(Fjala e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava në Konferencën "Dorëshkrimet dhe veprat e botuara në periudhën osmane (në bibliotekën e FSI-së), mbajtur në Prishtinë më 17 dhjetor 2015)
I nderuar dekanë i FSI-së,
të nderuar pedagogë,
të nderuar mysafirë,
të nderuar studiues,
të nderuar studentë!
Kam nderin që t'ju drejtohem dhe t'ju përshëndes në hapje të kësaj konference që i kushtohet një segmenti shumë të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore e fetare, e cila në vete paraqet një pasuri të çmuar, dhe njëkohësit edhe një burim të rëndësishëm për të njohur nivelin fetar, kulturor, arsimor, edukativ e social në trojet tona gjatë një periudhe pesëshekullore.
Pra, Konferenca e sotme e organizuar nga Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë i kushtohet dorëshkrimeve dhe veprave të botuara në gjuhët orientale që ruhen në Kosovë, dhe në veçanti atyre që ruhen në Fakultetin e Studimeve Islame.
Të nderuar të pranishëm,
Me depërtimin e osmanlinjve në Kosovë dhe me vendosjen e administrimit të tyre (shek. XIV - XV), u fituan tipare të reja në të gjitha aspektet e jetës. Në përgjithësi depërtimi dhe vendosja e administrimit osman bëri kthesë të madhe, jo vetëm në Kosovë, por gjithandej në trojet shqiptare, duke krijuar kështu një kufi të pakapërcyeshëm midis periudhës paraosmane dhe asaj osmane, pas të cilit kufi përfundonte njëra dhe fillonte periudha tjetër krejtësisht e re, sepse, osmanlinjtë në trojet tona sollën, përveç të tjerash, një rregullim të ri shoqëror, një kulturë të re, një qytetërim të ri dhe, mbi të gjitha, sollën fenë islame, e cila ishte fe zyrtare e Perandorisë Osmane.
Kështu, me vendosjen e administrimit osman në trojet shqiptare dhe sidomos me përhapjen e fesë islame, e cila pati ndikim të ndjeshëm jo vetëm në mënyrën e jetesës por edhe në kulturën materiale e shpirtërore, pra nis kontakti ballor i shqiptarëve me kulturën orientale, edhe pse shqiptarët historikisht kanë pasur lidhje kulturore si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen. Mirëpo, me përqafimin e fesë islame nga ana e tyre lidhjet me Lindjen u zgjeruan, u shtrinë në disa fusha dhe u bënë më të drejtpërdrejta për një shtresë më të madhe të popullsisë. Përhapja e fesë islame në trojet shqiptare s'ka dyshim se ka luajtur një rol të dorës së parë në këtë drejtim, por jo edhe përcaktues. Themi jo përcaktues sepse kanë qenë, në radhë të parë, vlerat e larta të qytetërimit islam dhe të kulturës orientale ato që i kanë hapur rrugën vetes për të gjetur admirues në mesin e shumë popujve të tjerë.
Ndërsa, përhapja e xhamive, mektebeve, medreseve, teqeve dhe bibliotekave ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në zgjerimin e lidhjeve dhe të marrëdhënieve të ndërsjella kulturore shqiptaro-orientale. Këto institucione të shumta e institucionalizuan depërtimin kulturor të osmanëve në vendin tonë. Por, këto institucione nuk shërbyen vetëm si mjete të përvetësimit ideologjik në duart e sundimtarëve osmanë, siç është bërë zakon të thuhet. Ato u shndërruan në qendra të popullarizimit të arritjeve të shkëlqyera të qytetërimit islam, sidomos në fushën e letërsisë, në radhë të parë të poezisë dhe të filozofisë. Dhe jo vetëm kaq, por ato u shndërruan edhe në qendra të studimit të kësaj trashëgimie, në qendra të lëvrimit të vjershërimit në gjuhën turke, arabe dhe perse.
Të nderuar pjesëmarrës,
Veprat e dorëshkruara (dorëshkrimet) në gjuhët orientale që kemi sot paraqesin një thesar të rëndësishëm për kulturën tonë kombëtare e fetare, por që fatkeqësisht si pasojë e rrethanave të krijuara në vendin tonë pas vitit 1912 nuk janë trajtuar, nuk janë çmuar, nuk janë ruajtur, dhe as që janë studiuar e trajtuar në mënyrë meritore. Megjithëse të shkruara në vendin tonë, të ruajtura me përkushtim nga të parët tanë, për thuajse një shekull kjo trashëgimi jona, si rezultat i një sistemi tashmë të shkuar, u pa dhe u trajtua si diçka e huaj, si diçka e tjetërkujt, prandaj dhe nuk gëzoi trajtim institucional. Për këtë arsye një pjesë e konsiderueshme e tyre u keqpërdorën, u zhdukën, me një fjalë shkuan për të mos u kthyer më. Kurse ajo që kishte mbetur, falë disa individëve me vetëdije intelektuale dhe kombëtare, u grumbullua dhe u koleksionua në disa institucione shtetërore dhe fetare, e që do të veçoja Bibliotekën e Vakëfit në Prishtinë, e themeluar më 1951, Aktivin e Kosovës, Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës në Prizren etj.
Një kontribut të çmuar në ruajtjen e kësaj trashëgimie kanë dhënë edhe bibliotekat e ulemave tanë anekënd Kosovës, si dhe bibliotekat e vakëfeve, pastaj ato të xhamive e teqeve, ndonëse lufta e fundit që ka ndodhur në Kosovë dukshëm ka varfëruar këtë fond me vlera të pakontestueshme.
Të nderuar të pranishëm,
Liria e vendit më 1999 krijoj kushte e rrethana të reja, e sigurisht edhe të favorshme për qasje të re në të gjitha fushat, e në këtë kontekst edhe në ruajtjen, trajtimin dhe studimin e trashëgimisë kulturore.
Meqë për dorëshkrimet do të flasin tre studiuesit e përkushtuar, unë nuk e shoh të udhës që të zgjatem më shumë, përveçse të përmend kalimthi disa nisje që i konsideroj të rëndësishme për këtë fushë.
- E para, Ekspeditën e tubimeve të dorëshkrimeve orientale (2003), një nisje ndërinstitucionale e BIK, BKU dhe DO, në bashkëpunim me, atëherë Zyrën Amerikane në Prishtinë, projekt ky që në bibliotekën tonë tuboi rreth 800 vepra në dorëshkrim, e mbi 1100 vepra të shtypura;
- E dyta, Botimin e monografisë për koleksionin e dorëshkrimeve orientale në Arkivin e Kosovës nga studiuesi Dr. Sadik Mehmeti (2008);
- E treta, Botimi i Katalogut të dorëshkrimeve orientale të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, të përgatitur nën mbikëqyrjen e Dr. Nehat Krasniqit (2010)
- E katërta, Botimi i Katalogut për dorëshkrimet arabe në Bibliotekën e Bashkësisë Islame të Kosovës, i përgatitur nga shejh Muhamed Aranuati (2012)
- E pesta, dixhitalizmi i dorëshkrimeve islame-orientale të BIK-ut, që në bashkëpunim me institutin Junus Emre u përfundua në vitin 2014.
Këto nisma të realizuara, ndonëse të pakta dhe të vogla në këtë fushë, paraqesin një bazë të mirë për studiuesit e ardhshë, që t'i qasen evidentimit dhe katalogimit të dorëshkrimeve islame orientale.
Shpresoj që këso nismash të kemi sa më shumë, e në radhë të parë i lus studentët e FSI-së, këta studiues të ardhshëm, që sa më shumë t'u qasen këtyre dorëshkrimeve, sa më shumë të kalojnë kohë me to, të ndriçojnë përmbajtjen, pastaj biografitë e autorëve, të kopjuesve, të vakëflënëseve, dhe të nxjerrin në pah vlerën që përmbajnë këto dorëshkrime, dhe këto vepra të shkruara t'i nxjerrin nga heshtja dhe pluhuri dhe t'i bëjnë pjesë të katalogëve dhe të trashëgimisë kombëtare dhe botërore, pikërisht aty ku e kanë vendin dhe ku e meritojnë.
Kryesia e BIK-ut do të mbështesë fuqishëm çdo nismë dhe çdo interesim, dhe do të marrë përsipër botimin e çdo hulumtimi, studimi e monografie të përgatitur.
Duke ju falënderuar për durimin, edhe një herë ju uroj suksese dhe mbarësi!