Ndjesa është një virtyt sa i lartë aq edhe i vështirë, sepse njeriut i duhet të luftojë me pasionin e fuqishëm që ka ngërthyer zemrën e tij, pasionin e hakmarrjes apo më keq, atë të gjakmarrjes.
Në fiset barbare, hakmarrja merrej si detyrë feje e në disa të tjera si detyrim familjar. Me të marrit hak duket në fillim se është lehtësuar shpirti ose ndjehet kënaqësi se kujtohet se kemi kryer një detyrë që ia detyrojmë vetes sonë ose personit e farefisit të atij që na bëri të keqen.
Falja duket e vështirë, sepse natyra njerëzore për një çast kërkon hakmarrje ose gjakmarrje për të vënë vend e pavend nderin a dinjitetin vetjak ose familjar. Dëshira për hakmarrje ose gjakmarrje bëhet kaq e madhe saqë vdekja e hasmit nuk të qetëson.
Ky pasion i neveritur kapërcen të gjithë kufijtë e drejtësisë, pra ky pasion nuk ka ligj. Ai e bën njeriun të paekuilibruar saqë është gati të shkaktojë vdekjen e gjithë familjes, duke përfshirë edhe fëmijët e mitur.
Në qoftë se do t’i drejtohemi historisë, vërejmë se në Indi, Rama, një nga personalitetet e atij vendi, me ndjenjën e hakmarrjes së fortë, jo vetëm zhduku tërë familjen Raman, por dogji e bëri hi Lankën, kryeqytetin e armikut të tij. Shahu i Persisë, Nadiri, për hakmarrje bëri therje të përgjithshme në popullin e Delhit, duke zhdukur me qindra e mijëra njerëz. Parisi, një princ trojan, rrëmbeu Helenën, gruan e bukur të një princi grek, duke u bërë shkaktar për fillimin e luftës së Trojës, që vazhdoi për dhjetë vjet dhe që përfundoi me shkatërrimin e plotë të vendit. Roderiku, mbreti gotik i Spanjës, turpëroi vajzën e kontit Tulian dhe ky i fundit, i shtyrë nga dëshira për hakmarrje, harroi detyrimet ndaj racës e fesë, ftoi një popull të huaj për të ardhur e pushtuar atdheun. Sot ka shembuj të shumtë në botë, ku popujt vuajnë hakmarrjen pafre të drejtuesve të shteteve pushtuese, për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë ose i shohim e i dëgjojmë përmes mjeteve të komunikimit masiv.
Këto janë vetëm pak nga ndodhitë e panumërta të kryera për të kënaqur pasionin e hakmarrjes, duke likuiduar njerëz të pafajshëm e të fajshëm. Aktet gjyqësore na mësojnë se hakmarrja dhe gjakmarrja kanë vlerë barbare në lidhjet shoqërore.
Po t’i referohemi Profetit Islam, do të vërejmë se ai është i vetmi personalitet në histori që nuk mori hak, nuk i vrau, por i fali dhe i la të lirë kundërshtarët e tij. Kështu ai dha një shembull të lartë, për të cilin ka e do të ketë nevojë bota mbarë. Për të pasqyruar më qartë madhështinë e karakterit të Muhamedit (a.s.), po skicoj disa nga të këqijat e shumta që i janë bërë zotërisë së tij nga bashkëkohësit e vet.
Kur Profeti ynë i nderuar filloi predikimin e fesë, kurejshët e morën me tallje dhe mospërfillje. E quajtën magjistar, tradhtar dhe sharlatan. Ata arritën që të kryejnë ndaj tij një fushatë të gjerë persekutimi, e pengonin kur ecte rrugës, e godisnin me gurë, i hodhën brezin në fyt për ta mbytur si dhe ofendime të tjera të këtij lloji ose më të rënda se këto. Kjo vazhdoi për vite me radhë, duke e detyruar Profetin të largohej nga Meka. Njëherë e bojkotuan për një kohë të gjatë në shtëpi duke e privuar edhe nga gjërat më elementare si ushqimi i përditshëm. Kur fëmijët qanin, kurejshët qeshnin me tragjedi të tilla. Por në raste të tilla nuk kanë munguar asnjëherë njerëzit zemërmirë, që, pavarësisht nga rreziqet që u kanoseshin, i çonin pak ushqim që Profeti e familja e tij të mos vdisnin urie.
Këto persekutime nuk e mposhtën shpirtin e lajmëtarit të Allahut. Predikimet e tij plot zjarr hyjnor thitheshin nga masa të cilat hynin pa pushim në qarkun islam. Kjo e shtoi urrejtjen e kurejshëve që vendosën masa e sanksione ndaj njerëzve të pafajshëm, duke i rrahur pa mëshirë, duke i hequr zvarrë nëpër rrugët me gurë, duke i shkaktuar plagë në trup, duke i lënë të përvëloheshin në rrezet e nxehta të diellit të Arabisë, ose duke i vendosur gurë të rëndë mbi trupat e tyre për të vetmin “faj” se kishin fenë e re e ndiqnin rrugën e mësimet e të Dërguarit të Allahut.
Këto veprime barbare u bënë aq të padurueshme, saqë Profeti lejoi disa prej pasuesve të tij të emigronin në shtetin mik të Abisinisë (Etiopisë). Me gjithë këmbënguljen e përfaqësuesve të kurejshëve për dorëzimin e tyre, Negusi, që kishte frikë Zotin, refuzoi dorëzimin e emigrantëve të pafajshëm që kishin kërkuar mbrojtjen e tij.
Duke parë se mundimet nuk e ndaluan përparimin e fesë islame, kurejshët vendosën të vrisnin Profetin (a.s.), por ky i shpëtoi veprës së tyre kriminale. Për vrasjen e tij u vu çmimi i lartë i shpërblimit – 100 deve. Suraka me shokë u vu në ndjekje të Profetit, por s’ia arritën dot qëllimit. Koha bëri punën e vet. Fuqia e kurejshëve mori fund dhe Muhamedi (a.s.) erdhi fitimtar në Mekë, te ish armiqtë që tanimë ndodheshin në mëshirën e tij. Kur ata qëndronin para tij duke menduar për fajet e tyre, në fytyrën e Profetit Islam u dallua një buzëqeshje e fisme. Ai i thirri si vëllezërit e tij dhe u dha falje e liri pa asnjë konditë.
Ngjarje të përditshme të hakmarrjes dhe gjakmarrjes që dëgjojmë ose shohim na bëjnë t’i hedhim sytë nga koha e veprimet e Profetit Islam e të veprojmë siç ka bërë ai për të qenë të denjë për emrin që gëzojmë –myslimanë.
Në qoftë se përveç zbatimit të ligjeve në mënyrë rigoroze për të mos lejuar hakmarrjen dhe për të mos krijuar gjakmarrje në breza e familje të tëra në qytet ose në fshat, do të angazhohej edhe opinioni shoqëror, përfundimi do të ishte pozitiv e i kënaqshëm. Falja ka një çmim shumë të madh, prandaj çdo mysliman i devotshëm që studion e predikon deri në një mësimet e Kuranit dhe thëniet profetike, duhet të falë e të bëhet etalon faljeje për gjithë bashkëkombësit e bashkëqytetarët.
Mendojmë se një punë me vlerë, me tregues të lartë dhe kah pozitiv duhet të kryejë feja dhe drejtuesit e saj. Drejtuesit islamë, me forcën e reputacionit në masë, me përvojën e kulturën e tyre, gjithmonë të udhëhequr nga mençuria, drejtësia, filozofia e Kuranit e nga praktika e Pejgamberit (a.s.), duhet të bëhen pishtarë që ky zakon me pasoja tragjike të ulet gradualisht për të arritur në pajtimin midis njerëzve e familjeve. Kjo punë e programuar nga drejtuesit e bashkësisë islame në rrethe, me qëllim të lartë moral, qytetar e atdhetar, do të ketë edhe përfundim të kënaqshëm.
Sot, më shumë se kurrë, këtij vendi e populli i duhet të shuajë aktet barbare të hakmarrjes e gjakmarrjes. Është e udhës që edhe pushtetarët, pavarësisht nga mendësitë politike, të punojnë me përkushtim atdhetar e të ndikojnë që në vendin tonë të mos përdoren armët, të mendojmë, të jetojmë e të punojmë të qetë e në paqe.
Atdheu ynë i shtrenjtë dhe populli atdhetar shqiptar nuk ka nevojë për “fjalë të bukura” (nënkupto gënjeshtra e mashtrime) dhe as figura në televizione (kushdo qofshin) që dinë vetëm të mburren nga njëra anë për veten e tyre dhe nga ana tjetër të shajnë të tjerët. Të tillët duhet të shohin e të njohin veten e tyre se populli i njohu dhe po i njeh njerëzit e tepërt të shoqërisë shqiptare.
Jemi shqiptarë, kemi një gjuhë dhe gjuhën nuk po e gjejmë për të sotmen e të ardhmen tonë. Le të na ndriçojë udha e mësimit të paraardhësve tanë që për Shqipërinë shkrinë pasurinë e ne... për t’u pasuruar e siguruar kolltukët pa të drejtë, kacafytemi midis nesh, po vritemi e përfundimisht biem pre e interesave të armiqve tanë shekullorë. Historia nuk do të na i falë! T’i ruhemi mallkimit të historisë!
Vetëm besimi në Zot dhe ndjekja e rrugës së tij do të mund të na kthejë drejt së mirës dhe ardhmërisë.
Remzi Gani
Drita Islame