Në Algjeri hapet xhamia më e madhe në botë pas Mekës dhe Medinës



Algjeria ka hapur zyrtarisht xhaminë e tretë më të madhe në botë dhe më të madhen në Afrikë.
Gjatë një falje namazi, në xhami mund të akomodohen deri në 120.000 besimtarë.
Karakteristikë e xhamisë është minarja, 265 metra, e cilësuar si më e larta në botë.
Ndërtimi i xhamisë nisi në vitin 2012 dhe për afro 7 vite është përballur me vonesa të shumta, tejkalime të kostove si dhe për shkak të ndryshimeve politike në qeverisjen algjeriane.
Xhamia ishte synimi i ish-presidentit Abdelaziz Bouteflika, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2019, pas dy dekadash në pushtet.
Ish-presidenti e kishte emëruar xhaminë me emrin e tij dhe kishte planifikuar ta përuronte atë në shkurt 2019, por nuk u lejua.
Presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune, e përuroi zyrtarisht Xhaminë e Madhe të Algjerisë.
Përveç sallës së lutjeve, xhamia e madhe algjeriane përfshin 12 ndërtesa, duke përfshirë një bibliotekë me një milion libra, një sallë leksionesh, një muze të artit dhe historisë islame dhe një shkollë të shkencave islame.
Xhamia ka kushtuar afro 900 milionë dollarë dhe për t’u ndërtuar është dashur puna e një kompanie kineze.