Robërit e Allahut - Koment i ajeteve 63-77 nga kaptina “El-Furkan” (IV)


"Edhe ata që përveç Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë. Ai që është penduar dhe ka bërë mirë, në të vërtetë, ai është kthyer tek Allahu dhe është i pranishëm.” (ElFurkan, 68-71)

Koment:

"Edhe ata që përveç Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë”. (ElFurkan, 68-69)

Shkaku i zbritjes së këtyre ajeteve

- Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Abdullah Ibn Mes’udi të ketë thënë: “Erdhi një njeri dhe e pyeti të Dërguarin a.s.: “O i dërguar i Allahut! Cili nga mëkatet është më i madhi tek Allahu?” Ai u përgjigj: “T’i bëhet shok Allahut, i Cili të ka krijuar”. Ai e pyeti: “Çfarë vjen pastaj: “Ai iu përgjigj: “Vrasja e trashëgimtarëve tuaj nga frika se do të hanë me ju (nga frika se nuk keni me se t’i ushqeni)”. Ai e pyeti: “Çfarë vjen pastaj?” Ai u përgjigj: “Kryerja e zinasë (amoralitetit) me gruan e fqinjit tuaj”.
Si vërtetim i këtyre fjalëve të pejgamberit a.s. zbritën ajetet në fjalë.
- Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi me sened nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Erdhën disa idhujtarë që më parë kishin mbytur shumë njerëz të pafajshëm, dhe kishin bërë shumë amoralitete, dhe e pyetën Resulullahun s.a.v.s.: “Kjo për se po na fton, është vërtet gjë e mirë, por a ka ndonjë falje (kefaret-mbulesë, shpagim) për atë që kemi vepruar më parë? Si përgjigje e kësaj zbritën ajetet në fjalë, të cilët do t’i komentojmë me ndihmën e Allahut., sikur që për këtë rast zbriti edhe ajeti 53 i kaptinës Ez Zumer: “Thuaj: “O robërit e Mi, ju që e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet.”

6. Njëshmëria

"Edhe ata që përveç Allahut, nuk lusin zot tjetër...” (El-Furkan, 68) Vazhdojmë të jemi në shoqëri të robërve të sinqertë të Allahut duke u njohur me virtyte dhe cilësitë me të cilat i ka përshkruar i Plotfuqishmi. Si cilësi tjetër e radhës e robërve të Allahut, e potencuar në këtë ajet, është besimi i pastër në Njëshmërinë e Allahut dhe mosbërja shok tëq Atij. Islami si fe e vetme hyjnore synon kalitjen e shpirtit njerëzor; duke u përpjekur që të depërtojë në thellësitë e tij për t’i mbjellë mësimet e veta, të cilat do ta mbrojnë atë nga vështirësitë dhe fitnet e kësaj bote. Besimi i paluhatshëm në Allahun xh.sh. është lidhja më e fortë që forcon dhe fisnikëron shpirtin, zemrën dhe mendjen e besimtarit. Sa herë që njeriu e gjen veten ngushtë nga sprovat dhe të papriturat e kësaj bote, strehimi më i mirë për të është kthimi tek mëshira hyjnore e Krijuesit të tij. Vetëm tek Allahu njeriu mund të gjejë prehjen e vërtetë shpirtërore dhe të përballojë çdo vështirësi.
Por, sa ka pasur dhe sa ka sot njerëz në këtë botë që nuk kanë arritur e as nuk do të arrijnë dot lumturinë dhe çiltërsinë shpirtërore. Shumë prej tyre ngatërruan ndjenjën e lindur natyrore të besimit me besim të gabuar. I përshkruan shok Allahut duke hyrë kështu në ujërat e turbullta të shirkut e të idhujtarisë.
Fatkeqësisht sot e kësaj dite, shohim shumë nëpër botë njerëz e popuj që adhurojnë idhuj dhe madhërojnë tjetër kë pos Allahut, Krijuesin e kësaj ekzistence. Shohim njerëz që adhurojnë gjallesa si lopë, gjarpërinj etj. Shohim të tjerë që besojnë në toteme të gdhendura nga druri apo guri. Që fatkeqësia të jetë më e madhe, shohim edhe ithtarët e Librave qiellorë, që kanë devijuar nga besimi i tyre i pastër, duke u zhytur në idiolatri, duke besuar në shenjtërinë dhe hyjninë e disa pejgambereve të dërguar tek ta.
Në anën tjetër shohim se edhe një numër i muslimanëve kanë mbështjellë besimin e tyre me petkun e shirkut, duke shkuar verbërisht pas intrigave dhe joshjeve të shejtanit. Sektet e ndryshme të rafidinjve, të cilat thirren në emër të Islamit, nuk janë asgjë tjetër pos sekte te humbura, të zhytura thellë në shirk e idhujtari.
Por, një grup i muslimanëve, ata më të zgjedhurit, robërit ë vërtetë të Allahut (Ibadu Rrahman) nuk lejojnë veten të jenë pre e këtyre lajthitjeve. Ata ruajtën dhe vazhdojnë ta ruajnë besimin e tyre të pastër në Njëshmërinë e Allahut fuqiplotë duke mos i shoqëruar askënd Atij në sundim. Nuk i drejtohen me lutje askujt tjetër pos Allahut, sepse e dinë se “Lutja është esenca e adhurimit”, apo është vetë adhurimi, siç ka porositur i Dërguari a.s., të cilin e transmeton Tirmidhiu nga Enesi r.a.. Ata e zbatojnë në praktikë, lutjen e parë në Kur’an, “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” të cekur në kaptinën e parë të radhitjes kuranore-El-Fatiha.
Ajete të shumta në Kur’an, porosisin që të mos adhurohet askush tjetër pos Allahut, por që adhurimi t’i bëhet vetëm Allahut xh.sh.. Sa për ilustrim do të sjellim vetëm disa prej tyre: “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Dhe ai që i bën shirk Allahut ka shpifur një mëkat të madh.” (En-Nisa’ë, 48)
Pastaj: “Dhe ai që i shoqëron Allahut edhe diçka tjetër tashmë ka humbur në një humnerë të largët.” (En-Nisa’ë, 116)
Dhe: “Ai që i bën shirk Allahut, është sikurse të bjerë dhe të përplaset nga
qielli e ta rrëmbejë shpendi ose sikur ta përplasë era e stuhishme në ndonjë vend të humbur.” (El-Haxh, 31)
Po ashtu, nga i Dërguari i Allahut kemi shumë hadithe që na tërheqin vërejtjen të mos i bëjmë shirk Allahut, siç është ky hadith i bekuar, në të cilin ai porosit Muadh Ibn Xhebelin, e njëkohësisht i drejtohet krejt Ymetit, duke thënë: “Mos i shoqëro Allahut askënd, edhe nëse vritesh dhe digjesh…” e në një rivajet tjetër: “Mos i shoqëro Allahut asgjë, edhe nëse copëtohesh dhe digjesh...”. Si vërtetim i këtyre fjalëve të Pejgamberit a.s. ka zbritur edhe ajeti kuranor, i cili shoqërohet nëpërmjet këshillës që Lukmani a.s. i jep të birit: “O biri im, mos i shoqëro Allahut diçka në adhurim, vërtet shirku është padrejtësi e madhe.” (Lukman, 31)
Në një hadith tjetër, që transmetohet nga Ebu Hurejra, e të cilin e kanë shënuar Buhariu, Muslimi dhe të tjerë, që ndërlidhet me tematikat që do t’i shtjellojmë në vazhdim, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Largohuni prej shtatë gjërave (mëkateve) shkatërrimtare! - Cilat janë ato, o i dërguar i Allahut? - e pyetën ashabët. Tha: Shirku (t’i bësh shok Allahut), magjia (marrja me sehire), mbytja e një njeriu të pafajshëm, gjë të cilën e ka ndaluar Allahu përveç me të drejtë (kriminelin), ngrënia e kamatës, ngrënia (shpërdorimi) e pasurisë së jetimit, ikja nga fronti i luftës dhe shpifja ndaj grave të ndershme”
Udhëzimin e Allahut xh.sh. e pason vetëm ai që E beson Atë, E përkujton Atë, E ndien praninë e Tij, cilësitë e Tij dhe madhështinë e Tij. E, kush e harron Allahun xh. sh., në realitet ia kthen kurrizin udhëzimit të Tij. Pra, njeriu në këtë botë është vënë në sprovim ndërmjet këtyre dy gjërave: ta përkujtojë Allahun xh.sh. dhe ta ndjekë rrugën e Tij, ose ta harrojë Allahun dhe të jetë në lajthitje. Ai është në udhëkryqin e këtyre dy udhëzimeve, e i treti nuk ekziston. Para tij është rruga e imanit, e udhëzimit dhe e lumturisë në këtë dhe në botën tjetër, dhe rruga e kufrit, e lajthitjes dhe e fatkeqësisë në të dy botët.

7. Largimi nga vrasja dhe respektimi i jetës

“...dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë...” (El-Furkan, 68)
Respektimi i jetës në Islam, është një prej fondamenteve kyç të tij. Vetë fakti se Allahu na ka krijuar, kjo do të thotë se nuk ka dallime në mes njerëzve, përveç- që Allahu i ka dalluar njerëzit për nga devotshmëria dhe, natyrisht, prej njerëzimit i ka zgjedhur udhëzuesit, pejgamberët, të cilët i ngarkoi me shpallje. Këta të dërguar janë Drita e Allahut në tokë, janë hija e mëshirës hyjnore, janë shkëlqim i dritës në errësirat e injorancës. Islami synon të ngrejë një shoqëri humane, në të cilën gjykon sheriati hyjnor mbi principe të fuqishme të drejtësisë, bamirësisë dhe mëshirës, dhe assesi nuk i dëshiron njerëzimit shkatërrim dhe rrënim, por i dëshiron udhëzimin, përmirësimin dhe të mirën.
Meqë vetë fjala Islam nënkupton paqen dhe sigurinë, Allahu xh.sh. e ka krahasuar vrasjen e njerëzve me shirkun, sepse vetë krimi i vrasjes është gjëja më ulët që mund ta bëjë një krijesë. Ta privosh dikë nga jeta, pa faj, do të thotë sikur të kesh bërë krim mbi tërë njerëzimin. A nuk thotë Allahu xh.sh. në Kuran: “...Kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur njerëzimin.” (El-Maide, 32)
I madhi Zot, në këtë mënyrë na sjell shembull se sa e tmerrshme është vrasja dhe privimi nga jeta i një personi ta pafajshëm. Por, ndodh që dikush ta mbysë tjetrin me pahir dhe pa qëllim, atëherë Sheriati islam ka sanksionuar shpagimin e gjakut, i cili është i precizuar detajisht nëpër librat e Fikhut.
Por, që në shoqërinë njerëzore të ketë rregull dhe mbarësi, atëherë duhet të ketë edhe ligje e mekanizma që mbrojnë sigurinë dhe dinjitetin e individit. Por, nëse dikush ngrihet kundër sigurisë së të tjerëve, vetëm atëherë Islami lejon që krimineli të dënohet konform dispozitave kuranore.
Se Islami është vërtetë fe e sigurisë së plotë, mund të shohim edhe nga qëndrimi i Sheriatit ndaj jomuslimanevë që jetojnë brenda shtetit islam. Ka dispozita dhe norma të përcaktuara që rregullojnë marrëdhëniet me jomuslimanët me sistem moral të dalluar me tolerancë, lehtësi, ruajtje të shpirtrave dhe të drejtave, largim të padrejtësisë dhe armiqësisë. Pra, Sheriati islam garanton jetesë të sigurt edhe për jomyslimanët që gjinden në shoqëritë muslimane. Andaj shoqëritë myslimane duhet të mbrojnë nga sulmet e ndryshme ata që janë në marrëveshje ose me garanci, ata që gjenden në tokat myslimane për punë, ose ndonjë çështje të lejuar, ose në interes të përgjithshëm të muslimanëve, me lejen e udhëheqësit të shtetit..
Nga kjo shohim se feja islame është fe përplot me principe ideale, mirësi të mëdha dhe moral të vlefshëm. Nuk është fe që udhëzimet e saj përkufizohen vetëm në realizimin e sigurisë në tokat e myslimanëve dhe vetëm për muslimanët, por Islami i ka detyruar myslimanët që ta realizojnë sigurinë edhe për jomyslimanët, qofshin ata në marrëveshje ose me garanci (mbrojtje) (muahid dhe muste’min). Atij që jeton në vendet e myslimanëve dhe shoqëritë e besimtarëve qoftë muahid (në marrëveshje) ose me garanci (muste’min), dispozitat islame i garantojnë sigurinë për veten, pasurinë, nderin dhe pronat..
Mbytja e myslimanit nga myslimani me qëllim, ashtu siç mjerisht ndodh shpesh në hapësirat tona shqiptare, është një mëkat i madh. Ja se ç’thotë Allahu xh.sh. në lidhje me këtë: “Kush e mbyt një besimtar me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh.” (En-Nisa’ë 93)
Shikoni këtë krim të madh dhe ndëshkimet drakonike për të:
1. Ndëshkimi i tij është Xhehennemi;
2. Do të jetë përjetësisht në të;
3. Allahu do të jetë i hidhëruar ndaj autorit të këtij krimi;
4. Mallkimi i Allahut do të jetë gjithmonë mbi të;
5. Allahu i ka përgatitur këtij krimineli ndëshkim të dhembshëm e të tmerrshëm.
Nëse njeriu ndalet dhe me kujdes e analizon këtë ajet kuranor, atëherë në tokë vërtet do të mbretëronte qetësi dhe paqe, por mjerisht kjo nuk po ndodh. Kudo në botë vazhdojnë të bëhen krime të tmerrshme, vëllavrasje, madje edhe në mesin e myslimanëve, gjë e cila ka sjellë shoqërinë islame buzë greminës. Këto krime kanë ndikuar në shthurjen dhe shkatërrimin e familjeve dhe degradim të shoqërisë në përgjithësi.
I Dërguari a.s. ka thënë: “Shkatërrimi i kësaj bote është më e lehtë për Allahun sesa mbytja e një njeriu besimtar nga besimtari tjetër.”
Në një hadith tjetër po ashtu qëndron se Resulullahu a.s. ka thënë: “Çdo mëkat Allahu edhe mund ta falë përveç nëse njeriu vdes si pabesimtar, dhe nëse një njeri e mbyt besimtarin me qëllim”

8. Largimi nga kurvëria (laviriteti)

“…dhe që nuk bëjnë kurvëri.” (ElFurkan, 68)
Islami-feja me të cilën na ka nderuar Allahu xh.sh., është udhëzim dhe dritë për ata që i përmbahen. Në të ka rregulla të përpikta, lejime, urdhëresa dhe ndalesa. Morali është virtyti më i lartë me të cilin e ka nderuar Allahu xh.sh., krijesën njerëzore, në veçanti myslimanët. Principet e Islamit janë vetë morali. Kurani përbën një kodeks të mirëfilltë të moralit, ashti siç edhe i dërguari ynë Muhamedi a.s. u dërgua për të përsosur virtytet e moralit më të përkryer. Popujt mund të ekzistojnë derisa të kenë moral. E nëse humb morali i tyre, humbin edhe ata. Nëse një popull ka mungesë së lidhjes së tij me Allahun, apo në raportet ndërnjerëzore në mes tyre, kjo vjen si rezultat i mungesës së vlerave të tij dhe rënies së moralit.
Shikuar nga ky këndvështrim, pa dyshim që prostitucioni është një ndër më- katet më të mëdha dhe më të shëmtuara. Mu për këtë edhe është i ndaluar dhe bën pjesë në mesin e shtatë mëkateve të mëdha, sipas hadithit që theksuam më herët.
Allahu xh.sh. na ka urdhëruar t’i largohemi amoralitetit duke thënë: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” (El-Isra’ë, 32).
Nga ky ajet shohim se Allahu i plotfuqishëm, jo vetëm që e ka ndaluar aktin e zinasë si akt, por ai ka tërhequr vërejtjen dhe ka ndaluar të gjitha rrugët që shpien në një akt të tillë të shëmtuar.
Në një hadith, të cilin e ka shënuar Bejhekiu, theksohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Largojuni amoralitetit (zinasë), sepse ai pas vetes sjell gjashtë pasoja, tri në këtë botë e tri në Ahiret. Në këtë botë, amoraliteti e zhduk shkëlqimin e imanit, sjell varfëri dhe pakëson jetëgjatësinë, ndërsa në Ahiret, Allahu është i hidhëruar ndaj lavirit, do ta ndëshkojë tmerrshëm dhe përjetësisht do të lërë në zjarrin e Xhehenemit”.
Ndrësa në një rast tjetër ka thënë: “Fytyrat e lavirëve (femra dhe meshkuj) do të ndizen zjarr”.
Nga tërë kjo, shohim se urtësitë kuranore dhe ato profetike janë të pasosura. Allahu xh.sh. fillimisht ka edukuar individin si të sillet në shoqëri, ku mund të ketë fitne e fesat, duke thënë: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre...” (En-Nur, 30-31)
Ndërsa Pejgamberi a.s. në hytben lamtumirëse ka porositur: “Ruajuni nga prostitucioni, tradhtia bashkëshortore dhe xhelozia. Prostitucioni dhe tradhtia bashkëshortore janë mëkate të rënda, ndërkaq xhelozia mund të shkaktojë prishjen e bashkëshortësisë.”
Nëse kthehemi në realitetin e shoqërisë sonë në ditët e sotme, do të shohim zhytjen dhe katandisjen në vlera shumë të ulëta të moralit. Shohin ushtrim legal apo gjysmëlegal të prostitucionit, dhe kjo pothuajse nuk pengon askënd. Të paktë janë ata zëra institucionalë që ngrihen kundër kësaj dukurie. Shtëpitë publike kanë lulëzuar anembanë Kosovës, dhe një pjese të konsiderueshme kjo i duket si normale, i duket si një vlerë perëndimore. Mirëpo realiteti tregon se përhapja e prostitucionit vjen për dy shkaqe,
1. Varfëria e skajshme e pjesës më të madhe të një popullate dhe,
2. mungesa e edukimit të mirëfilltë fetar. Mbase sistemi i kaluar ateist, ka zvetënuar ndjenjat e moralit në një masë të madhe, por kjo vetëm sa duhet të na mobilizojë ne, që si shoqëri të ngrihemi kundër dukurive të tilla negative, që dita-ditës po marrin përmasa alarmante. Andaj nuk është edhe çudi, që kohët e fundit (vetëm këtë vit - 2007) në Kosovë janë regjistruar mbi 100 raste të AIDS-it në 1700 kandidatë që kanë bërë këtë test në mënyrë vullnetare.
Gjëja e parë për të cilën Islami ia tërheq vërejtjen njeriut, është se pasimi i epshit dhe dalldisja pas cytjeve të tij, të cilat nuk kanë të sosur, nuk do ta ngopin shpirtin dhe nuk do ta kënaqin të vërtetën. I tillë është shpirti: Sa ambienton një vend për epshet e tij, dëshiron të transferohet prej tij në një vend tjetër. Ai, në përjetimet e tij të përhershme, nuk brengoset për kryerjen e mëkateve dhe për bërjen e padrejtësive. Për këtë, Kurani na tërhoqi vërejtjen për pasimin e këtyre pasioneve të ndaluara: “… e mos shko pas dëshirave, se ato të shmangin prej rrugës së Allahut. Ata që largohen prej rrugës së Allahut, i pret dënim i rëndë, për shkak se e harruan ditën e përgjegjësisë.” (Sad, 26)
Në anën tjetër, Islami nuk dëshiron që të shuhen instinktet me ndërprerje të ashpër, por ai për këtë miratoi metodologji mesatare ndërmjet dy ekstremizmave.
Rruga më e përshtatshme për Islamin është komunikimi me zemrën e njeriut, ngritja e aspiratave të tij të fshehta drejt përsosmërisë dhe kthimit të tij tek Krijuesi i tij me metodë adekuate të bindjes, dashurisë dhe lidhjes së tij për vlerat e lartë me bindje se ato janë fryt natyror i tërë kësaj.
“...Ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë” (El-Furkan, 68-69)
Në këto dy ajete, Allahu xh.sh. tërheq vërejtjen për pasojat me të cilat do të ballafaqohen ata që veprojnë këso gjërash të shëmtuara si shirku, mbytja e të pafajshmëve dhe amoraliteti. Atyre u dyfishohet dënimi në botën tjetër dhe përjetësisht do të jenë në zjarrin e Xhehenemit. A nuk mjafton ky ajet, t’i kthjellë mendjet njerëzore që të mos zhyten në mëkate? A nuk mjaftojnë të gjitha këto këshilla dhe porosi të Resulullahut s.a.v.s., të shmangemi nga mëkatet shkatërrimtare, të cilat do ta rrëmbejnë mëkatarin në humnerën e përjetshme të skëterrës?! Pse njerëzit vazhdojnë të jenë kryeneçë ndaj mësimeve hyjnore, kur dihet se kjo botë është kaq e shkurtër?!
Pse njerëzit nuk përpiqen të arrijnë gradën e robërve të Allahut, të cilët i Gjithëmëshirshmi i ka ruajtur nga këto të liga dhe prapësi? Pse të dalim të turpëruar para Krijuesit, kur kemi mundësi të dalim faqebardhë para Tij?
Pavarësisht nga të gjitha këto, njerëzit duhet ta dinë se mbikëqyrës i tyre është Allahu, krijuesi i tyre mëshirëplotë, i cili këtyre mëkatarëve megjithatë ua la derën e pendimit të hapur përgjithmonë. Nëse ata pendohen për paudhësitë e tyre, do të gjejnë falje e magfiret. Për këtë bëjnë fjalë ajetet e kaptinës El-Furkan, në vazhdim...

9. Pendimi

"Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë. Ai që është penduar dhe ka bërë mirë, në të vërtetë, ai është kthyer tek Allahu dhe është i pranishëm.” (ElFurkan, 70-71)
Shkaku i zbritjes së ajetit 70 të kësaj kaptine
- Transmetojnë Buhariu dhe të tjerët nga Ibn Abbasi të ketë thënë: Kur zbriti ajeti 68 i kaptinës El-Furkan, disa nga idhujtarët e Mekës (që ishin penduar dhe kishin pranuar Islamin), thanë: “Në të kaluarën kemi mbytur njerëz të pafajshëm dhe pa të drejtë, i jemi lutur (falur) dikujt tjetër e jo Allahut, dhe kemi bërë shumë gjëra të ndyra (amoralitet), a ka shpresë për ne...” dhe si përgjigje zbriti ajeti 70 i po kësaj kaptine: “Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, ...”
Jeta e njeriut në këtë botë është një përgjegjësi e madhe. Kjo krijesë njerëzore duhet ta arsyetojë të qenët krijesë e privilegjuar nga Allahu xh.sh. me vepra e moral të lartë. Por mjerisht, ka shumë prej njerëzve që gabojnë, duke iu shmangur dritës dhe udhëzimit hyjnor. Shumë prej tyre humbin përgjithmonë këtë udhëzim, duke e dërguar vetveten në skëterrë e në humnerat e Xhehenemit, vetëm e vetëm pse ishin rob të epsheve dhe kapricieve të tyre në këtë botë. Por, Allahu i Plotfuqishëm, duke qenë në dijeni për dobësitë e kësaj krijese, megjithatë krahas udhëzimit që e dërgoi në tokë nëpërmjet pejgamberëve të Tij, Ai megjithatë nuk ia mbylli këtij njeriu të gjitha rrugët e shpresës. Ai i la të hapur derën e pendimit, dhe kurdo që njeriu troket në këtë derë të mëshirës dhe kërkimfaljes, do ta gjejë Allahun pranues të pendimit. Pra, njerëzore është të gabosh dhe të pendohesh, e hyjnore është të falësh dhe të pranosh këtë pendim të sinqertë nga njeriu.
Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, ju që e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet
Allahu i fal të gjitha mëkatet.” (EzZumer: 53)
Në ajetet e sipërtheksuara, pamë disa lloje të mëkateve që bëjnë pjesë në mëkatet e mëdha si shirku, mbytja e njeriut të pafajshëm dhe amoraliteti, mirëpo, nëse njeriu pendohet për këto të bëma të këqija të tij, Allahu megjithatë është i Gjithëmëshirshëm dhe Falës. Ai madje ka thënë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i bëhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt të dojë. (En-Nisa’ë, 48)
Ndërsa i Dërguari a.s. ka thëne: ”Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë, e më të mirët prej gabimtarëve janë ata që pendohen.”
Pendimi për çdo mëkat është obligim për çdo njeri. Për të qenë pendimi i pranuar tek Allahu xh.sh., njeriu së pari duhet të largohet nga ai mëkat që ka bërë, duhet të ndiejë thellësisht keqardhje për të dhe duhet të vendosë vendosmërisht që kurrë më të mos përsërisë një mëkat të tillë. Nëse këto gjëra nuk plotësohen, pendimi nuk pranohet.
Dijetarët, për pendimin dhe dobitë e tij, kanë thënë:
1. Allahu xh.sh. gëzohet me pendimin e robit të Tij.
2. Pendimi i shlyen mëkatet dhe penduesi bëhet i barabartë me atë që nuk ka mëkate. Allahu xh.sh. thotë: “Nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar) do t’u falet e kaluara.” (El-Enfal, 38). Kurse Pejgamberi a.s. thotë: “Ai që pendohet nga mëkatet, është sikur ai që nuk ka mëkate.”
3. Pendimi është shkak për të shpëtuar. Allahu xh.sh. thotë: “Pendohuni që të gjithë tek Allahu, o ju besimtarë, në mënyrë që të shpëtoni.” (En-Nur, 31)
4. Pendimi është shkak që Allahu të shtojë bereqetin prej qielli e toke dhe të shtoj pasuritë dhe fëmijët. Allahu xh.sh. thotë: “Unë ju thashë: Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet fal shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk. Ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.“ (Nuh, 10-12)
5. Pendimi e pengon dënimin, sepse i Lartmadhërishmi thotë: “Allahu nuk do t’i dënojë ata derisa ti (Muhamed) të jesh në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t’i dënojë derisa ata kërkojnë falje (istigfar).” (El-Enfal, 33)
Nga të gjitha këto ajete, shohim gatishmërinë e Allahut për të na falur neve, dhe, kur para nesh ende ekziston shpresa për një të nesërme më të mirë, të mos lejojmë veten të bëhemi objekt loje në duart e shejtanit, por, edhe nëse kemi gabuar, të pendohemi menjëherë, sepse pendimi i sinqertë do të na hapë krahekrahë dyert e mëshirës hyjnore...



(vijon)



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)