Përkthimi i Kuranit nga dr. Feti Mehdiu
Përkthimi i Kuranit nga dr. Feti Mehdiu është bërë tekstualisht, pa koment dhe është botuar pa tekst origjinal, Mirëpo me qëllim për ta bërë më të kuptueshëm për lexuesit, ai është shërbyer, siç thotë edhe vet, me shënimet në fusnotat e marra nga përkthimi në gjuhën boshnjake i Besim Korkutit, të cilat janë të përgatitura në mënyrë shumë profesionale.
Përkthimin e Kuranit nga dr. Mehdiu, e karakterizon gjuha e rrjedhshme dhe e kuptueshme, si dhe stili i lehtë. Në përkthimin e tij të Kuranit dr. Mehdiu ka praktikuar metodën e mospërdorimit të kllapave për fjalët sqaruese, metodë të cilën deri më atëherë nga përkthyesit e ka përdorur vetëm Besim Korkuti në gjuhën boshnjake. Mospërdorimi i kllapave padyshim e ka bërë më të rrjedhshëm për lexim dhe i ka dhënë një pamje më estetike tekstit, por kuptimisht e ka deformuar, ngase nuk mund të dallohen fjalët e shtuara sqaruese nga fjalët e përkthyera nga origjinali.
Njëra nga veçoritë e këtij përkthimi është dallimi me shkronja tjera i ajeteve, pas leximit të të cilave parashihet rënia në sexhde, dhe shënimi i tyre me germën "S" anash, që nënkupton se duhet të bëhet sexhde. Edhe pse shumica e dijetarëve islamë, janë të mendimit se sexhdeja është e obligueshme nëse lexohen ajete përkatëse në origjinal - arabisht, ndërsa nëse lexohet në përkthim nuk është obligim, mendoj se qëndrimi i dr. Mehdiut është më i arsyeshëm dhe më me vend. Në të kundërtën do t' i përngjante shembullit: Nëse e sheh shenjën e komunikacionit "Stop" je i detyruar për t'u ndalur, ndërsa nëse e sheh "Ndal" nuk je i detyruar për t'u ndaluar. Kjo do të ishte plotësisht e palogjikshme.
Përkthimin e Kuranit nga dr. Mehdiu, e karakterizojnë edhe disa lëshime dhe gabime të ndryshme. Me këtë rast në shenjë dëshmie për një konstatim të tillë, në vijim po i theksojmë disa ajete, duke i analizuar dhe krahasuar me origjinalin.
Ajeti 28, i sures Ali Imran, është përkthyer: "Besimtarët le të mos marrin për miq jobesimtarët kur kanë besimtarë, sepse kush vepron kështu nuk kanë asgjë nga ndihma e Allahut, përveç nëse seriozisht frikësoheni prej tyre. Allahu ju ofron kujdesin e vet dhe tek Allahu është caku"
Fjala: "min dunil-mu'minin", do të thotë: "në vend, ose krahas besimtarëve", e jo siç është përkthyer: "kur kanë besimtarë". Fjala: "ndihma", është shtuar pa nevojë. Fjala: "en tet-teku minhum", do të thotë: "për t'u ruajtur ose mbrojtur prej sherrit të tyre", e jo "nëse seriozisht frikësoheni prej tyre", ngase lidhëza: "en", do të thotë" për" ose" që", e jo siç është përkthyer: "nëse", e cila në arabisht do të ishte" in". N dërsa fjala: "ju hadh-dhirukumullahu nefsehu" do të thotë: " Allahu ua tërheq vërejtjen për të pasur kujdes, ose ju frikëson me ndëshkimin e vet", e jo siç është përkthyer: "Allahu ju ofron kujdesin e vet". Andaj ajeti i lartpërmendur duhet përthyer si në vijim: "Besimtarët le të mos i marrin për miq jobesimtarët në vend të besimtarëve. E kush vepron ashtu, nuk ka nga Allahu asgjë përveç për t' u mbrojtur prej tyre. Allahu ua tërheq vërejtjen juve me vetveten (ndëshkimin e vet) dhe tek Allahu është kthimi".
Ajeti 167, i sures Ali Imran, është përkthyer: "Dhe për t'u njohur kush janë dyfytyrëshat, dhe u tha: Ejani luftoni për hir të Allahut, sepse me gojë të vet kanë thënë atë çka nuk e kanë pasur në zemrat e tyre, por Allahu e di më së miri se çka po fshihni".
Në këtë ajet pas fjalës: "për hir të Allahut", është lëshuar e pa përkthyer kjo pjesë e tij: "evidfeu, kalu lev na'lemu kitalen let-teba'nakum, hum lil-kufri jevmeidhin akrebu minhum lil-imani" që do të thotë: "ose mbrohuni. Ata thanë sikur ta dinim se do të ketë luftë, ne, padyshim do t'u pasonim juve, atë ditë ata ishin më afër mohimit se sa besimit".
Me plotësimin e kësaj pjese, ajeti në fjalë ka këtë kuptim: "Dhe për të njohur se kush janë dyfytyrëshat, iu tha atyre: Ejani luftoni për hir të Allahut, ose mbrohuni. Ata thanë sikur ta dinim se do të ketë luftë, ne, padyshim do t'u pasonim juve. Atë ditë, ata ishin më afër mohimit se sa besimit. Ata e thoshin me gjuhët e tyre atë që nuk e kishin në zemrat e tyre, po Allahu e di më së miri se çka fshehin ata".
Ajeti 34, i sures El- Enfal është përkthyer: "Dhe ata nuk i lë pa i dënuar Allahu, se ata pengojnë të tjerët t' i afrohen tempullit të shenjtë, e ata pra nuk janë roje e tij. Roje të tij janë vetëm ata që i frikësohen Allahut, por shumica sish nuk e dinë".
Fjala: "malehum enla juadhibehumullahu", do të thotë: "çka kanë ata ose përse ata të mos t' i dënoj Allahu", e jo siç është përkthyer: "ata nuk i lë pa i dënuar Allahu". Ndërsa fjalët: "të tjerët t' i afrohen", janë të shtuara pa nevojë, sepse kuptohet vetvetiu. Fjala "evlija", është shumësi i fjalës "velijj", që do të thotë: "kujdestar, mbikëqyrës ose përgjegjës", ndërsa përkthimi me fjalën roje nuk i përgjigjet, sepse ajo është kategori me e ultë shoqërore. Andaj, ky ajet duhet të përkthehet kështu:
"E përse ata të mos i dënoj Allahu, kur ata pengojnë nga tempulli i shenjtë (Qabeja) ndonëse ata nuk janë kujdestarë të tij. Kujdestarë të tij janë vetëm të devotshmit (ata që i frikësohen Allahut), por shumica e tyre nuk e dinë". Ajeti 90, i sures et Tevbe është përkthyer: "Kanë ardhur edhe disa arab, të cilët kërkuan falje që të lypnin leje të mos shkojnë dhe ashtu munguan, ata që mashtronin Allahun dhe profetin e Tij. Ata nga mesi i tyre të cilët nuk besuan, do t' i godas vuajtje e rëndë" .
Fjala, "el-muadhdherune": do të thotë: "ata qe janë arsyetuar", e jo "që kërkuan falje", ngase Kërkimi i faljes ka të bëjë për një çështje që ka ndodhur, fjala: "el' arab", do të thotë beduin ose katundar, e jo arab, kurse fjala: "lijudhine lehum", do të thotë: "që t' u jepet leje atyre, ose të lejohen", e jo që të lypin leje, fjala: "të mos shkojnë", jo vetëm që është shtuar, por nuk tregon se ku të mos shkojnë. Fjala "kedhebu" do të thotë: "e gënjyen", e jo "e mashtruan" siç është përkthyer, ngase ata u arsyetuan rrejshëm.
Ajeti i lartpërmendur duhet të përkthehet: "Dhe erdhën ata që u arsyetuan nga beduinët për t' u dhënë atyre leje, ndërsa u ndalën (nga shkuarja në luftë) ata të cilët e gënjyen Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ata që mohuan prej tyre do t' i godas dënim i rëndë".
Ajeti 52, i sures er-Rum, është përkthyer: "Ti nuk mund t'i thërrasësh të vdekurit, e as të shurdhët t'i lusësh pasi që ta kthejnë shpinën?". Fjala: "es' mea jusmiu ismeaen", do të thotë: "të bërit e tjetrit të dëgjoj", andaj fjala: "la tus'miu", nuk do të thotë: "nuk mund t'i thërrasësh", siç është përkthyer por do të thotë: "ti nuk mund t'i bësh të dëgjojnë". Ndërsa fjala: "ed-dua", në këtë vend nuk e ka kuptimin e lutjes, por të thirrjes, andaj përthimi më adekuat i këtij ajeti është: "Ti nuk mund t' i bësh të dëgjojnë të vdekurit, e as nuk mund t' i bësh të shurdhët që të dëgjojnë thirrjen kur ta kthejnë ata shpinën".
Përkthimi i Kuranit nga dr. Mehdiu në vitin 1999, është ribotuar bashkë me tekstin origjinal, andaj ishte më i përshtatshëm sidomos për ata që dinë ta lexojnë edhe origjinalin, ndërsa në këtë vit prapë u botua pa tekst origjinal.
(1) Përkthimi i këtij ajeti është marrë tekstualisht nga përkthimi i gabuar, në gjuhën boshnjake nga Korkuti. (2) Edhe pse asnjëri nga përkthyesit në fjalë nuk e përmendin, shihet qartë se çdonjëri prej tyre është shërbyer edhe me përkthimet e Kuranit në gjuhën boshnjake. Sa i përket formatit dhe mënyrës së përgatitjeve teknike, përkthimi i dr. Mehdiut i përngjanë përkthimit të Korkutit, i Hasan ef. Nahit, atij të Karabegut, ndërsa përkthimi i h. Sherif Ahmetit, i përngjanë përkthimit të Çausheviqit. (3) Në kumtesën time të lexuar me rastin e njëzet vjetorit të përkthimit të Kuranit në shqip, me titull:
"Përkthimi i parë i Kuranit në shqip nga dr. Feti Mehdiu", përveç tjerash i theksova edhe disa lëshime të gabimeve në të, duke i sjell si shembull tri ajete kuranore, në mesin e të cilave edhe ajetin e lartpërmendur. Me qëllim të zbatimit të obligimit tim moral dhe në shenjë dashamirësie ndaj tij, kumtesën e përmbylla me këto fjalë: "Në fund, përkthyesit të nderuar dr. Feti Mehdiut, do t'i kisha propozuar që për hir të së vërtetës, e më qëllim të përmirësimit të gabimeve të lëshuara, ta korrigjoj me vëmendje edhe njëherë përkthimin e tij të Kuranit para se të ribotoj ë prapë atë. Megjithatë, siç u pa më lartë, ai në këtë vit për herë të tretë e botoi me të njëjtat gabime, duke i përfshirë edhe ato në ajetet e përmendura në kumtesën në fjalë. Një veprim i tillë dëshmon qartë se ai nuk ka qenë i interesuar për t'i korrigjuar gabimet e tilla, qoftë duke i krahasuar ato me përkthimet tjera të Kuranit që ekzistojnë në shqip, qoftë duke i përfillë vërejtjet e të tjerëve. (*fusnotat e numrit te kaluar: (1) Dr. Muhamed Hysa, Dituria Islame, nr. 98 dhjetor 1997, Prishtinë. (2) Shih. Parathënien e veprës. "Udha Muhamedane" përkthim. nga Hfz. Ibrahim Dalliu. (3) Anëtarët e Komisionit kanë qenë: 1. H. Sherif ef. Ahmeti, 2. Resul Rexhepi, 3. Emin Behrami, 4. Feti Mehdiu, 5. Ismail Ahmeti, 6. Qazim Qazimi, 7. Bajrush Ahmeti, 8. Ruzhdi Shabani, 9. Avni Aliu, 10. Hajrullah Hoxha. (4) Revista "Edukata Islame", me qëllim të informimit të lexuesve të saj, për punën e Komisionit dhe për mënyrën e përkthimit të Kuranit, botoi në rubrikën e saj: "Nga Komisioni për përkthimin e Kuranit" disa informata dhe pjesë të përkthyera nga Kurani, duke filluar nga nr. 31-32/82. (5) H. Sherif Ahmeti, pas përfundimit të punës në përkthimin e Kuranit deklaroi se përkthimi në fjalë nuk është i Komisionit, por është përkthim i tij personal, ngase, siç u shpreh ai me lehtë i kishte ardhur ripërkthimi i materialeve të përkthyer nga anëtarët tjerë të Komisionit se sa redaktimi i tyre, dhe se për botues kishte zgjedhur Kryesinë e Bashkësisë Islame. Andaj me këtë rast si Kryesia e Shoqatës së Ulemave si bartëse e këtij projekti, ashtu anëtarët e komisionit si përkthyes të tij u gjenden para një akti të kryer, ku edhe përpjekjet për të gjetur ndonjë kompromis së paku për çështje të botimit të tij përfunduan pa sukses. (6) Pas përkthimit të gjysmës së Kuranit në fund të vitit 1982 dr. Mehdiu dha dorëheqje të parevokueshme, shkaku i mospranimit nga ana e Komisionit të 5-6 sureve të përkthyera më herët, ndonëse fillimisht iu pat thënë se do t'i pranohen, për ta vazhduar përkthimin e tij në mënyrë të pavarur. (7) Hasan ef. Nahi, i ndihmuar në aspektin gjuhësor nga i biri i tij, Nexhati ka qenë i pari që e ka filluar me vetiniciativë për ta përkthyer Kuranin në shqip.
Hajrullah Hoxha