Gjermanja pranoi Islamin - Intervistë me Nensi Shartollin

Nensi Shartolli (gjermane), ka lindur dhe është rritur në Gjermani, në një familje që i takon besimit të krishterë, besim të cilin e pati edhe Nensi deri para pak vjetësh.

Ajo tani ka përqafuar Islamin dhe ndihet shumë e kënaqur dhe krenare e thotë: “Unë E falënderoj Allahun xh.sh., që më udhëzoi në Islam, sepse unë isha e krishterë, por, me dëshirën e Tij, sot jam myslimane dhe përjetoj ngrohtësinë e Islamit. Duke lexuar literaturë të shumtë dhe Kuranin, kam parë gjithashtu se aty qëndron e vërteta për këtë dhe për botën tjetër.


- Si erdhi interesimi juaj për Islamin?

Islamin e kam njohur si fe, por jo si atë të vërtetën, veçse, falë Allahut xh.sh., jam martuar me një burrë shqiptarmysliman dhe fillova gradualisht edhe unë ta praktikoj që të njihem me këtë fe dhe ta praktikoj, sepse e kuptova që kjo fe është e vërteta.


- Cili ka qenë mendimi juaj për Islamin para se të hynit në Islam dhe çfarë qëndrimi kishit rreth Islamit?

Kam pasur mendime të ndryshme rreth Islamit, meqë këtë fe e njihja vetëm nëpërmjet medieve informative, të cilat Islamin e paraqisnin shumë më ndryshe sesa është në të vërtetë, pra e njihja si një fe që ekziston, por jo si fe të vërtetë. Mirëpo, pasi fillova të interesohesha për të dhe të lexoja rreth Islamit, e kuptova të vërtetën dhe, falë Allahut, sot jam myslimane.


- A kishit paragjykime rreth islamit para se të takonit bashkëshortin?

Po sigurisht, sepse unë nuk e njihja Islamin, nuk e dija se kjo fe është e vërteta, përderisa hyra në të.


- Kur jeni bërë myslimane?

Pasi jam martuar, kam filluar të hulumtoj rreth Islamit, të lexoj dhe të njihem me të, dhe kështu ngadalë fillova të jetoja me të dhe ta praktikoja çdo ditë, kështu që nuk mund të them një datë të caktuar se kur jam bërë myslimane, meqë në Islam kam hyrë hap pas hapi dhe jo brenda një dite. Ajo që kujtoj unë me krenari dhe që e konsideroj si ditën më të lumtur të jetës sime, është dita kur kam vënë mbulesën, dhe kjo ka ndodhur në tetor të vitit 2006, pra në muajin e madhërishëm të Ramazanit, dhe këtë mund ta quaj si finalizimin e hyrjes sime në Islam.


- Si erdhi ky vendim?

Unë kam menduar rreth kësaj çështje një vit të plotë, por, kur vendosa të mbulohesha, qe momenti më i lumtur në jetën time dhe tani jam krenare për këtë.


- A keni menduar në kohën kur keni filluar të njiheni me Islamin, se një ditë do të jeni një grua e mbuluar?

Po, gjithsesi, sepse e ndjeja që mua po më mungon diçka, e ajo ishte mbulesa.


- Si e pritën vendimin për të hyrë në Islam dhe për t’u mbuluar familja, rrethi dhe shoqëria?

Ka pasur reagime pozitive por edhe negative gjithashtu. Pozitive është se nëna ime e ka pranuar Islamin dhe më ka pranuar mua me mbulesë, ndërsa negativ është fakti që babi im nuk e ka pranuar Islamin dhe nuk e ka pranuar vendimin tim, por unë E lus Zotin që edhe ai ta pranojë të vërtetën, që është Islami. Për sa i përket shoqërisë dhe rrethit në Gjermani, është vështirë të pranohet një fe tjetër, por, me kohën, i kuptojnë gjërat.


- Ju thatë se nëna juaj e ka pranuar Islamin?

Po, edhe nëna ime tash i përket fesë islame. Tash jam nënë edhe unë.


- Ju jeni nënë e dy fëmijëve. Si ndiheni tani kur fëmijët tuaj i edukoni në frymën islame, meqë ka pasur mundësi t’i edukonit në një frymë tjetër?

Gjithsesi kjo është ndjenjë e mirë, sikurse unë edhe bashkëshorti im, do të bëjmë përpjekje që fëmijët tanë t’i edukojmë në frymën islame, në mënyrë që ata të mos kenë problem, po të jenë gjithmonë në rrugën e Zotit.


- Si është një ditë juaja si myslimane?

Jam shumë e lumtur që prioritet në ditën time janë pesë kohët e namazit, pastaj si çdo grua tjetër kujdesem për familjen time, për fëmijët e mi dhe për punët e ditës, si të çdo gruaje.


- Ju, me siguri, keni krijuar shoqërinë tuaj me gra të ndryshme myslimane dhe organizoni ndonjë aktivitet?

Kur kam kohë të lirë, takohem me shoqet, por kryesisht kohën e kaloj me familjen time.


- Në Kosovë keni qenë me siguri edhe herë të tjera dhe tashmë i njihini njerëzit dhe mentalitetin e tyre. A mund të bëni një dallim në mes femrës kosovare dhe asaj perëndimore, meqë femra perëndimore – për shumë vajza dhe gra në Kosovë është model i emancipimit?

Unë mund të them me shumë përgjegjësi se gruaja perëndimore nuk e ka statusin më të lartë se një grua që jeton me Islam.


- Në rast se një kolege juaja krishterë do t’ju pyeste rreth pozitës që ta ka dhënë Islami, si do të përgjigjeshe?

Unë do t’i thosha se jam shumë e kënaqur, dhe I falem Zotit që më ka udhëzuar në këtë fe, me të cilën jam shumë krenare dhe I lutem Zotit të më forcojë në këtë fe.


- Cili është mendimi juaj për femrat myslimane që nuk e praktikojnë Islamin, sepse duan dhe ndjekin modelin e femrës perëndimore?

Unë do t’u thosha të gjithave që të marrin dhe ta lexojnë Kuranin mirë dhe të mundohen ta kuptojnë, sepse vetëm aty do të gjejnë të vërtetën.


- Ju e njihni pozitën që i jep gruas feja e krishterë, cila është pozita e saj?

Unë mund t’ju them se nuk është e vërteta në Krishterim dhe se ka manipulime të shumta. Ju e dini se edh femra e krishterë duhet të jetë e mbuluar, por kjo nuk praktikohet. Unë mund të them se në Krishterim pozita e gruas nuk është e kënaqshme, sepse mungon e vërteta.


- Sa është e lirë femra e mbuluar në Gjermani që të ndjekë shkollën, të arsimohet dhe të pavarësohet në aspektin ekonomik?

Në Gjermani nuk paraqitet asnjë problem në sistemin e arsimit për një femër të mbuluar; ajo mund të ndjekë lirisht shkollimin e saj, pra nuk ka pengesa, kurse për sa i përket punësimit, mund të kenë pengesa .


- A diskutohet nga instancat më të larta ky problem, pra problemi i punësimit?

Sigurisht se po. Është diskutuar disa herë, por ende nuk është marrë ndonjë vendim konkret.


- Po në rrugë si trajtohet një e mbuluar?

Unë jetoj në një nga qytetet më të mëdha në Gjermani dhe mund t’ju them se nuk ka ndonjë problem të dalësh në rrugë me mbulesë; mirëpo, sigurisht, sikurse në çdo vend tjetër, mund të ketë ndonjë përqindje e vogël njerëzish që nuk e pëlqejnë, por nga 90% respektohet e drejta e mbajtjes së mbulesës.


- Gjermania është shtet i krishterë dhe ju e thatë se nga 90% respektohet mbulesa dhe Islami në përgjithësi, sa kohë që Kosova është një vend me shumicë dërmuese islame , po tek ne nuk respektohet mbulesa. Kjo vihet re lehtë posa të dalësh në rrugë, njerëzit të shohin me një sy tjetër dhe plot paragjykime. Si e shpjegoni ju këtë realitet kosovar?

Mua më vjen keq për këtë që po ndodh, por, meqë nuk e njohin Islamin si duhet, mund të ndodhë edhe kjo.


- Si ndiheni ju kur jeni në Kosovë?

Ndihem e gëzuar dhe e kënaqur, sepse këtu na bashkon Islami tërë familjen.


- Të flasim pak edhe për Ramazanin. Si ndiheni kur në shtëpinë tuaj shtrohet iftari?

Ndihem mirë dhe e gëzuar, sepse iftari na bashkon; gjithashtu ftojmë miq,madje unë kam provuar ta ftoj edhe babin tim, por ai nuk i është përgjigjur ftesës, kurse nëna ime po .


- Dhe, për fund, cila është porosia juaj për lexuesit?

Do të doja që të gjithë ata që do ta lexojnë, të falin namazin dhe t’i luten Zotit që të na udhëzojë në rrugën e drejtë.



Intervistoi: Amire Prebreza-Sopjani
Dituriaislame 244