Përkthimi i Kuranit në shqip nga Hasan ef. Nahi
Kurani nga Hasan ef. Nahi është përkthyer tekstualisht, pa koment dhe pa fusnota sqaruese, ndërsa është botuar bashkë me tekstin e origjinalit dhe është redaktuar nga i biri i tij prof. Nexhat Nahi. Në fund të përkthimit është botuar një biografi e shkurtër e Muhamedit a.s., bazuar në ajetet kuranore të cilat flasin lidhur me të.
Këtë përkthim të Kuranit e karakterizon qëndrimi besnik i përkthyesit ndaj kuptimit të tij, gjuha e rrjedhshme dhe teksti i kuptueshëm. Për fjalët sqaruese, Hasan efendiu zakonisht i ka përdorur kllapat por ka edhe raste të shumta që nuk i ka përdorur ato.
Fjalën Allah, për dallim nga përkthyesit tjerë të Kuranit të cilët e kanë përdorur si në origjinal, Hasan efendiu e ka përkthyer me fjalën Perëndi.(1)
Edhe përkthimin e Kuranit nga Hasan ef. Nahi, e karakterizojnë disa lëshime dhe gabime të ndryshme. Në lidhje me këtë po i analizojmë përkthimin e tri ajeteve kuranore, duke i krahasuar me tekstin origjinal.
Ajeti 58, i sure s El-Bekare është përkthyer: "(Kujtojeni) kur ju kemi thënë: Ejani në këtë qytet, dhe hani ç'të doni dhe sa të dëshironi, por duke hyrë në qytet përuluni dhe thoni "Falna". Na ua falim gabimet tuaja, e atyre që bëjnë vepra të mira ua shtojmë shpërblimet".
Fjala: "ud-hulu", do të thotë "hyni", e jo "ejani" siç është përkthyer. Fjalët: "fekulu minha hajthu shitum rega den" , do të thotë: "dhe hani prej tij kah të dëshironi me bollëk", e jo "ç' të doni dhe sa të dëshironi". Fjalët: "fed-hulul babe suxhxhedën", do të thotë: "por hyni në portë (të qytetit) të përulur", e jo siç është përkthyer: "por duke hyrë në qytet përuluni". Ndërsa fjala: "muhsinin" do të thotë: "bamirëseve", e jo siç është përkthyer, "e atyre që bëjnë vepra të mira", duke shtuar fjalë pa nevojë.
Andaj ajeti në fjalë duhet të përkthehet: "Dhe kur ju thamë: hyni në këtë qytet dhe hani prej tij, kah të dëshironi me bollëk, por në portë (të tij) hyni të përulur dhe thoni: "Falna". Ne do t'ua falim gabimet tuaja, dhe do t'ua shtojmë (shpërblimin) bamirësve".
Ajeti 219, i sures EI- Bekare, është përkthyer: "Të pyesin ty për verën dhe bixhoz, thuaj ato ju sjellin dëme të mëdha (mëkate), por edhe dobi për njerëzit(2), mirëpo dëmi është më i madh se dobia. Dhe të pyesin ty sa duhet dhënë lëmoshë, thuaju tepricën. Që kështu ua shpjegon Perëndia argumentet e Tij që të mendoni".
Siç shihet fjala "u sjellin" është shtuar duke zëvendësuar fjalën "ka" ndërsa fjala" ithmun" që do të thotë mëkat është zëvendësuar me fjalën dëm, duke futur në kllapa fjalën "mëkat" në vend që të jetë e kundërta. Andaj është dashur të thuhet: "në të dyjat ka mëkat (dëm) të madh.
Ndërsa pas fjalëve: "dëmi dhe dobia", në të parën i mungon i tyre, ndërsa në të fundit e tyre, andaj është dashur të thuhet: "mirëpo dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre". Fjala lëmoshë është dashur të futet në kllapa, sepse është fjalë sqaruese, ndërsa fjala" e Tij" pas fjalës argumentet, nuk ekziston në tekstin origjinal. Prandaj ky ajet më e drejtë ka qenë të përkthehet: "Të pyesin ty për verën dhe bixhozin thuaj në to ka mëkate (dëme) të mëdha, por edhe dobi për njerëzit, mirëpo dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre dhe të pyesin ty çka duhet dhënë (lëmoshë) thuaj tepricën. Qe kështu ua shpjegon Allahu juve argumentet që të mendoni" .
Fjala dobi në këtë ajet ka të bëjë me përfitime ekonomike, mirëpo më vonë zbret ajeti tjetër me të cilin ju ndalohet rreptësisht myslimanëve si alkoolin ashtu edhe bixhozin.
Ajeti 216, i sure s El - Maide, është përkthyer: "E kur Perëndia thotë: O Isa i biri i Merjemes, a mos ti u ke thënë njerëzve: Merrmëni mua dhe nënën time si dy zota përpos Perëndisë? Isai thotë: "Ti je i pastër nga të metat! Mua nuk më përket të them atë çka ka në Ty. Vetëm Ti i di ato që janë të fshehta".
Në mesin e këtij ajeti mungon një pjesë e pa përkthyer e tekstit origjinal: "ma lejse li bihakkin, in kuntu kultuhu fekad alimteh. Talemu ma fi nefsi ve la alemu ma fi nefsik", që do të thotë: "atë që unë nuk kam të drejtë. Në qoftë se atë e kam thënë. Ti me siguri e di. Ti e di se ç'ka në mua, e unë nuk e di se ç'ka në ty" .
Edhe pse folja: "idh kale", është përdorur në trajtën e kohës së kaluar që do të thotë: kur ka thënë, me këtë rast kuptimi i saj ka të bëjë me kohën e ardhshme, sepse ky dialog në mes Zotit të madhërishëm dhe Isait a.s., do të zhvillohet në Ditën e Gjykimit. Kjo mund të kuptohet qartë nga ajeti 119, ku Allahu thotë? "Kjo është dita që u sjell dobi të sinqertëve, sinqeriteti i tyre". Megjithatë përveç Hasan efendiut, shumica e përkthyesve tjerë këtë dialog, gabimisht e trajtojnë sikur të kishte ndodhur. Fjala: "subhaneke", mund të përkthehet edhe në këtë mënyrë: "Lavdi të qoftë Ty", ndërsa fjalët: "inneke ente al-lamul gujub", do të thotë: "me të vërtetë, Ti je Ai që i di të fshehtat". Ndërsa përkthimi: "Vetëm Ti i di të gjitha ato që janë të fshehta, më tepër i përngjanë komentimit sesa përkthimit tekstual andaj ky ajet duhet të përkthehet: "Dhe kur Allahu thotë: O Isa i biri i Merjemes, a ti u ke thënë njerëzve: Merrmëni mua dhe nënën time si dy zota përpos Allahut?! Isai thotë: Lavdi të qoftë Ty. Nuk më takon mua të them atë që unë nuk kam të drejtë. Në qoftë se unë atë e kam thënë, Ti me siguri e di. Ti e di ç'ka në mua, e unë nuk e di ç'ka në ty. Me të vërtetë Ti je Ai që i di të fshehtat".
Me këtë rast do theksuar se Kurani i përkthyer nga Hasan ef. Nahi deri më tani është ribotuar shumë herë, si me tekst origjinal ashtu edhe pa të, nga "Instituti shqiptar i mendimit dhe qytetërimit Islam" në Tiranë.
Këshilli botues i këtij institucioni në krye me dr. Ramiz Zekën, ka bërë korrigjimin në detaje të këtij përkthimi, ka përmirësuar shumicën dërrmuese të lëshimeve në të, dhe e ka bërë përmbajtjen e tij më të kuptueshme
dhe gjuhën më të rrjedhshme. Megjithatë, në disa raste, nuk është bërë përmirësim, ose është deformuar teksti i përkthimit edhe më tepër. Si p.sh. Ajeti i parë i sures Et -Tevbe: "Beraetun minallahi ve resulihi ilel-ledhine ahadtum minel-mushrikinë", nga Hasan efendiu është përkthyer: "Që ky është akti i ndërprerjes së marrëveshjes paqësore nga ana e Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij, me idhujtarët, që keni pas bërë lidhje me ta".
Ndërsa, këshilli botues në fjalë e ka korrigjuar dhe formuluar si në vijim: "Lirim (i deklaruar) nga ana e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, prej çdo detyrimi ndaj idhujtarëve, me të cilët kishit bërë marrëveshje".
Nëse bëhet krahasimi i këtyre dy përkthimeve me origjinalin, shihet qartë se përkthimi i parë nga Hasan efendiu është shumë më i përafërt me të, se sa përkthimi i fundit i formuluar nga këshilli botues i institutit në fjalë.
____________________
(1) Fjala Allah, në gjuhën arabe është emër i përveçëm i Krijuesit të gjithësisë, i cili nënkupton edhe Njeshmërinë e Tij, andaj nuk ka shumës dhe si i tillë është i papërkthyeshëm në mënyrë adekuate në gjuhët tjera. Ndërsa fjala "ilah" dhe "rab", mund të përkthehet në shqip me fjalën Perëndi dhe Zot. Në terminologjinë fetare fjala Perëndi, përdoret më tepër ndër shqiptarët e besimit ortodoks, fjala Zot përdoret më tepër te shqiptarët e besimit katolik, ndërsa ndër shqiptarët e besimit islam, përdorët si njëra ashtu edhe tjetra por më tepër kjo e fundit.
(2) Fjala dobi në këtë ajet ka të bëjë me përfitime ekonomike, mirëpo më vonë zbret ajeti tjetër me të cilin ju ndalohet rreptësisht myslimanëve si alkooli ashtu edhe bixhozi.
Hajrullah Hoxha