Xhamia e re në fshatin Saradran të Istogut

Ndërtimi i xhamisë së re në fshatin Saradran të Istogut u arrit me kërkesë të qytetarëve dhe iniciativën e Këshillit të Bashkësisë Islame Istog me në krye Muhamet ef.Lipaj dhe në bashkëpunim me KK Istog.

Trualli i rezervuar për këtë objekt shtrihet në një sipërfaqe prej 22 arësh në qendrën e fshatit Saradran dhe është konceptuar që të shoqërohet edhe me një objekt multifunksional, në harmoni me xhaminë dhe jetën komunitare të fshatit.
Banorët e fshatit Saradran, por edhe të fshatrave të tjerë përreth si Kashic e Cerolluk, kishin kërkuar mbështetje prej kohësh, për të pasur edhe ata xhaminë e tyre dhe një qendër për edukimin me kulturë islame të brezave të ri në këtë zonë, për ruajtjen e traditës dhe vlerave kombëtare me të cilat karakterizohet rrafshi i Dukagjinit.
Puna për ndërtimin e kësaj xhamie nisi më 02.11.2015 dhe, sipas grupit që ndoqi punimet, objekti pritej të përfundonte brenda një viti, dhe po thuajse ashtu veç edhe ndodhi, u bë xhamia e 14 në Komunën e Istogut. Kjo vepër do të jetë dëshmi besimi dhe do të japë frytet e saj në të mirë të komunitetit.
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Atij që ndërton një xhami, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, Allahu do t’ia ndërtojë një shtëpi në Xhenet”. Dhe kjo është lutja e të gjithë banorëve te Saradranit dhe fshatrave përreth, që Zoti i Fuqiplotë t’i shpërblejë me mirësitë e Tij donatorët e kësaj Shtëpie të Allahut, Institutin AIITC dhe të gjithë ata që në një formë ose tjetër kontribuuan për jetësimin e këtij projekti.