“Ai e krijoi njeriun nga balta e terur si (enë balte) e pjekur. Dhe Ai krijoi xhinët nga flaka (pa tym) e zjarrit. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? Zot i dy lindjeve dhe Zot i dy perëndimeve. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? – (Er-Rrahman, 14-18)
14. “Ai e krijoi njeriun nga balta e terur si (enë balte) e pjekur.”
Komentatorët e Kur’anit janë unanim se njeriu i krijuar nga balta për të cilin bën fjalë ajeti, është babai i njerëzimit – Ademi a.s.. Fjala “Salsal” nënkupton baltën e terur (të tharë), ende të papjekur në zjarr, e cila nëse gërvishtet me gisht, me dorë apo thyhet, lëshon një tingull (zë). Ndërsa, kur kjo baltë e terur i ekspozohet nxehtësisë së zjarrit dhe piqet, atëherë kjo materie shndërrohet në “Feh-har”- argjilë e pjekur”.
Kurani famëlartë e ka përmendur krijimin e Ademit a.s. në shumë ajete kuranore. I Madhërishmi I ka cekur madje edhe etapat e krijimit, nëpër të cilat ka kaluar babai i njerëzimit, para se të frymëzohej në të Shpirti. Në suren Ali Imran, ajeti 59, thuhet: “Atë (Ademin) e krijoi nga dheu”, dhe kjo nënkupton etapën e parë të krijimit.
Pastaj i Lartmadhërishmi këtij dheu I hodhi ujë, i cili u shndërrua në baltë (lloç). Në lidhje me këtë etapë të dytë, jep shenjë ajeti 71 i kaptinës “Sad”, kur Allahu xh.sh. u tha engjëjve: “Unë po krijoj një njeri nga balta”.
Pas kësaj, kjo baltë filloi të nxihej dhe të ndryshojë në ngjyrë dhe erë, duke u shndërruar në “Hamein mesnun”, dhe atëherë ky dhé i tubuar, i lagur e pastaj i nxirë e i tharë, dalëngadalë me lejen e Allahut merr formën njerëzore, pa shpirt. Në lidhje me këtë etapë, Allahu xh.sh. thotë:
“Dhe (përkujto) kur Zoti yt engjëjve u tha: “Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë e me erë.” – (El-Hixhr, 28).
I Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu xh.sh. e ka krijuar Ademin nga një grumbull dheu, të cilin e kishte tubuar nga të gjitha pjesët e tokës, prandaj bijtë e Ademit vijnë në këtë botë të këtillë. Prej tyre ka të kuq, të bardhë e të zi…”
Pas kësaj etape, vjen etapa e parafundit e krijimit të njeriut të parë, në gjendjen të cilën e përshkruan ajeti që jemi duke e komentuar: “Ai e krijoi njeriun nga balta e terur si (enë balte) e pjekur.” - (Er-Rrahman, 14).
Ndërsa etapa e fundit e krijimit është ajo kur Allahu xh.sh. e frymëzoi me gjallëri e jetë trupin e Ademit a.s., duke i dhuruar shpirtin për ta shndërruar këtë krijesë të krijuar nga balta-dheu, në një qenie të gjallë njerëzore, të respektuar e dinjitoze. Madje, edhe i urdhëroi melekët që t’i binin në sexhde atij-Ademit, sexhde respekti e jo madhërimi…
15. “Dhe Ai krijoi xhinët nga flaka (pa tym) e zjarrit.”
Me krijimin e exhinëve në këtë ajet, synohet babai i exhinëve apo shejtanëve – Iblisi, mallkimi i Allahut qoftë mbi të.
Iblisi u krijua nga zjarri, më saktësisht nga flakët e tij .Exhinët janë krijesa të padukshme dhe të pakapshme për sytë tanë. Ata jetojnë jetën e tyre, krahas sonës, por në një dimension tjetër. Përderisa nuk mund t’i shohim, ata na shohin neve.
Prej tyre, ashtu sikur edhe tek njerëzit, ka besimtarë dhe jobesimtarë. Jobesimtarët nga radhët e exhinëve i binden shejtanit-Iblisit dhe janë nën urdhrat e tij, duke u përpjekur në çdo çast që të fusin vesvese e dyshime në mendjet e njerëzve, për t’i larguar ata nga drita e udhëzimit hyjnor.
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë:
“Eshtë e vërtetë se prej nesh (xhinëve) ka besimtarë (myslimanë) dhe prej nesh ka që janë jashtë rrugës (jobesimtarë), e kush e pranoi Islamin, të tillët mësynë rrugën e shpëtimit. Ndërsa, ata që lëshuan rrugën, ata u bënë lëndë e xhehenemit!” - (El-Xhinn, 14-15)
Ashtu siç na mësojnë ajetet kuranore, xhinët martohen e shtohen dhe kanë pasardhës. Ata kanë vetëdije, intelekt dhe janë të ngarkuar me obligime nga Allahu xh.sh. ashtu sikur edhe Ne.
16. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
Përsëritja e këtij ajeti, ashtu siç kemi thënë më parë, vjen për të na përkujtuar mirësitë e panumërta që Allahu i ka dhuruar njerëzve, po edhe exhinëve. Ajeti në fjalë, më tepër e vë në spikamë njerëzit, për shkak se ata kanë epërsi ndaj exhinëve, meqë sipas mendimit të të gjithë dijetarëve, Allahu i Madhërishëm, dërgoi pejgamber vetëm nga lloji njerëzor, e jo edhe nga exhinët.
Të gjitha këto mirësi, duhet t’ia përkujtojnë njerëzve mirësitë e Krijuesit, i Cili ua ka dhënë mendjen dhe lirinë e të vepruarit. Ata që i janë mirënjohës Allahut për të gjitha këto dhunti, ata do të gëzojnë mirësitë e Tij të pakufishme edhe në Ahiret, ndërkohë që jobesimtarët do të mbesin në humbëtirë dhe në ndëshkim të vazhdueshëm për shkak të veprave të tyre të liga në këtë botë, dhe të mohimit të Allahut xh.sh..
17. Zot i dy lindjeve dhe Zot i dy perëndimeve.
18. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
Kur’ani është mrekulli e përjetshme, sepse është Fjalë e Allahut dhe atribut i Tij. Ajetet kuranore kanë sfiduar në çdo kohë mendjet njerëzore, duke i lënë këto mendje të stepura, para madhështisë së tyre. Edhe ajeti në fjalë, përbën një mrekulli të tillë, ngase fjala “mashrik-lindje” dhe “magrib-perëndim”, ka ardhur në Kuran në tri forma (trajta). Ka ardhur në njëjës në ajetin 9 të sures “El-Muzzemmil”
“Zot i lindjes dhe i perëndimit, nuk ka zot tjetër vetëm Ai, pra Atë merre për mbështetje.”.
Dhe: “Zot i lindjes dhe i perëndimit dhe ç’ka ndërmjet tyre” – (Esh-Shuara’ë, 28)
Ka ardhur në trajtën e shumësit: “Pra, betohem në Zotin e lindjeve e të perëndimeve, se Ne kemi fuqi,” - (El-Mearixh, 40)
Dhe ka ardhur në trajtën e dyjësisë, si në këtë ajet të 17 të sures “Er-Rrahman”: “Zot i dy lindjeve dhe Zot i dy perëndimeve”.
Ata që Kuranin e shikojnë dhe e lexojnë me dyshim e skepticizëm thonë se në mes këtyre tri ajeteve ka kundërthënie, sepse përmenden një lindje, dy lindje dhe shumë lindje, ashtu si edhe perëndime. Por, këto dyshime janë të pabaza, sepse kuptimet e tyre janë shumë të drejta, kuptimplote dhe shumë të thella.
Dijetarët myslimanë, që të tri këto ajete i kanë komentuar ashtu siç duhet, e ne do të përpiqemi që shkurtimisht të sjellim edhe mendimet e tyre, për të qetësuar zemrat e të gjithë besimdrejtëve, meqë bëhet fjalë për Fjalët e të Gjithëdijshmit absolut.
Në Kuranin fisnik kanë ardhur shumë ajete që flasin rreth kësaj ekzistence dhe proceseve që ndodhin në të me Lejen dhe Vullnetin e Krijuesit. Të gjitha këto ajete kanë ardhur si argumente të pakontestueshme rreth vërtetësisë së ekzistencës së Allahut xh.sh. E s’ka dyshim se Lindja dhe Perëndimi janë një prej këtyre argumenteve hyjnore, të cilat njeriu i përjeton për çdo ditë gjatë jetës së tij mbi këto tokë.
Të përmendurit e Lindjes dhe Perëndimit në disa trajta, na nxit që të hulumtojmë e të thellohemi edhe më tepër meditimin dhe ëmbëlsinë e fjalës hyjnore. Nëse thellohemi në kuptimin e këtyre ajeteve, do të vërejmë se ato së pari dëftojnë për madhështinë e Krijuesit, sepse Allahu xh.sh. është i pranishëm me Qenien e Tij në Lindje dhe në Perëndim me “rububijetin” e Tij, me Dritën, Udhëzimin dhe Dijen e Tij, dhe së dyti, të gjitha këto argumente në gjithësi kanë peshën dhe rëndësinë e tyre shkencore, në të njohurit e Rregullave të kësaj Ekzistence që e shohim. Të gjitha këto që i shohim, Allahu ia ka nënshtruar njeriut, që në bazë të vrojtimit të tyre dhe meditimit në to, të mos e humb arsyen e shëndoshë, por të udhëzohet në Dritën e së vërtetës, ashtu siç na mëson i Gjithëdijshmi: “Po kështu Allahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju ta gjeni të vërtetën e të udhëzoheni.” - (Ali Imran, 103)
Ajeti në trajtën e njëjësit: “Zot i lindjes dhe i perëndimit dhe ç’ka ndërmjet tyre” nënkupton faktin, se çdo ditë e ka lindjen dhe perëndimin e saj, që ndryshon nga lindja dhe perëndimi i ditës paraprake, ose ka kuptimin e anës, si kuptim gjeografik: të Lindjes dhe të Perëndimit, kurse kuptimi i ajeti në trajtën e shumësit: “Pra, betohem në Zotin e lindjeve e të perëndimeve, se Ne kemi fuqi,” nënkupton lindjen dhe perëndimin e planetëve, yjeve, Diellit dhe Hënës etj.
Ndërsa sa i përket trajtës së dyjësisë, në ajetin që jemi duke e komentuar: “Zot i dy lindjeve dhe Zot i dy perëndimeve”, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve të tefsirit, nënkupton dy lindjet e diellit, njëra në solsticin veror, kurse tjetra në atë dimëror, ashtu si dhe dy perëndimet e tij, në solsticin veror dhe dimëror.
Sipas matjeve astronomike dhe astrologjike, solstici veror, fillon me 22 qershor dhe është momenti në të cilin Dielli arrin këndin më të lartë ndaj ekuadorit, duke bërë që kjo ditë të jetë dita më e gjatë e vitit dhe për pasojë nata më e shkurtër. Në çastin e solsticit veror, Dielli arrin pjerrësinë më të madhe të lëvizjes së tij në krahasim me eklipsin (errësimin), dhe është në zenit të tropikut të shenjës së Gaforres.
Ndërsa data e solsticit dimëror fillon me 22 dhjetor dhe shënon ditën më të shkurtër e natën më të gjatë të vitit. Dielli në këtë ditë mbërrin pjerrësinë më të vogël dhe ndodhet në zenit në tropikun e shenjës së Bricjapit.
Ibn Abbasi rreth këtij ajeti kuranor thotë: “Dielli ka një lindje në dimër, e po ashtu edhe një perëndim, ashtu siç ka një lindje e një perëndim në verë, që ndryshon nga lindja dhe perëndimi i tij në dimër.”(1)
Natyrisht, ka edhe mendime të tjera rreth këtij ajeti, të cilët i kanë dhënë komentatorët, e ndër to, spikat edhe mendimi se këtu është për qëllim lindja dhe perëndimi i Diellit, dhe lindja e perëndimi i Hënës.(2) Mbase, ky komentim, fle më së shumti në zemër, nëse këtij ajeti i bëhet ndërlidhja me ajetin 5-të, të po kësaj sureje: “Dielli dhe Hëna udhëtojnë sipas një përcaktimi të saktë.”
Allahu është Zot i tërë kësaj ekzistence, e cila funksionon në bazë të rregullit dhe Ligjit të përcaktuar nga Ai. Në kuadër të këtij Ligji hyjnor, lind dhe perëndon Dielli, lind e perëndon edhe Hëna, ndërrohen dita dhe nata, ndërrohen stinët e vitit, Pranvera, Vera, Vjeshta dhe Dimri etj.
I Madhërishmi nga mëshira e Tij, nuk i la njerëzit të jetonin në errësirë, por përcaktoi që për çdo ditë, rrezet e Diellit ta ndriçojnë Tokën për t’i dhënë asaj gjallëri e jetë, ashtu siç edhe Hënës ia përcaktoi rolin e saj në jetën e njerëzve.
Ndërsa në një mendim tjetër, thuhet se fjala “Zot i dy Lindjeve dhe i dy Perëndimeve” nënkupton Lindjen e parë të Diellit, në fillim të krijimit, kurse Lindja e dytë nënkupton momentin e fundit të kësaj bote, kur Dielli do të lind nga Perëndimi, në të kundërtën e trajektores të cilën e ka ndjekur për miliona vite. I njëjti komentim vlen edhe për dy perëndimet e Diellit. Një mendim i tillë, sipas dijetarëve ka mbështetje në Kuran dhe në hadithet e Pejgamberit a.s..
Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “(në) Ditën kur vijnë disa shenja të Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij nëse nuk ka besuar më parë” (El-En’amë, 158)
Kurse i Dërguari i Allahut në lidhje me këtë thotë: “Nuk do të ndodhë Kiameti, pa lindur Dielli nga Perëndimi”
Allahu a’ëlem-Allahu e di më së miri!
Të përmendurit e fjalës “Rabb-Zot”, në vend të fjalës “Allah”, tek ajeti: “Rabbul meshrikajni ve rabbul magribejni” dëfton se Ai (I Larmadhërishmi), për çdo ditë, në çdo lindje dhe perëndim të Diellit e të Hënës, e ka nën mbikëqyrje këtë njeri, duke e edukuar dhe udhëzuar në rrugën e drejtë. Kjo dëshmon se Allahu xh.sh. nuk e imponon “zotërimin” e kësaj ekzistence me ashpërsi e forcë, por me mëshirë e butësi dhe edukim të vazhdueshëm. Ai derdh mirësitë e Tij të pakufishme mbi Tokë, që njerëzit po edhe exhinët t’i shfrytëzojnë ato. Ia nënshtroi njerëzimit dritën e Diellit dhe shkëlqimin e Hënës, që drita e tyre të ndriçojë edhe skutat më të errëta, që ata, njerëzit, të punojnë e të jetojnë të lumtur në mesin e këtyre begative. Me lindjen dhe perëndimin e Diellit e të Hënës, vijnë edhe ndryshimet e stinëve të vitit, që njeriu të shfrytëzojë të mirat e tyre në të mbjella e në të korra, në mbledhjen e frutave të llojllojshme etj.
Të gjitha këto mirësi do të mjaftonin që njerëzit dhe exhinët të ishin mirënjohës e falënderues ndaj Fuqiplotit dhe të Gjithëmëshirshmit.
Urtësia e këtyre ajeteve: (14-18)
- Allahu xh.sh. e krijoi njeriun e parë Ademin a.s. nga elementet e Tokës. Ky krijim kaloi nëpër disa etapa që pastaj të frymëzohej me shpirt e gjallëri.
Argumenti më i madh se njeriu e ka prejardhjen prej dheut (baltës) janë elementet e përbashkëta në mes dheut (Tokës) dhe trupit të njeriut. Shkencëtarët kanë vërtetuar se në trupin njerëzor ka shumë minerale apo elemente kimike që gjenden edhe në përbërjen e dheut-Tokës. Të gjitha këto elemente luajnë rol jetik në funksionin normal të organizmit të njeriut. Ja disa prej tyre mineraleve dhe elementeve kimike:
Kaliumi (K)
Është elementi më i bollshëm në qelizë. Trupi përmban rreth 250 miligramë kalium. Qeliza luan një rol të rëndësishëm në reagimet energjike, sintezën e proteinave, si dhe në ruajtjen e ekuilibrit të acideve në trup.
Natriumi (Na)
Është elementi më i bollshëm në likuidin (lëngun) e jashtëm të qelizave. Si një elektrolit në likuidet jashtë qelizës, natriumi ndihmon në ruajtjen e presionit osmotik jashtë membranës së qelizës dhe ka një ndikim të njëjtë si kaliumi brenda qelizës për ruajtjen natyrale të balancës së ujit. Nevoja ditore për të është llogaritur nga 3 në 7 gr.
Hekuri (Fe)
Është metali (element) më i bollshëm i trupit dhe përbën rreth 0.004 për qind të peshës trupore. Në mënyrë të natyrshme, sasia e tij varion nga 3 në 5 gr. Por edhe kjo është e ndryshueshme, sepse varet nga mosha, gjinia, madhësia, shëndeti dhe sasia e rezervuar e tij në trup. Në të vërtetë, hekuri është një lëndë me ngjyrë gjaku që transporton oksigjen të mjaftueshëm për frymëmarrje dhe gaz karbonik (dioksid karboni) nga qelizat në mushkëri. Çdo ditë, trupi ynë me anë të ushqimit përfiton 10 deri 30 miligramë hekur.
Azoti (N)
Organizmi ynë përmban sasi të mëdha azoti, i cili luan një rol kryesor në strukturën e proteinave.
Fosfori (P)
Luan një rol kryesor në organizmin e njeriut, kryesisht në procesin e marrjes apo të çlirimit të energjive të organizmit.
Kalciumi (Ca)
Është një element mineral që përbën 1.5 deri në 2 për qind të peshës së trupit te personat e rritur. Nga kjo sasi, 99 për qind e kalciumit gjendet në kocka dhe te dhëmbët.
Magneziumi (Mg)
Në momentet e lindjes, në trupin e njeriut ndodhet 0.5 gr, ndërsa në moshë të rritur në trup ai ka një sasi 21–28 gr, ku 50-60 për qind ndodhet në kocka dhe roli kryesor i tij është në qelizat nervore për të lehtësuar funksionimin e tyre.
Sulfuri (S)
Përbën 0.25 për qind të peshës trupore të njeriut dhe ndodhet në çdo qelizë të trupit të njeriut. Më tepër ndodhet në flokë, lëkurë dhe thonj. Sulfuri vepron si një element antihelmues, duke u përzier me përbërësit helmues dhe i shndërron ata në të padëmshëm apo i eliminon plotësisht.
Jodi (I)
Në organizëm ndodhet rreth 15–23 miligramë jod ose jodi përbën 0.00004 për qind të peshës trupore të njeriut. Ai ndodhet në të gjitha qelizat e trupit, por 70–80 për qind e sasisë së jodit ndodhet në gjëndrat e tiroideve. Kjo lëndë është pjesërisht në formën e hormoneve të trioksinës që sintetizohet nga gjëndra e tiroideve dhe luan një rol të rëndësishëm në forcimin dhe metabolizmin e trupit.
Magnezi (Mn)
Është shumë i nevojshëm për skeletin dhe gjymtyrët. Ai gjendet në sasinë e më tepër se 10 miligramëve në trupin e njeriut dhe kryesisht ndodhet në kocka, mëlçi dhe veshka.
Bakri (Cu)
Njihet si pjesa më e rëndësishme e shumë enzimave. Luan një rol mjaft të rëndësishëm në pengimin e pakësimit të sasisë së gjakut në trup. Fëmijët kanë nevojë jetike për këtë përbërës, i cili ndodhet në sasi të konsiderueshme te produkti i qumështit.
Nikeli (Ni)
Gjendet në kokrrat e grurit, orizit, fasules, thjerrëzës etj. dhe luan një rol kryesor në rritjen natyrale, shumimin si dhe strukturën e veprimtarisë së qelizave.
Uji (H2O)
Uji është elementi më i rëndësishëm që ndodhet në tokë, i cili luan një rol kryesor në transportimin e elementeve bazë në qelizat e bimëve. Përbën 60-70 për qind të peshës trupore. Uji cilësohet ndryshe si elementi jetik i gjallesave. Ai është përbërësi kryesor i urinës dhe plazmës së gjakut.
Gazrat
Dioksidi i karbonit dhe oksigjeni ndodhen në sasi të ndryshme në tokë. Këto dy lloj gazrash (në sasi të përcaktuara) gjenden në gjak dhe qeliza, duke luajtur një rol kryesor në procesin e frymëmarrjes që është po ai proces i shkëmbimit të oksigjenit dhe dioksidit të karbonit ndërmjet atmosferës dhe qelizave të trupit.(3)
Gjithashtu, vlen për t’u theksuar se përveç elementëve të lartpërmendur ka edhe elementë të tjerë të ndryshëm, që ndodhen edhe në tokë por edhe në trup si: Oksigjen (O), Hidrogjen (H), Karbon (C), Nitrogjen (N), Klor (Cl), Silic (Si), Zink (Zn), Bor (B), Kobalt (Co), Vanadium (V), Selen (Se), Mangan (Mn), Molibden (Mo), Krom (Cr) etj.
- Përderisa njeriu u krijua nga dheu, exhinët u krijuan nga flaka e zjarrit. Exhinët janë një lloj tjetër i krijesave me intelekt dhe vullnet të lirë, që bashkëjetojnë me ne në një dimension tjetër të padukshëm për Ne. Edhe ata, sikurse Ne, janë të ngarkuar me obligime dhe, në bazë të veprave të tyre në këtë botë do të shijojnë ose kënaqësitë e Xhenetit, ose ndëshkimet e Xhehenemit.
- Allahu është Krijues i tërë këtij Universi që e shohim dhe të atij që shikimi ynë nuk arrin ta perceptojë dot. Ai është Zot i lindjes dhe i perëndimit. Ashtu siç pamë nga ajeti që e komentuam, mendimet rreth tij janë të shumta, por shumica e dijetarëve janë përcaktuar për mendimin se këtu bëhet fjalë për solsticin veror dhe dimëror të diellit, kur ai lind e perëndon në pozicione të ndryshme. Mund të jetë edhe lindja dhe perëndimi i diellit dhe e hënës, mendim ky, që po ashtu ka pas vetes një grup të madh dijetarësh.
Prej mrekullive shkencore që shpërfaqen nga ajeti në fjalë, del se meqë ka lindje dhe perëndim të Diellit, atëherë Toka është një formë eliptike. Ajo lëviz rreth boshtit të saj, e pastaj lëviz edhe rreth Diellit, me shpejtësi marramendëse, shpejtësi të cilën syri ynë nuk e heton dot...
- vijon –
________________________
1. Ibn Ebi Hatim, “Tefsirul Kuranil adhim”, vëll. 10, f. 3323.
2. Imam Maturidiu “Te’vilatu Ehli-s-Sunneti” vëll. 9, f. 469. Bejrut 2005; Shih edhe: Shevki Dajf , “Suretu er-Rrahman ve suver kisar” f. 68.
3. http://sq.wikipedia.org/wiki/Trupi_i_njeriut
Sabri Bajgora