OKB-ja e shpall 15 Marsin Ditën Ndërkombëtare të Luftimit të Islamofobisë

OKB-ja ka miratuar një rezolutë të propozuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe Pakistani për të caktuar 15 Marsin Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë.
Rezoluta u miratua tre vjet pas ditës që kur një ekstremist i krahut të djathtë vrau mbi 50 muslimanë në një sulm terrorist në dy xhami në Zelandën e Re.
Kjo do të thotë se kjo ditë do të çimentohet si një kujtesë vjetore e nevojës për të luftuar islamofobinë.
Rezoluta u prezantua të martën nga ambasadori i Pakistanit në OKB, Munir Akram, në emër të OIC.
“Islamofobia është një realitet. Manifestimet e saj – gjuha e urrejtjes, diskriminimi dhe dhuna kundër myslimanëve – po shtohen në disa pjesë të botës”, tha ai.
“Akte të tilla diskriminimi, armiqësie dhe dhune ndaj individëve dhe komuniteteve muslimane përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave të tyre njerëzore dhe cenojnë lirinë e tyre të fesë dhe besimit. Ato gjithashtu shkaktojnë ankth të madh brenda botës islame.”
Akram citoi fjalët e raportuesit special të OKB-së për lirinë e fesë ose besimit, i cili tha: "Që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, dyshimi institucional dhe frika e muslimanëve dhe atyre që perceptohen si myslimanë është përshkallëzuar në përmasa epidemike".
Gratë dhe vajzat shpesh e kanë gjetur veten në shënjestër të kësaj urrejtjeje, tha Akram, duke shtuar: “Aspekti gjinor i islamofobisë po fiton gjithashtu rëndësi, ku vajzat dhe gratë janë në shënjestër për shkak të mënyrës së veshjes së tyre dhe nocionit të përgjithshëm që gratë muslimane janë të shtypur dhe kështu duhet të çlirohen.”
Ai paralajmëroi se islamofobia është një fenomen "i kuptuar keq" që shpesh ndërthuret me ndjenjat kundër emigrantëve dhe refugjatëve.
Si i tillë, tha ai, është "thelbësore" të promovohet informacioni për këtë "prirje shqetësuese globale" që mund të arrijë majat e qeverive në shumë pjesë të botës.
Miratimi i rezolutës pason diskutime shumëvjeçare për nevojën e një dite ndërkombëtare për të luftuar islamofobinë, e nisur në Mekë në vitin 2019 pas sulmeve në xhamitë e Zelandës së Re.
Në atë kohë, anëtarët e OIC, përfshirë Arabinë Saudite, "theksuan nevojën për të luftuar urrejtjen dhe frikën nga Islami dhe muslimanët".