Largimi nga jobesimtarët për shkak të mendjemadhësisë së tyre
Kaptina “El Kalem” është kaptinë mekase. Transmetojnë Nehhasi, Ibën Merduvije dhe Bejhekiu nga Ibën Abasi, të ketë thënë: “Ka zbritur kaptina (Nun, vel Kalemi) në Mekë. Ibën Merduvije e përcjell këtë mendim edhe nga Aisheja.1
Kjo kaptinë ka gjithsej 52 ajete, 300 fjalë dhe 1256 shkronja(2)
Ka zbritur pas sures “El Alek” dhe para sures “El Muddethir”, ndonëse dijetarët nuk janë të gjithë në ujdi nëse kjo sure ka zbritur e dyta, e treta apo e katërta. Ne, megjithatë, duke u bazuar në transmetimet më të besueshme, jemi përcaktuar për mendimin që kjo sure ka zbritur e dyta. Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 68, kurse në radhitjen e zbritjes është e 2-ta.(3)
Emërtimi i kësaj kaptine
Emërtimi më i njohur i kësaj sureje është“El Kalem”. Me këtë emër është radhitur nëpër Mus’hafe, nëpër librat e tefsirit dhe të hadithit. Arsyeja e emërtimit të kësaj sureje me emrin “El Kalem”-“Lapsi”, vjen si shkak i madhështisë dhe rëndësisë së “lapsit”, të cilin sipas disa transmetimeve profetike, Allahu xh.sh., e ka krijuar më së pari, duke e urdhëruar që të shkruajë përcaktimet për secilën krijesë. Allahu xh.sh. është betuar në “Lapsin” qysh në ajetin e parë të kësaj sureje: “Nun, betohem në penën dhe në atë çka shkruajnë!”(4)
- Emërtimi i dytë i kësaj sureje është“Suretu Nun vel Kalemi”, me të cilin emërtim është njohur edhe nëpër disa libra të tefsirit. Arsyeja e këtij emërtimi është po ashtu ajeti i parë i kësaj kaptine.
- Ndërsa, emërtimi i tretë i sures është “Suretu Nun”, në bazë të shkronjës së parë simbolike me të cilën fillon kjo sure: “Nun”. Me këtë emër e kanë radhitur Taberiu, Zemahsheriu, Nesefiu, Shevkaniu, Alusiu, Tirmidhiu, El Bukai, e të tjerë.(5)
Vlera e kësaj kaptine
Lidhur me vlerën e kësaj kaptine, nuk ka ndonjë hadith eksplicit, përveç që kjo sure bën pjesë në mesin e sureve të quajtura “El Mufassal”, me të cilat sure i Dërguari ynë, Muhamedi a.s. është nderuar ndaj pejgambereve të tjerë. Në lidhje me këtë, transmetohet nga Vathilete ibnul Eskaë el Lejthi, të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Më është dhënë në vend të Tevratit, shtatëshja, (suret nga El Bekare e deri te El Enfal ose Et Tevbe); më janë dhënë në vend të Zeburit, “El Miejn” - njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete); më janë dhënë në vend të Inxhilit “El Methani” - (suret që kanë më pak se 100 ajete), ndërsa jam nderuar (ndaj të dërguarve të tjerë) me suret “El Mufassal” (nga sureja Kaf, e është thënë nga El Huxhurat, deri te En Nas).”(6)
Shkaku i zbritjes së sures
Sipas Imam Kurtubiut, pjesa më e madhe e kësaj kaptine, ka zbritur për Velid ibnul Mugiren dhe Ebu Xhehlin, të cilët nuk pranin së shpifuri për të Dërguarin e Allahut se ishte i çmendur, i sëmurë, magjistar etj. Gjatë komentimit të sures, do të njihemi më për së afërmi me shkaqet e zbritjes të disa ajeteve të kësaj sureje: 2, 4, 10, 11, 17 dhe 51.
Lidhshmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “El Mulk”
Fillimi i kësaj kaptine ka një lidhshmëri të qartë me përfundimin e sures paraprake. F.v. në ajetin 29 të sures “El Mulk”: “Thuaj: “Ai është Mëshiruesi, Atij i kemi besuar dhe vetëm tek Ai jemi mbështetur, kurse ju do ta kuptoni se kush njëmend është ai i humburi!” shihet haptazi kërcënimi dhe zbulimi i paudhësive të jobesimtarëve, të cilët janë quajtur të humbur, kurse tash në këtë sure, në ajetet 5-7: “Më vonë ti do të shohësh, e edhe ata do të shohin. Se cili prej jush është i çmendur? S’ka dyshim se Zoti yt është Ai që e di më së miri se kush është ai që ka humbur prej rrugës së Tij dhe Ai e di më së miri për të udhëzuarit.”, vërtetohen katërçipërisht kuptimet e ajetit 29 nga surja “El Mulk”, se cili grup do të jetë i humbur dhe cili i udhëzuar dhe i shpëtuar nesër në Ahiret.
Në suren paraprake “El Mulk”kemi paraqitjen e disa pamjeve të Ditës së Gjykimit. Në ajetet 6-8 të kësaj sureje thuhet:“Dënimi në xhehenem është edhe për ata që nuk i besuan Zotit të tyre; sa vend i keq është ai! Kur të hidhen në të, ata do t’ia dëgjojnë atij ushtimën e ai vlon. Nga zemërimi, ai gati copëtohet. Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: “A nuk ju pat ardhur juve ndonjë pejgamber (qortues)?”
Ndërsa tash në suren “El Kalem” në ajetet 42-43 kemi po ashtu përshkrimin për jobesimtarët, kur ata të përbuzur e të nënçmuar do të thirren për të bërë sexhde, dhe nuk do të munden: “(Kujto) Ditën kur ashpërsohet çështja deri në kulm (në kiamet), e ata do të ftohen për të bërë sexhde, po nuk munden. Shikimet e tyre janë të përulura dhe ata i kaplon poshtërimi, kur dihet se ata kanë qenë të ftuar të bëjnë sexhde sa ishin të shëndoshë (e ata talleshin).”
Në të dyja suret hasim pyetje nëpërmjet të cilave vihet në pah paaftësia e jobesimtarëve si dhe nënçmimi ironik ndaj tyre. Në suren “El Mulk”, ajetet 20-22: “Kush është ajo ushtri juaja që do t’ju ndihmojë, pos Mëshiruesit? Është e vërtetë se jobesimtarët gjenden në një mashtrim të madh. Kush është ai që ju ushqen, po qe se Ai ua ndërpret furnizimin e vet? Jo, askush, por ata vazhdojnë me arrogancë e kundërvënie. A është më i udhëzuar ai që ec i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ec në pozicion qëndrues rrugës së drejtë?”
Tash në suren “El Kalem”në ajetet 35-39, thuhet: “A do t’i bëjmë kriminelët të barabartë me myslimanët? Ç’është me ju, si gjykoni ashtu? A mos keni ndonjë libër, e prej tij mësoni? E ju do të keni atje çka të dëshironi? A mos keni ndonjë zotim të fortë prej Nesh që vazhdon deri në kiamet, se do ta arrini atë që dëshironi?”
- Në të dyja suret hasim në pamje të pendimit të vonuar, i cili nuk iu bën më dobi njerëzve. P.sh. në suren “El Mulk” në ajetet 8-10: “Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: “A nuk ju pat ardhur juve ndonjë pejgamber (qortues)?” Ata thonë: “Po, na erdhi pejgamberi, por ne e përgënjeshtruam dhe ne u thamë: “Allahu nuk shpalli asgjë, e ju nuk jeni tjetër vetëm se në një humbje të madhe!”, dhe thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit”., tash në suren “El Kalem”, ajetet: 30-32, kemi rastin e pronarëve të kopshtit, të cilët ishin koprracë dhe ndaluan mirësinë ndaj të varfërve, prandaj Allahu xh.sh. ua shkatërroi tërë kopshtin dhe punën e tyre: “Dhe u kthyen e po e qortojnë njëritjetrin. Thanë: “Të mjerët ne, vërtet ne ishim jashtë rrugës!” Shpresohet se Zoti ynë do të na e zëvendësojë me ndonjë edhe më të mirë se ai; ne vetëm tek Zoti ynë mbajmë shpresën.”
- Imam Sujutiu në lidhje me një përputhshmëri tjetër ndërmjet dy sureve thotë: “Kur Allahu xh.sh. në suren El Mulk në ajetin e fundit, të 30-të, ka shfaqur kërcënimin lidhur me ndalimin dhe humbjen e ujit në thellësitë e tokës, për ata që janë mosmirënjohës ndaj dhuntive të Tij: “Thuaj: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t’ju sjell ujë mbitokësor (burimor)?”, tash në suren “El Kalem” tregon se si ua shkatërroi kopshtin njerëzve mosmirënjohës, duke bërë që kopshti të zhdukej tërësisht, saqë të nesërmen pronarët e kopshtit u çuditën dhe menduan se e kishin humbur rrugën, duke mos e njohur as vendin, ku një natë më parë kishte qenë kopshti i tyre plot fruta. Për këtë bëjnë fjalë ajetet 19-20: “E, sa qenë ata fjetur, atë (kopshtin) e goditi një bela nga Zoti yt. Dhe ai gdhiu si të ishte i vjelë”.
Nga kjo nënkuptojmë se nëse kopshti që është më i prekshëm materialisht me fruta, zhduket brenda një nate, sikur të mos kishte qenë fare, atëherë, humbja e ujit që është një lëng i rrjedhshëm, është shumë më lehtë që të tretet e të humbet në thellësi, pa gjurmë e pa nishan.(7)
Përmbajtje e shkurtër e kësaj kaptine
Sikur edhe shumë sure të tjera mekase, edhe kjo sure që është ndër zbritjet e para kuranore, është fokusuar kryesisht në bazat kryesore të besimit islam, si: vërtetësinë e shpalljes hyjnore që po i zbriste Muhamedit a.s., pastaj ringjalljen dhe besimin në Ahiretin, ashtu siç flet edhe për vendqëndrimin e besimtarëve dhe jobesimtarëve në Ditën e Gjykimit.
- Surja në fjalë fillon me një prej betimeve më madhështore në Kuran, në lapsin me të cilin shkruajmë. Përderisa në suren e parë të zbritur kemi urdhrin për të lexuar, tash vihet në pah rëndësia e lapsit dhe e të shkruarit, sepse me laps shkruhet historia dhe nëpërmjet tij arrihet kultura e civilizimi. Ky betim hyjnor vjen si përgjigje ndaj akuzave të idhujtarëve ndaj Pejgamberit a.s. se ai ishte i çmendur, i lajthitur etj., por katër ajetet e para të kësaj sureje, e pastrojnë të Dërguarin a.s. nga të tilla shpifje, duke bërë me dije se ti o Muhamed je në piedestalin më të lartë të moralit. (Shih ajetet: 1-4)
- Pas kësaj pasojnë ajetet të cilat sqarojnë sjelljet e këqija të jobesimtarëve dhe idhujtarëve, kur ata e nënçmonin të Dërguarin e Allahut, si dhe kërcënimin e Allahut ndaj sjelljeve të tyre jonjerëzore dhe për ndëshkimin e rreptë që do t’i presë ata në Ahiret. (Shih ajetet: 5-16)
- Me pas, pason tregimi i pronarëve të kopshtit, nëpërmjet të cilit tregim, Allahu xh.sh. u sjell shembull idhujtarëve mekas që të mos jenë mosmirënjohës ndaj të mirave që ua ka dhënë Allahut, sepse të përbuzësh të varfrit e të sillesh me arrogancë ndaj tyre, është një prej cilësive më të shëmtuara njerëzore. Pasojë e këtyre sjelljeve mund të jetë edhe shkatërrimi i jetëve dhe pasurive të tyre në këtë botë, por edhe humbja e përjetshme e vendqëndrimit të mirë në Botën e ardhshme (Shih ajetet: 17-33)
- Ajeti i 34 i kësaj sureje: “Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë te Zoti i tyre kopshte të begatshme.” na vjen këtu si një ndërlidhje në mes ajeteve paraprake dhe atyre pasuese, se vetëm të devotshmit mund të shpresojnë në begatitë e Xhenetit, ndërkohë që në ajetet 35-43, Allahu xh.sh. bën një pyetje krahasuese: vallë si mund të jenë të barabartë besimtarët e vërtetë me kriminelët, të cilët mohojnë Krijuesin e tyre nga inati dhe mëria që kanë në zemrat e tyre. Allahu xh.sh. i qorton këta të fundit për zemërngurtësinë e tyre karshi të vërtetave që po i zbrisnin Pejgamberit a.s. nga qielli nëpërmjet shpalljes, për të përfunduar me disa pamje nga Dita e Gjykimit kur këta jobesimtarë do të thirren të bëjnë sexhde, por nuk do të munden. Ata atë ditë të vështirë do të turpërohen e do të jenë të nënçmuar para krejt njerëzimin për shkak të mohimit të tyre. (Shih ajetet: 35-43)
- Ajetet (44-45) të kësaj sureje, dëftojnë për një kërcënim të hapët të Krijuesit ndaj këtyre të paudhëzuarve të cilët nuk pranonin ftesën kuranore, por e përgënjeshtruan atë, duke ia bërë me dije Resulullahut s.a.v.s., se Unë do të merrem me dënimin dhe ndëshkimin e tyre, nëse ata nuk dëshirojnë të përudhen në rrugën e drejtë.
- Ajete në vazhdim: (46-52) janë këshilla për Pejgamberin a.s. që të duronte të gjitha përçmimet dhe keqtrajtimet e idhujtarëve. Janë porosi të qarta që të mos ligështohej dhe të mos e humbte shpresën gjatë kumtimit të shpalljes, duke i sjellë shembullin e Junusit a.s., i cili pati humbur shpresën se populli tek i cili u dërgua, se do të udhëzoheshin në rrugën e drejtë. Si pasojë e humbjes së shpresës në udhëzimin e tyre, ky ishte larguar nga ta, si pasojë e të cilit veprim, pati përfunduar në gojën e një peshku të madh balene, dhe prej aty, në errësirë të plotë i qe lutur Zotit fuqiplotë që ta falte për veprimin e tij të pamatur, dhe po të mos ishte mëshira e Allahut që ta përfshinte, ai do të përfundonte i demoralizuar në një shkretëtirë të thatë e të pajetë.
- Në dy ajetet e fundit (51-52) Allahu xh.sh. sërish i demanton shpifjet e idhujtarëve se Muhamedi a.s. ishte i çmendur-i marrë, sepse idhujtarët nga smira e xhelozia gati sa nuk e shqyenin me sytë e tyre për shkak se ky kishte ardhur me këtë Kuran, i cili po ua shembte në themel besimin e tyre të prishur, duke përfunduar me fjalët madhështore rreth Kuranit se ky libër nuk është diç tjetër, veçse këshillë, si për njerëzit ashtu edhe për xhinët. (vijon)
________________
(1) Imam Shevkaniu, Fet’hul Kadir vëll.V, fq. 354.
(2) Fejruzabadi, Besairudhevit Temjizi, vëll. I, fq. 476.
(3) Ibën Ashur Et Tahriruvet tenviruvëll. XXIX, fq. 58.
(4) Dr. Abdurrahman esh Saji’ë, Esmausuveril Kuranil Kerim, fq. 176.
(5) Dr. Munireed Devserij, Esmaul Kuran ve fedailuha, f. 475.
(6) Transmeton Imam Ahmedi (4/107); Bejhekiu në Shuabil Iman (2/465); Albani e ka kategorizuar si hadith “hasen” në Sahihut Tergib (1457); si hadith “sahih” me të gjitha rrugët e transmetimit në Silsiletus Sahiha (1480) dhe në Sahihul Xhamiu (1059).
(7) Imam Sujutiu, Esrarutertibil Kuran, vëll I, fq. 141.
Sabri Bajgora