Ahmeti e Sopjani biseduan për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja, vizituan Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës, ku u pritën nga Kryetari Hetem Sopjani.

Ata biseduan për bashkëpunimin në mes të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës, me theks të veçantë restaurimin e Xhamisë së Çarshisë.

I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka quajtur të papranueshme gjendjen në të cilën ka mbetur Xhamia e Çarshisë e cila gjendet në qendër të kryeqytetit.

Ai tha se janë shpenzuar shumë para dhe kohë për restaurimin e kësaj xhamie, mirëpo xhamia ende ka mbetur në gjendje jofunksionale, dhe se është e papranueshme që kjo xhami, mbi 600 vjet e vjetër, e që përveç funksionit fetar do të mund të ishte edhe pikë turistike e Prishtinës, të lihet në këtë gjendje.

“Komuna e Prishtinës në vitin 2010 i kishte dhënë një shumë prej 500,000 euro Inistitutit për Mbrojtje të Trashëgimisë për restaurimin e kësaj xhamie, por gjatë vizitës që i bëmë dje xhamisë me kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës konkluduam se kishte edhe shumë për t’u bërë”, tha Ahmeti.

Ai premtoi se institucioni që udhëheq ai do të përkujdeset që ky objekt të restaurohet dhe të ketë kujdesin e duhur si xhamia më e vjetër e qytetit.