(Fjala e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, në hapje të sesionit shkencor “Kurani te shqiptarët”, Prishtinë 26 dhjetor 2015)
I nderuari Reis i Bashkësisë së Fesë Islame të Maqedonisë, Sulejman ef. Rexhepi,
I nderuari nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar ef. Spahiu,
Të nderuar studiues,
Të nderuar efendilerë,
Zonja dhe zotërinj;
Kam nderin që t’ju drejtohem në hapje të këtij sesioni, që organizohet me rastin e 30-vjetorit të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, një përvjetor ky që është vlerë e shtuar për historinë tonë më të re kombëtare e fetare. Them kështu sepse këtu e 30-vjet më parë, edhe besimtarët myslimanë shqiptarë, populli shqiptar, gjuha e kultura shqipe, e bënë, si të thuash, edhe pronë të tyren librin e shenjët të myslimanëve –Librin e fundit të zbritur nga Krijuesi i gjithësisë, Kuranin e shenjtë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Kurani është fjalë e Allahut-Kelamullah, që iu shpall Muhamedit a.s., përmes melekut Xhibril, afërsisht për njëzet e tre vjet, me qëllim që njerëzimin ta nxjerrë nga errësira dhe injoranca, për ta udhëzuar në dritën e vërtetë; për besim dhe adhurim të Zotit Një, dhe largim nga idhujadhurimet e shumta të asaj kohe.
Mendimi kuranor është shumë i gjerë dhe i thellë, është universal dhe, sado që e vështrojmë, mbetet i pashtershëm. Është i pashtershëm sepse është muxhize, është mrekulli dhe ka burimin nga dija absolute e Allahut xh.sh. Kurani, me bukurinë e të shprehurit, me thellësinë e trajtimit në zbërthimin dhe shpjegimin e të gjitha çështjeve që ngërthen në të, paraqet vlerën mbinjerëzore, dhe si i tillë për myslimanët ka qenë, është dhe do të mbetet mendim i gjallë i realitetit, nga njëra anë, si dhe fuqi nxitëse e zhvillimit dhe thellimit të mendimit kreativ në jetën e përditshme, nga ana tjetër.
Po të mos kishin qenë dijetarët e ulemaja ndër breza e shekuj, ai do të mbetej i pashpjeguar, i panjohur, dhe i pakuptimshëm për masën e gjerë të kombeve të shumta e të ndryshme.
Prandaj, nuk është i rastit hadithi i Pejgamberit a.s. kur thotë se “Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve”, sikurse nuk është e rastit përpjekja e ulemasë, përfshirë këtu edhe ulemanë shqiptare, për ta përkthyer e komentuar Kuranin në gjuhët e besimtarëve të tyre e që gjuhë të tyre nuk e kanë arabishten.
S’do mend se po të mos përkthehej Kurani dhe po të mos ligjërohej në gjuhën që e kupton populli ynë, në gjuhën shqipe, mesazhet, porositë, urdhrat, urtësia, dhe gjithçka që del nga ai nuk do të kuptohej sa dhe si duhet, e ky nuk është qëllimi i shpalljes së Kuranit.
Derisa Allahu xh.sh. e urdhëron Muhamedin a.s. në kumtimin, shpjegimin e Kuranit njerëzimit mbarë, sikur po na urdhëron edhe neve që të merremi me këtë urdhër, veçmas kur Allahu xh.sh. i thotë Muhamedit a.s.:
“O ti i dërguar! Komunikoje atë që t'u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revalatën-risalen...”(El-Maide, 67).
Të nderuar pjesëmarrës,
Titulli me të cilin Këshilli organizativ e ka emërtuar këtë sesion “Kurani te shqiptarët”, në gjykimin tim vjen mjaft i qëlluar dhe shumë domethënës, sepse përveç dimensionit historik përfshin edhe dimensionin e pranisë dhe ndikimit të Kuranit në shpirtin e shqiptarëve, në mënyrën e të jetuarit, të vepruarit e të menduarit, të tyre.
Dhe vërtet, kur shikojmë historinë tonë që nga koha që shqiptarët u njohën me Kuranin e këndej, do të gjejmë shumë shtëpi, xhami, mejtepe e medrese ku është mësuar Kurani, madje edhe shkolla të veçanta vetëm për Kuranin dhe për mësimin e tij përmendësh. Do të gjejmë shumë kopje të Kuranit fisnik, në dorëshkrim e në mënyrë artistike; do të gjejmë një numër të madh të tefsirëve, e komenteve të tij, shumë sosh vepra origjinale të ulemasë shqiptare; do të gjejmë ajete e sure të tëra të Kuranit të gdhendura në mënyrë artistike e me një kaligrafi të veçantë nëpër xhamitë, teqetë, shtëpitë dhe odat tona, nëpër çezme e në nishane të ndryshme, e madje edhe në djepet e fëmijëve tanë. Me një fjalë, Kurani është i pranishëm dhe e përcjellë besimtarin që nga lindja e deri në vdekje. Kurse, leximi i tij dhe të vepruarit me të atij ia siguron garancën dhe shpërblimin e Allahut xh.sh., në këtë dhe në botën tjetër.
Përveç kësaj, shqiptarët jo vetëm se jetuan me Kuranin, por ata u bënë edhe bartës dhe kultivues të tij, duke u bërë pjesë e popujve të mëdhenj që e përkthyen Kuranin në gjuhën e tyre, dhe kështu edhe gjuhën shqipe e bënë gjuhë të Kuranit.
Angazhimi i ulemave shqiptarë brenda trojeve tona etnike për të shpjeguar e komentuar Kuranin ishte i madh. Imamët, përmes ligjëratave të tyre, çdo herë u shërbyen me tekste kuranore dhe me përkthimin e tyre, që besimtarët sa më mirë ta kuptojnë porosinë e Allahut xh.sh.
Kushtet e rënda nëpër të cilat kalonte kombi shqiptar, në veçanti në shekullin e kaluar, si në aspektin politik, ekonomik, kulturor e fetar, ishin faktorë kyç që përkthimi dhe botimi i Kuranit komplet me vonesë të arrijë në duart e besimtarit mysliman shqiptar.
Të nderuar studiues,
Sikurse dihet, këtu e 30 vjet më parë ishte caktim i Allahut që Bashkësia Islame e Kosovës të kishte fatin e mbarë dhe privilegjin që të botonte për herë të parë përkthimin e parë komplet të Kuranit në gjuhën shqipe. Dhe jo vetëm kaq, por ajo e ndiente për nder që të konkretizonte punën shumëvjeçare dhe të mundimshme të ish-nxënësit të Medresesë “Alaudin”, profesor Feti Mehdiut.
Kështu, Bashkësia Islame e Kosovës dhe përkthyesi Feti Mehdiu, idenë dhe përpjekjet e kamotshme të shumë brezave dhe të shumë personaliteteve e bënë realitet, dhe shqiptarëve ua dhanë Kuranin të përkthyer dhe të botuar në gjuhën e tyre.
Ky përkthim sikur i motivoi edhe teologë tjerë që më me përkushtim t’i qasen kësaj pune, dhe për një kohë të shkurtër, brenda tre vjetësh të na i japin edhe dy përkthime të Kuranit në gjuhën shqipe, nga dy myderrizë të shquar, përkatësisht H. Sherif Ahmeti, dhe Hasan ef. Nahi. Përkthimin e H. Sherif Ahmetit, me një koment të shkurtër të ajeteve, e botoi Kryesia e Bashkësisë Islame, ndërsa përkthimi i Hasan ef. Nahit doli si botim privat.
Këto përkthime më vonë do të pasohen edhe nga përkthime të tjera, dhe do të ribotohen jo vetëm në Prishtinë por edhe në Tiranë, Shkup, Medine, Kajro etj.
Kurse, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, me rastin e 30 vjetorit të përkthimit dhe të botimit të parë komplet të Kuranit në gjuhën shqipe, muaj më parë ka ribotuar përkthimin e Kuranit nga profesor Feti Mehdiu.
Përkthimi dhe botimi i Kuranit sigurisht që i lehtësoi punën ulemasë shqiptare në ligjërimet e tyre, por edhe të studimeve për të shkruar e përkthyer vepra të tjera nga islamologjia, kurse lexuesit shqipfolës dhe intelektualëve shqiptarë u mundësoi njohjen më të mirë të tij dhe mësimeve që ka, segmente këto që ju, sigurisht me kontributet e tuaja, edhe më me kompetencë do t’i veni në spikamë para së gjithash në këtë sesion, prandaj unë edhe nuk do ta zgjas më shumë.
Në fund, dua të shpreh edhe një herë gatishmërinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, se do të përkrah, do të ndihmoj dhe do ta mbështes çdo punë dhe aktivitet shkencor që ka të bëjë me Kuranin dhe për Kuranin.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet në shërbim të Kuranit dhe vlerave të tij, sepse ajo punon me Kuranin dhe aty mbështetet.
Duke ju dëshiruar sukses dhe punë të mbarë në këtë sesion, ju falënderoj dhe lus Allahun xh.sh. që t’ju shpërblejë dhe t’ju begatojë për kontributin tuaj!