Robërit e Allahut - Koment i ajeteve 74-77 nga kaptina “El-Furkan” (VI)

“Edhe ata që thonë: "Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bëj shëmbëlltyrë (dhe prijatar) për të devotshmit".
Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë (xhennet) dhe aty priten me përshëndetje të selamit.
Aty janë përgjithmonë, e sa vendqëndrim dhe vendbanim i mirë është ai. Thuaj: "Zoti im as nuk do të kujdesej për ju, sikur të mos ishte lutja juaj (kur gjendeni në vështirësi, ose sikur të mos ishit të thirrur të besoni), e ju përgënjeshtruat, andaj dënimi do t'ju jetë i pandërprerë". (El-Furkan, 74-77)

KOMENT:

12. Lutja (kërkesa) drejtuar Allahut për të qenë të kënaqur me familjet dhe
pasardhësit e tyre dhe të qenët prijës i të devotshmëve Edhe ata që thonë: "Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bëj shëmbëlltyrë (dhe prijatar) për të devotshmit".
Vazhdojmë të rifreskojmë zemrat tona me cilësitë e robërve të Allahut. Dhe ja ku jemi tek cilësia e tyre e fundit e sqaruar me aq urtësi në këto ajete të kaptinës El-Furkan. Dhe kjo cilësi nënkupton faktin se robërit e vërtetë të Allahut, i drejtohen Atij me përulësinë dhe nënshtrimin e robërve të devotshëm duke kërkuar qetësi, prehje të syrit dhe të zemrës e kënaqësi shpirtërore në familjet e tyre, që nënkupton gratë dhe fëmijët. Kërkojnë nga i Lartmadhërishmi që ata të jenë në rrugën e Tij, në rrugën e të devotshmëve dhe të atyre që kanë dronë e Allahut, ndërsa pas kësaj lutjeje pason lutja më madhështore dhe e fundit: “...Na bëj neve shëmbëlltyrë (dhe prijatar) për të devotshmit”.
Ky është kulmi i devotshmërisë, ky është piedestali më i lartë që duhet të synojë një rob i Allahut; të jetë prijës, shembull dhe pasqyrë e të tjerëve. Kjo është cilësia e fundit që jemi duke e komentuar prej cilësive të robërve
të Allahut, në të cilën pasqyrohet përulësia e tyre, sepse nga Allahu nuk kërkojnë ndonjë prej kënaqësive të kësaj botë por kërkojnë vetëm që Allahu t’ua udhëzojë familjet e tyre, gratë, fëmijët, nipërit e mbesat në rrugën e drejtë, sepse ky udhëzim, për ta do të jetë prehje shpirtërore, gëzim dhe kënaqësi për zemrat dhe sytë e tyre.
Nga Kura’ani famëlartë mësojmë se njerëzit nëpër kohë e shekuj kanë bërë lutje e dua të ndryshme. Disa kanë qenë dua për të mirat e kësaj botë, për çka Allahu më pastaj i ka qortuar se në Ahiret nuk do të kenë kurrfarë të mire, kurse disa të tjerë kanë kërkuar të mira edhe në këtë botë edhe në Ahiret.
Të shohim këto dua të tyre në prizmin e ajeteve kuranore.
- Disa njerëz që janë të pangopur me këtë dynja, kërkuan nga Allahu vetëm kënaqësinë e kësaj bote: “...Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë”! Për të nuk ka asgjë në botën tjetër” (El-Bekare, 200) kurse besimtarët u lutën: “E, ka prej tyre të tillë që thonë: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr”!” (El-Bekare, 201)
Nga kjo shohim se grupi i parë është i qortuar dhe i pavetëdijshëm për mangësinë e lutjes së tyre, sepse ai që privohet nga të mirat e Ahiretit, ai vërtetë është i humbur përgjithmonë, kurse grupi i dytë kërkuan nga të mirat e kësaj botë po edhe të Ahiretit dhe ata janë të lumtur edhe në këtë edhe në botën tjetër.
- Në anën tjetër shohim dijetarët e thelluar në meditime rreth madhështisë së asaj që ka krijuar Allahu xh.sh. tek thonë: “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”. (Ali Imran, 8)
- Ata që logjikuan me mendje të shëndoshë dhe janë të bindur për jetën e përhershme dhe kënaqësitë e Ahiretit u lutën: “Zoti ynë, na i falë mëkatet tona, na i mbulo të metat dhe pas vdekjes na bashko me të mirët! Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarve Tu, na e premtove dhe në ditën e kiametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!” (Ali Imran, 193-194)
- Djelmoshat e shpellës (ashabul kehf) kur arritën besimin e plotë iu drejtuan Allahut me këtë lutje: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” (El-Kehf, 10
- Ndërsa Ibrahimi a.s. ashtu siç ishte i devotshëm, për se e meritoi të quhej edhe mik i Allahut (halilullah) u lut: “O Zoti im! Më bën mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi dhe pranoje lutjen time o Zoti ynë! Zoti ynë! Më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria”. (Ibrahim 40-41)
Nga këto lutje e dua, shohim edhe thelbësoren e duave të këtyre njerëzve të devotshëm, ndërsa robërit e Allahut, duke vazhduar këtë shteg të ndritur të devotshmërisë së pari luten që Allahu t’i mbrojë nga ndëshkimi me zjarr: "Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e xhehenemit, e s'ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e rëndë". (ElFurkan, 65)
Kurse tash në lutjen e dytë luten që i Gjithëmëshirshmi t’ua qetësojë zemrat, shpirtin dhe sytë e tyre duke qenë të kënaqur me familjet e tyre, gratë, bijtë, bijat, nipërit dhe mbesat: "Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë..."
Këta robër të vërtetë të Allahut nuk kërkuan pasim të ndonjë epshi, e as pasuri të kësaj bote, por kërkuan që Allahu t’i udhëzojë familjet e tyre në rrugën e drejtë.
Këtu pashmangshëm duhet të rikthehemi në zymtësinë e përditshmërisë sonë dhe të bëjmë pyetje: A thua sa prej nesh, (baballarëve dhe nënave) bëjmë dua të tillë? Sa prej nesh kujdesemi që fëmijët tanë të mos shkojnë rrugëve të këqija të degjenerimit?
Sa prej baballarëve interesohen sot se ku e kanë djalin apo vajzën deri në orët e vona të pas mesnatës?
Ah sa zhgënjim i madh për ne kur shohim restorantet dhe kafiteritë tek gumëzhijnë nga klithjet histerike dhe të qeshurat e marra të të rinjve tek dehen nën tingujt e këngëve të degjeneruara duke cakërruar gotat e alkoolit, apo duke marrë dozat e drogës nën tavolina. Edhe më tragjike se kjo, janë arsyetimet e disa prindërve tek thonë: këta janë të rinj, kanë nevojë për argëtim, ose kështu po veprojnë të gjithë, përse të jenë fëmijët e mi përjashtim, kështu është trendi i ri i kulturës perëndimore etj., etj.?!
A janë duke harruar këta prindër të mjerë, se nesër do të jetë vonë për t’i nxjerrë bijtë tyre nga gremina e drogës dhe vartësia e saj. A janë të verbër e nuk shohin se ardhmëria e tyre do të jetë e zezë. Ata do të bëhen rob të epsheve dhe të narkotikëve. A nuk mendojnë këta prindër se çfarë do t’i kontribuojë nesër fëmija i tyre kësaj shoqërie, e cila shoqë- ri pret prej tij që të jetë një qytetar i ndërgjegjshëm e dinjitoz, që do të punojë për të mirën e vendit të tij.
Përse këtë prindër nuk denjojnë të marrin shembull robërit e Allahut tek i luten me përulësi Allahut fuqiplotë që t’u dhurojë kënaqësi e prehje në pasardhësit e tyre. Përse??!
Sepse zemrat e tyre janë të verbra e veshët e tyre të shurdhër. Ata nuk mund të dalin dot nga kornizat e rrugës në të cilën i ka gozhduar shejtani.
Ata nuk i përgjigjen dot thirrjes së Allahut që kërkon nga ta të pendohen e të përudhen në rrugën e drejtë, por vazhdojnë të injorojnë faktin se kjo botë megjithatë është kalimtare dhe se një ditë ata vërtetë do të pendohen, por do të jetë shumë, shumë vonë...
Për këtë arsye, çdo prind e ka detyrë të edukojë siç duhet fëmijën e tij, që nesër kur ai fëmijë të rritet, të dijë të respektojë prindin e tij në pleqëri, e jo t’i bërtasë a ta maltretojë siç ndodh shpesh herë në ato familje, ku ka humbur mëshira dhe arsyeja njerëzore. “e neve na bëj shëmbëlltyrë (dhe prijatar) për të devotshmit"
Jemi në pjesën e fundit të ajetit 74 të kaptinës El-Furkan, në pjesën ku shpërfaqen në mënyrën më madhështore devotshmëria, përulësia dhe nënshtrimi ndaj Allahut, kur robërit e Allahut me modesti kërkojnë nga i Lartmadhërishmi, që ata t’i bëjë shembull për të devotshmit. Kërkojnë nga Allahu që veprat e tyre të jenë dritë udhëzimi për të humburit, Kërkojnë që të jenë prijatarë në të mirë për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin rrugën e tyre që shkëlqen nga nuri i imanit
Kjo cilësi, pashmangshëm na rikthen edhe njëherë në fillimin e ajeteve që i kemi komentuar deri më tash, për të rinumëruar sërish këto cilësi të robërve të Allahut, kulmi i të cilave është kërkimi nga Allahu që këta të jenë shëmbëlltyrë për të tjerët dhe prijatar në mirësi e besim.
Cilësitë e robërve të Allahut të shprehura në ajetet e komentuara deri më tash ishin: Përulësia-modestia, butësia-dhembshuria, të falurit e namazit të natës, frika nga zjarri i xhehenemit, maturia në shpenzime, njëshmëria (të besuarit vetëm në Zotin një), largimi nga vrasja dhe respektimi i jetës, largimi nga kurvëria (laviriteti), pendimi, largimi nga dëshmia e rrejshme dhe shmangia nga e keqja, veprimet e tyre janë në harmoni të plotë me atë që kërkon Allahu, lutja (kërkesa) drejtuar Allahut për të qenë të kënaqur me familjet dhe pasardhësit e tyre, dhe në fund të qenët shëmbëlltyrë dhe prijës i të devotshmëve.
Ata njerëz që posedojnë të gjitha këto cilësi, ata vërtetë janë të denjë të hyjnë në radhët e robërve të Allahut, dhe të jenë prijës e shëmbëlltyrë për të devotshmit, sepse janë modest, të mëshirshëm, të butë dhe të sjellshëm. Ata falin namaz të natës duke e ngritur veten shpirtërisht, duke i lutur Allahut me lot në sy që t’i ruajë nga ndëshkimi i zjarrit, nuk janë plëngprishës në pasuri por të matur në shpenzime, duke shpenzuar vetëm në rrugën e Allahut. Besimi i tyre është i patundshëm në Allahun një, ata nuk vrasin njeri të pafajshëm dhe respektojnë jetën e secilës krijesë. Largohen nga të shëmtuarat dhe amoraliteti. Ata pendohen për ndonjë lëshim apo gabim të tyre, duke qarë e kërkuar falje nga i Gjithë- mëshirshmi; ata largohen nga dëshmia e rrejshme dhe nga çdo e keqe, dhe, çdo veprim i tyre është në përputhje me rregullat që Allahu ka përcaktuar për besimtarët. Dhe në fund, lutja e tyre është që të jenë të kënaqur edhe me familjet e tyre, të jenë shpirtërisht të qetë se pasardhësit e tyre do ta ndjekin udhëzimin hyjnor, për të kulmuar me lutjen që Allahu xh.sh. t’i bëjë ata shëmbëlltyrë dhe prijatar të të devotshmëve e njerëzve të mirë.
Duke u ndërlidhur me cilësitë që duhet t’i ketë robi i sinqertë i Allahut dijetarët kanë numëruar edhe disa nga shenjat e kënaqësisë së Allahut ndaj njeriut që janë:
1. Nëse njeriu është i devotshëm në këtë botë dhe dëshirues i Ahiretit.
2. Nëse preokupimi kryesor i tij është adhurimi (ibadeti) dhe leximi i Kur’anit.
3. Nëse flet pak dhe largohet nga ajo që s’ka dobi prej saj e as nevojë për të.
4. Nëse është i kujdesshëm dhe i rregullt në pesë kohët e namazit.
5. Nëse pasuria e tij, qoftë ajo pak apo shumë, është e pastër nga dyshimet dhe harami.
6. Nëse shoqërohet me njerëz të devotshëm.
7. Nëse është modest dhe jo mendjemadh.
8. Nëse është bujar, zemërgjerë, dorëlirë e fisnik.
9. Nëse është i mëshirshëm ndaj krijesave të tjera të Allahut, dhe
10. Nëse gjithmonë përkujton momentin e vdekjes.
Cilësitë e tilla me të cilat Allahu është i kënaqur ndaj besimtarëve janë të panumërta, por ne u mjaftuam vetëm me disa prej tyre, sa për të rikujtuar se ne vazhdimisht jemi nën mbikëqyrjen e Allahut xh.sh. për veprat që i bëjmë në këtë botë.

Shpërblimi i robërve të Allahut

Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë (xhennet) dhe aty priten me përshëndetje të selamit. Aty janë përgjithmonë, e sa vendqëndrim dhe vendbanim i mirë është ai. (El-Furkan, 75-76)
Pasi që Allahu xh.sh. i dalloi këta njerëz nga të tjerët duke i quajtur “robër të Tij”, Ai sigurisht se këta njerëz të devotshëm i ka dalluar edhe në jetën tjetër. Ky ajet shpjegon më së miri se shpërblimi meritor për ta do të jetë xhenneti, ku do të hyjnë të përshëndetur nga melaiket dhe në këtë xhennet do të shijojnë kënaqësitë e tij të paimagjinueshme, ngase edhe vetë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Në Xhennet do të ketë gjëra që syri i njeriut kurrë s’i ka parë, as veshi i njeriut kurrë s’i ka dëgjuar dhe as që ndonjë mendje njeriu mund t’i ketë imagjinuar.”
Ata në këto kopshte të Xhennetit do të jenë përherë, sepse me veprat e tyre në këtë botë e merituan shpërblimin e Allahut mëshirëplotë.

Ndëshkimi i pabesimtarëve

“Thuaj: "Zoti im as nuk do të kujdesej për ju, sikur të mos ishte lutja juaj (kur gjendeni në vështirësi, ose sikur të mos ishit të thirrur të besoni), e ju përgënjeshtruat, andaj dënimi do t'ju jetë i pandërprerë". (El-Furkan, 77)
Në këtë pjesë të ajetit të fundit të kë- saj kaptine El-Furkan, Allahu xh.sh. shfaq gjendjen e mjerueshme e të pashpresë të pabesimtarëve, të cilët përgënjeshtruan çdo thirrje të Allahut duke shpresuar se vetëm kjo botë ishte vend i kënaqësive. Ata harruan se kjo botë është kalimtare dhe se jeta ikën shumë shpejt, sa hap e mbyll sytë. Allahu xh.sh. këta pabesimtarë, ndonëse nuk i besuan, i furnizoi me rrësk, u dha pasardhës dhe i la të lirë të jetojnë në këtë botë ashtu siç duan. Ai u dërgoi kohë pas kohe pejgamberë për t’i thirrur në besim, por ata refuzuan. Dhe tash kur shfaqet para nesh tabloja e Ahiretit, shohim se Allahu xh.sh dialogon me këtë grup njerëzish duke u thënë se ju vetë e zgjodhët këtë rrugë, prandaj shijoni ndëshkimin e përjetshëm si rezultat i veprave të juaja të shëmtuara. Xhehenemi do të jetë vendbanimi juaj i përhershëm, prandaj shijoni tmerrin dhe llahtarinë e refuzimit dhe kryeneçësisë suaj.

Në vend të përfundimit

Nga ajetet e komentuara të kaptinës el-Furkan, pamë madhështinë e robërve të Allahut, të atyre që ia kanë dhënë besën Krijuesit të tyre se do të jenë të paluhatshëm në rrugën e Tij deri në Ditën e Gjykimit. Duke u nisur nga fakti se muslimanët duhet të përpiqen të arrijnë këtë shkallë të nderit e të devotshmërisë, e lusim Allahun të na ndriçojë shtigjet e udhëzimit dhe të na bëjë prej këtij grupi të shpëtuar e të respektuar.

- Fund –

___________________
Literatura e shfrytëzuar:

1. “Xhamiul bejan an te’vili ajil Kur’an” Tefsiri i Taberiut , Medinë, 2000.
2. “Mefatihul Gajb” Fahru Rrazi, Bejrut, pa vit botimi
3. “Tefsirul Kur’anil Adhim“ Ibn Kethir, Medinë 1999.
4. “Fet’hul Kadiir” Imam esh-Shevkani, Mensure (Egjipt) 1994.
5. “El-Kesh-shaf” - Tefsiri i Zemahsheriut, Kajro, 1308 h
6. “Envaru-tenzili ve esraru-t-te’ëvili”, - Tefsiri i Bejdaviut, Bejrut 1996.
7. “Fi Dhilalil Kur’an” - Tefsiri i Sejjid Kutbit, Bejrut - Kajro 1987 (botimi i 13)
8. Tefsiri i Muhammed Mutevel-li Sha’raviut (Kopje elektronike www.elsharawy.com)
9. “Et-Tahriru ve et-Tenviru” - Tefsiri i Ibn Ashur
10 “El-Vesiit” - Tefsiri i Muhammed Sejjid Tantaviut, (Kopje elektronike nga “El-Mektebetu esh-Shamile”).
11. “Ruhul Meani...” - Tefsiri i Alusit – Bejrut, pa vit botimi
12. Tefsiri i Kattanit (Kopje elektronike nga “ElMektebetu esh-Shamile”)
13. “Ejseru-t-Tefasiir” – Ebu Bekr el Xhezairi, Medinë, 1997.
14. “Tefsir Ebi Suud” – (Kopje elektronike nga “El-Mektebetu esh-Shamile”)
15. “Advaul Bejan li esh-Shenkiti” – (Kopje elektronike nga “El-Mektebetu esh-Shamile”)
14. Dr. Jusuf el Kardavi “Hutab esh Shejh el Kardavi”, vëll. II. Bejrut, 2000.

Web faqe:
www.altafsir.com
www.saaid.net
www.almoslim.net
www.ebad-alrhman.com
www.islamonline.net
www.islamway.com (ligjëratë audio nga Imam Xhabir Abdul Hamid)
http://www.islamicfinder.org/articles/article.php?i d=1012&lang=arabic
www.elsharawy.com



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)