19. Ai i lejoi dy detet të puqen ndërmjet vete. 20. Ndërmjet atyre të dyve është një pengues që ata të dy nuk e kapërcejnë. 21. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? 22. Prej atyre të dyve nxirren margaritarë (perla) e korale. 23. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? 24. Dhe të Atij janë anijet lundruese të ngritura lart si kodra në det. 25. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? (Er-Rrahman, 19-25)
19. Ai i lejoi dy detet të puqen ndërmjet vete.
Jemi në ajetet, të cilët dekadave të fundit kanë preokupuar dijetarët e lëmenjve të ndryshëm, qoftë ata të fesë, qoftë ata të shkencës-oqeanografët. Këto ajete, që në të kaluarën janë komentuar në dritën e të kuptuarit të atëhershëm, tash së fundi komentimet e tyre kanë fituar përveç tjerash edhe dimensione shkencore. A thua çfarë është “penguesi-barriera” e përmendur në këtë ajet. A është thjesht një alegori kuranore e radhës, apo është vërtetë në pyetje një segment tjetër i shfaqjes së mrekullisë shkencore në dritën e ajeteve kuranore. Për këtë dhe për dhuntitë e tjera të Allahut ndaj njerëzve dhe exhinëve, do të flasim në vazhdim... Fjala “merexhe” e përdorur në fillim të ajetit 19, ka disa kuptime: “e ka dërguar” , “e ka përzier” e në disa raste edhe “e ka lejuar”. Arabët këtë term e përdorin zakonisht kur i dërgojnë devetë në kullosa: “merexhel ibilu fil mer’a” – “janë dërguar devetë në kullosa”, ndërkohë që termi “merexhe” për “përzierje” përdoret në këtë mënyrë: “merexhel mau vel lebenu” – “është përzier uji me qumësht”.
Shikuar nga kuptimet e kësaj fjale, shohim se ato mund të përdoren njësoj, në kontekst të ajetit, dhe kuptimi i ajetit na bëhet shumë i qartë, qoftë në kuptimin “i ka dërguar”, “i ka përzier” apo “i ka lejuar”.
Kur ajetin e analizojmë edhe në dritën e ajeteve të tjera që flasin rreth të njëjtës tematikë, atëherë kuptojmë se dy detet, në këtë rast sipas shumicës së dijetarëve bëhet fjalë për detin e njelmët dhe për “detin”-lumin me ujë të ëmbël, i cili derdhet në det, i kanë rrugët e veçanta dhe kur bashkohen e takohen, përzihen në mes vete, por secili prej tyre ruan karakteristikat e veta.
Sa i përket fjalës “bahrejni - dy dete”, këtu ka supozime të shumta të dijetarëve nëpër kohë, ndonëse realitetin dhe kuptimin e njëmendtë se çfarë është synuar në këtë ajet e di vetëm Allahu xh.sh..
Se cilët janë në të vërtetë këto dy dete, siç thamë kemi shumë supozime, disa prej të cilëve janë tërësisht jashtë realitetit objektiv.
Disa kanë thënë se këtu bëhet fjalë për Detin Persik dhe atë Mesdhe, e disa të tjerë se bëhet fjalë për detin e Lindjes dhe atë të Perëndimit. Disa dijetarë kanë shkuar madje aq larg duke thënë se njëri det është në tokë e tjetri në qiell?! Ka edhe nga sufinjtë dhe ata që pohojnë se çdo ajet i Kur’anit ka kuptimin e jashtëm sipërfaqësor dhe atë të brendshëm-metaforik, të cilët kanë thënë se këto dy dete janë “rruga e mirësisë” dhe “rruga e së keqes”, ndërsa penguesi barriera-berzahu mes tyre është “balancimi”. Është thënë që këto dete simbolizojnë “mendjen” dhe “epshin-pasionin” e barriera është “butësia dhembshuria e Allahut”. Disa kanë shkuar nga ajo se njëri det simbolizon “nënshtrimin-përuljen” e tjetri “mëkatimin” ndërsa barriera në mes tyre është “mbrojtja nga të rënët në mëkat.” Është thënë se janë “Dynjaja dhe Ahireti” e barriera-penguesi është “varri”, apo koha prej vdekjes deri në ringjallje. Është thënë se dy detet simbolizojnë “jetën dhe vdekjen”, e barriera është “exheli” etj., por që të gjitha këto mendime janë më tepër në sferën e supozimeve hipotetike dhe sipas nesh, janë larg nga realiteti dhe argumentet e pakontestueshme, të cilët i shohim pothuajse çdo ditë, duke e soditur ujin e lumenjve të ëmbël teksa derdhet rrëke në detet-oqeanet e njelmët.
Pra, shumica dërmuese e dijetarëve kanë përkrahur mendimin, i cili është më së përafërmi me të vërtetën, se këtu bëhet fjalë për secilin det apo oqean të njelmët dhe për secilin lum të madh me ujë të ëmbël, i cili derdhet në të. Ky mendim fiton edhe më tepër në peshë, e mbase edhe është më i sakti, kur e krahasojmë me ajetin 53 të sures “El-Furkan”: “Ai la të lirë të bashkohen dy dete, ky (njëri) i pijshëm e i shijshëm, e ky (tjetri) i njelmët e i hidhur, e mes tyre bëri si të jetë ndonjë pendë, pritë që të mos përzihen.”
20. Ndërmjet atyre të dyve është një pengues që ata të dy nuk e kapërcejnë.
Ajeti i 20-të i kësaj sureje, është një mrekulli tjetër në vete që po mahnit oqeanografët anembanë botës. Në shekujt e kaluar, pa fotografimet e satelitëve dhe pa hulumtimet e anijeve të posaçme për studimin e oqeaneve, ky ajet nuk ka mundur të kuptohet ashtu siç na e përshkruan Kurani famëlartë, përveçqë ne muslimanët, gjithnjë kemi besuar, pa kurrfarë dyshimi, se kjo pengesë që dy detet nuk e kapërcejnë, është shprehje e mrekullisë dhe e madhështisë së Allahut në krijimin e kësaj toke.
Fjala “berzehun” në aspektin filologjik, nënkupton një pengesë apo barrierë ndarëse në mes dy gjërave.
Në aspektin fetar, termi “berzah” përdoret edhe për jetën pas vdekjes deri në Ringjallje.
Penguesi-barriera-“berzahu” i përshkruar në këtë ajet, sipas disa komentatorëve mund të jetë toka e thatë, e cila e ndan lumin që rrjedh buzë detit, derisa të derdhet në të, ose mund të jetë një pengesë që nuk është e natyrës materiale dhe që syri ynë nuk e dallon dot.
Duke analizuar tefsiret e mëhershme hasim në mendime të ndryshme rreth kuptimit të këtyre ajeteve, të cilat për atë kohë kanë qenë shumë të kapshme dhe të arsyeshme. Fatmirësisht, shohim se këto mendime janë po aq aktuale sa kanë qenë edhe në kohën kur janë thënë, përveç që ne sot këtyre mendimeve mund t’ua shtojmë edhe disa, duke u shërbyer me hulumtimet më të reja shkencore e teknologjike.
Sipas hulumtimeve më të reja shkencore, e të ndihmuar edhe nga satelitët artificialë që sillen vazhdimisht rreth tokës, mund të konkludojmë se këto ajete synojnë pikërisht rrjedhjen e lumenjve të mëdhenj nëpër dete e oqeane, siç janë Nili, Tigri, Eufrati etj.
Ajo që vlen të theksohet në këtë rast, është fakti se kur uji i ëmbël derdhet në det, ai e ruan dendësinë, ngjyrën dhe të gjitha karakteristikat e tjera në raport me detin e njelmët, i cili po ashtu i ka karakteristikat e tij, të ndryshme nga uji i lumenjve.
Ndërkohë, tash kur i sodisim detet apo oqeanet nga lartësitë qiellore, pamje të cilat dijetarët tanë të mëhershëm nuk kanë pasur fatin t’i shohin, mund të vërejmë mrekullinë e barrierës ndarëse-berzahun apo vijën ndarëse që ndan këto dy ujëra në mes vete. Ky fenomen i bashkimit të dy ujërave, kohëve të fundit është vërejtur edhe në mes vetë deteve me ujë të njelmët, si f.v. tek ngushtica e Gjibraltarit. Aty shohim teksa takohen Oqeani Atlantik me Detin Mesdhe, dhe vërehet qartë se ujërat e këtyre dy deteve, kanë dallim në mes tyre, qoftë në dendësi, kripësi apo në llojin e gjallesave detare që jetojnë në ta. Kur Deti Mesdhe takohet me Oqeanin Atlantik shohim se Mesdheu futet me qindra kilometra në Atlantik, por nëpërmjet kësaj barriere-pengese i humb specifikat e veta dhe merr specifikat e Atlantikut, dhe anasjelltas, uji i Atlantikut, kur vjen në Mesdhe, nëpërmjet kësaj barriere i humb specifikat e Atlantikut dhe merr specifikat e Mesdheut, sepse Deti Mesdhe është më i ngrohtë, më i kripur dhe me dendësi më të vogël.
Sot në botë ka shumë dete që takohen në mes vete dhe madje edhe me sy të lirë shohin një vijë ndarëse që ndryshon në ngjyrë; njëri det ka ngjyrë më të hapur, e tjetri më të mbyllur. Ky fenomen ndodh në shumë vende të botës, e një gjë të tillë e ka vërtetuar qysh në vitin e largët 1873 anija “Challenger”, ekuipazhi studiues i së cilës është marrë pikërisht me këtë fenomen. Të trimëruar nga këto rezultate hulumtuese,dijetarët në studimet e tyre të mëvonshme, kanë zbuluar se edhe ujërat e oqeaneve ndryshojnë nga njëri-tjetri. F.v. uji i Oqeanit Atlantik është me tjera veçori nga ai i Paqësorit, apo ky i fundit dallon në shumë karakteristika nga ai Indian.
Oqeanografët që merren me studimin e oqeaneve dhe të deteve, kohëve të fundit kanë zbuluar se edhe në mes deteve – oqeaneve ekziston barriera që i “pengon” këto dete për të mos hyrë tek njëri-tjetri dhe pikërisht nëpërmjet kësaj barriere secili prej tyre ruan specifikat e veta për sa i përket temperaturës, dendësisë, kripësisë, sasisë së oksigjenit etj. Ujërat e këtyre deteve përzihen me një përzierje të ngadalshme, në atë mënyrë që pjesa e njërit det që depërton thellë në detin tjetër merr cilësitë e këtij të fundit dhe anasjelltas duke i lënë cilësitë e veta gjatë kalimit nëpër atë barrierë, kështu që të dy detet ruajnë gjithnjë veçoritë e tyre të veta.
21. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
Mirësitë dhe begatitë e shumta të Allahut ndaj njerëzve që gjenden në lumenj e dete, janë prej begative më të mëdha që Krijuesi fuqiplotë i ka përgatitur për Ne. Në lumenj përveç ujit të pijshëm, i cili është burim i jetës sonë në këtë botë, ka edhe peshq për ushqim, ndërkohë që uji i tyre shërben edhe për ujitjen dhe pllenimin e tokave përgjatë shtretërve të tyre, që njerëzit të përfitojnë nga të mbjellat etj.
Ndërsa oqeanet me ujë të njelmët, përveç peshqve dhe krijesave të tjera që shërbejnë si burim ushqimi, ata shërbejnë edhe për transportin e mallrave të shumta rreth e përqark botës. Këto fakte do të mjaftonin që njerëzit të ishin mirënjohës ndaj Allahut e të mos mohonin asnjë prej këtyre mirësive të Tij....
22. Prej atyre të dyve nxirren margaritarë (perla) e korale.
23. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
Nga mirësitë e Tij të panumërta ndaj njeriut, janë edhe margaritarët dhe koralet e çmueshëm që nxirren nga deti. Këta gurë me vlerë dhe këto korale të mrekullueshme me ngjyra e kolorit të shumëllojshëm, përveç si mjet përfitimi nga shitja e tyre, shërbejnë edhe si stoli e zbukurim për të.
Margaritarët dhe koralet rriten e kultivohen ekskluzivisht nëpër detet e njelmëta, por thuhet se më së shumti shtohen në vend-rrjedhjet e lumenjve në dete, ku takohen dy ujërat (i ëmbli me të njelmët).
Një vend i tillë i vend-rritjes së margaritarëve me shumicë është Gadishulli arabik, për shkak se ujrat e Tigrit dhe Eufratit takohen me ujët e njelmët.
I Lartmadhërishmi i ka cekur margaritarët dhe koralet në Kuran si mjete, të cilat njeriu i përdor për zbukurim e stoli. Ai këtë gjë e cek edhe në ajetin 14 të sures “En-Nahl”:
“Pastaj, Ai është që nënshtroi detin, që prej tij të hani mish të freskët, e prej tij të nxirrni stoli që i mbani (i vishni)...”
Mishi i freskët janë peshqit, kurse stolitë – margaritarët dhe koralet.
Margaritarët rriten e zhvillohen në disa guaca që quhen “pina”. Ato shikuar nga ana e jashtme duken të ashpra, por me jetë e gjallëri brenda dy kapakëve kuackorë. Pak a shumë si një midhje e madhe, e cila, brenda dy kapakëve të zinj, ka një gjallesë që shërben si ushqim i shijshëm për njerëzit.
Pikërisht edhe “pina”, brenda kapakëve të saj të ashpër kuackorë rrit brenda saj gjallesën, e cila përpiqet ta mbajë pastër “shtëpinë” e saj prej guace dhe trupin e saj delikat të sedeftë, si dhe të sigurojë ushqim për të jetuar ajo vetë, apo edhe të lindurit e saj.
Por, ndodh që rrymat detare, të cilat lëvizin guriçkat e rërës në fund të detit, të arrijnë të futin brenda kësaj guace ndonjë kokërrz të vogël rëre. Kokërrza është e vogël, por alarmi që shkakton te gjallesa detare kjo “gjë” e huaj, e gurtë, është shumë e madhe. Në rast se gjallesa nuk arin ta nxjerrë jashtë organizmit të saj me formën tradicionale të shtyrjes, ajo, duke mos u pajtuar me praninë fizike të kësaj “gjëje të huaj”, e cila mund të mbartë në të ardhmen rreziqe të panjohura për vetë gjallesën apo krijesat e saj, përdor metodën e “murosjes” së këtij trupi të huaj, brenda organizmit të saj.
Kështu, për vetëmbrojtje prodhon një substancë e cila e “vesh” nga të gjitha anët kokërrzën e rërës, duke e izoluar atë nga kontakti me organizmin. Kjo substancë e prodhuar nga vetë krijesa detare, që rrjedh natyrshëm nga organizmi i saj, në formë “lëngu molekular” pas kontaktit me kokërrzën e ngurtë të rërës, ngurtësohet edhe ajo vetë, duke krijuar kështu një veshje apo “koracë” izoluese të gjithanshme të kokërrzës së rërës.
Kjo substancë është lëndore, është si ushqimi i nënës për fëmijën e saj në fetus, është si gjaku që rrjedh nëpër deje. Po të dalë gjaku jashtë trupit, ai mpikset, duke u ngurtësuar, pra duke ndryshuar formën, madje edhe ngjyrën, deri diku. Pra, kjo substancë lëndore që ngurtësohet në formë rruzulli, rreth kokërrzës së rërës, përbën atë gur të çmuar dhe magjepsës për nga bukuria që quhet “margaritar-perlë”. Unik dhe i pandashëm në pjesë apo copa, si çdo gjë e gjallë. Ai për sytë tanë është aq i bukur, me një ndriçim të përzier bardhësie e kaltërsie, që në shpirtin tonë shkakton ndjenja të mahnitjes dhe bukurisë shpirtërore.
Kurse sa i përket koraleve, ato janë “bimë” apo më mirë “lule” deti, me ngjyra të ndryshme dhe bukuri marramendëse, të cilat kur lëkunden nga rrymat e nëndetshme u ngjajnë lëkundjeve të luleve në fushë, nga flladi i puhisë pranverore. Fatkeqësisht, sot dora e njeriut, është duke i shkatërruar këto bukuri të nëndetshme, duke derdhur në det lloj-lloj kemikaliesh, të cilët po ndikojnë në shkatërrimin e këtyre shkëmbinjve koralorë përgjatë bregdeteve.
I Madhi Zot ashtu siç e ka zbukuruar nënqiellin e kësaj bote me yje e planetë, që shëmbëllejnë si kandila ndriçues, po ashtu me urtësinë e Tij ka bërë që këta gurë të çmueshëm të nxirren nga deti e nga toka, siç janë margaritarët, koralet, rubinët, diamantët, safirët, opalët etj., që njeriut t’i kënaqet syri nga bukuria e tyre.
Allahu xh.sh. i krahason në këtë mënyrë mirësitë e Tij, materiale, shpirtërore dhe ato që janë në horizonte e në thellësi të deteve, që me bukuritë dhe stolitë e tyre, në zemrën e njeriut të shkaktojnë ndjesinë e së bukurës dhe kënaqësisë. Allahu xh.sh. na tregon se si e ka zbukuruar qiellin e kësaj tokë me yje kur thotë:
“Ne, në qiell kemi krijuar galaksione yjesh dhe atë (qiellin) e kemi zbukuruar për ata që e shikojnë me vëmendje.” - (El-Hixhr, 16) dhe:
“Ne qiellin më të afërt e kemi zbukuruar me kandila (yje ndriçues)” - (El-Mulk, 5)
Që të gjitha këto bukuri e hijeshi magjepsëse, të cilat njeriu i sodit, sa herë që e drejton shikim përreth tij, bëjnë që shpirti dhe mendja e tij të ndjejnë qetësi e prehje të thellë shpirtërore. Kjo bukuri shpërfaqet para tij në çdo send që e vështron në këtë gjithësi, sepse këtë ndjenjë të mirë i Madhërishmi e ka mbjellë thellë në shpirtin e njeriut që të vështrojë e të kënaqet me të bukurën. E pjesë e kësaj bukurie janë edhe margaritarët e koralet, prandaj kjo do të duhej të mjaftonte që njerëzit dhe exhinët, të ishin mirënjohës ndaj Allahut, që natë e ditë të bien në sexhde falënderimi e të mos mohojnë këto begati, stoli e zbukurime që të kënaqin syrin e shpirtin...
24. Dhe të Atij janë anijet lundruese të ngritura lart si kodra në det.
25. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
Fjala “el-xhevari” është shumësi i asaj “xharije” dhe nënkupton anijet lundruese.
Në Kuranin fisnik, anijet janë përmendur edhe me emra të tjerë si: “el-fulk”, “es-sefinetu”, dhe sa herë që janë përmendur, janë përmendur për dobitë që kanë njerëzit prej tyre, qoftë në bartjen e tyre prej një vendi në një vend tjetër, qoftë për bartjen-transportimin e mallit të tregtisë.
I Madhi Zot në Kur’an ka thënë: “... dhe për të mirën tuaj u vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij...” - (Ibrahim, 32)
Herën tjetër përmend se si e ka nënshtruar detin për njerëzit, që në të, të lundrojnë anijet:
“Allahu është Ai, që për ju e nënshtroi detin që me lejen e Tij të lundrojnë anijet nëpër të, që të kërkoni begatitë e tij; ndaj, falënderonie.”- (El-Xhathije, 12) Këto mirësi janë vetëm prej Allahut dhe vetëm Atij duhet t’i jemi mirënjohës.
Në të kaluarën,anijet kanë qenë ndoshta mjetet e vetme për bartjen e mallrave, pastaj kanë shërbyer edhe për bartjen e haxhinjve në Haxh-vendet e shenjta nga pjesë të ndryshme të botës, si dhe flota ushtarake në shërbim të përhapjes së fjalës së Allahut, përveçqë kanë shërbyer edhe si mjete peshkimi e furnizimi.
Të përmendurit e fjalës “kel-a’ëlam”, në këtë ajet paraqet një mrekulli tjetër në vete. Allahu xh.sh. i ka krahasuar anijet në detin e hapur sikur të ishin kodra madhështore. Ky krahasim i anijeve me kodrat, nuk ka mundur të kuptohet dikur siç mund të kuptohet tash, në kohën kur i shohim anijet e mëdha tejoqeanike apo “kruzerët”, teksa u shëmbëllejnë kodrave gjigante. Anija “Titanik” e fundosur pikërisht para një shekulli, është një prej këtyre ekzemplarëve.
Në të kaluarën, nuk ka pasur anije kaq të mëdha tejoqeanike, prandaj madhështia e këtij ajeti fiton edhe më tepër në peshë në kohën në të cilën tash jetojmë, ngase nga kjo kuptojmë se Kurani vërtetë ka zbritur për të gjitha kohërat, meqë sips nesh, ky ajet synon pikërisht kohën tonë moderne.
Edhe në disa ajete tjera kuranore, Allahu xh.sh. i përmend anijet sikur të ishin kodra teksa thotë:
“Dhe nga argumentet (që dokumentojnë fuqinë) e Tij, janë anijet lundruese nëpër det si të ishin kodra.” - (Esh-Shura, 32)
Me lejen dhe Dëshirën e Allahut, këto anije lundrojnë në det, prandaj njerëzit duhet t’i jenë vetëm Atij mirënjohës, sepse Ai ia nënshtroi këtij njeriu detet dhe erërat, që t’i bartin këto anije në të katër anët e botës.
Allahu xh.sh. në suren “El-Isra’ë”, ajeti 66 thotë:
“Zoti juaj është Ai që për ju mundësoi lundrimin e anijeve në det, në mënyrë që të kërkoni nga të mirat e Tij. Vërtet, Ai është shumë mëshirues ndaj jush.” dhe pikërisht për hir të këtyre begative e mirësive, që njeriut ia ka nënshtruar detin (ujin) dhe erërat (puhizat) e lehta, të cilat i shtyjnë velat e anijeve, ai duhet të jetë mirënjohës dhe falënderues ndaj Allahut xh.sh. që ia lehtësoi furnizimin dhe kërkimin e rrëskut...
Urtësia e këtyre ajeteve: (19-25)
- Detet-Oqeanet dhe lumenjtë janë prej mirësive më të mëdha të Allahut për njeriun po edhe për exhinët. Allahu xh.sh. me Urtësinë e Tij bëri që nga detet dhe lumenjtë, njeriu të ketë dobi të shumta. Uji i ëmbël i lumenjve është burim i jetës për njeriun, ndërkohë që uji i njelmët i oqeaneve ka po ashtu rëndësi jetike për jetën e njeriut në këtë tokë. Kripësia (njelmësia) e oqeaneve) e mbron ujin dhe ajrin që të mos prishen e me këtë edhe vetë jetën e qenieve të gjalla, që është njëra ndër mrekullitë e panumërta të Allahut xh.sh..
Në oqeane ka aq shumë kripë saqë do të mjaftonte të mbulohet një sipërfaqe prej 10 milion km2 , në lartësi prej 2400 metra, apo më mirë të themi se nga kripa e oqeaneve mund të mbulohet në tërësi kontinenti afrikan.
- Dihet se nëpër dete dhe oqeane rrjedhin dhe derdhen lumenj nëntokësorë shumë më të mëdhenj se lumenjtë që i kemi mbi sipërfaqen e Tokës siç janë: Nili, Amazoni, Eufrati etj. Këta lumenj janë ata që nga shkëmbinjtë kripor morën me vete kripën e tyre gjatë mileniumeve të kaluara dhe sollën në oqeane.
- Allahu me Madhërinë e Tij ka bërë që ujërat e dy deteve të puqen e takohen mes vete, por secili duke ruajtur karakteristikat e tij në dendësi, kripësi, sasi të oksigjenit etj. Në mes tyre ka një pengues-barrierë të padukshme për ne, por që hetohet në bazë të eksperimenteve shkencore.
- Në detet e njelmëta rriten e kultivohen perlat-margaritarët e çmueshëm, si dhe koralet me lloj-lloj formash të mrekullueshme. Margaritarët dhe koralet shërbejnë si stoli për njerëzit.
- Anijet e mëdha që u shëmbëllejnë kodrave për nga madhësia, janë prej shenjave dhe mirësive të tjera të Allahut ndaj njeriut, nëpërmjet të cilave ai i realizon shumë prej nevojave të tij jetësore, siç janë bartja dhe transportimi i mallrave, i ushqimeve dhe i shumë gjërave të tjera që ia lehtësojnë jetën mbi këtë tokë. (vijon)
Sabri Bajgora