Historiku i shkurtër i përkthimit të Kuranit shqip
Idetë, interesimi dhe angazhimi për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe kanë qenë të hershme tek ulematë tanë shqiptarë. Përkthimin e pjesërishëm të tij mund ta hasim qysh në periudhën e Bejtexhinjve dhe Rilindësve tanë.
Poeti ynë i shquar Naim Frashëri, në vitin 1894, botoi në Bukuresht, veprën e tij me titull "Thelbi i Kuranit", në të cilën bëri përkthimin në shqip të sures el-Fatiha dhe të një numri të konsiderueshëm të ajeteve të marra nga suret e ndryshme të Kuranit në mënyrë selektive.(1)
Sipas bibliografisë së veprave të alimit të famshëm Hfz. Ali Korçës, kuptohet qartë se ai qysh në vitin 1920 e kishte të përgatitur përkthimin e Kuranit me koment në 2000 faqe. Mirëpo, për shkak të mungesës së mjeteve materiale, nuk ishte botuar dhe për fatin e tij deri më sot nuk dihet asgjë.
Ndërkaq, në vitin 1929, Këshilli i Lartë i Sheriatit në Shkodër, filloi botimin e përkthimit të Kuranit me koment, nga alimi i shquar Hfz. Ibrahim Dalliu, me titull" Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit". Sipas disa të dhënave këtë përkthim ai e kishte përfunduar, por botimi i tij arriti vetëm deri në suren e gjashtë të Kuranit, përkatësisht deri me një të katërtën e tij dhe se për pjesën tjetër nuk dihet asgjë.(2)
Pas Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, fillimisht u ndalua me ligj shtypi fetar e pastaj edhe feja në përgjithësi. Ndërsa në Jugosllavi, përkatësisht në Kosovë dhe Maqedoni edhe pse kishte një numër të konsiderueshëm të ulemave të cilët ishin të aftë në pikëpamje profesionale, atyre ju mungonte njohja e rregullave gjuhësore të shkrimit dhe gatishmëria për t'u ballafaquar me një detyrë të rëndë dhe me përgjegjësi të madhe, siç ishte përkthimi i Kuranit famëlartë. Andaj mos përkthimi i tij në shqip nga ulematë tanë të mëparshëm nuk ka qenë siç po pretendojnë disa sot, për shkak të paaftësisë së tyre ose respektit të tepruar ndaj Kuranit, por nga devotshmëria dhe droja se nëse gabojnë në përkthim do të bëjnë mëkat të madh.
Me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër shtohej interesimi i njerëzve për njohjen e përmbajtjes së Kuranit si libër i shenjtë dhe Fjalë e Zotit, qoftë edhe në gjuhën boshnjake, të cilën e dinin. Këtë më së miri e dëshmon fakti se me rastin e ribotimit në gjuhën boshnjake të përkthimit të Çausheviqit në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, një numër i madh, madje edhe i intelektualëve të ndryshëm, e bënin parapagimin për të, përmes Këshillave të Bashkësisë Islame ose librarive publike.
Si Bashkësia Islame, ashtu edhe Shoqata e Ulemave në Prishtinë, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që e ka përkthimi i Kuranit shqip, si burim kryesor i mësimeve Islame, sidomos për gjeneratat e reja të shkolluara shpeshherë diskutuan rreth kësaj çështje mirëpo konstatoj se ende mungon si kuadri përkatës ashtu mjetet për botim. Pas një kohe relativisht të gjatë, në mbledhjen e Kryesisë së Shoqatës së Ulemave, të mbajtur me 10 dhjetor të vitit 1981, nën drejtimin e kryetarit, H. Abdullah Zhegrova, u diskutua çështja e përkthimit të Kuranit dhe u konstatua se tashmë ekziston kuadri i aftë profesional, të cilit mund t'i besohet detyra në fjalë si dhe mundësitë materiale për botim. Për këtë qëllim u formua një këshill i gjerë, i cili me 14 dhjetor, e caktoi komisionin në përbërje prej tetë, përkatësisht dhjetë anëtarëve, ndërsa për kryesues të komisionit u caktua H. Sherif ef. Ahmeti.(3)
Komisioni i lartpërmendur për përkthimin e Kuranit, pas përgatitjes së planit të punës, mbajti disa takime të rregullta, nën drejtimin e kryesuesit të tij, H. Sherif Ahmeti. Në çdo takim, i ndahej secilit anëtar nga një sure për përkthim, të cilën duhej ta dorëzonte në takimin vijues, për ta marrë suren tjetër për përkthim.(4)
Në fillim të vitit 1984, komisioni arriti ta bëjë ndarjen e sureve të fundit të Kuranit për përkthim, ndërsa afatin për dorëzimin e tyre e caktoi deri më 6 qershor. Përkthimet e anëtarëve të komisionit zakonisht iu dorëzoheshin kryesuesit të tij H. Sherif Ahmetit, i cili pas përfundimit të tyre, duhej t'i redaktonte ato dhe të bënte ndonjë komentim të shkurtër sipas nevojës, në formë fusnotash.
Edhe pse ky përkthim i Kuranit nga komisioni i shoqatës së ulemave arriti deri në prag të përfundimit, dhe më vonë botimi i këtij përkthimi i përgatitur nga kryesuesi i komisionit H. Sherif Ahmeti(5) përfundoi tërësisht, realizimi i tij filloi të dështoj me botimin e përkthimit të Kuranit nga dr. Feti Mehdiu.(6)
Në vitin 1985, Kryesia e Bashkësisë Islame Prishtinë, nën udhëheqjen e H.
Jetish ef. Bajramit, për herë të parë e bëri botimin komplet të Kuranit në shqip, të përkthyer nga dr. Feti Mehdiu, profesor i fakultetit të orientalistikës në Prishtinë.
Pas tri vjetëve, përkatësisht në vitin 1988, Hasan ef. Nahi, myderrizi i shquar në Medresenë" Alaudin" në Prishtinë, e botoi me mjete të veta privatisht përkthimin e tij të Kuranit me titull: "Kurani i madhërishëm"."
Gjithashtu në vitin 1988, Kryesia e Bashkësisë Islame e botoi përkthimin e Kuranit me koment të përgatitur nga myderrizi i shquar i medresesë "Alaudin" në Prishtinë, Sherif ef. Ahmeti me titull: "Kurani, Përkthim me komentim".
Botimet e këtyre tri përkthimeve të Kuranit, e sidomos atë të parin popullata shqiptare e besimit Islam e priti me kënaqësi dhe gëzim të madh, sepse për herë të parë iu dha mundësia për ta kuptuar mesazhin universal të Zotit të madhërishëm në gjuhën amtare në formë të shkruar.
Disa konstatime në tri përkthimet e para të Kuranit në shqip
Çdonjëri prej këtyre tri përkthimeve i ka vlerat, veçoritë dhe karakteristikat e veta. Mirëpo, përkundër aftësive të dalluara profesionale dhe punës shumëvjeçare vetëmohuese të përkthyesve në fjalë, për shkak të vështirësive që paraqet gjuha arabe dhe stili specifik i Kuranit, me rastin e përkthimit në gjuhën tjetër, në secilin përkthim të lartpërmendur ekziston një numër i konsiderueshëm i lëshimeve dhe gabimeve të natyrave të ndryshme.
Vështirësitë dhe sfidat me të cilat zakonisht përballet përkthyesi i Kuranit, për shkak të përmbajtjes së tij specifike, janë të shumta, por me këtë rast po i theksojmë vetëm disa prej tyre.
Shumica dërrmuese e ajeteve kuranore kanë kuptim të qartë dhe në to bazohen parimet e besimit, rregullat e adhurimit, normat morale dhe dispozitat ligjore të Islamit. Mirëpo ka edhe disa të tjera të cilat kanë kuptim të paqartë ose enigmatik, që quhen" el - Muteshabihat" dhe paraqesin sfidë edhe për vetë arabët, ngase kuptimin apo interpretimin e vërtetë të tyre siç thuhet në ajetin e 7 të sure s Ali Imran, nuk e di askush përveç Allahut xh.sh. Në mesin e këtyre ajeteve numërohen edhe ato që shënohen me iniciale, në fillim të disa sureve kuranore.
Në Kuran, ekziston një numër i konsiderueshëm i fjalëve të cilat kanë më tepër se një kuptim, ose kuptimi i tyre nuk mund të përfshihet me një fjalë. Në rastin e parë, përkthyesi duhet të përcaktohet për atë kuptim që mendon se më tepër i përgjigjet realitetit, ndërsa kuptimet tjera mund t' i shënoj si koment me fusnotë. Ndërkaq me rastin e dytë, ai detyrohet që ta shtoj edhe ndonjë fjalë sqaruese të tij, por ato duhet të futen në kllapa, një metodë e tillë përdoret edhe me përkthimin e ndonjë vepre njerëzore, ku përkthyesi për t' i qëndruar besnik origjinalit, fjalët e tij i fut në kllapa dhe i përfundon me shkurtesa (p.sh. sqar. ose shënim i perk.). Mospërdorimi i kllapave mund të bëjë përkthimin më të rrjedhshëm, por e deformon përmbajtjen e tekstit duke i përzier fjalët njerëzore me fjalët hyjnore. Edhe pse kjo është e patolerueshme, raste të tilla ka në tri përkthimet në fjalë, e sidomos në përkthimin e dr. Mehdiut.
Në disa ajete kuranore, kuptimi i disa foljeve që janë në trajtën e kohës së kaluar ka të bëjë me kohën aktuale ose të ardhme. Ndërsa kuptimi i foljeve që janë në trajtën e kohës se ardhme, ka të bëjë me kohën e kaluar. Në të dy rastet, përkthyesi nuk duhet t'i përmbahet rregullave gramatikore, por duhet ta bëjë për kthimin e tyre në përputhje me qëllimin e kuptimit. Në të kundërtën, përkthimi i tyre do të jetë i paqartë dhe i pakuptueshëm. Në raste të tilla shpeshherë mund të hasim në çdonjërin nga tri përkthimet e lartpërmendura.
Ai që merret me përkthimin e Kuranit për të pasur sa më pak lëshime dhe gabime në përkthim, përveç njohjes së mirë të rregullave gramatikore të gjuhës arabe, patjetër duhet të konsultoj literaturën nga lënda e Tefsirit - komentimit kuranor, e Hadithet - traditës së Muhamedit a.s. dhe të Historisë Islame. Mungesa e konsultimit të literaturës së lëndëve të përmendura shihet qartë në përkthimin e dr. Mehdiut, ngase ai është i mendimit se për përkthimin e Kuranit mjafton njohja e rregullave të gjuhës arabe, ndërsa konsultimi i literaturës së përmendur nevojitet vetëm për komentimin e tij.
Hajrullah Hoxha