Vitet e fundit vërehet një afrim i dukshëm i njerëzve me Islamin. Kështu, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, Islami po bëhet mjaft popullor. Kjo simpati ndaj Islamit të gëzon për shumë arsye. Së pari, sepse prurjet e reja në radhët e tij të japin të kuptosh se Islami ka filluar të prezantohet me gjuhën dhe frymën e kohës dhe, së dyti, si rrjedhojë e ndikimit pozitiv të myslimanëve në shoqëritë perëndimore.
Interesi në nivel global për Islamin
Interesi për Islamin nuk është i fokusuar te një hapësirë a territor të veçantë, pasi ata që ai ka pranuar në gjirin e vet përbëjnë një hartë të gjerë kombësish, traditash e kulturash.
Referuar statistikave, në Gjermani numri i personave që pranojnë Islamin çdo vit arrin në 50 mijë, ndërsa në Australi 15 mijë.
Në vitin 2004 vetëm në Moskë u shënuan 20 mijë raste konvertimi. Ndërkaq, në çdo dhjetë vjet në Amerikë Islami koleksionon 100 mijë anëtarësime të reja.
Enciklopedia e njohur elektronike (Wikipedia), por edhe faqe të ndryshme islame, janë të mbushura me rrëfimet e shumë prej atyre që kanë përqafuar këtë fe, të cilët me emocion e gëzim kanë zgjedhur të ndajnë me vëllezërit e tyre ndjenjat e përjetuara në çastin e kalimit në fenë e ardhur për lumturinë e njerëzimit.
Në motivet e tyre na paraqitet një sfond i gjerë, eksperienca unike e tejet të larmishme, të cilat, përveç emocionit, na shpalosin shembuj dhe metoda tepër të nevojshme për të kuptuar se si ta paraqesim Islamin e ta bëjmë të kuptueshëm për të tjerët.
Kurani, libri që ushqen ndjenjat natyrore njerëzore
Takimi me Kuranin renditet ndër motivet kryesore që çojnë në përqafimin e Islamit. Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, është provuar se 7 në 10 persona që kanë pranuar Islamin kanë pasur si indikator Kuranin.
Padyshim, bukuria, stili i qartë dhe alegoria e tij ka lënë pa fjalë shumë prej personaliteteve të kulturës, artit dhe shkencës.
Shumë prej tyre kanë qëndruar gjatë në faktet shkencore dhe argumentet logjike që Kurani paraqet, duke pranuar hapur dorëzimin para këtyre të vërtetave ekzakte.
Raste të veçanta të pranimit të Islamit
Në Rusi 75 për qind e anëtarëve të rinj të komunitetit mysliman janë femra. Mosha e tyre varion nga 17 deri në 21 vjeç. Ajo që i ka shtyrë për të pranuar Islamin është qetësia e thellë dhe pastërtia shpirtërore që gjetën në gjirin e kësaj feje. Rusia sot numëron 23 milion myslimanë nga 144 milion që është numri total i popullsisë së saj.
I njëjti trend, ai i pranimit të Islamit nga femrat, shfaqet në Gjermani e në shumë shtete evropiane. Pavarësisht se shumëkush mundohet ta paraqesë Islamin si identitet i një populli apo etnie të caktuar, kjo pikëpamje ka rezultuar se nuk qëndron, pasi përbërja heterogjene e familjes islame dëshmon të kundërtën.
Në Gjermani për shembull, nga 12 milion, që është shifra zyrtare e myslimanëve, 13 mijë janë shtetas gjermanë, kur dihet se në një kohë jo të largët gjermanët e konsideronin Islamin si fe e etnitetit turk.
Në shumë prej shteteve evropiane, krahas njerëzve dashamirë, mund të dallojmë figura të njohura të shoqërisë civile, por edhe të skenës politike, që në kontaktet e tyre me Islamin, nuk kanë hezituar ta përqafojnë e ndjekin atë. Përmendim si rast Richard Frieler, drejtues i një prej degëve të antiterrorit të Scotland Yard në Londër. Për këtë eksperiencë personale ai tregon: “Hyra në Islam pas një studimi e shqyrtimi të imtë, kjo për faktin se unë jam diplomuar në gjeologji. Gjeta në Kuran argumente që flasin për funksionin gjeologjik të maleve dhe zgjerimin e universit. Ishin pikërisht këto detaje që i dhanë një tjetër drejtim jetës sime duke bërë që të kthej kokën pas në mënyrë që zemra t’i hapet udhëzimit dhe dritës hyjnore”.
Një tjetër shembull është belgu John Franco Basatan. Islamin e ka pranuar në moshën 40 vjeçare, ndërsa aktualisht është një ndër figurat më aktive në përhapjen e mesazhit islam në këtë vend. Falë kontributit të tij Islami sot është më i pranishëm dhe më ndikues në shoqërinë belge.
Çastin vendimtar të kalimit në Islam Basatan e kujton me këto fjalë: “Një ditë më ra në dorë një libër në frëngjisht i titulluar “Çka është Islami?”, i dijetarit pakistanez Ebu A’la el- Meududi. Në libër, mes të tjerash, u ndala tek kjo frazë: Islami është fe për gjithë njerëzimin. Mund të them se ishte kjo frazë që shoi te unë ndjenjën e paragjykimit ndaj qytetarëve myslimanë dhe më qartësoi bindjen se Islami është i hapur për të gjithë dhe jo vetëm i arabëve. I ndodhur përpara kësaj situate, vendosa të shkoj akoma më tutje duke e gjetur veten në krahët e Islamit.
Duke shpresuar se kemi kryer një punë të dobishme, mendojmë se përmendja e këtyre rrëfimeve na shton edhe më tepër dashurinë për fenë tonë dhe më anë tjetër na shtyn të besojmë se Islami do të zgjojë edhe në të ardhmen interesin e syve kureshtarë dhe mendjeve hulumtuese. Sigurinë për këtë bindje na e konsolidon vlera e doktrinave dhe plotësia e legjislacionit të tij.
Haxhi Lika
Drita Islame