Arabia Saudite paralajmëron gjobë kundër atyre që lëshojnë muzikë gjatë ezanit


Zyrtarët e Arabisë Saudite kanë ashpërsuar rregulloret për pelegrinët në Mekë dhe Medine duke nxjerrë udhëzimet e reja për Haxh dhe Umre, të cilat do t’i prezantohen publikut të shtunën.
Sipas qeverisë, pelegrinët, qofshin nga vendi apo jashtë vendit, janë parë duke përdorur celularë gjatë ezanit, gjë e cila është e imorale dhe e ndaluar.
Prandaj, autoritetet saudite paralajmërojnë publikun kundër lëshuarjes ose rritjes së volumit të muzikës brenda zonave të banuara gjatë ezanit dhe ikametit (thirrja e parë dhe e dytë islame për namaz)
Theksohet se kushdo që kapet duke lëshuar ndonjë lloj ‘muzike’ gjatë ezanit nga xhamitë, do të gjobitet me 1 000 SAR për shkeljen e parë dhe nëse shkelja përsëritet gjoba do të rritet në 2 000 SAR.
Personi do të gjobitet vetëm nëse lëshon muzikën me zë të lartë derisa ezani thirret nga një xhami. Kjo vlen edhe për ata që lëshojnë muzikë me zë të lartë në makinat ose shtëpitë e tyre. Megjithatë, rregulli nuk vlen për njerëzit që dëgjojnë muzikë në kufjet e tyre.
Përveç kësaj, Arabia Saudite ka vendosur gjithashtu një gjobë prej 5 00 SR për këdo që ngre volumin e muzikës në një lagje banimi, nëse ankesa vjen nga një banor i lagjes.
Qeveria e Arabisë Saudite ka vendosur gjithashtu një gjobë të re që varion nga 250 SR në 500 SR për këdo që vesh pantallona të shkurtra brenda xhamive ose zyrave qeveritare.
Sipas zyrtarëve sauditë, veshja e pantallonave të shkurtra në xhami dhe institucione qeveritare pas zbatimit të kodit të ri të sjelljes është kundër etiketës sociale.
Megjithatë, qeveria ka sqaruar se burrat që veshin pantallona të shkurtra në publik nuk do të konsideroheshin si shkelje e sjelljes publike përveçse në xhami.
Gjobat e reja kanë hyrë në fuqi menjëherë pasi ministri i brendshëm saudit, Princi Abdulaziz Bin Saud Bin Naif lëshoi një dekret ministror që kërkon ndryshime në rregulloren e sjelljes publike.
Në dekretin e ri, 19 shkelje në listën e shkeljeve të mirësjelljes publike të miratuara në vitin 2019 janë ndryshuar tashmë në 20 shkelje. Sipas ministrisë, shkeljet në këtë listë do të dënohen me gjoba nga 50 SR deri në 6000 SR. Në fakt, shumica e tyre tashmë janë të ndaluara në Arabinë Saudite, por më parë nuk ishte dhënë ndonjë dënim specifik dhe vendimi i ishte lënë gjyqtarit.