Komentimi i kaptinës El Kalem (II)


Morali i lartë profetik

“Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë! Ti, me dhuntinë (mirësinë) e Zotit tënd, nuk je i çmendur! Dhe se ti, padyshim do të kesh shpërblim të pandërprerë! Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit! Më vonë ti do të shohësh, edhe ata do të shohin. Se cili prej jush është i çmendur? S’ka dyshim se Zoti yt është Ai që e di më së miri se kush është ai që ka humbur prej rrugës së Tij dhe Ai e di më së miri për të udhëzuarit.” (El Kalem, 1-7)

Shkaku i zbritjes së ajetit të dytë

Transmetohet nga Ibën Mundhiri, e ky nga Ibën Xhurejxhi të ketë thënë: “Për të Dërguarin e Allahut thoshin se është i çmendur, e pastaj shejtan, dhe për këtë arsye zbriti ajeti i dytë:“Ti, me dhuratën (pejgamberinë) e Zotit tënd, nuk je i çmendur!”1

Shkaku i zbritjes së ajetit të katërt

Ndonëse shumica e dijetarëve nuk e llogarisin si shkak të zbritjes, megjithatë, ata rreth këtij ajeti përcjellin transmetimin kur Aisheja r.a. është pyetur për moralin e të Dërguarit a.s., të ketë thënë: “Morali i tij ishte Kurani. A nuk e lexoni ajetin: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”2

Koment:

1. Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë! Kjo sure kuranore, fillon me shkronjën simbolike “Nun”, ashtu si edhe disa sure të tjera të cilat fillojmë me nga një shkronjë, ndër to suret “Sad” dhe “Kaf”, nëpërmjet të cilave shkronja edhe janë emërtuar.
Kemi folur shpeshherë përgjatë komentimit të disa sureve për kuptimin e këtyre shkronjave simbolike apo alegorike, dhe mendimi përfundimtar i dijetarëve është se prapa tyre fshihen urtësi hyjnore, të cilat vetëm Allahu xh.sh. i di.
Fillimi i kësaj sureje me betim në lapsin dhe në atë që shkruajnë, dëfton për mirësitë dhe dobitë e shumta e të panumërta që ka njerëzimi nga to. Ky betim tregon katërçipërisht rëndësinë e të shkruarit që në mënyrë alegorike nënkupton diturinë, arsimimin dhe ngritjen e popujve e civilizimeve.
Sa i përket kuptimit të fjalës “El Kalem”, një grup dijetarësh mendojnë se fjala është për lapsin e parë të cilin Allahu e krijoi dhe e urdhëroi që të shkruante të gjitha përcaktimet në këtë ekzistencë.
Në lidhje me këtë janë transmetuar disa hadithe, si:
- Transmetojnë Ibën Xheriri dhe Ibën ebi Hatimi nga Ibën Abasi, të ketë thënë: “Gjënë e parë të cilën e krijoi Allahu është lapsi dhe i tha: “Shkruaj!” “Çfarë të shkruaj” - pyeti ai (lapsi)? Allahu xh.sh. i tha: “Shkruaji të gjitha përcaktimet (kaderin).” Dhe ai shkroi gjitha atë çka do të ndodhë prej asaj dite deri në kiamet...”3
Transmeton Ibën Merduvije nga Ubadete ibën Samit, të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: “Gjënë e parë të cilën e krijoi Allahu është lapsi dhe i tha: “Shkruaj!” Pastaj rrodhi çdo gjë në këtë ekzistencë (me urdhrin e Allahut!4
- Transmeton Ibën Asakiri nga Ebu Hurejre r.a., të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Gjënë e parë të cilën e krijoi Allahu është lapsi, e pastaj e krijoi “Nunin”-(mjeti ku vendoset ngjyra sqarim yni S.B), e pastaj i tha: “Shkruaj çdo gjë që do të ndodhë: veprat, gjurmët, rrëskun dhe exhelin”5 dhe lapsi shkroi çdo gjë që ishte dhe ç’do të ndodhë deri në Ditën e Kiametit, pastaj “e vulosi” lapsin dhe ai më nuk do të flasë deri në Ditën e Gjykimit”6
Megjithatë, ka edhe dijetarë që anojnë kah mendimi se betimi është përgjithësisht në lapsin-penën, të cilin e përdorim për të shkruar gjatë përditshmërisë sonë. Katadeja në lidhje me vlerën e lapsit si mjet shkrimi ka thënë: “Lapsi është një mirësi e madhe nga ana e Allahut xh.sh. Po të mos ishte lapsi, nuk do të ishte e mundur as feja, por as jeta nuk do të kishte kuptim. Sigurisht që Allahu e di më së miri se çfarë është në dobi të krijesave.”7
Meqë nëpërmjet lapsit, të shkruarit, kemi zgjeruar njohuritë-diturinë, dhe dituria është bazë e çdo suksesi në jetë, i Lartmadhërishmi deshi që umeti i Pejgamberit të fundit, të ishte bartës i kësaj diturie hyjnore, e cila do t’i vinte themelet e qytetërimit botëror. Pikërisht për këtë arsye, në Kuran diturisë i është dhënë një pozitë shumë e lartë, përse flasin shumë ajete kuranore e njëkohësisht edhe i Dërguari i Allahut në shumë hadithe të tij e ka potencuar vlerën e diturisë dhe të dijetarëve. Andaj nuk është rastësi që ajetet e para kuranore flasin për lapsin dhe diturinë, ku Allahu xh.sh., thotë: “Është Ai që ia mësoi (njeriut si ta përdorë për shkrim) penën. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” -(El Alek, 4-5)

2. Ti, me dhuntinë (mirësinë) e Zotit tënd, nuk je i çmendur!

Kur shpallja islame filloi të përhapej në shkretëtirën e Arabisë, duke e njomur atë me flladin dhe freskinë e vesës hyjnore, idhujtarët, të trembur për humbjen e pozitave dhe privilegjeve të tyre, filluan të shpifnin ndaj Muhamedit a.s., se ishte gënjeshtar, magjistar, e pastaj e akuzuan edhe për çmenduri psikike. Kjo ishte përgjigjja e tyre, sepse nuk dinin t’i jepnin ndonjë shpjegim këshillave të Muhamedit a.s. Ata nuk mund të imagjinonin që dikush prej mesit të tyre të ngrihej e të fliste keq për idhujt e tyre që po i adhuronin.
Ky ajet është përgjigje e betimit nga ajeti i parë,
ku Allahu betohet në lapsin dhe në atë çka shkruajnë, duke larguar çdo, shpifje a mangësi që i vishej të Dërguarit a.s. nga idhujtarët. Allahu xh.sh. e qetëson zemrën e Pejgamberit a.s., duke i thënë, të mos preokupohej me shpifjet e idhujtarëve, sepse ti, me dhuntitë dhe mirësitë që t’i ka dhuruar Zoti yt, as nuk je i çmendur e as magjistar.
3. Dhe se ti, padyshim do të kesh shpërblim të pandërprerë! Për ta qetësuar e ngrohur zemrën e të Dërguarit të vet, Allahu xh.sh. e njofton se ti o Muhamed, për shkak të barrës së rëndë që të kemi ngarkuar, shpalljen dhe misionin e përhapjes së fjalës së Allahut, do të kesh shpërblim të pandërprerë. Mëshira dhe dashuria jonë do të të përcjellë gjatë gjithë jetës tënde, andaj për asnjë moment mos u ligështo, por këshillo dhe përhape dritën e fjalëve të Kuranit. Do të mjaftonte në këtë rast, që të rikujtojmë ajetin kuranor: “Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.”(El Ahzab, 56), dhe të bindemi se shpërblimet dhe dhuntitë e Allahut ndaj të Dërguarit të vet do të janë të vazhdueshme, deri në amshim.

4. Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit! Allahu i Madhërishëm, me urtësinë e tij, kishe përcaktuar që shpalljen e tij hyjnore ta përmbyllte me Kuranin famëlartë, dhe për këtë mision kaq fisnik e me përgjegjësi kishe përzgjedhur më madhështorin prej të dërguarve. E kishte zgjedhur më të pastrin e më fisnikun prej tyre. E kishte lënë të fundit prej të dërguarve, për ta edukuar vetë, duke e pajisur me virtyte e moral të lartë.
Ne e dimë se Kurani e definon moralin fisnik në përkufizimin e tij më të ngushtë dhe e vijëzon vlerën në shkallën e saj më të lartë, ashtu siç e vë në pah pikën kulmore në virtytet e moralit. Pejgamberi a.s. nuk ishte vetëm kaq. Ai u ngrit edhe më lart, shumë më lart, deri sa nuk arriti kulmin e përsosmërisë në virtytet morale aq sa të meritonte edhe nderimin të cilësohej nga Allahu xh.sh. si: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!” (El Kalem, 4)
Komentuesit e Kuranit rreth fjalëve “moral i lartë” kanë dhënë disa mendime, e ndër to:
- Ky moral është Kurani.
- Ky moral është Islami.
- Disa thanë se ai nuk kishte preokupim tjetër pos Allahut.8
Kur është pyetur Aisheja r.a. për moralin e të Dërguarit a.s. ajo kishte thënë: “Morali i tij ishte Kurani.”9
Në lidhje me këtë edukatë të lartë morale dhe këtë fisnikëri shpirtërore kishte folur edhe vetë i Dërguari i Allahut kur thotë: “Jam dërguar që të përsos virtytet e larta të moralit.”10
5. Më vonë ti do të shohësh, edhe ata do të shohin.
6. Se cili prej jush është i çmendur?
Pasi që i Lartmadhërishmi në ajetin paraprak njoftoi për pozitën e lartë të të Dërguarit a.s., duke e cilësuar se ishte në gradën më të lartë të moralit, këto ajete në vazhdim kanë një ton kërcënues për idhujtarët. Allahu xh.sh. duke e qetësuar zemrën e Muhamedit a.s., i thotë se ti më vonë do të shohësh, por edhe jobesimtarët do ta shohin të vërtetën në Ahiret, se cili prej jush ishte i çmendur. Sigurisht, se idhujtarët do të mbesin të tronditur nga realiteti i hidhur për ta.
Ajete të ngjashme simotra me ton kërcënues sikurse ky, në lidhje me talljet dhe ofendimet që ia bënin idhujtarët Muhamedit a.s. në Kuran ka mjaft. Sa për ilustrim do ta sjellim një prej tyre, siç është ajeti 26-të, i sures “El Kamer”: “Mirëpo ata nesër (në Ahiret)do të kuptojmë se kush është gënjeshtari, arrogant!”
7. S’ka dyshim se Zoti yt është Ai që e di më së miri se kush është ai që ka humbur prej rrugës së Tij dhe Ai e di më së miri për të udhëzuarit.
Pas dy ajetëve paraprake, edhe ky ajet vazhdon me kërcënimin hyjnor ndaj idhujtarëve arrogantë e mendjemëdhenj, duke ia vërtetuar Muhamedit a.s. një fakt se Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Gjithëfuqishëm e di më së miri se kush e ka humbur rrugën e drejtë, dhe cili është nga të udhëzuarit. Allahu xh.sh. edhe në disa ajete të tjera të Kuranit e qetëson të Dërguarin e vet, duke i thënë: “Prandaj mbështetu tek Allahu! Vërtet, ti je në të drejtën e qartë!” (En Neml, 79).
Allahu i Gjithëdijshëm e di më së miri se ata që po të ofendojnë me çmenduri, janë të humburit, të cilët nesër do të ballafaqohen me veprat e tyre të mbrapshta, kurse ti, nesër do të jesh në pozitat më të larta të ndershmërisë, ashtu siç je edhe në këtë botë shembulli më i përkryer i moralit dhe i edukatës së lartë profetike.

Porosia e ajeteve (1-7)

- Betimi në lapsin dhe në shkrimin, janë ndër betimet më madhështore në Kuranin famëlartë. Këto betime dëftojnë për peshën dhe rëndësinë që kanë në jetën e njerëzimit: Lapsi dhe shkrimi me të cilat nënkuptohet dhe fitohet dituria. Pa dituri, nuk ka mundësi të zgjerohen horizontet e zhvillimit të civilizimit njerëzor. Meqë në shumë hadithe është përmendur se gjëja e parë që është krijuar është lapsi, nuk është e rastësishme që libri ynë i shenjtë filloi t’i shpallej Muhamedit a.s. pikërisht me urdhrin për lexim, mësim dhe studim.
- Përgjigjja në këto betime hyjnore nënkupton tri çështje madhore sipas dijetarëve:
a) Largimin e shpifjes dhe ofendimit të idhujtarëve për çmenduri, nga i Dërguari a.s.,
b) Vërtetimi se mirësitë, dhuntitë dhe shpërblimet e Allahut për të Dërguarin e tij do të jenë të vazhdueshme, dhe
c) I Dërguari a.s. është i pajisur me virtytet më shembullore të moralit të përkryer, sepse atë e kishte edukuar vetë Allahu xh.sh, që të ishte shembull i pastërtisë dhe i dëlirësisë shpirtërore për të gjitha kohërat.
- Morali i lartë është cilësi e pejgamberëve të Allahut, i të dashurve-evliave të tij dhe i njerëzve të sinqertë. E pa dyshim, më i përsosuri prej tyre në sjellje e moral ishte Muhamedi a.s..
- Allahu xh.sh. i kërcënon idhujtarët që të ndalonin së shpifuri dhe ofenduari të Dërguarin a.s., duke ua bërë me dije se ata nesër do të shohin dhe do të binden se kush do të jetë i humbur e cili i udhëzuar dhe i shpëtuar. (vijon)


____________
(1) Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzulif. 272. Bejrut 2002.
(2) Transmetojnë Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi dhe Nesaiu nga Aishja r.a. Shih:Et-Tefsirul Munir, (29/49).
(3) Ibën Xheriri, Xhamiul Bejan (29/9-10); Hakimi në El Mustedrek (2/498); Bejhekiu në Es Sunenul Kubra (9/3).
(4) Transmetojnë Buhariu në Et Tarihul Kebir (5/92); Ibën ebi Shejbe (7/264); Ahmedi (5/317); Taberaniu në Musned esh-Shamijin (1949). Imam Tirmidhiu e ngrit këtë hadith në gradën “sahih”- Sahih Sunen et Tirmidhij (1749) dhe (2645). Të njëjtin mendim e ka edhe Ibën Hibbani.
(5) Jetëgjatësinë dhe momentin e vdekjes së çdo krijese, (Sqarim yni S.B)
(6) Shih Ibën Asakir, Tarih Dimeshk, (17/493).
(7) Imam Sujutiu, Ed Durrul Menthur, vëll. XIV, f. 621.
(8) Ahmed Behxhet, Të Dërguarit e Allahut, Prishtinë, 2009, f. 602.
(9) Muslimi nr. (746).
(10) Transmetojnë Buhariu (273); Ibën Sadi në Et Tabekat (1/192); Imam Ahmedi (2/318, nr, 8729). Bejhekiu (10/191, nr. 20571); Bezzari në Musnedin e tij (2/476, nr. 8949). Isnadi i këtij hadithi është“hasen”.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)