Gjidhënia apo biberoni, alternativa e kohës moderne

Gjidhënia është vazhdim i lidhjes së natyrshme në mes nënës dhe foshnjës pas lindjes. Mundohuni të mos e ndërpritni gjidhënien, sepse foshnja menjëherë pas lindjes vetë do ta kërkojë gjirin e nënës; përqafojeni foshnjën dhe do të bindeni! Ajo e di çfarë është e mirë. Të ushqyerit me gji ofron siguri, ngrohtësi, ushqim, gjëra këto që nëna ia dhuron foshnjës për nëntë muaj rresht, kur edhe e kishte mbajtur me vete.

Qumështi i gjirit është i pastër, i ngrohtë, që prodhohet pa mund në çdo vend dhe kohë, falas për foshnjën, dhe jep plot dashuri, veti mbrojtëse dhe ushqyese, e që nuk i ka asnjë qumësht tjetër. Me dhënien e gjirit ju i ofroni foshnjës suaj ndjenjën e sigurisë, butësisë, dashurisë, gjëra këto që formojnë një bazë të fortë për një jetë stabile psikike.(1)
Gjatë shtatzënisë, nga gjëndrat e qumështit mund të shtrydhet kulloshtra. Kulloshtra në vetvete përfaqëson një lëng me reaksion bazik, që përmban proteinë, qeliza epiteliale dhe leukocite të mbushura me pika lipoide. Në ditën e dytë ose të tretë të paslindjes fillon dalja e qumështit. Zakonisht gjatë kësaj kohe gjëndrat fryhen dhe bëhen më të ndjeshme. Kur këto fryhen dhe forcohen lehona ankohet për dhimbje në gjëndrat e qumështit. Dalja e qumështit bëhet nën ndikimin e veprimeve të ndërlikuara reflektore dhe hormonale.
Procesi i formimit të qumështit, rregullohet nga sistemi nervor dhe hormoni laktogjen i hipofizës. Gjatë aktit të thithjes, si pasojë e ngacmimit të elementeve nervore, lindin kontraksionet e mitrës. Kontraksionet reflektore të mitrës gjatë ushqyerjes me gji jo rrallë ndihen nga lehona si kontraksione të lindjes.
Qumështi është një lëng i bardhë, që në vetvete paraqet emulsion pikash të vogla dhjami, të cilat gjenden në serum. Qumështi ka reaksion bazik, dhe duke u zier nuk koagulohet. Përbërja e qumështit të gjirit përmban rreth 87-88% ujë, 1,5 - 2% proteina, 3,5 - 4% dhjamra, 6,6 - 7.5% sheqer dhe 0,18 - 0,2% kripëra.

Pozicionet për ushqyerje

Për ta ushqyer fëmijën është e domosdoshme të zgjidhet një vend i qetë dhe pozicion komod. Nëse gruaja ka zgjedhur të qëndrojë ulur, duhet të kërkojë një mbështetje të mirë për shpinën, të rrafshojë shpatullat, të vërë në këmbë një stol të vogël pasi ngritja e këmbëve do të ndihmojë të mbajë të qetë edhe abdomenin.
Pozicioni ulur është i vështirë si rezultat i epizotomisë ose edemave të organeve gjenitale që ndodhin direkt pas lindjes, dhe ky pozicion është i vështirë edhe për dhënien e gjirit natën. Në këto raste përdoret pozicioni anësor i dhënies së gjirit, i cili është më i indikuar.
Në rastet kur gruaja ka lindur me prerje cezariane (operim), mbështetja e fëmijës mbi bark mund të jetë e dhimbshme. Ose, në rastet kur fëmija ka krijuar të çara në thithkën e gjirit, atëherë lind nevoja e pozicioneve të ndryshme. Në këto raste këshillohet që gruaja të qëndrojë ulur, ta mbajë fëmijën në krah nga njëra anë dhe në drejtim të gjirit që do t'i japë fëmijës. Fëmija vendoset mbi një jastëk të vogël. Ky pozicion mund të jetë i adoptuar edhe në rastet e ushqyerjes njëkohësisht të dy binjakëve. Për të lehtësuar këtë pozicion, fëmija duhet të jetë ngjitur me trupin e nënës, ndërsa koka duhet të jetë pak e ngritur në parakrahun e nënës. Kurrizi i fëmijës preferohet të jetë në të njëjtin aks me kokën e ngritur, dhe dora të mund ta rrotullojë fëmijën në drejtim të barkut të nënës, duke pasur barkun e fëmijës kundrejt barkut të saj, dhe fytyrën e tij ekzaktësisht përballë gjirit.
Duhet pasur kujdes që hunda të mos takohet me gjirin, pasi mund të vështirësojë, madje edhe ta bllokojë frymëmarrjen e foshnjës.

Kur duhet ushqehet foshnja me gji?

I porsalinduri kërkon të ushqehet atëherë kur ai ka uri. Numri i ushqyerjes varion nga 6 deri në 10 ushqyerje në ditë, dhe kërkesa për qumësht rritet 10 gram për pirje në ditë, për 10 ditët e parë të jetës. Nëna nuk duhet t'i bëjë orar strikt fëmijës për ushqyerje, por duhet ta ushqejë atë sipas nevojës, pasi nevojat e tij rriten bashkë me rritjen e tij. Nuk është e rëndësishme se sa herë ushqehet fëmija, por ka rëndësi se sa ritet dhe shton në peshë. Fëmija duhet të shtojë afërsisht 150-200 gram në javë, gjatë tremujorit të parë të jetës. Një foshnje që rritet në këtë mënyrë tregon se ecuria e tij është shumë e mirë. Prandaj nuk është e domosdoshme që të bëhet peshimi në çdo ushqyerje, para dhe pas ushqimit.
Shpesh ky veprim është motiv për ankthet e nënës, të cilës i duket sikur fëmija nuk është mirë dhe kërkon të bëjë gjithmonë balancime ushqimore. Foshnja duhet të peshohet çdo javë, gjithmonë në të njëjtat kushte, p.sh.:
në mëngjes, i paveshur etj. Vetëm kështu mund të konfirmohet shtesa e peshës. Ndodh që në javën e parë shpeshtësia e pirjeve ndryshon, pasi varet nga koha e adaptimit të foshnjës dhe jetës ekstrauterine, nga metabolizmi i tij, si dhe nga ardhja e gjirit. Ushqyerja me gji është e lirë ose sipas kërkesës, që do të thotë: veje në gji fëmijën sa herë që ai qan, por duke respektuar ritmet e gjumit. Me ardhjen e mirë të gjirit frekuenca e ushqyerjeve arrin 7 deri në 10 ushqyerje në 24 orë, me interval afërsisht 2-3 orë nga një pirje te tjetra, ose me pushime pak më të gjata e që duhen bërë natën.
Ushqyerja dhe kërkesa për gji është fiziologjike. Nëse ndodh që fëmija e ndërron ditën për natën, atëherë duhet të provohet qëndrimi më shpesh ditën, dhe të mësohet të flejë natën. Është e këshillueshme që fëmija të flejë ditën në një ambient të ndriçuar, duke e rezervuar errësirën dhe qetësinë për orët e natës.

Zgjatja e pirjes

Në pjesën më të madhe vihet re se foshnjat 5 minutat e para të thithjes së qumështit të gjirit janë mjaft aktivë. Ndërsa pjesa tjetër pihet në 20 minutat e tjerë. Është e këshillueshme që fëmija të mbahet 10-15 minuta, dhe pastaj të lihet i lirë, për ta ndërprerë ushqyerjen kur të dëshirojë. Pra, fëmija duhet të lihet i lirë të pijë kur ai të dojë. Është praktikë e gabuar që fëmijës t'i prishet gjumi që të ushqehet me gji, gjë që ndodh më shpesh te nënat e reja, nga frika që foshnja mos të mbetet e uritur. Në dietën e gruas me gji është e rëndësishme të futet qumështi me derivatet të tij, për të balancuar nevojën e rritur për kalcium, me afër plus 40 mg në ditë, duke parë nevojat e gruas që ushqen me gji. Këshillohet ngrënia e ushqimeve të ndryshme, të të gjitha grupeve, si: mish, peshk, vezë, drithëra, zarzavate, produkte të gjelbra, shumë fruta, për të balancuar nevojat për zink, jod, selenium, vitaminë A, vitaminë B dhe C. Është domosdoshmëri pirja e shumë lëngjeve, pasi ushqyerja me gji rrit nevojat për ujë më së paku 600-800 ml suplementar në ditë.(2)
Në qoftë se mjeku gjatë kohës së dhënies gji ju jep ndonjë ilaç, pyeteni atë a është ilaçi i dëmshëm për gjidhënësen, sepse substancat vepruese mund të depërtojë nëpërmjet sistemit të tretjes në gjak dhe pastaj në gjëndrat e qumështit.
Konsumimi i kafesë në masë mund të lejohet, por në rast të konsumimit të shumtë disa fëmijë reagojnë duke qenë tepër nervoz, si dhe duke qëndruar zgjuar kohë të gjatë. Nikotina gjithashtu ndikon keq në hormonin e prodhimit të qumështit, prandaj duhet pasur kujdes që fëmija të rritet në një ambient pa tym duhani, ndërsa drogat përbëjnë rrezik të dyfishtë për fëmijën.(3)
Edhe pse shumë nuk e kuptojnë, të dhënit gji është akt modern. Vetë bindja që jeni duke bërë më të mirën për foshnjën tuaj krijon vetëbesim. Qumështi i nënës ka veçori imunitare dhe e mbron fëmijën ndaj infeksioneve. Ai përmban ushqimin e nevojshëm për gjashtë muajt e parë të jetës së foshnjave, dhe njëkohësisht i bën ata rezistues ndaj infeksioneve si: diarreja, infeksionet e veshit, infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes etj. Përmban ujë të mjaftueshëm për fëmijën edhe kur moti është tepër i nxehtë, e në të njëjtën kohë është edhe zgjedhja numër një në ndalimin e dehidratimit. Përmban më shumë laktozë se çdo qumësht tjetër, dhe kjo është ajo për të cilën ka më së shumti nevojë fëmija. Përmban hekur të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm për t'u absorbuar në zorrët e fëmijës, prandaj edhe te fëmijët e ushqyer me qumështin e nënës nuk vërehet anemia dhe mungesa e hekurit. Përveç këtyre, është përherë i gatshëm dhe nuk kërkon ngrohje të ujit, apo shishe me biberon të sterilizuar. Studimet gjithashtu thonë se gjidhënia është e dobishme sa për fëmijën ashtu edhe për nënën. Fillimi i gjidhënies menjëherë pas lindjes nënën e ndihmon në rimarrjen e formës fizike të mëparshme, duke djegur yndyrat e tepërta. Gjidhënia pengon fryrjen dhe qelbëzimin e gjirit nga qumështi. Gjithashtu shërben si metodë kontraceptive, sepse pengon shtatzëninë në gjashtë muajt e parë. Te nënat që e praktikojnë gjidhënien, kanceri i gjirit dhe i vezorëve është më i rrallë. Në të njëjtën kohë, gjidhënia ndikon edhe në psikologjinë e nënës dhe fëmijës, i bën ata që të lidhen fort me njëri-tjetrin.

Sa kohë të jepet gji?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet që gjashtë muajt e parë foshnjës t'i jepet vetëm qumësht gjiri, e pastaj të kombinohet të dhënit gji me një ushqim shtesë e të përshtatur, derisa fëmija të mbushë rreth dy vjet.(4)
Çdo ditë zbulohen dobi të reja që përmban qumështi i nënës për fëmijën. Një prej argumenteve që shkenca ka zbuluar rreth qumështit të nënës është se pirja e tij gjatë dy viteve të para të jetës ka dobi mjaft të madhe. Në Kuran jepet një lajm mjaft i rëndësishëm, 14 shekuj më parë, po në lidhje me këtë fakt të zbuluar nga shkenca vetëm kohët e fundit: "Nënat duhet t'i ushqejnë foshnjat e tyre për dy vjet me radhë...” (El-Bekare, 233).
Qumështi i nënës është një përzierje e pakrahasueshme që shërben si burim ushqimor i shkëlqyeshëm për foshnjën e porsalindur. Asnjë ushqim artificial për fëmijë, i prodhuar nga teknologjia e ditëve tona, nuk mund ta zëvendësojë këtë burim ushqimi të mrekullueshëm. "Ne e kemi urdhëruar njeriun që të sillet mirë me prindërit, sepse nëna e vet e mbajti në barkun e saj, me vështirësi pas vështirësie, dhe pas dy vitesh ia ndau gjirin. Ji mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, sepse tek Unë është kthimi juaj” (Lukman, 14).(5)
Përballë gjithë të mirave që shtrojnë studimet lidhur me gjidhënien qëndron ushqimi me biberon dhe të mirat e tij. Sot në botë kjo metodë përdoret nga 50-70% e nënave. Kjo mënyrë e të ushqyerit, e cila është më e shkurtër në kohë dhe me frekuenca më të rralla, i siguron nënës më shumë kohë për veten, duke mos e bërë të ndihet e varur pas fëmijës gjatë gjithë ditës.
Përveç kësaj ushqimi me biberon, shihet si një mënyrë që mund të lidhë shumë mirë fëmijën me babanë, i cili gjatë gjidhënies përjashtohet krejtësisht nga procesi, duke bërë që herë-herë të largohet nga fëmija, e herë-herë të largohet edhe nga bashkëshortja. Jetesa e kohëve moderne përveçqë është bërë më komode, në anën tjetër ka shtuar impenjimet, por gjithashtu ka shtuar dhe vëmendjen e nënave ndaj Vetvetes. Ushqimi me biberon i siguron nënës vijimin e aktivitetit të mëparshëm. Por, ajo që mund të thuhet me siguri është fakti se nënat kërkojnë gjithmonë më të mirën për fëmijën e tyre. Kështu, duhet të jenë ato dhe vetëm ato që duhet të vendosin për rrugën që duhet të zgjedhin, si nëna që vlerësojnë kufizimet, mundësitë dhe pamundësitë e jetesës së sotme, që vlerësojnë të mirat dhe të këqijat e dy metodave të ushqyerjes, e që më pas marrin vendime të pavarura dhe të pakushtëzuara.(6) Një nënë e tillë e di se gjidhënia është më e mire për atë dhe foshnjën e saj, prandaj gjithsesi se edhe gjen kohë për këtë.



(1) Dr.Teuta Sejdiu -Hasbahta neonatologe 1:46 / 28.10.2009. (http://www.telegrafi. com/ shende tesi/ gjidhenia-dhe-menyja-e-ushqimit-te-bebes-suaj-51-22.ht1nl. Qasja 05.07.2015.
(2) Obst-Gyn Mimoza Keta http://wwwbebaime.com /perinatologjia/lehonia-qumeshti-i-gjirit 2010 qasja 11.09.2015 .
(3) Dispozita fetare dhe Këshilla mjekësore për të posalindurin 0-4, Sabit Gashi, Gazmend Gjota, Botimi 1, Prishtinë: Lib Art. 2010. f. 153.
(4) Dispozita fetare dhe Këshilla mjekësore për të posalindurin 0-4, Sabit Gashi, Gazmend Gjota, Botimi 1, Prishtinë: Lib Art. 2010. f. 156.
(5) Mrekullitë e Kuranit, Harun Iahja (Adnan Oktar), shtypur nga Secil Ofset, Qershor 2010. f. 62.
(6) www.infoalbania-http://www.bebaime.com/ tema/ sa-i-shendetshem-esh-te-qumeshti-i-nenes / qasja 09.09.2015.



Fitore Jaha - Ahmeti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)