Të dielën, me 7 shkurt, në Burojë të Skenderajt u mbajt manifestimi ku u shënua 70 vjetori i pushkatimit të heroit kombëtar Mulla Ilaz Spahija- Broja. Me këtë rast, në xhaminë e Burojës, u zbulua pllaka përkujtimore kushtuar atdhetarit Mulla Ilaz Spahija – Broja.
Në manifestim ishin të pranishëm Myftiu i Kosovës, Naim ef.Tërnava, nënkryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nuraj, kryetari i Bashkësisë Islame të Skenderajt, Nexhmedin Maksuti, qytetarë të Skenderajt dhe mysafirë të shumtë nga vendet tjera.
Për veprën dhe kontributin atdhetar e fetar të hoxhë Mulla Ilaz Brojës foli edhe Myftiu i Republikës së Kosovës Naim ef.Tërnava.
E nderuar familje Spahiu- Broja
Të nderuar qytetarë të Burojes
Të nderuar të pranishëm,
Kam nderin e veçantë që sot gjendem në këtë manifestim, i cili mbahet për njërin prej ulemave e atdhetarëve të shquar të populli tonë, Iljaz efendi Spahiun, apo siç njihet edhe si Mulla Ilajz Broja. Manifestimet si ky, kushtuar personaliteteve të shquara të popullit tonë, kanë rëndësi të veçantë, ngase në të tilla aktivitete, kujtojmë ata, vlerat, virtytet dhe sakrificat e tyre sublime në shërbim të kauzës sonë fetare e kombëtare. Jemi tubuar sot të kujtojmë Mulla Iljaz Brojën, i cili gjatë gjithë jetës së tij u angazhua pandërprerë, pa lodhje, e pa hamendje për edukim e drejt të populli, që ta duan, ta mbrojnë e të çlirojnë vendin. Deshti i Madhi Zot që Mulla Ilajzi të jetojë e të veprojë në kohë të kthesave të mëdha për vendin dhe popullin tonë, mirëpo ai që në rini, si talebe në Medresenë e Pejës, pastaj si imam e mësues në xhaminë e fshatin Buroj, ishte në krah të Lëvizjes Atdhetare. Angazhimi dhe kontributi i Mulla Iljaz Brojës në lëvizjen kombëtare është shumëdimensional, ashtu siç ishte vetë Hoxha, i gjithanshëm, vizionar e dinamik në punë e veprime, si dhe stoik e i pathyeshëm në qëndrime. Kështu si imam, pas disfatës së Austro-Hungarisë dhe ripushtimit serb të Kosovës, ai Xhaminë e Burojës e shndërroi në strehë e çerdhe për lëvizjen e Azem Bejtë-Galicës. Përveç kësaj, Mulla Iljazi gjatë kësaj kohe zhvilloi aktivitete të dendura kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi. Këtë aktivitet Hoxha e bënte me direktiva nga udhëheqja e parisë shqiptare, në krye me Ferhad Dragën, dhe në përputhje me platformë e Komitetit të Kosovës, që drejtohej nga Hoxhë Kadri Prishtina, që popullata shqiptare të mos shpërngulet nga trojet e veta, por të qëndrojë përballë të gjitha sfidave që i zbatonte regjimi i atëhershëm antishqiptar jugosllav. Madje për shkak që kishte komunikim me Hoxhë Kadri Prishtinën, ai edhe u arrestua nga xhandarmëria serbe. Edhe në burgun e Serbisë së atëhershme Mulla Iljazi nuk u përkul, por qëndroi burrërisht, nuk u pendua për çka kishte vepruar, por ishte presioni i kryemyftiut të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene që ndikoi për t'u lënë i lirë Hoxha, të cilin populli e priti si hero. Kjo edhe bëri që ai nga atëherë të jetë i njohur në gjithë Kosovën, si Hoxha i Brojës – Trimi i Kosovës. Gjithashtu Mulla Iljazi ishte një ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të Organizatës “Xhemijet” (Bashkimi), e cila përfaqësonte shqiptarët në parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Më 1941 Mulla Iljaz Spahiu – Broja, së bashku me Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën, Mulla Idriz Gjilanin, Qazim Bajraktarin e Astrazubit e të tjerë, organizuan rreth 5000 luftëtarë për të mbrojtur Sanxhakun e Novi Pazarit, që po rrezikohej nga çetnikët. Ndërkaq më 1943 Mulla Iljaz Spahiu – Broja merr pjesë në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryetar i së cilës zgjidhet Rexhep Mitrovica. Po këtë vit Mulla Iljaz Spahiun –Brojën e gjejmë deputet të Drenicës në Asamblenë Kombëtare (Parlamentin e Shqipërisë) në Tiranë. Më 1945 Mulla Iljazi ishte pjesëmarrës në të gjitha betejat që u zhvilluan në Drenicë, të udhëhequra nga Shaban Polluzha; ai ishte krahu i djathtë i tij dhe ideolog i kryengritjes. Pra, siç shihet, hoxha ishte ndër ata atdhetarë që nuk u pajtua asnjëherë me aneksimin e Kosovës nga Serbia, nuk pranoi pushtetin e Serbisë e Jugosllavisë në Kosovë, kështu që aktivitetin e tij për lirinë e Kosovës vendosi ta vazhdojë edhe në forma të tjera. Pas vrasjes së Shaban Polluzhës, Mulla Iljaz Spahiu –Broja, së bashku me prof. Ymer Berishën, themeluan organizatën “Besa Shqiptare”, e cila ishte angazhuar për një aleancë me anglo-amerikanët e kundër komunizmit, për një rend demokratik kundër diktaturës së proletariatit. I tillë qe Iljaz efeniu, deri në momentin kur u rrethua nga OZNA, e cila Hoxhën me bashkëpunëtorë dhe jatakët e tij i pushkatoi menjëherë. Prandaj, ne sot kujtojmë me respekt përkushtimin, veprën, angazhimin, përpjekjet dhe sakrificën e Mulla Ilajz Brojës, i cili mbi të gjitha, e para së gjithash, tërë jetën ia kushtoi edukimit, arsimimit dhe përparimit të popullit të tij, si dhe organizimit dhe mbrojtjes me dinjitet të vendit të tij, aq sa për këtë qëllim flijoi edhe jetën. Për të tillët Allahu xh.sh. thotë: ”E për ata që ranë në rrugën e Allahut, mos thoni se ata janë të vdekur. Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk kuptoni gjallërinë e tyre”. (El-Bekare, 154). Mulla Iljaz Broja, me punën, jetën dhe veprën e tij, mbetet një shembull që duhet ndjekur, se si jetohet, punohet dhe si duhet të vdiset për vendin dhe popullin. Sot ne me të drejtë ndihemi krenarë se jemi gjeneratë me fat, sepse ideali i gjeneratës së Mulla Iljazit është bërë realitet: tani Kosova është vend i lirë, i pavarur e sovran, ashtu siç e deshi Mulla Iljazi me bashkëmendimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij. Është obligim yni dhe i institucioneve tona të kujtojmë e të vlerësojnë drejt angazhimin dhe sakrificën e paraardhësve tanë, të cilit në kohë të vështira mbajtën gjallë idealin për lirinë e këtij vendi. I tillë qe hoxha, Mulla Ilajz Broja. Zoti e mëshiroftë atë dhe të gjithë ata që ranë për lirinë e këtij vendi!
Buroj, 7 shkurt 2016
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava