Kush është Lindita Senia, gruaja që mban mbulesën myslimane në Shqipëri

Nuk është e lehtë të thyhen tabutë apo mentalitetet. Ende edhe sot, kur po bëhen mbi 25 vjet demokraci , paragjykimet nuk ikin lehtë. Është një e vërtetë e hidhur. Diktatura na la me “barkun” bosh, por edhe me shpirtin bosh. Sidomos në drejtim të lirisë fetare. Koha e re solli këtë liri si cilësi e virtyt të njeriut, brenda “kornizës” ligjore të të drejtave të njeriut.

Sot, kushdo mund të shkojë të predikojë në kishë a xhami. Kushdo mund të mbajë veshje të fesë së krishterë apo të asaj myslimane. Tek e fundit, kur njeriu ndjehet mirë kështu, ç’të keqe ka?! E, aq më tepër, kur kjo veshje “mbulon” edhe një njeri intelektual apo femër me vlera intelektuale. Por skeptikët e të tjerë të kësaj kategorie paragjykuese, shikojnë vëngër femra që mbajnë në kokë një shami, si simbol të një praktikanteje të fesë myslimane.

Koha bën njerëzit apo njerëzit bëjnë kohën? Pyetja mbetet retorike. Ka plot shembuj të vajzave të mbuluara apo me shami, që përcjellin tek të tjerët mirësi e kulturë, që prezantojnë në çdo vend ku punojnë, profesionalizëm. Njëra prej tyre, është personazhi i profilit tonë. Ajo ka një emër. Lindita Senia (Xhelo), punonjëse në administratën e Bashkisë , nënë e katër fëmijëve. Ajo është si gjithë të tjerët…

- Kur nise të praktikoje fenë Islame dhe kush të shtyu drejt këtij besimi?

- Me fenë islame fillova të njihem në kohën kur studioja në shkollën e mesme në qytetin tim të Cërrikut. Në vitin e dytë në klasën tonë vjen një nxënëse e re, e cila vishej me mbulesën muslimane. Nuk isha unë e vetmja që kisha kuriozitet, pse ajo veshje, por edhe disa prej shoqeve dhe shokëve të mi. Filluam të njiheshim me shoqen e re dhe me besimin që ajo praktikonte, fenë islame. Fillova që të lexoja e të njihesha me fenë islame dhe me ritet që përmban kjo fe, si agjërimi në muajin e Ramazanit, pesë kohët e faljes, etj. Kështu fillova shumë shpejt të isha dhe unë një besimtare praktikante. Besimi në Zot dhe praktikimi i fesë më jepte një qetësi dhe një paqe me veten dhe të tjerët. Praktikimi i besimit u bë një angazhim i pandarë i ditës time krahas mësimeve.

- Kur vendose që të vishesh me mbulesën myslimane?

- Shamia ose siç më pëlqen ta quaj, petku i besimit, ishte një ndër dëshirat e mia më të mëdha. Më dukej sikur nuk e kisha përmbushur besimin tim dhe nuk ndjehesha mirë para Zotit. Fillimisht ndryshova veshjen duke filluar të vishja funde të gjata dhe bluza me mëngë të gjata edhe gjatë verës. Hapi më i rëndësishëm dhe vendimi për të veshur shaminë, përkoi me vajtjen time në Kuvajt, pasi kisha fituar një bursë studimi nga Universiteti i Kuvajtit. Qëllimi ishte që të njihja më mirë fenë time dhe të mësoja gjuhën arabe, gjuhën e Kur’anit.

- Si u përballe me mentalitetin në qytetin e vendlindjes tënde Cerrikun asokohe?

- Në pushimet e verës kthehesha nga Kuvajti dhe i kaloja në qytetin tim. Qyteti i Cërrikut është një qytet i vogël ku të gjithë e njohin njëri -tjetrin. Kthimi i parë nga Kuvajti solli pak çudi në qytet për shkak të veshjes. Komentet ishin nga më të çuditshmet, si për shembull, se më kishin detyruar në shkollë, prandaj isha veshur etj. Por, kush më njihte nga afër, e dinte shumë mirë që ajo veshje ishte zgjedhje e shumëdëshiruar nga mua, dhe e vendosur totalisht me vullnetin tim të lirë.

- Familja juaj e praktikon këtë besim? Pate mbështetjen e tyre?

- Familja ime, si shumë familje të tjera shqiptare, që kishin jetuar shumë vite në një sistem, ku besimi në Zot dhe praktikimi i çdo feje ishte e ndaluar, ishin të ndikuar. Pavarësisht kësaj, familja ime nuk ka qenë asnjëherë pengesë për mua të praktikoja fenë islame. Të vështirë e kam pasur pak më mamanë time, e cila nuk ka qenë dakord për të veshur shaminë, sepse kishte frikë që do të ishte pengesë për mua në arsmimin tim apo edhe në punësim më vonë.

- Dhe në lidhje me arsimimin, ç’mund të na thoni?

- Arsimi i mesëm u përfundua me sukses me rezultate shumë të mira, ku krahas mësimeve dhe përgatitjes për studimet e larta, unë studioja dhe fillova praktikimin e fesë islame. Me pas unë studiova dhe jetova për katër vite në shtetin e Kuvajtit. Jetesa dhe njohuritë që mora atje, e përmirësuan akoma më shumë formimin tim si atë intelektual, ashtu edhe atë fetar. Më pas kthehem në Shqipëri për të nisur jetën e re, si bashkëshorte dhe nënë. Por njohuritë dhe studimet e mia në Kuvajt nuk mjaftonin për mua. Menjëherë, pas kthimit, fillova të ndjek studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, dega “Punonjëse Sociale” dhe më vonë “Master Professional”. Asnjëherë veshja ime nuk u bë pengesë që të ndiqja studimet dhe t’i perfundoja me rezultate të mira.

- Kur nise punë në bashki, dhe si të priti kreu i bashkisë para se të emëronte?

- Mendoj se kam qenë e privilegjuar, si në ndjekjen e studimeve, ashtu edhe në punësim, pasi shamia nuk ka qenë asnjëherë pengesë për tu arsimuar dhe punësuar. Bashkia Elbasan kishte arritur një marrëveshje me Organizatën “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”. Marrëveshja konsistonte në zbatimin e projektit për ngritjen e rrjetit kundër dhunës ndaj grave. Aplikoj dhe përzgjidhem unë, të jem koordinatorja e këtij projekti. Fillova punën duke pasur mbështetjen dhe dashamirësinë e kryetarit dhe drejtuesve të tjerë të institucionit. Normalisht paragjykime ka pasur. Herë janë shprehur e herë- herë jo. Por për mua nuk u bënë pengesë, që puna ime të vazhdonte dhe të jepte rezultate, gjë e cila solli që shumë shpejt, të jem staf i Bashkisë Elbasan.

- Ambienti i kolegëve në punë, si i ke marrëdhëniet ?

- Tashmë u bënë vite që jam pjesë e stafit të Bashkisë dhe për më tepër edhe paragjykimet për arsye të mbulesës edhe në ambiente të tjera , kanë ndryshuar dhe në mes kolegëve apo para qytetarëve nuk me sjell asnjë pengesë. Gjithsesi, paragjykimet ekzistojnë kudo dhe për arsye të tjera.

- Krahas besimit që praktikon, je edhe një grua në karrierë. Një nënë me fëmijë, si arrin të menaxhosh kohën dhe t’i bësh të gjitha ?

- Martesa me bashkëshortin tim, Ervisin, ka qenë plotësimi im si në praktikimin e fesë, pasi edhe ai është një besimtar, por edhe në karrierën time. Mbështetja e tij e vazhdueshme më lehtëson në përditshmërinë time si bashkëshorte, si nënë e katër fëmijëve, po ashtu edhe në karrierën time. Përveç angazhimeve tona , unë si nëpunëse e Bashkisë dhe Ervisi si administrator i biznesit të familjes në fushën e IT prej tre vitesh, kemi themeluar edhe një Qendër, e cila ofron shërbime për fëmijët me nevoja të veçanta, Qendra “Future for You”, pasi fëmija ynë i tretë, Amri, ka lindur me sindromën “down”.

- Ardhja e Amrit në jetë na gjeti të painformuar dhe të papërgatitur. Për ne nisi një rrugëtim i ri. Vendosëm t’i vijmë në ndihmë jo vetëm Amrit, por edhe shumë fëmijëve si ai dhe familjarëve të tyre.

- Për secilin nga ne dita ka 24 orë dhe të menaxhosh këto 24 orë në mënyrën me të mirë të mundshme është sukses dhe arritje. Këtë përpiqem edhe unë të bëj çdo ditë, të jem një bashkëshorte, nënë, punonjëse, drejtuese dhe mbi të gjitha një besimtare e mirë. Besimi dhe mbështetja tek Zoti mi lehtëson dhe më motivon çdo ditë që t’i realizoj detyrimet e mia, të kem sukses në to dhe të jem e dobishme në familje dhe shoqëri. /Miranda Sadiku dhe Besim Dybeli/Newsbomb.al


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)