Robërit e Allahut - Koment i ajeteve 72-73 nga kaptina “El-Furkan” (V)


“(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke ruajtur karakterin e vet. Edhe ata që kur këshillohen me ajetet e (Kur'anit të) Zotit të tyre, nuk ua kthejnë shpinën si të shurdhër e të verbër". (El-Furkan, 72-73)

Koment:

10. Largimi nga dëshmia e rrejshme dhe shmangia nga e keqja

“(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke ruajtur karakterin e vet.
Vazhdojmë të jemi në shoqërinë e robërve të Allahut, të besatuar se nuk do ta tradhtojnë kurrë amanetin e marrë nga i Plotfuqishmi qysh në ezel. Vazhdojmë të përjetojmë çdo çast në shoqërinë e kë- tyre njerëzve të devotshëm, që Allahu i përshkroi si robër të Tij. Dhe nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të jesh rob i Krijuesit, i sinqertë dhe kurdoherë i gatshëm të tregosh në vepër këtë përkushtim ndaj Tij.
Gjithë këta shembuj dhe të gjitha këto cilësi, Allahu xh.sh. nuk i përshkroi kot, po me një qëllim fisnik, që neve njerëzve të rëndomtë të na tregojë e dëshmojë fuqishëm, se çdo njeri që përpiqet të shëmbëllejë me këtë grup njerëzish në vepra e në cilësi, në fakt do të jetë njëri prej tyre. E pra, të shohim se cila është cilësia e radhës e këtyre njerëzve, që Allahu denjoi t’i përmendte në Librin e Tij madhështor, Kuranin fisnik, si robër të Tij. Cilësi tjetër e robërve të Allahut është largimi nga dëshmia e rrejshme.
Ç’kuptim ka në fakt thënia: ”nuk dëshmojnë rrejshëm”?
Mufessirët (komentuesit e Kuranit) në lidhje me këtë, kanë dy mendime: Mendimi i parë nënkupton faktin se robërit e Allahut, për asnjë çmim nuk dëshmojnë rrejshëm në dëm të dikujt tjetër, besimtar a pabesimtar qoftë. Askënd nuk e marrin në qafë, veçse dëshmojnë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ata e dinë mirë se dëshmia e rrejshme është një prej mëkateve më të mëdha, sepse vetë i Dërguari a.s. na e ka tërhequr vërejtjen të largohemi prej këtij mëkati, në një hadith që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebi Bekrete, i cili thotë: Ka thënë i Dërguari i Allahut:
“A t’ju lajmëroj për mëkatet më të mëdha? - tri herë. Ne i thamë, po si jo, o i Dërguar i Allahut. Atëherë ai tha: “Shirku - (t’i bësh Allahut shoq në sundim), mosrespektimi i prindërve...” Duke i thënë këto fjalë, Resulullahu s.a.v.s., siç ishte mbështetur, u drejtua (gjë që tregon për seriozitetin e asaj që do të fliste) dhe tha: “...dhe dëshmia e rrejshme”. Vazhdoi ta përsëriste këtë thënie të fundit disa herë, saqë thamë, ah sikur të pushonte (heshtte), ngase na dhimbsej, sepse ishte shumë i emocionuar (i shqetësuar).”
Ishte praktikë e Pejgamberit a.s. që ndonjëherë të përsëriste tri herë radhazi disa fjalë, për shkak të peshës dhe rëndë- sisë së veçantë, që të na tërhiqte vërejtjen, në mënyrë që ajo fjalë të ngulitej në mendjet dhe zemrat e njerëzve. Myslimani i vërtetë nuk dëshmon rrejshëm, nuk flet gënjeshtra dhe fjalë të paqena. Vetë i Dërguari a.s., kur lutej, thoshte: “O Allah, kërkoj mbrojtje tek Ti që të mos flas fjalë të rrejshme, të mos ngrysem si i pandershëm (gënjeshtar, mëkatar)-(faxhir), dhe të mos jem mendjemadh ndaj Teje.”
Për rrezikun që dëshmia e rrejshme përmban në vete për rrethin, individin dhe shoqërinë, Allahu xh.sh. ka thënë në Kuran:
“...Pra largohuni nga ndytësitë e idhujve dhe largojuni fjalës shpifëse, duke qenë të sinqertë në besimin ndaj Allahut, dhe duke mos i bërë shok Atij...” (El-Haxh, 30,31)
Nëse shtrohet pyetja - pse i është dhënë rëndësi aq e madhe largimit nga ky mëkat, mund të themi se ka shumë arsye. Do të përmendim disa prej tyre:
- Në dëshminë e rrejshme, dëmtohen rëndë dhe shkelen të drejtat e të tjerëve;
- Ndizet hasmëria në mes njerëzve;
- Humb ndërgjegjja njerëzore;
- Zemrat bëhen të pamëshirshme;
- Dëshmia e rrejshme dënon të pafajshmin kurse arsyeton të fajshmin, etj.
Por, robërit e Allahut nuk bëjnë ndonjë gjë të tillë, ata dëshmojnë kur ka nevojë vetëm për të drejtën, vetëm për atë që e kanë parë me sytë e tyre. Ata dëshmojnë nëse është nevoja edhe kundër prindit të tyre, fëmijëve dhe të afërmve.
Për këtë arsye Allahu xh.sh. thotë. “Kur të flisni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit,” (El-En’am, 152)
Pastaj, kur ndonjëri prej robërve të
Allahut thirret për të dëshmuar për diçka, ai nuk heziton, por dëshmon të vërtetën, duke iu përgjigjur urdhrit kuranor: “...Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren...” (El-Bekare, 282).
Ka njerëz që nuk dëshmojnë rrejshëm gjatë dëshmimit, por ka shumë prej tyre që e fshehin të vërtetën, duke qenë kështu shkaktarë të drejtpërdrejtë që të humb haku dhe e drejta e dikujt. A thua sa të drejta janë humbur, sa ndere janë përdhosur, sa gjak është derdhur dhe sa viktima janë shkaktuar mes popujve e njerëzve, vetëm e vetëm pse njerëzit kanë heshtur dhe nuk kanë treguar hakun e të vërtetën?! Prandaj mu për këtë kemi edhe urdhrin kuranor:
“Mos e fshihni dëshminë, sepse ai që e fsheh atë, ai është mëkatar me zemrën e vet, Allahu di atë që veproni.” (El-Bekare, 283)
Dëshmia e sinqertë dhe e drejtë është lartësim i fjalës së Allahut në tokë. Për këtë arsye, robërit e Allahut janë cilësuar me këtë virtyt, se nuk dëshmojnë rrejshëm dhe tregojnë gjithherë të vërtetën, pa lodhur mendjen se do të mund të kenë pasoja për këtë guxim të tyre. Atyre nuk iu intereson pse prishen dhe hasmohen me njerëz, atyre u intereson vetëm të jenë në kënaqësinë e Allahut ndaj tyre dhe asgjë tjetër.
Kurse mendimi i dytë i mufessirëve është se fjalën “nuk dëshmojnë” e nënkuptojnë nga fjala “esh-shuhud” – “dëshmitarë” e jo vetëm dëshmi. Kjo do të thotë se robërit e Allahut nuk prezantojnë në tubime ku flitet dhe dëshmohet rrejshëm. Fjala “Ez-Zur”, sipas tyre ka disa kuptime e ndër to si: shirk (idhujtari), gënjeshtër (rrenë), festim i festave të idhujtarëve, disa si argëtim dhe degjenerim, disa si ulërimë (çirrje) me zë vajtues, disa si alkool etj... Nga kjo shohim se fjala “Ez-Zur” me një fjalë nënkupton të gjitha të këqijat dhe mëkatet, shmangie nga e vërteta dhe afrim nga shkatërrimi dhe çoroditja..
Sipas mufessirit të famshëm Ibn Kethirit, kuptimi i fjalës “Ez-Zur” në kontekstin e këtij ajeti më shumë vjen me kuptim të pranisë në vendet e degjenerimit se sa dëshmisë së rrejshme, sepse pjesa e ajeti që pason, në një mënyrë është edhe komentim i pjesës së parë: “...dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.”
Një ditë, sahabiu i famshëm-Abdullah Ibn Mes’udi kishte kaluar pranë një ahengu ku kishte lojë e këngë dhe as që ishte ndalur. Kur ia përcollën këtë gjë Pejgamberit a.s. kishte thënë: “Abdullah Ibn Mes’udi u gdhi dhe u ngrys si fisnik (me karakter)” e pastaj e lexoi këtë ajet: “...dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.”
Pra, myslimani i vërtetë ka një respekt për kohën që Allahu ia ka lënë në dispozicion. Ai nuk e kalon kohën kot në tubime të degjeneruara, por gjithmonë është vigjilent e syçelë, që të mos bjerë në kurthet e shejtanit. Ai që mashtrohet e bie në këto provokime, ai është i humbur, ndërsa ai që e di misionin e tij të vërtetë për se është krijuar, krahas punës dhe mundit për të fituar në këtë botë, ai nuk e lë anash as punën për jetën e përhershme.
Robërit e Allahut e ndiejnë për detyrim të distancohen nga tubime dhe vende ku flitet keq, ku dëshmohet rrejshëm. Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. thotë: “Dhe kur e dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i kthejnë shpinën dhe thonë: “Ne kemi veprat tona e ju tuajat, qofshi larg nesh, neve nuk na duhen injorantët!” (El-Kasas, 55)
Kjo pra është plotësim i cilësive të robërve të Allahut, të cilat Ai i filloi me fjalët në fillim të komentimit të këtyre ajeteve , “e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: "Paqe!" (Furkan, 63).
Këta janë robërit e Allahut, që, kur injorantët u drejtohen me ndonjë fjalë fyese, thonë paqe, dhe “kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke ruajtur karakterin e vet.”.
Ata më shumë janë të preokupuar me Ahiretin sesa me këtë dynja. Janë të preokupuar me përmirësimin e shpirtit të tyre e jo me shoqërimin e njerëzve të këqij.
Ata’ë Ibn Rebahu, një prej fukahenjve më të mëdhenj në mesin e tabiinëve, thoshte: “Ata që ishin para jush (aludonte ashabët), çdo gjë jashtë fjalëve të Kuranit, synetit të Pejgamberit, urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, përmendjes së Allahut ose fjalëve që janë të domosdoshme në komunikimin e përditshëm në mes njerëzve, i llogarisnin si fjalë të kota, sepse ata e dinin mirë se pranë vetes kishin dy melekë (kiramen katibin), që shënonin çdo vepër të tyre”
Nga kjo shohim se ashabët turpëroheshin që në fletët e veprave të tyre të shënohej ndonjë fjalë tjetër, përveç atyre që kishin të bënin me fenë e Allahut, kurse për ne mbetet që të ndjekim këtë rrugë të tyre, të përpiqemi të stolisim karakterin dhe personalitetin tonë me këto cilësi e virtyte të larta të moralit islam...

11. Veprimet e tyre janë në harmoni të plotë me atë që kërkon Allahu, dhe ata u përgjigjen urdhrave të Tij

“Edhe ata që kur këshillohen me ajetet e (Kur'anit të) Zotit të tyre, nuk ua kthejnë shpinën si të shurdhër e të verbër.”
Kjo është cilësia e radhës e robërve të Allahut, në të cilën shfaqet respekti i madh që këta njerëz ndiejnë ndaj Krijuesit të tyre. Mendjet dhe zemrat, shikimi dhe dëgjimi i tyre janë të hapura dhe të nënshtruara përulësisht ndaj Tij. Ata këto ajete kuranore nuk i hedhin prapa kurrizit, nuk bëhen as të shurdhër e as të verbër ndaj tyre, përkundrazi ata meditojnë për këto shenja të mëdha të Allahut dhe në zemrat e tyre ka qetësi shpirtërore.
Mirëpo, çfarë kuptimi ka fjala “Ajat” në këtë rast?
Ajetet (argumentet) e Allahut janë dy llojesh:
1. Ajete (argumente-shenja) në gjithësiekzistencë
2. Ajete të zbritjes kuranore
Në llojin e parë përfshihen të gjitha shenjat-argumentet e Allahut në këtë ekzistencë, që i shohim e që nuk i shohim, argumentet qiellore, trupat qiellorë, argumentet në vetveten (trupin) tonë, ndryshimi i ditës dhe i natës etj..., Në lidhje me këto argumente, sa për ilustrim do të sjellim vetëm një ajet, në të cilin i Madhërishmi thotë: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës e ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.” (Ali-Imran, 190)
Ata që nuk i shikojnë të gjitha këto argumente dhe nuk meditojnë për to, ata janë vërtet të verbër e të shurdhër. Zemrat e tyre përfundimisht i ka pllakosur ndryshku i kufrit. Ata thjesht janë të privuar nga kënaqësia e meditimit në madhështinë krijuese të Allahut xh.sh..
Ndërsa në llojin e dytë të ajeteve (shenjave, argumenteve), nënkuptojmë ajetet e shpalljes që Allahu ua zbriti pejgamberëve nëpër kohë e shekuj, e të cilat i përmbylli me Librin e fundit, Kuranin famëlartë.
Allahu xh.sh. në këtë mënyrë u shfaqet krijesave të Tij, nëpërmjet fjalëve të Tij, në formë të ajeteve, që janë dritë dhe udhëzim për ata që ndjekin këtë dritë hyjnore.
Allahu në Kuran, në lidhje me këtë, thotë: “...Ky (libër) është udhëzim i Allahut, me të udhëzon atë që do. E atë që Allahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.” (Ez-Zumer, 23)
Në fjalët që Allahu i zbriti njerëzimit në formë të ajeteve (verseteve), gjejmë cilësitë e Tij, emrat e Tij të bukur, cilësitë e besimtarëve dhe të pabesimtarëve, argumente për historinë e popujve të kaluar, për Xhenetin dhe Xhehenemin, premtimin dhe kërcënimin hyjnor, urdhëresa dhe ndalesa për njerëzit, urtësi të shumta dhe sqarim në lidhje me dispozitat e besimit. Allahu në Kuran thotë: “...Ne ta shpallëm ty librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe përgëzim për muslimanët.” (En-Nahl, 89)
Ky pra është Kurani famëlartë, Fjalë e Allahut, që zbriti dhe sfidoi mendjet njerëzore, dhe vazhdon t’i sfidojë ato deri në Ditën e Gjykimit.
Çdo njeri që në mënyrën e vet i qaset, e përjeton dhe e hulumton Kuranin, e pranon atë fuqi të fshehtë, magjepsëse e tërheqëse, e cila e karakterizon Fjalën e Allahut. Besimtarët e sinqertë në të gjejnë ushqimin e tyre shpirtëror, ftesën, programin dhe ardhmërinë, ndërsa pabesimtarët në të hasin befasinë, habitjen dhe paaftësinë e tyre për ta imituar.
Kurani është mrekullia më e madhe e Muhammedit a.s. Përderisa pejgamberët e mëhershëm kishin mrekulli lëndore, me të cilat duhet t’i bindnin popujt e tyre se ishin vërtet pejgamberë, dhe këto mrekulli tashmë janë pjesë e historisë së kaluar, mrekullia e Kuranit vazhdon dhe do të vazhdojë deri në momentet e fundit të jetës në këtë tokë, sepse është mrekulli në çdo aspekt, shkencor qoftë, letrar, juridik, historik etj..
Ai që e dëgjon këtë Kuran edhe vetëm pak çaste, i çliruar nga çdo ndjenjë e urrejtjes dhe e mostolerancës, s’ka si të mos mahnitet nga madhështia e tij tërheqëse.
- Këtë Kuran e kishin dëgjuar idhujtarët mekas dhe ishin mahnitur nga fuqia depërtuese e fjalëve të tij, që ata megjithatë refuzonin t’i quanin hyjnore, por e pranonin se nuk mund të ishin as fjalë njerëzore e as të xhinëve.
- Këtë Kuran e kishin dëgjuar edhe xhinët dhe kishte ndikuar që një pjesë e madhe e tyre të udhëzohej: “Thuaj: "Mua më është shpallur se një grup i vogël nga exhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur'anin) dhe (kur u kthyen tek të vetët) thanë: "Ne kemi dëgjuar një Kur'an që mahnit, që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t'i shoqërojmë më askënd". (El-Xhinn, 1-2)
- Këtë Kuran e dëgjuan edhe të krishterët e Abisinisë dhe ajetet e lexuara ua mbushën atyre sytë me lot. Nga ky lexim një pjesë e madhe e tyre, përfshirë edhe mbretin Nexhashi, i besuan Fjalës së Allahut: “Kur e dëgjojnë atë që i është zbritur të dërguarit (Kur'anin), prej syve të tyre rrjedhin lot, ngase e kanë kuptuar të vërtetën dhe thonë: "Zoti ynë, ne kemi besuar, pra na regjistro ndër ata që dëshmojnë (ndër Ymetin e Muhamedit).” (El-Maide, 83)
- Këtë Kuran sot e dëgjojnë edhe miliona myslimanë në botë, dhe një grupi prej tyre, kur i dëgjojnë ajetet e tij, zemrat u rrëqethen, sytë u lotojnë dhe u shtohet imani e devotshmëria: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve, kur përmendet Allahu, u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm tek Zoti i tyre.” (El-Enfal, 2)
Këta besimtarë e përjetojnë Kuranin si një dhuratë nga ana e Allahut dhe shërim për zemrat e tyre, kurse pabesimtarëve dhe atyre që kanë urrejtje ndaj tij, u shton vetëm humbje dhe dëshpërimin: “Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.” (El-Isra’ë, 82)
Pra, ky është Kurani, Fjala e Allahut, të cilën “robërit e sinqertë e të devotshëm të Allahut” nuk e hedhin prapa kurrizit, por punojnë me të, e lexojnë dhe, nga leximi e meditimi i tyre, u rrëqethen zemrat dhe u lotojnë sytë. Por a thua, ku jemi ne në raport me Kuranin? A jemi vërtet të denjë të quhemi robër të Allahut?! A jemi prej këtyre grupeve të përmendura në ajetet e mëparshme?
Ibn Abbasi, gjatë një këshille drejtuar besimtarëve, pati thënë: ”Kur ndonjëri prej jush të lexojë ajetin e sexhdes në kaptinën El-Isra’ë (ajeti 107), mos u ngutni me sexhde derisa të mos qani, e nëse sytë e ndonjërit prej jush nuk lotojnë, atëherë le të qajë të paktën zemra e tij.
Besimtari i vërtetë, me Kuranin duhet të jetë zemërhapur, mendjehapur, veshëhapur dhe të bashkëveprojë me të. Kur ta lexojë atë, ta lexojë me përulësi, siç i ka hije një robi të Allahut, e të mos e lexojë me lexim hipokriti, vetëm sa për sy e faqe: Besimtari i vërtetë duhet t’u ngjasojë robërve të Allahut që meditojnë dhe veprojnë sipas Kuranit, sepse vetëm ata e njohin madhështinë e Tij.
A nuk thotë Allahu xh.sh në Kuran: “Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.” (El-Hashr, 21).
Besimtari i vërtetë nuk duhet që në, zemrën e tij të ketë mendjemadhësi, as nuk duhet të jetë i shkujdesur ndaj urdhrave të Allahut, sepse jeta është shumë e shkurtër dhe mundësia për të kompensuar të kaluarën shumë e ngushtë dhe e vogël.
Pra, le të jetojmë edhe ne çastet e robërve të Allahut duke lexuar, studiuar Kur’anin me mendje dhe me zemër, e jo vetëm me sy, sepse nesër ne do të pyetemi për këtë para Allahut, dhe Kur’ani ose do të jetë dëshmitarë për ne ose kundër nesh. Frikësohemi se ky Kur’an nesër do të dëshmojë kundër nesh para Allahut duke thënë: “O Zoti Im. Këta njerëz më injoruan dhe më lanë pas dore. Këta në fakt i zunë (mësuan) përmendsh shkronjat e mia (hifz), por nuk iu përmbajtën urdhëresave të mia”.
Kemi frikë se edhe Resulullahu s.a.v.s. do të dëshmojë kundër nesh me fjalët që janë mishëruar në Kuran kundër idhujtarëve: “E i dërguari tha: “O Zot im, vërtet populli im e konsideroi këtë Kur’an si (diçka) të hedhur (të lënë pas dore-injoruar)!” (El-Furkan, 30) duke aluduar faktin se një pjesë e Ymetit tim lexonte Kuran, por nuk e praktikonte atë në punë dhe vepra. Më shumë e lexonin për të vdekur sesa të praktikonin urdhëresat e tij për të gjallët.
E që të mos ndodhë kjo gjë, ne duhet t’i kthehemi realitetit të Kuranit, për të kuptuar se ky Libër është udhëzim për të gjallët dhe për ata që kanë mendje e logjikë të shëndoshë, kurse për të vdekurit, janë duatë, nëpërmjet të cilave i lutemi Allahut t’i ketë mëshiruar ata.
Ndërsa ne të gjallët, E lusim të Gjithë- mëshirshmin të na udhëzojë në rrugën e Tij për të ndjekur shtegun e dritës së Tij të përjetshme, e cila shpie në Xhenetin e amshueshëm...


- vijon -



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)