Xhamia e Mahmud Pashës (Kalasë) në Prizren

Në Kalanë e Prizrenit e cila daton qysh nga koha e periudhës romake -bizantine janë vendosur forcat ushtarake osmane nga viti 1455 dhe qëndruan aty gjer në vitin 1912.

Krahas objekteve ushtarake që ndërtuan osmanët pas riparimit të Kalasë, kanë ndërtuar edhe një xhami brenda Kalasë. Viti i saktë i ndërtimit nuk është i njohur gjer tani, por është e sigurt se xhamia është ndërtuar pas vitit 1455 do të thotë në gjysmën e dytë të shek. XV-të. Xhamia ka qenë me dimensione të vogla dhe ka shërbyer vetëm për nevojat e ushtarëve osman që kanë shërbyer në Kala. Në vitin 1689 pas rënies së Prizrenit në duar e ushtrisë austriake nën komandën e gjeneralit Pikolomini, edhe xhamia në Kala është shkatërruar tërësisht, krahas shumë objekteve tjera të trashëgimisë kulturore osmane-islame që ishin të rrënuara në Prizren me atë rast. Pas një kohe të gjatë ajo përsëri u rindërtua në vitin 1828 nga ana e Mahmut pashë Rrotllës dhe ka ekzistuar gjer në vitin 1912 me ç’rast prapë u rrënua, tani nga ushtria serbe pas okupimit të Prizrenit në tetor të vitit 1912.
Rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit nga Mahmut pashë Rotlla e cek edhe myftiu i Prizrenit Mehmet Tahir efendiu në kronikën e tij, ”Menakib” në të cilin cek se: “Mahmut Pasha në shenjë butësie ka ndërtuar në Kala një faltore që zbukuron qytetin tonë”(1).
Në vakëfnamen e tij Mahmut pashë Rotlla, për xhaminë e tij të ndërtuar në Kala, nga vakëfet e shumta që i ka lënë donacion qytetit të Prizrenit, cek edhe këtë të dhënë ” myezinit të xhamisë në Kala, hafizit të verbër 60 groshë, shërbyesit të xhamisë në Kala 40 groshë”(2).
Nga kjo xhami në Kala është ruajtur mbishkrimi i saj, i cili gjendet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit. Mbishkrimi i ruajtur i xhamisë së Mahmut pashë Rrotllës në Kala është me dimensione 67,5x53,5 cm shkruar në pllakën prej mermerit, dhe e cila është në gjendje ekzistuese relativisht të mirë, është shkruar nga poeti i kohës Nuri efendiu. Në këtë mbishkrim të xhamisë së Kalasë shkruan:” Kjo xhami në të vërtetë është ngritur pas çlirimit të Prizrenit, ndërtesa gjatë kohës është rrënuar, dhe kishte qenë në gjendje të mjerë, valiu i vilajetit, Mahmut pasha xhaminë e ka rindërtuar në vitin 1244 hixhri/1828 gregorian”(3).
Themelet e xhamisë së Kalasë ende sot e kësaj dite qëndrojnë dhe është e udhës që nga faktorët përgjegjës, në rradhë të parë nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit, si edhe Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit në bashkë koordinim me Ministrin e Kulturës së Republikës së Kosovës, të iniciohet procedura për rindërtimin e saj, në kuadër te punimeve të tanishme që janë duke u kryer në restaurimin dhe revitalizimin e Kalasë. Edhe me ligjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me ruajtjen, renovimin dhe restaurimin e objekteve me rëndësi të veçantë të trashëgimisë kulturore, ceket se objekti i cili ka pas destinimin e fundit të funksionimit të saj, duhet të rikthehet në gjendjen e tij të dikurshme. Pasi që xhamia e Mahmut pashës në Kala ka shërbyer si xhami deri në vitin 1912, është e udhës të rikthehet në këtë gjendje të saj, që krahas saj si objekt me rëndësi të veçantë të trashëgimisë kulturore, të përdoret edhe si objekt kulti fetar islam që kohë pas kohe do të mund të falen namazet e xhumave apo të bajrameve.
Dy objekte më të rëndësishme me rëndësi të veçantë fetare dhe kulturore që kanë funksionuar në Kala, xhamia gjer në vitin 1912 dhe topi në Kala gjer në vitin 1950, i cili ka sinjalizuar lajmërimin për përfundimin e agjërimit ditor të Ramazanit, gjegjësisht iftarit, do të duheshin më së pari të rindërtohen dhe restaurohen , që përveç rëndësisë simbolike fetare do të kishin një impakt të drejtpërdrejtë edhe në avancimin dhe zhvillimin e turizmit në qytetin tonë të Prizrenit, pasi që këto dy monumente me siguri do të ishin”per exellelent” në Kalanë e rinovuar dhe një fakt shtesë që do të shtonte edhe më shumë turistët e shumtë kombëtar dhe ndërkombëtar që do të vizitonin Kalanë dhe do të kënaqen me bukuritë e saja, e sidomos të dy monumenteve më me vlerë të Kalasë, të xhamisë dhe topit të saj simbolik.


_____________________
1. Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.106
2. Hasan Kaleshi-Ismail Eren:”Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni-Përshpirtënimet dhe Vakëfnameja e tij”, Edukata Islame, nr.81, Prishtinë, 2006, fq.183
3. Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.152



Faik MIFTARI

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/foto-xhamia-kal_1465981317.jpg[/img]