Metoda edukative e Muhammedit a.s.

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut,.. “ (El Ahzabë, 21)

Muhamedi a.s. në shoqërinë mekase ishte shembulli më i përsosur i edukatës dhe moralit, i sinqeritetit dhe besës. Edhe pse jetoi në një mjedis të çoroditur moralisht, ai kurrë nuk anoi nga traditat e tyre të mbrapshta. Allahu i Madhëruar e ruajti që nga fëmijëria e djalëria e deri edhe në burrërinë e tij. Prandaj ai u rrit i pajisur me virtytet më të mira, me vetitë më të bukura, megjithëse lindi, u rrit dhe jetoi një kohë, në shoqërinë e injorancës.
Zoti e mbrojti atë nga ligësitë, nga turpet dhe egërsitë e zullumit të saj. Në këtë mënyrë, Muhamedi a.s. u bë një burrë i formuar në të gjitha drejtimet,fitoi një nder të veçantë tek njerëzit duke mbrojtur të dobëtit dhe të shtypurit. Nga ana familjare, ai ishte më i pastri nga të gjithë. Shoku më i mirë për atë që e shoqëronte, zemërgjerë dhe bujar i madh, me sjellje të shkëlqyeshme, ishte më i drejti si në fjalë ashtu edhe në jetë, ishte më i sigurti në besë dhe larg çdo të lige e sjelljeje të keqe. Për këto veti e sjellje të pashembullta, populli i vet e quajti “El emin” (i drejtë dhe besnik).(1)
Mjedisi i çoroditur dhe i përdhosur moralisht, në të cilin u dërgua Muhamedi a.s., kërkonte prej tij që të bënte reforma radikale, me ndihmën e Allahut dhe me lejen e Tij, në sfera të ndryshme të jetës dhe në botëkuptimet e tyre.(2)
Që këto reforma të ishin të suksesshme, duhej të organizohej sistemi i edukimit, e Pejgamberi a.s. vazhdimisht thoshte: “Zoti më dërgoi mësues”. (Ibn Maxhe).
Pejgamberi a.s. është shquar për norma të përsosura etike, të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë. Për këtë dëshmon ndikimi i tij tek njerëzit, zemrat e të cilëve flakëronin për ta respektuar dhe nderuar. Flakëronin për ta shoqëruar dhe për ta admiruar atë, siç nuk mbahet mend për ndonjë njeri në këtë botë.
Ata që kanë jetuar në kohën e Resulullahut a.s., e kanë dashur gjer në kufijtë e mahnitjes, saqë nuk kanë kursyer as edhe jetën e tyre, vetëm e vetëm që atij të mos i mungonte as gjëja më e vogël. Gjithashtu e donin, sepse ishte i përkryer si asnjë krijesë tjetër njerëzore, më i dashuri i Allahut xh.sh…(3)
Muhamedi a.s. është pishtari ndriçues që e dërgoi Allahu për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritën e së vërtetës. Ai i mësoi shokët e tij gjithçka që u nevojitej. Gjithmonë i udhëzonte dhe edukonte ata që ta pasuronin karakterin e tyre me virtyte të shëndosha, me edukatë dhe parime të larta njerëzore. Ai u mësonte atyre gjërat më të rëndësishme nga ajo që e mësonte Vetë Allahu xh.sh.. Nëse meditojmë për jetën e Muhamedit a.s., do të shohim se ai është personaliteti më i madh dhe më i moralshmi në historinë e njerëzimit. Të gjitha personalitetet e mëdha në historinë njerëzore, janë dalluar vetëm në një fushë të caktuar, si: Shekspiri ishte i njohur në fushën e shkrimit, Napoleoni në forcën dhe strategjitë ushtarake, Gandi njihej në politikë, Volteri në ideologji, dhe të gjithëve u mungonin disa aspekte të tjera, si morali apo gjëra të tjera edukative. E i vetmi që posedonte të gjitha format e madhështisë, turpit, edukatës dhe moralit është Muhamedi a.s..
Ai ishte madhështor në paqe dhe madhështor në luftë. Ishte madhështor si bashkëshort, si prind, si njeri i thjeshtë, në moral dhe në çdo aspekt tjetër. Kudo që të kërkosh madhështinë, do ta gjesh tek Muhamedi a.s.. Ai ishte i madh në moralin e tij. Tregojnë shokët e tij: Kurrë nuk e kemi parë të Dërguarin e Zotit të nevrikosur për ndonjë çështje personale. Kurrë nuk është hakmarrë për veten e tij. Kurrë nuk ka qëlluar ndonjë grua. Kurrë nuk e ka shkelur premtimin. Kurrë nuk ka mashtruar dhe kurrë nuk ka gënjyer. Dhe kurrë nuk ka qortuar dhe kritikuar publikisht dikë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ku e shihte suksesin Pejgamberi a.s.

Pejgamberi a.s. suksesin në veprimtarinë e tij si edukator dhe mësues e arriti me ndihmën e Allahut të Madhëruar, pastaj përmes dy mjeteve mjaft efikase në këtë drejtim: përmes fjalës së mirë dhe punës. Aktivitetin e tij edukues e arsimues e shtriu në të gjitha fushat e jetës. Pa dyshim, formimi i shoqërisë së shëndoshë varej prej karakterit të individëve të shëndoshë,prandaj Pejgamberi a.s. u përqendrua mjaft në këtë aspekt.
Esenca e formimit të karakterit të shëndoshë është kujtimi i Allahut dhe dija se Ai është njohës i mirëfilltë i çdo lëvizjeje, prandaj, si rezultat i kësaj del animi i njeriut nga ajo që është e vlefshme dhe e dobishme si dhe largimi nga gjërat neveritëse.
Tirmidhiu transmeton prej Muadh ibn Xhebelit se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ki ndërmend Allahun kudo që të jesh. Pas së keqes pason e mira, ajo do ta fshijë të keqen. Dhe edukoji njerëzit me moral të mirë”.(4)

Muhamedi a.s. e zgjidhi konfliktin dhe evitoi gjakderdhjen

Kur Muhamedi a.s. ishte tridhjetë e pesë veç, kurejshitët vendosën të meremetonin Qabenë, sepse ishte dëmtuar mjaft shumë nga të reshurat e shiut dhe koha e gjatë pa i bërë ndonjë meremetim. Pasi u krye meremetimi, vendosja e Haxherul Esvedit (Gurit të Zi) qe bërë shkak për përçarje dhe ndarje në mes fiseve.
Secili fis dëshironte që t’i takonte atij ky nder. Çështja kishte arritur deri aty saqë shpatat ishin nxjerrë nga këllëfët, shigjetat ishin tendosur në harqe, sa nuk kishte plasur lufta. Njëri nga të pranishmit në moshë të shtyrë thirri: “Ngadalë, o burra! Kur të luftoni dhe të vriteni ju, kush do të mbetet këtu“?.. Ai, ndër të tjera, tha: “Njeriun i parë që do të hyjë nga kjo derë e Qabesë,
ta caktojmë gjyqtar dhe të pranojmë ç’të thotë ai”.
Propozimi u pranua. Të gjithë prisnin me kureshtje se kush do të vinte. Allahu xh.sh. deshi që ai njeri të ishte Muhamedi a.s.. Kur e panë, të gjithë brohoritën: El Emin El Emin, Besniku, Besniku. Ia parashtruan çështjen Muhamedit a.s. dhe ai kërkoi një beze të madhe. Ia prunë, e vuri Gurin e Zi në mes të bezes dhe u tha të parëve të fiseve që ta kapnin secili në një cep të saj e ta çonin në vend. Ashtu edhe u veprua, pastaj i Dërguari i Allahut e ngriti gurin dhe e vuri në vendin e vet në mur të Qabesë. Kështu u parandalua një luftë e madhe me një ndërhyrje të shpejtë e të urtë, me logjikë profetike.
Ai nuk ishte ende pejgamber, por kishte një logjikë mbi logjikët, një gjykim mbi gjykimet, një aftësi dhe metodë njohëse, të cilit pas disa vjetësh do t’i zbriste Kurani.(5)

Biseda sipas bashkëbiseduesit

Pejgamberi a.s. njihte shumë mirë psikologjinë e njerëzve, prandaj edhe në bazë të karaktereve të tyre, u jepte porosi e këshilla të caktuara. Po qe se i vinte njeriu që ishte i padëgjueshëm ndaj prindërve, Pejgamberi a.s. e porosiste që të ishte i sjellshëm ndaj tyre, duke i treguar dhe duke e bindur për vlerën dhe shpërblimin e madh tek Zoti. Një ditë, një njeri erdhi te Pejgamberi a.s. i gëzuar dhe i entuziazmuar me hapa të shpejtë dhe iu drejtua me këto fjalë: “ O i Dërguar i Zotit, ta jap fjalën se do të luftoj në rrugë të Zotit nën flamurin tënd”. Muhamedi a.s. iu drejtua me këto fjalë:”A e ke gjallë ndonjërin prej prindërve”? “Të dy” i ardhuri. Pejgamberi a.s. i tha: “Kthehu te prindërit e tu, kujdesu për ta dhe sillu mirë me ta, nëse dëshiron ta kesh shpërblimin e luftës në rrugën e Zotit”.(6)

Metoda psikologjike

Muhamedi a.s. është treguar psikolog i shkathët edhe në mënyrën e largimit të veseve të njeriut. Këtë e ilustrojmë me një shembull si vijon: “Një ditë Pejgamberi a.s. ishte në xhami me disa shokë dhe, papritmas, hyri një njeri i huaj, i cili që nga dera thirri: “O Muhamed! A më lejon të bëj amoralitet (zina)”? Ashabët u hidhëruan, kurse Pejgamberi a.s. u tha: “Lëreni”! dhe iu drejtua të porsaardhurit:”Afrohu këtu”! Kur djaloshi qëndroi përpara tij, e pyeti: “A e pëlqen ti të bëjë dikush zina (amoralitet) me nënën tënde”? Ai u përgjigj: Jo, kurrë! Pejgamberi a.s. shtoi:” Po ashtu edhe njerëzit e tjerë nuk e pëlqejnë atë gjë për nënat e veta”. Mandej e pyeti: “Nëse të pëlqen kjo gjë për vajzën, motrën, tezen e hallën tënde”? dhe ai çdoherë i përgjigjej se nuk i pëlqente të bënte zina dikush me to dhe gjithnjë Pejgamberi a.s. shtonte se edhe njerëzit e tjerë nuk e pëlqejnë atë gjë për akrabanë e tyre. Në fund Pejgamberi a.s. iu lut Allahut xh.sh. për këtë njeri që t’ia pastrojë zemrën dhe t’ia mbrojë nderin e tij. Nga ky moment njeriu thotë se vepra më e urryer për të ishte zinaja.(7)

Rasti me Hamzanë r.a.

Vitet e para të Shpalljes ishin të rënda për Muhamedin a.s. si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë fizik. Njëherë Ebu Xhehli, duke kaluar pranë Pejgamberit a.s. në Safa, afër Qabesë, e ofendoi atë me fjalë të rënda. Muhamedi a.s. nuk iu përgjigj, e Ebu Xhehli e goditi me gur në kokë, saqë Muhamedit a.s. i rrodhi gjaku. Pastaj Ebu Xhehli u kthye dhe shkoi në një ndenjje me kurejshitët e tjerë para Qabesë dhe u ul në mes tyre. Pas pak atypari kaloi Hamza r.a., i cili po kthehej prej gjuetisë, me harkun në krah. Robëresha e Abdullah bin Xhedanit i tregoi Hamzës se çka i kishte bërë Ebu Xhehli Muhamedit a.s… Hamza r.a. u hidhërua shumë - ishte njeriu më i famshëm dhe më guximtari prej kurejshitëve - dhe u nis drejt Qabesë me
vrap. Nuk ndaloi askund gjersa arriti para Ebu Xhehlit. Dhe iu drejtua me këto fjalë: “ O njeri i pagdhendur, ti je duke e ofenduar dhe sulmuar nipin tim, e unë i takoj së njëjtës fe sikurse edhe ai”! (Edhe pse ende nuk e kishte pranuar Islamin në atë kohë ). Pastaj e goditi me hark në fytyrë me një të rënë të fortë, saqë i bëri një vragë…(8)
Pas kësaj ngjarjeje, Hamza r.a. shkoi te Muhamedi a.s. dhe po i thotë: “Ta nxora hakun tek Ebu Xhehli“! Muhamedi a.s. iu përgjigj çuditërisht: “O xhaxhai im, nuk më gëzon lajmi për hakmarrje, por më gëzon lajmi se po e pranon Islamin”. Allahu xh.sh. Hamzës r.a. ia ndriçoi shpirtin dhe mendjen, e ai e përqafoi fuqishëm fenë, kurse myslimanët fituan një shok, me të cilin mburreshin shumë.

Me butësi përmirësonte gabimet e të tjerëve

Jemi njerëz dhe, si të tillë, gabojmë, mirëpo edhe gabimet dallojnë. Disa janë të mëdha, e të tjerat të vogla. Pa marrë parasysh madhësinë e gabimeve, ato të gjitha mund të përmirësohen. Pejgamberi a.s. kishte dëgjuar se Abdullah ibn Omeri r.a. e anashkalonte namazin e natës. Ai një ditë vendosi ta këshillonte Abdullahun për ta falur këtë namaz. Pejgamberi nuk e thirri për t’i thënë: “O Abdullah, fale namazin e natës” apo “Pse s’po e fal namazin e natës“, por përdori këtë metodë: “Sa i mirë është Abdullahu, vetëm sikur ta falte edhe namazin e natës”. Në një transmetim tjetër është: “O Abdullah, mos u bëj si filani. Ai falte namaz të natës, por pastaj e la atë”.(9)
I Dërguari a.s. vepronte me njerëzit në atë mënyrë që t’i inkurajonte ata për të bërë vepra të mira dhe ua lehtësonte këtë, edhe nëse ata bënin gabime. Një ditë Pejgamberi a.s. ishte me shokë duke pritur për ta falur namazin në xhami. Mirëpo më parë kishin qenë në një dasmë, ku kishin ngrënë mish deveje. Pas pak u ndie një erë e papëlqyer, për të cilën Pejgamberi a.s. e dinte se erdhi nga gazrat e stomakut. Gjithashtu vërejti se ai që e bëri këtë, ishte i shtrënguar, i erdhi keq…Ndërkaq dihej se të gjithë kishin abdes dhe pas ca minutash do ta falnin namazin, në të cilin do t’u bashkohej edhe ai që e prishi ajrin, mirëpo, meqë kur të ngrihej ai për abdes, do të bëhej e qartë se ai e kishte prishur ajrin, dhe kjo do ta turpëronte e poshtëronte atë. Pejgamberi a.s. e vështroi xhematin dhe tha:”Kush ka ngrënë mish deveje, le të marrë abdes”. Të pranishmit thanë: “Të gjithë kemi ngrënë mish deveje, o i Dërguar i Zotit”. “Pra, merrni abdes të gjithë” - shtoi Pejgamberi a.s.. dhe kështu u ngritën të marrin abdes të gjithë, e në mes tyre edhe ai të cilin mendjemprehtësia e Pejgamberit a.s. e shpëtoi prej turpit.(10)
Sa të larta dhe të vlefshme janë këto metoda, të cilat ngërthejnë në vete çdo imtësi dhe individ, kur shtrohet çështja e emocioneve dhe ndjenjave të njeriut. Përsosmëria edukativo-morale e Muhamedit a.s. nuk mundtë përshkruhet me fjalë, përveçse me fjalën e tij: ”Më ka edukuar Zoti im, dhe më edukoi për mrekulli”.


_____________________
1) Vehbi Sulejman Gavoçi. Pejgamberi Muhammedi a.s.- Jeta dhe vepra- Shkup. v. 1994. f. 27.
2) Bashkim Aliu, Muhammedi a.s. Pishtari ndriçues. Shkup. 2000. f. 461.
3) Safijrrahman El-Mubarekfuri. Nektari i Vulosur i Xhenetit. Shkup. 1997. f. 557.
4) Cituar sipas ibn Rexhebit: Xhamiul ulumi vel hikemi fi sherhi hamsine hadithen.f. 156.
5) M. Fethullah Gylen 1. Dritë e Pashuar Hz. Muhammedi (s.a.v.s.) Tiranë. 2004. f. 272.
6) Halid Muhamed Halid. Humaniteti i Muhamedit a.s. Shkup. 1990. f. 15.
7) Vehbi Sulejman Gavoçi. Pejgamberi Muhammedi a.s.- Jeta dhe vepra- Shkup. v. 1994. f. 333.
8) Safijrrahman El-Mubarekfuri. Nektari i Vulosur i Xhenetit. Shkup. 1997. f. 114.
9) Dr.Muhamed Abdurrahman el-Arifi. Kënaqu me jetën tënde. Prishtinë, 2009. f. 324.
10) Halid Muhamed Halid. Humaniteti i Muhamedit a.s. Shkup. 1990. f. 99.



Isa Tërshani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)