Për nder të muajit të Mevludit- Ditëlindjes së Muhamedit a.s. në medresenë “Alauddin” në Prishtinë, u organizua manifestim për të përkujtuar jetën dhe veprimtarinë e pejgamberit të fundit, i cili la gjurmë në historinë e njerëzimit.
Programi i organizuar nga paralelja e djemve të kësaj shkolle, u hap me recitimin të Kuranit famëlartë, i cili freskoi dhe qetësoi zemrat e të pranishmëve.
Pas recitimit të Kuranit në këtë organizim u kënduan salavate nga kori i nxënësve dhe pastaj të pranishmëve iu drejtua drejtori i shkollës, Fadil ef. Hasani.
Hasani në fjalën e tij përkujtoi vlerën dhe rëndësinë e madhe të këtij muaji. Me këtë rast drejtori iu uroi mirëseardhje edhe gjeneratës së re të medresantëve, të cilëve iu dha mesazhe dhe këshilla të dobishme.
Ai, nxënësve të rinj iu premtoi mbështetjen e tij dhe të gjithë stafit në çdo hap, si dhe përmbushje të të gjitha kërkesave të arsyeshme.
Ndër të tjera ai tha: "Ju keni zgjedhur shkollën më të mirë për të mësuar mësimet më të dobishme për jetën tuaj, andaj ju uroj një fillim të mbarë, suksese dhe mbarësi si dhe mirëqenie për ju dhe familjet tuaja...!"
Në këtë program u mbajt një ligjëratë e shkurtër rreth jetës së njeriut me moralin më të lartë, shembulltyrës së tërë njerëzimit, Muhamedit s.a.v.s. nga Dr. Muhamed Stublla i cili e shtjelloi atë në mënyrë tejet elokuente.
Kori i Medresesë këndoi ilahinë "Agoi hëna katërmbëdhjetëshe" si dhe pjesë nga vargjet e Tahir efendi Popovës.
Në këtë program ishte përgaditur edhe një video nga nxënësit që i kushtohej pikërisht ditëlindjes së Muhamedit s.a.v.s.
Programi përfundoi më me ilahinë e kënduar nga Kori i Medresesë "Selam të bëjnë trojet tona ja Resulallah".