Në Turqi po i zhvillon punimet simpoziumi ndërkombëtar "Trashëgimia kulturore dhe fetare në Ballkan përgjatë historisë", organizuar nga Universiteti Kirklareli - Fakulteti i Studimeve Islame-Ilahijat, në qytetin Kirklareli të Turqisë. Në këtë simpozium po marrin pjesë mbi 70 studiues, akademikë, hulumtues, profesorë etj., nga Turqia, Ballkani perëndimor dhe nga shtete të ndryshme të botës.
Në këtë ngjarje shkencore po marrin pjesë edhe përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, të cilët po japin kontribut të theksuar me kumtesat e tyre.
Prof. Sabri ef Bajgora, drejtor i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, u paraqit me kumtesën "Roli i Medresesë “Pirinaz” në formimin e elitës intelektuale islame te shqiptarët”, e prezantuar në gjuhën arabe; Prof. Ass. Dr. Rexhep Suma- ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame, paraqiti në gjuhën arabe kumtesën "Medreseja “Alauddin”, kala e pamposhtur në mbrojtje të identitetit islam në Ballkan"; PHD(c) Besir Neziri, asistent në kabinetin e Myftiut Tërnava lexoi në gjuhën turke kumtesën "Medreseja Islame e planifikuar të hapej në Prishtinë (në vitin 1911)"; ndërsa PHD(c) Besnik Jaha, profesor në M .M. Alauddin në Prishtinë ekspozoi në gjuhën angleze kumtesën: "Studiuesit shqiptarë në Perandorisë Osmane dhe pas vitit 1912 në Ballkan".
Kumtesat e tyre zgjuan shumë interesim te të pranishmit, dhe kjo shihej në saje të pyetjeve dhe komenteve dashamirëse të shumta që u bënë rreth kumtesave të tyre.
Simpoziumi do t'i vazhdojë punimet edhe nesër.