Me temat e trajtuara nëpër numra të ndryshëm, kjo revistë ka dhënë shembullin më të mirë të shtypit për një mision shoqëror, që nënkupton promovimin e një profili profesional dhe human të medias, e kjo e ka bërë revistë të dallueshme nga të tjerat, të cilat u shërbejnë grupeve të ngushta të interesit. Secili artikull më kritik se tjetri, por edhe më inkurajues për gjendjen e përgjithshme.
Urojmë që kjo revistë të jetë prijëse në frymën e shtypit të lirë, dhe paanësia dhe korrektësia e veprimtarisë të jenë parime që duhet kultivuar edhe në të ardhmen, si dhe të barten edhe në përvjetorët tjerë të rëndësishëm të revistës.
"Dituria Islame” sot, në këtë 30 vjetor, me numrin e 300-të, po shndrit këndshëm dhe po rrezaton bukur. Këtë bukuri e mbajti përherë dhe do ta mbajë gjithmonë, inshallah. Ajo qëndron vertikalisht, e dashur, e çmuar dhe tejet domethënëse.
"Dituria Islame” do të jetë bartëse e amanetit, dhe gjithnjë e me besnikëri do të jetë pranë lexuesve të saj. /Mr. Rexhep Suma/


* * *


Evokime nga numri i parë i "Diturisë Islame”

Kryesia e Bashkësisë Islame, në një nga mbledhjet e rregullta në fund të vitit 1985, mori vendimin për botimin e një reviste fetaro-informative tremujore.
Arsyet për marrjen e një vendimi të tillë ishin të shumta, si për informimin e lexuesve për nevojat e Bashkësisë Islame lidhur me problemet e saj, ashtu edhe për të arriturat në fusha të shumta të jetës fetare. Mirëpo arsyeja kryesore ishte se në Bashkësinë islame mungonte një revistë fetaro-informative e këtij lloji. Po në atë mbledhje qe caktuar redaksia e parë e revistës: H.Jetish Bajrami, H.Sherif Ahmeti, Dr.Rexhep Boja, Emin Behrami, Avni Aliu, Resul Rexhepi dhe Rexhep Luma.
Kryeradaktor qe emëruar H.Jetish Bajrami, atëherë kryetar i Kryesisë së Bashkësisë Islame, kurse sekretar i redaksisë Rexhep Luma. Redaksia e "Diturisë Islame", që në mbledhjen e parë diskutoi hollësisht për dukjen e saj - formën teknike, dhe u vendos që revista "Dituria Islame" të kishte formatin A4, domethënë të kishte formatin e revistës shkencore “Islamska misao", të Kryesisë së Bashkësisë Islame të BeH, e cila asokohe botohej në Sarajevë.
Pasi ishin mbledhur shkrimet për numrin e parë të revistës "Dituria Islame”, ishte e domosdoshme të merrej leja-vendimi për botim, nga ish-Sekretariati Krahinor i Shkencës dhe Kulturës, i ish- KSAK-së. Për marrjen e lejes për botim ishte e nevojshme të dërgohej kërkesa bashkë me materialin për botim. Vlen të theksohet që për marrjen e lejes duhej pritur disa muaj, dhe duheshin zhvilluar shumë biseda me personin përgjegjës të asaj kohe. Bisedat ngjanin më shumë me marrje në pyetje për arsyet e botimit të revistës.
Numri i parë i revistës "Dituria Islame" është botuar në OPG- BG Rilindja në Prishtinë, me tirazhin 3.000 ekzemplarë. Është me rëndësi të theksohet se punëtorët e asaj shtypshkronje numrin e parë të kësaj reviste e patën përgatitur me një përkushtim shumë të madh.
Pas daljes nga shtypi, numri i parë i “Diturisë Islame” u shpërnda në mbarë territorin e Kryesisë së BI-së, nëpër Këshillat e BI-ve, në Maqedoni e gjetiu. Në bazë të informacioneve që na vinin nga terreni, patëm konstatuar se revista "Dituria Islame” ishte mirëpritur nga lexuesit, e për punën e bërë patëm marrë shumë urime dhe falënderime.
Kështu filloi jetën "Dituria Islame", dhe këto ishin disa nga rrethanat e përgatitjes së numrit të parë. Sot "Dituria Islame" po boton numrin 300, e ne i urojmë të bëjë po 300 vjet jetë. /Rexhep Luma/

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/dituria300_1445419212.jpg[/img]