"Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren
e janë të matur.” (El-Furkan, 67)
5. Maturia në shpenzime
"Edhe ata që kur shpenzojnë, nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur."
Jeta në këtë botë është shumë e shkurtër, dhe mundësia për të bërë vepra të mira, po ashtu është e kufizuar. Jo secili prej njerëzve ka pasuri, prej së cilës mund të ndajë një pjesë për të varfrit dhe skamnorët, që të arrijë kënaqësinë e Allahut. Të paktë janë ata njerëz që mbase mund të jenë në një pozitë të lartë në shoqëri dhe të kenë mundësi të ndihmojnë të tjerët, sepse shumë prej tyre mashtrohen nga cytjet e shejtanit dhe shumë shpejt harrojnë jo vetëm shokët, por madje harrojnë edhe familjet dhe të afërmit e tyre.
Pavendosmëria i bën njerëzit dhe shoqëritë të njëllojtë, egoistë e indiferentë. Ata priren për t'u kushtuar vëmendje vetëm interesave të tyre dhe nuk reagojnë ose tregojnë interesim për ngjarjet që ndodhin rreth tyre.
Por, për një grup njerëzish të veçantë e të dalluar, nuk ka kufizime të tilla. Për ta nuk ka derë që është e mbyllur. Për ta janë të hapura madje edhe dyert e qiellit dhe të mëshirës hyjnore. Këta janë “Ibadu Rrahman” – Robërit e Allahut.
Shumë prej njerëzve mendojnë se të jesh prej këtij grupi të devotshmëve, duhet të jesh i varfër, nevojtar, asket, modest, pa plëng e pa shtëpi. Jo, ky paragjykim është plotësisht i gabuar. Edhe i pasuri mund të jetë rob i sinqertë i Allahut, sepse ai shpenzon në rrugën e Tij duke dhënë zekatin, shpenzon për familjen dhe edukimin e tyre nga ajo pasuri që Allahu ia ka lënë në dorëzim në këtë botë, kështu që e fiton kënaqësinë e Tij edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Sjelljet e njerëzve në këtë botë janë të shumëllojshme. Disa prej tyre jetojnë një jetë të shfrenuar, duke shpenzuar pasurinë e tyre në gjëra të ndaluara, duke shpenzuar e duke bërë qejf kot së koti, kurse disa prej tyre janë aq dorështrënguar e koprracë, saqë u dhimbset të harxhojnë edhe për veten dhe familjet e tyre, duke mbjellë një egoizëm të paarsyeshëm në zemrat e tyre. Mu për këtë arsye edhe Allahu xh.sh., po edhe i Dërguari i Tij, na mësojnë se në këtë jetë në çdo veprim duhet të ndjekim një mesatare, meqë edhe kemi epitetin e të qenit Ymet i mesëm (mesatar). Kurani na mëson se njeriu nuk duhet të jetë as dorëlirë në harxhimin e pasurisë pa lidhje, por as nuk duhet të jetë koprrac, sepse koprracia e tij e tepërt, mund t'u shkaktojë vuajtje të tjerëve, sidomos të afërmve. Ja se ç'thotë Kurani në lidhje me këtë:
"Dhe mos e bëj dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bëj koprrac), e as mos e shtri në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepërt)." (Isra’ë, 29)
Si plëngprishja-shpenzimi i pakontrolluar (israfi-masrafi), që shkatërron shpirtin, pasurinë dhe shoqërinë e njeriut, po ashtu edhe koprracia (taktir), e cila privon shoqërinë e nevojshme përreth njeriut, që të ketë dobi nga pasuria e tij, shkaktojnë çrregullime të jetës shoqërore dhe asaj ekonomike, duke shkaktuar kriza, pakënaqësi, egoizëm dhe urrejtje në mes njerëzve. Për këtë arsye Allahu xh.sh. ka përcaktuar këtë baraspeshë në mes këtyre dy skajshmërive, duke bërë që njeriu të jetë i matur në çdo veprim të tij në këtë jetë, e në këtë temë, edhe veprimi i drejtë me pasurinë që Ai na e ka lënë në dispozicion.
Transmetojnë Tirmidhiu dhe Hakemi se një njeri kishte ardhur tek Resulullahu s.a.v.s., por Pejgamberit a.s. nuk i kishte pëlqyer pamja e tij e jashtme dhe e kishte pyetur:
- A ke pasuri?
Po, - ia kishte kthyer ai.
- Po çfarë pasurie ke, - e kishte pyetur prapë i Dërguari a.s.
- Allahu më ka dhënë prej secilës pasuri, - ia kishte kthyer ai, (duke pasur në mendje deve, lopë dele, kullosa, fruta etj.). Atëherë i Dërguari i Allahut i kishte thënë:
- Pra, dije se Allahu dëshiron që të shohë gjurmët e dhuntive të Tij në ty." A nuk thotë edhe Allahu xh.sh. në Kuran: "e për të mirat që t’i dha Zoti yt, trego!"
Nga ky hadith i Pejgamberit a.s. mësojmë shumë gjëra, mësojmë se nga pasuria që Allahu na ka dhënë, duhet të shpenzojmë në mënyrë racionale, për nevojat vetjake, për familjen dhe për të varfrit myslimanë.
Pra, robërit e Allahut janë ata që, kur shpenzojnë, nuk janë koprracë e as dorështrënguar për vetveten, për familjen e tyre për të afërmit e tyre, për fqinjët e tyre, nuk janë koprracë për të ndihmuar myslimanët e tjerë kur i godet ndonjë fatkeqësi, dhe ajo që është më kryesorja, nuk janë dorështrënguar ndaj urdhrit kur’anor për dhënien e zekatit dhe të sadakasë.
Sipas Ibn Abbasit r.a., nëse njeriu e shpenzon edhe tërë pasurinë e tij në punë të hajrit e në mirësi, kjo nuk është harxhim dhe masraf, por nëse qoftë vetëm një metelik e shpenzon në haram, atëherë ky është plëngprishës dhe masrafxhi.
Ta kujtojmë vetëm shembullin e Ebu Bekrit r.a., kur gjatë përgatitjes së një ekspedite luftarake, para të Dërguarit të Allahut solli tërë pasurinë e tij. Kur i dërguari a.s. e pyeti se çfarë i kishte lënë familjes, ai u përgjigj: Ua lashë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
Le të na shërbejë në këtë kontekst edhe një thënie e Resulullahut s.a.v.s. kur thotë: “Myslimani nuk bën të xhelozojë (ndaj vëllait të tij) përveçse në dy raste: ndaj atij që Allahu i ka dhënë pasuri dhe atë pasuri e shpenzon në rrugë të drejtë, dhe ndaj atij që Allahu i ka dhënë urtësi (dije) me të cilën vepron dhe këtë ua mëson njerëzve të tjerë.”
Në këtë botë nuk kemi nevojë të shtiremi sikur nuk kemi asgjë, sepse kësodore e paraqesim veten para të tjerëve me pamje të rrejshme dhe joreale. Duhet të jemi ata që jemi. Nëse je i pasur dhe shpenzon në rrugën e Allahut, atëherë kjo është devotshmëria më e madhe, por nëse mendon që me thjeshtësinë (koprracinë) tënde, të mos biesh në sy të të tjerëve se ke pasuri, për të mos u dhënë të varfërve, atëherë ky veprim është një mëkat i madh.
Dijetari i mirënjohur bashkëkohor Dr. Jusuf Kardavi, tek flet për këtë grup njerëzish që Allahu i ka cilësuar si "Ibadu Rrahman" në këtë ajet që po e komentojmë:
"Edhe ata që kur shpenzojnë, nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur." thotë se me gjuhën bashkëkohore këta njerëz mund të jenë biznesmenët e ndershëm, që pasurinë e tyre e kanë hallall, dhe që ndjekin mesataren, gjithnjë duke pasur frikën e Allahut. Këta njerëz janë ata që japin më së shumti për të varfrit, këta njerëz janë ata që kujdesen për jetimët, për lartësimin e fjalës së Allahut...
Po këta njerëz, janë aq të thjeshtë e modestë, nuk janë kryelartë, nuk bëjnë mendjemadhësi, shikojnë punën e tyre, falin namazet dhe veçanërisht natën ngrihen dhe E falënderojnë Allahun për të mirat dhe dhuntitë e Tij ndaj tyre, duke E lutur Atë për falje dhe mëshirë.
Në anën tjetër, shohim një grup tjetër të të pasurve, të cilët pasurinë e kanë arritur me haram, mashtrime e korrupsion. Të tillët, të cilët pasuria i ka mbërthyer me kthetrat e saj, mendojnë se nuk do të vdesin kurrë, por, kur u vjen momenti i vdekjes, e kuptojnë se kjo botë ka qenë vetëm një udhëtim dhe iluzion i shkurtër. Të tillët nuk kanë ç’të presin ndonjë të mirë a shpërblim tek Allahu.
Këta njerëz do të jenë përjetësisht të përbuzur në botën tjetër dhe këta vërtet e meritojnë të quhen miq të shejtanit, ashtu siç na i ka përshkruar Kurani famëlartë:
"Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë), janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij." (Merjem, 27)
* * *
Robërit e Allahut të cilët e kanë kuptuar qëllimin e ekzistencës së tyre në kë të univers, dhe e kanë kuptuar vlerën e mirëfilltë të gjërave në këtë botë, gjatë jetës së tyre sillen konform me këto rregulla të përcaktuara, duke u shkrirë në këtë harmoni të sistemit të përkryer hyjnor, kështu që çdo veprim i tyre është i matur dhe i baraspeshuar. Ata e kanë kuptuar drejt faktin se pasuria në këtë botë është një amanet i dhënë nga Allahu xh.sh., përkohësisht, për të cilën do të japim llogari se si e kemi kryer (shpenzuar).
Besimtarët e vërtetë, që dëshirojnë të jenë në mesin e këtij grupi të nderuar të "Robërve të Allahut", duhet ta kuptojnë se shfaqja e besimit të mirëfilltë me të gjithë vlerat e tij të vërteta, është bërë e rëndësishme si kurrë më parë.
Sot kjo është e nevojshme për njerëzit e virtytshëm, të matur, të sinqertë dhe me zemër të pastër, për njerëzit që nuk mendojnë ose veprojnë vetëm për vetveten, por që parapëlqejnë mirëqenien e të tjerëve përpara mirëqenies së tyre. Vetëm si të tillë do të jenë si ata robër të Allahut të përmendur në këto ajete, e të gjithë ne duhet të përpiqemi t'u ngjasojmë këtyre njerëzve në vepra dhe në sjellje, këtyre
besimtarëve të devotshëm, që I luten dhe I nënshtrohen vetëm Allahut Fuqiplotë...
(vijon)
Sabri Bajgora