Pas konstituimit të pushtetit osman në vitet e para të saja (aty në mes viteve 1460-1470) është ndërtuar edhe mesxhidi i parë në Prizren.
Këtë e ka ndërtuar Jakub bej Evrenoszade i cili ishte rikabdar (zyrtar personal i sulltan Fatih Mehmedit të II-të i cili i ka ndihmuar sulltanit me rastin e hipjes dhe zbritjes së tij nga kali si dhe ka përcjell sulltanin gjatë shëtitjes së tij me kalë). Jakub beu pas vendosjes së ushtrisë osmane në Kala ishte edhe dizdar (komandanti) i parë i formacionit ushtarak osman të vendosur në Kala. Mesxhidin e ndërtoi në anën e djathtë të Lumbardhit (Bistricës) në sheshin e atëhershëm, pas së cilës themelohet më vonë edhe çarshia e njohur e ashtuquajtur Arasta (e mbuluar). Për Jakub beun gjer tani nuk është ditur shumë, veçse konsuli rus në Prizren Ivan Jastrebovi gjatë shek.XIX, si dhe myftiu i Prizrenit Mehmet Tahir efendiu, poashtu gjatë shek.XIX-të, kanë cek se ishte pasardhës i Gazisë së njohur Evrenos beut. Burimet osmane të kohës nuk e cekin prejardhjen e tij, por e shënojnë vetëm funksionin e tij. Në defterin (regjistrin) Muhasebe nr.167, faqe 392 shkruan:” rikabdari Jakub beu ishte dizdar i Kalasë së Prizrenit”. Në dokumentin nr. 368, fq. 463 të Arkivit Osman pran kryeministrisë shkruan:” Vakfi i mesxhidit të merhumit Jakub beu, rikabdar i merhumit sulltan Fatih Mehmedit II-të(1).
Për mirëmbajtjen e mesxhidit të vet Jakub beu ka themeluar vakëfin e vet për të cilin ka dhënë donacion 7 dyqane dhe 1 mulli me ujë me 4 gurë. Më vonë i ka shtuar edhe dy dyqane për vakëfin e tij për mirëmbajtjen e mesxhidit të tij. Aty kah mesi i shekullit XVI-të në emër të vakëfit të mesxhidit të Jakub beut, Shaban hoxha ka lënë vakëf 6 dyqane, ndërsa zonja Ajsha, 4 dyqane dhe 1 shtëpi me oborr për vakëfin e mesxhidit të Jakub beut(2).
Në vitin 1571 sipas regjistrimit të përgjithshëm të sanxhakut të Prizrenit në mesxhidin e Jakub bej Evrenoszades apo në atë kohë i quajtur edhe si mesxhid i Çarshisë kanë shërbyer dy myezin, Daudi dhe Jusufi(3).
Për xhaminë e Jakub bej Evrenoszades ka shkruar edhe myftiu i Prizrenit Mehmet Tahir efendiu në Kronikën e tij “Menakib” shkruar në gjysmën e dytë të shek. XIX, në të cilin ai cek se Jakub beu ishte i biri i Gazi Evrenosit të famshëm: ”Edhe Jakub beu ka ndërtuar një faltore për tregun e tij, për t’u falur e lutur njerëzit që ia mësyjnë tregut, këtij tregu tani i thonë Arasta, sepse ka qenë i rinovuar me tregjet e qytetit tonë. Është shkatërruar e rinovuar disa herë, siç e kanë rinovuar (edhe) tash disa banorë”(4).
Gjatë regjistrimit detaj të kryer në vitin 1571 në sanxhakun e Prizrenit, në mesin e imamëve dhe myezinëve të regjistruar, kemi has të dhënën e saktë se në vitin 1571 mesxhidi i atëhershëm i Jakub beut(Çarshisë) i kishte dy myezin që shërbenin aty, ata ishin Daudi dhe Jusufi(5).
Pasi në mungesë të mbishkrimit të xhamisë së Jakub beut (Arastës), nuk kemi datë të saktë të ndërtimit të xhamisë, ashtu që studiuesit dhe hulumtuesit e kanë përcaktuar në bazë të dhënave që kanë pas në dispozicion gjatë kohës, periudhën më të përafërt të ndërtimit e që ishte gjysma e dytë e shekullit XV-të.
Hasan Kaleshi, Kemal Ozergin dhe Ismail Eren në punimin e tyre me tutull ”Prizren kitabeleri” (Mbishkrimet e Prizrenit), kanë shkruar se ajo është ndërtuar para vitit 1526 si mesxhid dhe në kohën e mëvonshme i është ndërtuar minarja dhe është shndërruar në xhami. Konsulli rus Ivan Jastrebovi i cili ka shërbyer konsull në Prizren, dhe ka qenë njohës i mirë i gjuhës osmane ka cek se xhamia e Jakub beut është ndërtuar në vitin 1558, duke u bazuar në mbishkrimin e çeshmes e cila ka qenë e ndërtuar pranë saj, e të cilin e ka ndërtuar i biri i Gazi Evrenos bejit, Evrenosi me të njëjtin emër. Edhe në vakëfnamen e Mehmet Kukli beut përmendet ky mesxhid i ndërtuar nga Jakub beu me emrin Jakub Pasha apo Jakub dede, me të cilin vërtetohet se me rastin e përpilimit të vakëfnames së Mehmet Kukli beut në vitin 1539, mesxhidi i Jakub beut ka ekzistuar(6).
Pas aprovimit të planit të përgjithshëm urbanistik në vitin 1961/62, xhamia e Jakub beut(Arastës) u rrënua në vitin 1963, dhe falë ”mëshirës” së një zyrtari komunist të atëhershëm u kursye minarja e saj nga rrënimi dhe se sot e kësaj dite gjurma e vetme e ekzistimit të xhamisë së dikurshme është minarja e saj.
Gjatë kohës së viteve gjashtëdhjeta të shekullit XX-të, kur u rrënua xhamia, babai im (shpirti i tij rahmet pastë) ishte anëtar i Këshillit të Vakëfit (Këshilli i Bashkësisë Islame) të Prizrenit, dhe se anëtarët e Vakëfit të atëhershëm të Prizrenit njëzëri kanë kundërshtuar vendimin e Kuvendit Komunal të Prizrenit, dhe nuk kanë lëviz me asnjë çmim nga presionet dhe kërcënimet e ndryshme nga pushtetarët komunist që Këshilli i Vakëfit të Prizrenit të jep pëlqimin për rrënimin e xhamisë së Arastës. Pasi që nuk arritën të marrin pëlqimin e Këshillit të Vakëfit të Prizrenit, ata iu drejtuan organit qendror të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Kryesisë së Bashkësisë Islame, duke ushtruar ndikim dhe trusni në organin më të lartë, arrijnë të marrin pëlqimin e tyre , dhe duke mos e përfillur fare vendimin e Këshillit të Vakëfit të Prizrenit, arritën ta rrënojnë xhaminë në vitin 1963 që ishte një humbje e pa kompenzueshme e trashëgimisë materiale kulturore të periudhës osmane-islame në Prizren. Në vend të xhamisë është ngritur ndërtesa e ish Shërbimit të Kontabilitetit Shoqëror (e njohur si SDK-ja), ndërsa tani aty gjenden zyret e Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa të Kuvendit Komunal të Prizrenit. Do të ishte e udhës tani, që Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit në koordinim me Entin për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit dhe Ministrinë e Kulturës së Republikës së Kosovës të rinisin iniciativën për rindërtimin e xhamisë së Arastës në të njëjtin lokacion, sikurse ka qenë më parë, pasi që ekzistojnë fotot e xhamisë së dikurshme të Arastës, si dhe minarja e saj stoike, që do të ishte një atraksion shtesë për turistët e shumtë që e vizitojnë Prizrenin, dhe se për ata objektet e trashëgimisë kulturore kanë vlerë, e jo objektet e tanishme të ndërtuara të periudhës më të re kohore.
Rrënimi i xhamisë së Arastës përveç që ka pas prapavijë politike, kishte edhe prapavijën e rrënimit të bërthamës (tani zona e parë mbrojtëse) së trashëgimisë kulturore osmane-islame në qendër të qytetit, projektuar me atë qëllim që të ndërtohet një kompleks i ri bashkëkohor me ndërtesa shumë katëshe dhe objekte tjera shoqërore që jo që e kanë zbukuruar qytetin, por e kanë varrosur për së gjalli pjesën e vjetër të qytetit, ashtu që nga Kalaja e qytetit çdo kush që e vështron atë pjesë, edhe po të mos ketë fare njohuri me urbanizmin dhe planifikimin hapësinor, do të çuditej me projektuesi e planit të tillë urbanistik të rrënimit të kësaj pjese të vjetër të qytetit.
__________________
1. Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“. У Живот на рекама југоисточне Европе: историјски аспекти планирања насеља и комуникација. Уредник Љубодраг П. Ристић. Београд: Балканолошки институт САНУ, Историјски институт, (у штампи).
2. Po aty, fq.6
3. 15 Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010 , fq.54
4. Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.84
5. 17 Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010 , fq.54
6. Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.
Faik MIFTARI
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/arasta_minare1_1466155508.jpg[/img]