Konflikti dhe dialogu në kultura

Fetë nuk pajtohen me njëra-tjetrën në bazë të cilësive të tyre teologjike, dhe as në bazat e doktrinës fetare

P.sh. Krishterimi dhe Islami konfrontohen shpesh në planin e doktrinave të tyre teologjike. Krishterimi nuk e pranon Muhamedin a.s. si të dërguar të Zotit. Islami nuk e pranon Jezu Krishtin si birin e Zotit. Këto janë dallime, kjo është thjesht ashtu. Në esencë këto dy religjione nuk mund të pajtohen. Po, e vetmja gjë që mbetet, janë toleranca dhe mirëkuptimi në mes pjesëtarëve të këtyre feve. Ta tolerojmë dhe të kemi mirëkuptim për besimtarin e besimit tjetër, duke pasur kujdes që të mos i cungohen të drejtat e tij që të besojë ndryshe në Zotin, ose të mos besojë fare. Është e mundur që në mesin e dy ose tri religjioneve të arrihet toleranca me sistematizimin e parimeve të tyre themelore. P.sh. Dhjetë urdhëresat – është një shembull i të vërtetave të përbashkëta. Dhjetë urdhëresat - është begati që e respektojnë të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë. Mirëpo, kur është fjala për konfliktin dhe dialogun, konsiderojmë se secila kulturë sot është një hapësirë për takime me njerëzit e tjerë, me ata njerëz të cilët nuk i takojnë fesë tuaj. Po na begatojnë sidomos ato kultura që janë shfaqur si
prodhim i punës shumëvjeçare universale të shpirtit religjioz.


Kënaqësia me letërsinë, artin dhe arkitekturën

Nuk i shikojmë se prej cilit besim fetar janë, po në radhë të parë shikojmë vlerën e vërtetë universale që kanë arritur. Sot duhet të afirmohen biseda, takimi dhe mirëkuptimi i njerëzimit nëpërmjet kulturave të ndryshme. Sidomos sot kur në disa pjesë të hemisferës perëndimore janë shpërngulur disa miliona myslimanë, çështja e takimit dhe e dialogut të kulturave ndoshta është prej çështjeve më kryesore me të cilën duhet të merren filozofët, teologët dhe letrarët myslimanë që jetojnë në Perëndim. Kjo është detyra e tyre më e rëndësishme. Duhet të jemi të vetëdijshëm se sot teknika ka arritur t’i zbulojë ose t’i bëjë të dukshme të gjitha religjionet. Është fakt që teknika është këtu, gjithashtu është këtu edhe fakti i globalizimit. Krejt kjo është në mesin tonë, ky është prodhim yni i cili punon vetë dhe prodhon shpesh rezultate pa dëshirën tonë.
Me faktin e teknikës dhe globalizimit jeta ndërthuret me shumë shanse të mira, por edhe me shumë risk (rrezik). Mirëpo, meqë Krijuesi ynë, Zoti, e ka pranuar riskun – që me krijimin e njeriut – të shohë se si krijesat e Tij gabojnë e i kundërvihen, kështu edhe ne, duke kultivuar globalizimin dhe teknikën, duhet t’i pranojmë patjetër të gjitha risket e veprave tona dhe sa më shumë që mundemi, t’i çojmë gjërat në drejtimin pozitiv dhe nga veprat e mira. Kësodore duhet të pranojmë patjetër faktin se sot teknika dhe globalizimi kanë hapur shanse të paimagjinueshme për takimin e kulturave, po edhe hapësirë për ndeshjen e kulturave.
Sot të gjithë jemi të dukshëm për të gjithë, vështirë se mund të gjendet sot në botë ndonjë botë tradicionale e paprekur, ku të mos ketë arritur makina jonë ose e huaj, kamera a syri ose veshi elektronik. Takimi i kulturave, dialogu i kulturave, sot është imperativ.
Pse? Sepse sot nuk janë enigma religjionet dhe kulturat e tjera. Askush më nuk mund të përjetojë përvojën e Marko Pollos, i cili ishte nga udhëtarët e rrallë të krishterë që udhëtuan nëpër Persinë, Mongolinë dhe Kinën e vjetër, e as që mund të përsërisin përjetimet e El-Biruniut, i cili ishte nga myslimanët e rrallë që kishin qëndruar në pagodat budiste të Indisë. U tha më lart se tema e takimeve ose konfrontimeve në mes kulturave, sot është një çështje shumë me rëndësi për Islamin dhe myslimanët bashkëkohorë. Në pozitën e vet të hartës religjioze të botës, sot myslimanët kanë hasur në procesin e fuqishëm të ndeshjes me kultura dhe religjione të tjera. Po cek se prej rrafshnaltës së Uralit e deri në Los-Anxhelos ka më shumë se 50 milionë myslimanë. Disa janë autoktonë, si shqiptarët e boshnjakët në Ballkan; disa janë të ardhur në numër të madh në valët e shumta të migrimit ekonomik, si arabët në Francë, bangladeshasit në Britaninë e Madhe; disa janë konvertuare disa - gjenerata e katërt ose tretë kanë mbetur myslimanë në Perëndim. Te këta të fundit gjuhë amtare e tyre shpesh është anglishtja, gjermanishtja ose frëngjishtja. Jemi dëshmitarë të kundërthënieve në mes të myslimanëve në Perëndim dhe shoqërisë shekullare në Perëndim. Këso fërkimesh më së shumti shfaqen kur emigracioni mysliman shpreh kulturën e vet, e shpesh edhe kulturën e tyre fisnore, të cilën e ruajnë me nostalgji. Këtu bien në kundërshtim myslimanët lokalë me atë që në Perëndim është konsideruar si plotësisht universale. Në Perëndimin e sotëm kjo paraqitje klanore e lokale, sado që disa myslimanë mendojnë se mu ajo është vetë burimi dhe esenca e kulturës së tyre islame, ata i getoizon, i izolon dhe i margjinalizon.


Fërkimet kulturore

Të kuptohemi, nuk dëshirojmë t’ia ndalojmë kujtdo qoftë që t’u përmbahet traditave lokale. Dëshirojmë të vëmë në pah se ne myslimanët duhet të pushojmë t’i përziejmë lokalen me atë që Islamin e bën universal, me atë që në Islamin është universale. Tradita lokale është për përdorim privat, kurse universalja është për përdorim të përgjithshëm. Lokalja ofron hapësirë të ngushtë, kurse universalja ofron hapësirë të gjerë dhe të begatshme. Sot në Evropë dhe në Perëndim në përgjithësi, shohim se nuk ekziston ndonjë xhami universale, por ekzistojnë xhamia e Bangladeshit, e Turqisë, ajo arabe, shqiptare etj.. Ne myslimanët i habisim perëndimorët më shumë islamë, dhe kështu jemi inferior në raport me aftësitë që i kishin myslimanët klasik në Bagdad, Kordovë, Kajro, Isfahan, Stamboll, Buhari dhe Samarkand. Sepse myslimanët e kohës klasike në tokat tradicionale islame kishin xhami të organizuara në mënyrë universale.
Sot edhe në mesin e vetë myslimanëve ekzistojnë fërkime kulturore, në mes të asaj që është universale myslimane, dhe të asaj që është klanore. Jemi dëshmitarë se sot Botën Myslimane, më shumë Bota Arabe e kanë vërshuar propaganda të ndryshme, propaganda që pohojnë me agresivitet se një tip i pantallonave është islam e të tjerat jo; se vetëm një tip i ngjyrës së rrobave është islame e të tjerat jo; se vetëm një tip i mjekrës është islame e të tjerat jo; se vetëm një mënyrë e uljes është islame e të tjerat jo; se vetëm një tip i shamisë ose krehjes së flokëve është islame
e tjerat jo, etj.. Konsiderojmë se ky tip i monizmit brutal të ideologjisë islame në kulturë, nuk na sjell asnjë dobi. Këtu kemi të bëjmë me një radikalizëm të rrezikshëm që fenë tonë islame e privon nga freskia, lehtësia, akomodimi, çiltëria. Duhet theksuar fakti se myslimanët e sotëm janë ende të paaftë që në planin e kulturës Perëndimin ta bëjnë mysliman. Kur themi Perëndimin mysliman, nuk mendojmë që në një anë gjeografike të botës, që quhet Perëndim, duhet të jenë vetëm myslimanët. Jo! Me nocionin Perëndimi mysliman aludon në entitetin kulturor, i cili së bashku në shkëmbimin e kulturave, të jetojë në harmoni me bashkësinë krishtere, hebraike e me bashkësinë shekullare me qytetërimin perëndimor etj..


Kultura është edhe dhënie edhe marrje

Po cekim edhe një tezë të rëndësishme, për të cilën mund të debatojmë gjatë. Sa më shumë që një kulturë është universale, që përqafohet jo vetëm prej atyre që e konsiderojnë të vetën por edhe nga të tjerët, - do të kemi më pak kundërthënie e fërkime në mes kulturave universale. Gjithsesi, kur kemi të bëjmë me myslimanët në Perëndim, duhet t’i cekim edhe kundërthëniet në planin politik dhe të programeve politike. Shumë politika dhe politikanë në Perëndim mund t’i fajësojmë që kanë paragjykime ndaj myslimanëve në Perëndim, sikur të ishte rrethimi i Vjenës nga forcat osmane. E ky është vetëm njëri prej shkaqeve pse sot myslimanët integrohen shumë vështirë në politikë në shoqëritë perëndimore. Qëndrimi ynë është se myslimanët në Perëndim sot nuk duhet t’i shmangen formimit të partive klerikale, religjioze ose nacionale, sepse ky është shans për integrimin në partitë politike dhe në forumet qytetare në Perëndim. Aty duhet të integrohen, të marrin pjesë në shoqëri si qytetarë të barabartë. Çdokush që sot shpalos flamurin politik islam në Perëndim, vepron me papërgjegjësi ndaj vetë myslimanëve dhe i fshin shanset që kanë myslimanët para vetes në planin e afirmimit universal të tyre, të fesë, kulturës dhe civilizimit të tyre. Besimi i të vërtetave islame – e ato nuk janë shumë dhe nuk janë të komplikuara –nuk varen assesi nga fakti nëse ekziston apo nuk ekziston halifja, nëse jemi ose jo në atë zonë kulturore e gjuhësore. Ajo që na nevojitet për zbatimin e besimit tonë, është liria.
Evropa në pesëdhjetë vjetët e fundit ka treguar se të shumtën e rasteve di të sigurojë lirinë e të gjitha feve. Kultura është edhe dhënie edhe marrje. Myslimanët në Evropë, me besimin e tyre universal dhe me kulturën e tyre universale, kontribuojnë në zhvillimin e këtyre paraleleve. Ata me veten e tyre në mënyrë të natyrshme europeizojnë Islamin, po gjithashtu në mënyrë të natyrshme dhe pa konflikte ata në vete dhe për veten, islamizojnë Evropën.



Rrustem Spahiu
DituriaIslame 244