U shpërngul në botën e amshueshme myezini më i vjetër i Gjakovës

Më datën 30.09.2010 në ora 04:00 h. (ditën e enjte pas mesnate ose në mëngjesin e ditës së enjte.) ndërroi jetë myezini më i vjetër i qytetit të Gjakovës, i xhamisë më të vjetër dhe kryesore të Gjakovës legjendare, Haxhi Shefqet Halim Kusari. Sipas amanetit të tij xhenazen ia ka pastruar Visar ef.Kosh, namazin e xhenazes ia ka falur përfaqësuesi i Kryesisë BI-së të Republikës së Kosovës dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Mustafa ef.Dervisholli.

Haxhi Shefqet Halim Kusari u lind në Gjakovë, më 28.03.1927, në mëhallën e Kusarëve, nga babai Halimi dhe nëna Elmazja. Si fëmijë, shkronjat e para të Kur’anit i mësoi te mual-limi – mësuesi i fesë i njohur dhe i nderuar Haxhi Jahja ef.Bakalli. Meqë babai i tij Halimi, ishte dashamirë i flaktë i fesë e dërgon djalin e tij, Shefqetin e vogël, për të mësuar hivzin në Prizren, pranë Hafizit të njohur prizrenas Hfz. ef Beqiri. Arriti të mësoi përmendsh 170 faqe të Kur’anit, mirëpo, ishte kaderi i All-llahut, që për shkaqe shëndetësore ta ndërprenë hivzin. Në ndërkohë, në moshën 14 vjeçare, i vdes edhe babai, mbetet jetim, njëkohësisht si fëmija më i madh i mbetet shtëpia në krye, gjegjësisht mbetet kujdestar i familjes dhe obligohet ta merr barrën e prindit për kujdesin e vëllait dhe të tri motrave.
Në fillim e ka ushtruar zejen e prindërve të tij “kazazllykin” dredhja e penjve – fijeve të mëndafshit. Më vonë, kur hapet fabrika e “Napredakut”, inkuadrohet në marrëdhënie të rregullt pune. Në vitin 1970, pas lirimit të vendit të punës së kuririt të KBI-së në Gjakovë dhe myezinit në xhaminë e Hadumit, ftohet nga kryetari i atëhershëm i KBIGJ-së, i nderuari Hfz.Fahri ef.Iljazi (Fahri efendia) për të kryer detyrën e myezinit në xhaminë e lartëpërmendur dhe të kuririt të KBIGJ-së.
Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, përkrah punësimit, baca Shefqet, është detyruar të mbjellë duhan për të arritur t’i përballoi shpenzimet e nevoja të jetës së përditshme si dhe për shkollimin e fëmijëve. Ishin kohëra të vështira atëherë, duhej punuar shumë për të fituar pak. Në vitin 1987 pensionohet, por megjithatë, punët dhe detyrat e myezinit dhe të kuririt vazhdon ti kryej gjer në vitin 1990. Në këtë vit aktivizohet xhamia e Kusarëve, e cila ishte e mbyllur, si shumë xhami të tjera në atë kohë dhe në mungesë të imamit të rregullt, emërohet ushtrues i detyrës së imamit dhe hatibit në këtë xhami. Këtë detyrë e ushtron gjer në vitin 2004, kur KBI në Gjakovë e cakton imam të rregullt në këtë xhami. Baca Shefqet (siç e quanim të gjithë në Gjakovë), edhe më tej vazhdon të kryej detyrën e myezinit gjer më 01.02.2010, por për shkaqe shëndetësore e ndërprenë përfundimisht punën.
Gjatë karrierës së tij si myezin i xhamisë së Hadum Agës dhe kurir i KBIGJ-së, shquhet për kryerjen e punëve dhe detyrave të punës me përpikëri, me ndërgjegje, me korrektësi. Në përudhën sa ka qenë myezin dhe kurir, e më vonë edhe imam – hatib, sipas të dhënave nga burimet e sakta, asnjëherë nuk ka munguar nga puna, edhe në rastet më ekstreme, motit të lig, të sëmundjes, rasteve mortore të familjarëve të tij apo edhe në gazmende, gjithnjë ishte në krye të punëve dhe detyrave të punës.
Pas luftës, në një distancë të afërt kohore, i vdesin dy djemtë e tij: Lutfiu ing. i tekstilit dhe Burhani Dr.i Mjekësisë emergjente, të cilët vet i ka larë, i ka përgatitur me duar të veta, ua ka falur xhenazen, pa u mërzitur fare, pa ia parë kush një lot në sy, tamam si pas porosive të All-llahut. Gjithnjë thoshte All-llahu mi ka fal All-llahu mi ka marr, të Atij jemi tek Ai do të kthehemi......!
Bacën Shefqet e njohin shehër e nahije, të rralla janë ato familje ku Baca Shefqet nuk ka marr pjesë në ceremonitë, qoftë në gazmende apo në raste mortore.
Qytetarët e Gjakovës, me nostalgji të madhe e kujtojnë zërin e tij karakteristik, akustik, melankolik......i cili me të vërtetë i freskonte zemrat dhe shpirtrat e besimtarëve, me këndimin e Kur’anit, Mevludit, Qelimeve, Sallave dhe Salatëve.....
Varrimi i rahmetlisë është bërë të njëjtën ditë, në kohën e namazit të drekës. Në xhenaze, përveç familjarëve, farefisit, miqve shokëve, kanë marr pjesë të gjithë imamët e KBI-së së Gjakovës, numër i madh xhematlinjësh të të gjitha xhamive të qytetit, dhe shumë qytetarë të tjerë, po ashtu kishte xhematlinj edha nga fshatrat e komunës së Gjakovës. Në varrim ka marr pjesë edhe përfaqësuesi i Kryesisë BI-së të Republikës së Kosovës Mustafa ef. Dervisholli, ish sekretari i KBIGJ-së dhe imami i xhamisë Mahmud Pashës në Gjakovë dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë përmbi 18 vjet. Namazin e xhenazes ia ka falur Mustafa ef.Dervisholli. Duan dhe talkinin ia ka bërë Visar ef.Koshi. Fjalët e fundit të lutjes së tij ishin: “O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti i yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hynë në turmën e robërve të Mi! Dhe hynë në xhen-netin Tim!



Përgatiti:
Esat ef.Rexha


Artikulli i kaluar
Intelektualizmi islam