Komentimi i sures “Er-Rrahman” (6)

 


26. Çdo gjë që është në të (në Tokë), është e zhdukur. 27. E do të mbetet vetëm Zoti yt Që është i Madhëruar e i Nderuar! 28. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? 29. (Ai mbetet) Atij i drejtohet me lutje ç’ka në qiej e në Tokë dhe Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (fal mëkate, largon brenga, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.). 30. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po mohoni ju”? - (Er-Rrahman, 26-30) 



Koment: 26. Çdo gjë që është në të (në Tokë), është e zhdukur. 



Sipas mësimeve tona fetare-akaidologjike, çdo gjë që është e krijuar, pavarësisht nëse janë engjëj, exhinë, njerëz, gjallesa të tjera, planetë, yje apo galaktika, një ditë do ta kenë fundin e tyre dhe do të shkatërrohen. Ky është një ligj ekzistencial nga ana e Krijuesit të Gjithëdijshëm e Fuqiplotë.
Asnjë prej këtyre krijesave që përmendëm, nuk kanë pasur ekzistencë vetanake, por janë krijuar dhe, nga mosqenia, me Lejen, Dëshirën dhe Vullnetin e Allahut, kanë ardhur në këtë ekzistencë materiale. 
Shkatërrimi është veçori e ekzistencave të mundshme, ndërkohë që Allahut nuk mund T’i jepet një veçori apo cilësi e tillë e mangët. Cilësitë e Tij janë të përhershme Ai ekziston, është Një dhe i Vetmi, është i Përhershëm pa fillim dhe i Përhershëm pa mbarim. Ai është i Gjallë, Di gjithçka, Dëgjon gjithçka, Sheh gjithçka, është i Plotfuqishëm, është Krijues i çdo ekzistence dhe krijese, Vullnetit të Tij i nënshtrohet ç’ka në qiej e në Tokë, etj.. 
Po t’i qasemi këtij ajeti në mënyrë më të hollësishme, do të shohim se ai flet vetëm për shkatërrimin e banorëve të Tokës, por në disa ajete të tjera kuranore është sqaruar se, përveç tyre, do të shkatërrohen e zhduken edhe banorët e qiellit-engjëjt. 
Transmetohet nga Ibn Abasi të ketë thënë: Kur kishte zbritur ajeti 26 i sures “Er-Rrahman”: “Çdo gjë që është në të (në Tokë), është e zhdukur”, engjëjt kishin thënë: “E pati puna e banorëve të Tokës, ata do të shkatërrohen e zhduken”, prandaj Allahu xh.sh. zbriti edhe ajetin 88 të sures “El-Kasas”: “Çdo send zhduket e Ai jo”, nga i cili engjëjt e kuptuan se edhe ata do të zhdukeshin-shkatërroheshin.”(1) 
Por, sipas mësimeve islame, ky shkatërrim a vdekje, të cilës do t’i nënshtrohen të gjitha krijesat, vlen vetëm për jetën e kësaj bote, sepse kjo botë është e destinuar të shkatërrohet e, së bashku me të, çdo gjë që i përket asaj, ndërsa Ahireti është i përhershëm dhe të përhershme janë të gjitha gjërat në të. 
I Gjithëfuqishmi krijoi racën njerëzore prej dheut-tokës, pastaj babait tonë, Ademit a.s. i dhuroi shpirtin-gjallërinë, më pas ia krijoi bashkëshorten-Havën dhe e bëri Ligj që jeta njerëzore mbi këtë Tokë, të zhvillohet e të rrjedhë sipas shkaqeve, prej dy prindërve tanë. 



Në lidhje me këtë flasin këto ajete: 
“Ai së pari ju krijoi nga dheu” (Hud, 61), dhe: 
“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj Që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ai krijoi palën (shoqen) e tij, e prej atyre të dyve u shtuan burra shumë e gra...”. (En-Nisa’ë, 1) 
Pastaj për krijesën njerëzore përcaktoi që, pas vdekjes, t’i kthehemi sërish Tokës për t’u shndërruar në dhé, dhe prej saj sërish të ringjallemi, për të filluar jetën e amshueshme të pavdekësisë: 
“Prej asaj (Tokës) Ne ju krijuam ju, e ju do t’ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë.” (Ta Ha, 55) 
Ashtu siç ka filluar krijimin tonë të parë nga dheu, i Lartmadhërishmi do të na nxjerrë prapë nga toka (varret), por tash, pa pasur nevojë të kalojmë nëpër etapat e zhvillimit të sërishëm embrional në barkun e nënës. Ky do të jetë krijim i ri (i dytë) që nuk i përngjan krijimit tonë të parë. Krijimi ynë i parë ishte i tillë, nëpër faza dhe etapa të ndryshme dhe i paradestinuar që të përfundojë me vdekje-shkatërrim, sipas Ligjit të Allahut për të gjitha krijesat, ndërkohë që krijimi ynë i dytë ndryshon thelbësisht, sepse tash, me Lejen e Allahut, trupat tanë pas ringjalljes nuk do t’i nënshtrohen më kurrë vdekjes dhe as procesit të shkatërrimit. Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh., në ajetet 61-62 të sures “El-Vakia”, thotë: “...dhe t’ju krijojmë rishtazi siç nuk e dini ju. Ju e keni të njohur zanafillën e parë, e përse nuk mendoni?” 



27. E do të mbetet vetëm Zoti yt Që është i Madhëruar e i Nderuar! 



Kur të vijë momenti i fundit i kësaj bote, me Urdhrin e Allahut, do të shkatërrohet çdo gjë në këtë ekzistencë. Në tërë këtë Univers me këto përmasa të paimagjinueshme, nuk do të mbetet asnjë krijesë e gjallë. Të gjithë planetët, galaktikat e yjësitë, do të shkatërrohen. Do të shkatërrohen e zhduken njerëzit, exhinët, gjallesat e kësaj Toke, e madje edhe engjëjt. Askush përveç Tij nuk do të mbetet, e zaten ky edhe është kuptimi i këtyre dy ajeteve kuranore. 
Përkitazi me momentet e fundit të kësaj ekzistence, për tmerret dhe trishtimet e saj, flasin shumë ajete kuranore dhe hadithe të Pejgamberit a.s.. Madje, në disa koleksione të hadithit, është i njohur një hadith i gjatë që quhet “hadithu es-sur”-“hadithi i Surit”, i cili, ndonëse nga shumica e dijetarëve është cilësuar si i dobët, për shkak të disa dobësive në zinxhirin transmetues, megjithatë për nga përmbajtja, nuk vjen në kundërshtim me ndodhitë e fundit para ringjalljes së krijesave. Ka disa variante të transmetimit të këtij hadithi, e ne jemi përcaktuar për një version të shkurtuar të tij, i cili transmetohet nga Ebu Hurejra e ky nga i Dërguari i Allahut, të ketë thënë: “Thotë Zoti i Madhëruar në Kur’an: “Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu”. (Ez-Zumer, 68) 
Ata që do të mbeten të gjallë, do të jenë engjëjt: Xhibrili, Mikaili, Israfili dhe meleku i vdekjes (Azraili). (Në një transmetim tjetër ceket se, përveç katër engjëjve të mëdhenj, do të mbesin edhe engjëjt që bartin Arshin e të Madhërishmit). 
Zoti xh.sh. do ta thërrasë melekun e vdekjes e do t’i thotë: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur i gjallë”? 
Ai do t’i përgjigjet: “Kanë mbetur robërit e Tu - Xhibrili, Mikaili, Israfili dhe unë robi Yt-meleku i vdekjes”. 
Zoti xh.sh. do t’i thotë melekut të vdekjes: “O meleku i vdekjes, merre shpirtin e Xhibrilit”. Dhe do t’i merret shpirti Xhibrilit. 
Zoti xh.sh. do ta pyesë atë sërish: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani”?
Meleku i përgjigjet: “Kanë mbetur Israfili, Mikaili dhe unë robi Yt, meleku i vdekjes”.
 “O meleku i vdekjes – do t’i thërrasë Zoti- merre shpirtin e Israfilit”. Dhe i merret shpirti Israfilit. 
Më pas Zoti xh.sh. do ta pyesë përsëri: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani”? 
“Ka mbetur Mikaili dhe unë robi Yt, meleku i vdekjes”- do t’i përgjigjet ai.. 
“O meleku i vdekjes, merre shpirtin e Mikailit”- do ta urdhërojë Zoti i Madhërishëm, dhe do t’i merret shpirti Mikailit. 
Zoti xh.sh. do ta pyesë sërish: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani”?“Unë robi Yt o Zot, meleku i vdekjes”. 
“O meleku i vdekjes! – do ta urdhërojë Zoti merre shpirtin tënd”! 
Dhe meleku i vdekjes do ta marrë (nxjerrë) shpirtin e vet. 
Më pas i Madhërishmi do t’i kapë qiejt me të djathtën e Tij e do të thotë: “Unë jam Sunduesi suprem! Ku janë arrogantët? Ku janë mbretërit? Ku janë tiranët”? Më pas do T’i kapë shtatë tokat me të majtën e do të thotë: “Ku janë mbretërit? Ku janë tiranët? Kujt i përket sundimi sot”? 
Askush nuk do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, pasi gjithçka është e pashpirt dhe pa jetë. Më pas do të përgjigjet vetë Allahu duke thënë: “ (Sundimi është)i Allahut, i Atij Që është Një, i Fuqiplotit-Ngadhënjimtarit (është përgjigjja)”! (Gafir 16).(2) 
Pas kësaj, Gjithësia do të kthehet në origjinën e saj fillestare, sikur atëherë kur nuk ekzistonte asgjë përveç Allahut të Madhëruar... 
Ndërsa, në lidhje me komentin e fjalëve “Vexh’hu rabbike”, mufessirët kanë dhënë shumë mendime, se çfarë mund të jetë synuar me to, por ne duhet të cekim që në fillim se me këto fjalë synohet vetëm “Qenia Absolute e Zotit”, pa kurrfarë shëmbëllimi apo përngjasimi. 
Është plotësisht e kuptueshme që “Fytyra” në këtë rast nuk asocion kurrsesi me “Fytyrën e Allahut” – Qoftë i Pastër dhe i zhveshur nga çdo përngjasim me krijesat, por kjo është shprehje metaforike për Qenien e Tij të Pastër, të Lartë e Absolute. 
Një mendim i tillë ka mbështetje në shumë ajete kuranore, si p.sh.: 
“Të Allahut janë edhe (anët nga) lindja edhe nga perëndimi, dhe ngado që të ktheheni, aty është ana e Allahut”. – (El Bekare, 115) 
Si dhe ajeti 88 në suren “E -Kasas”: 
“... S’ka të adhuruar tjetër veç Tij. Çdo send zhduket e Ai jo”. 
Në fund të këtij ajeti është përmendur Emri i bukur i Allahut: “Dhul Xhelali vel Ikram”, që në fakt përbëhet prej dy cilësive, por që zakonisht shkojnë ngjitas dhe llogariten si një emër i vetëm. 
Ky Emër i bukur i Allahut, sipas shpjegimit të mufessirëve, do të thotë që Allahu është i Vetmi absolut, i përsosur në cilësitë e Tij. Vetëm Atij I takon madhështia dhe nderi. Madhështia është në vetë Qenien e Tij e njëkohësisht është fisnik dhe i ndershëm ndaj krijesave të Tij. 
Në lidhje më rëndësinë e këtij Emri të bukur të Allahut, ashtu siç transmetohet nga Ebu Hurejra, Enes ibn Maliku dhe Rebiate ibn Amiri, i Dërguari a.s. i ka porositur ashabët e tij që, gjatë duave (lutjeve) të tyre, të insistojnë sa më shumë në përmendjen e këtij Emri të bukur të Allahut, të cilin madje disa prej dijetarëve e kanë llogaritur edhe si Emrin më të madh të Allahut, duke thënë: “Insistoni në duatë tuaja dhe shqiptojeni gjithmonë (duke u lutur): “Ja Dhel Xhelali vel Ikram”(3) 



28. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? 



Jeta e kësaj bote i ka mundimet, sfidat dhe peripecitë e saj. Njeriu në këtë botë ndien dhimbje, pikëllime, trauma shpirtërore e mendore, ndërkohë që me vdekjen, marrin fund të gjitha këto. 
Kjo është prej mirësive më të mëdha të Allahut ndaj njerëzve dhe exhinëve, ndonëse shumë prej tyre nuk arrijnë ta kuptojnë këtë urtësi hyjnore, sepse pas vdekjes vjen ringjallja dhe jeta e përhershme e Ahiretit, në të cilën nuk ka as lodhje e as brenga, por vetëm kënaqësi në pafundësi. Prandaj vetëm kjo do të mjaftonte që njerëzit dhe exhinët të ishin mirënjohës ndaj Allahut për të mirat e Tij ndaj tyre. 



29. (Ai mbetet) Atij i drejtohet me lutje ç’ka në qiej e në Tokë dhe Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (fal mëkate, largon brenga, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.). 
30. E, cilën të mirë të Zotit tuaj ju po e mohoni? 



Çdo krijesë në këtë ekzistencë ka nevojë për mëshirën, butësinë, dhembshurinë dhe dashurinë e Allahut xh.sh.. Çdo krijesë i drejtohet Atij me lutje e kërkimfaljeje, sepse vetëm Ai Që na krijoi, i di të fshehtat, nevojat dhe hallet tona. Vetëm Ai është i panevojshëm për diçka, sepse është Krijues dhe i Gjithëpushtetshëm. 
Ajeti në fjalë na sqaron se çdo gjë që jeton e gjallëron në qiej e në Tokë, i kërkon dhe i lutet Allahut xh.sh. për nevojat që ka. Dikush i lutet për udhëzim, tjetri për shpëtim, dikush për shërim, të tjerët për t’i shpërblyer me Xhenet etj.. 
Dijetarët, në lidhje me pjesën e ajetit: “Atij i drejtohet me lutje ç’ka në qiej e në Tokë…” kanë thënë se me të, përveç njerëzve dhe exhinëve, synohen edhe melekët (engjëjt), të cilët I luten Allahut për mëshirë, ose I luten që t’u japë forcë për ta plotësuar madhërimin dhe adhurimin në formën më të përkryer. Sipas disave, engjëjt I luten dhe I kërkojnë Allahut që t’i falë e mëshirojë banorët e Tokës me mirësi dhe rrësk të hallallit. 
Ajeti i 5-të i sures “Esh-Shura” na dëfton për lutjen e engjëjve tek Allahu për të gjithë banorët e Tokës, pavarësisht nëse janë besimtarë ose jo, meqë udhëzimi është vetëm në “Dorë” të Zotit, teksa thonë e luten: 
“Ndërkaq, engjëjt vazhdimisht madhërojnë (bëjnë tesbih) duke E falënderuar Zotin e tyre dhe kërkojnë falje të mëkateve për ata që janë në Tokë”.
 Ndërsa lutjet e tyre të veçanta për besimtarët janë shumë më madhështore dhe konkrete, kur ata I luten Allahut që besimtarët T’i shpërblejë me Xhenetin “Adn” dhe t’ua falë gjynahet: 
“Ndërsa ata (engjëjt) që bartin Arshin, edhe ata që janë përreth tij, lartësojnë me falënderim Zotin e tyre, I besojnë Atij dhe I luten t’i falë ata që besuan (duke thënë): “Zoti ynë, Ti,me mëshirën dhe me diturinë Tënde, ke përfshirë çdo send, prandaj falju atyre që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde, e edhe ruaji ata nga dënimi i Xhehenemit! Zoti ynë, futi në Xhenete të Adnit, të cilët u ke premtuar, ata dhe kush ishte i mirë prej etërve të tyre, grave të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je Ngadhënjyesi, i Urti! Dhe i mbron ata prej të këqijave, pse atë që Ti e mbron atë ditë prej të këqijave, Ti e ke mëshiruar dhe ky është shpëtimi i madh”. (Gafir, 7-9) 
Këto ajete kuranore shpërfaqin katërçipërisht shpirtin fisnik të engjëjve, sepse ata janë krijuar për të qenë krijesa të tilla fisnike që luten vetëm për mirë. Engjëjt i gëzohen çastit kur shikojnë se si një gjynahqar pendohet tek Zoti dhe kthehet në rrugë të mbarë. Ata kënaqen kur shohin robërit e devotshëm të Allahut duke bërë sexhde të namazit, duke agjëruar e duke respektuar urdhëresat e të Madhit Zot. Pikërisht për këtë arsye, ata luten për besimtarët që t’i gëzojnë mirësitë e Xhenetit, së bashku me familjarët dhe më të dashurit e tyre. 
Allahu xh.sh., Që Veten E ka cilësuar me mëshirë të pakufishme, si në këtë botë, ashtu edhe në Ahiret, Ai (Allahu) së bashku me melekët e Tij luten për besimtarët me lutjet më kuptimplota, që t’i nxjerrë ata në dritën e shpëtimit.
“Ai ju mëshiron ju e edhe engjëjt e Tij, për t’ju nxjerrë ju prej errësirave në dritë dhe Ai ndaj besimtarëve është shumë mëshirues”. (El Ahzab, 43) 
Krahas këtyre lutjeve nga ana e Allahut dhe engjëjve për besimtarët, edhe vetë besimtarët e sinqertë, me përvujtninë më të madhe, i luten të Madhërishmit për udhëzim, për rrësk, për shtim të diturisë, për shpërblimet e Ahiretit dhe për shpëtim nga ndëshkimi me zjarrin e Xhehenemit.. 
Allahu xh.sh. na ka mësuar edhe si të lutemi dhe për çfarë të lutemi, kur thotë: 
“Allahut kërkoni nga të mirat e Tij”. (En-Nisa’ë, 4) 
Në lidhje me këtë, Sufjan ibn Ujejne ka thënë: “I Madhërishmi nuk na ka urdhëruar që t’i kërkojmë e t’i lutemi Atij për diçka tjetër, përveçse të na japë (dhurojë) të mirat e Tij. 
Allahu xh.sh. i përgjigjet secilit që i lutet, me kusht që lutja të burojë nga thellësia e zemrës, të jetë nga dëlirësia e shpirtit dhe të jetë e sinqertë. A nuk ka thënë në Kur’an: 
“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet...”. (El Bekare, 186) 
Për këtë arsye, ne kurrë nuk duhet të ndalemi nga lutja (duaja), sepse dyert e qiellit do t’i gjejmë gjithnjë të hapura për t’i dëgjuar psherëtimat tona, për t’i dëgjuar lotët e pendimit teksa ravijëzohen e lagin faqet tona me ngashërim.
Tregohet se një ditë prej ditësh, banorët e Basrës, i qenë ankuar robit të devotshëm, Ibrahim ibn Ed’hemit, se Allahu nuk po u përgjigjej lutjeve të tyre, për se ai u kishte thënë: 
“Zemrat tuaja janë të vdekura në dhjetë gjëra, dhe për këtë shkak duatë tuaja nuk ju pranohen: 
1. Thoni se E njihni Allahun , por nuk jeni duke kryer obligimet ndaj Tij ashtu siç duhet; 
2. Jeni duke lexuar Kur’anin, por nuk jeni duke vepruar sipas tij; 
3. Thoni se e doni të Dërguarin e Allahut , por e keni lënë anash traditën (Synetin) e tij; 
4. Thoni se shejtani është armiku juaj më i madh, por përsëri e pasoni; 
5. Thoni se i frikësoheni zjarrit të Xhehenemit, por nuk bëni vepra, të cilat do t’ju kishin larguar nga ai zjarr; 
6. Thoni se e doni Xhenetin, por nuk bëni vepra, të cilat do t’ju kishin afruar tek ai; 
7. Thoni se vdekja është hak (e vërtetë e pamohueshme), por nuk po përgatiteni për të;
 8. Jeni preokupuar me të metat dhe mangësitë e të tjerëve, ndërsa të metat tuaja po i harroni; 
9. Jeni duke i shfrytëzuar begatitë (nimetet) e Allahut, por nuk jeni falënderues e as mirënjohës ndaj Tij, dhe 
10. Ju i përcillni të vdekurit tuaj në varreza, por nuk po merrni mësim nga kjo”! 
Nga Kur’ani famëlartë kuptojmë se i Gjithëmëshirshmi ia ka pranuar lutjen e fundit edhe Iblisit-shejtanit të mallkuar, i cili Iu lut Zotit: 
(Iblisi) Tha: “Zoti im, më jep pra afat deri në ditën kur ata (njerëzit) të ringjallen! (Zoti) Tha: “Ti je prej të afatizuarve, deri në kohën e ditës së caktuar”. (E -Hixhr, 36-38) 
Kur shohim se Allahu xh.sh. nuk ia refuzoi lutjen e fundit madje as shejtanit, ndonëse dihet që ai do të jetë përjetësisht në zjarr, për shkak të kryeneçësisë dhe arrogancës së tij në zbatimin e Urdhrit të Allahut, e jo për shkak të mohimit të Tij, askush prej nesh nuk bën ta humbë shpresën për mëshirën e Allahut, sepse, sado gjynahqarë qofshim, duhet të rikujtojmë se në Kur’an gjendet edhe ajeti më shpresëdhënës : 
“Thuaj: O robët e Mi, që keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai njëmend fal shumë dhe është mëshirues”. (Ez-Zumer, 53) 
Ne nganjëherë çuditemi me disa thirrës teksa i frustrojnë xhematet e tyre duke u folur vetëm për ndëshkimet e Xhehenemit. Këta thirrës thuajse kanë harruar se njerëzit duhet t’i afrosh tek Zoti me butësi e dashuri, e jo me frikësim e kërcënim. A thua kanë harruar këta thirrës hadithin kudsij, ku Allahu xh. sh. thotë: “Mëshira Ime e ka tejkaluar hidhërimin Tim”! 
“...Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (fal mëkate, largon brenga, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.)”. 
Pjesa e dytë e këtij ajeti është po aq madhështore sa pjesa e parë e tij, sepse kuptojmë që i Lartmadhërishmi për çdo ditë merret me çështjet, lutjet, duatë dhe përgjërimet e robërve të Tij. Ai për çdo ditë shfaq në ekzistencë çështje e gjëra, ripërtërit gjendje etj.. 
Tregohet se një ditë, gjersa i Dërguari i Allahut ua lexoi këtë ajet ashabëve të tij, njëri prej tyre e pyeti: “Çfarë është ky “she’ën”-“çështje”?, e Resulullahi s.a.v.s. iu përgjigj: “Prej çështjeve të Tij janë: që të falë gabimin e dikujt, ta largojë brengën e dikujt dhe t’i përgjigjet lutjes së thirrësve (që pendohen ose kërkojnë ndihmë, mëshirë apo shpëtim)”.(4) 
Allahu xh.sh. mbikëqyr çdo proces të kësaj gjithësie. Atë nuk e zë as gjumi e as kotja. Ai është i Gjallë, sheh dhe dëgjon gjithçka. Ai jep e merr jetë, ngre, lartëson po edhe poshtëron njerëz, furnizon krijesat, e mbështjell natën me ditën dhe anasjelltas, e nxjerr të gjallin prej të vdekurit dhe të vdekurin prej të gjallit, shëron të sëmurin dhe shumë të tjerë i sprovon me lloj-lloj sprovash. I sprovon me frikë, me varfëri dhe me humbje të më të dashurve të tyre (me vdekjen). I ngre njerëzit e popujt në gradat e krenarisë, kurse i ul e i poshtëron mendjemëdhenjtë e zullumqarët. Të pasurin e bën të varfër e të varfrin të pasur, e kështu me radhë, gjëra e çështje që janë vetëm në Dijen e Tij. 
Këto gjëra që janë në kompetencën e Tij, i sqaron detajisht edhe ky ajet kuranor:
 “Thuaj: “O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do; e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë”! Ti e fute natën në ditë dhe Ti e fute ditën në natë, Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pa masë atë që do”! – (Ali Imran, 26-27).
 Në lidhje me ajetin e 29-të të kësaj sureje që jemi duke e komentuar: “Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (fal mëkate, largon brenga, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.)”, nëpër disa libra me këshilla islame, përmendet ngjarja e një dijetari, ndonëse për emrin e tij ka mospajtime në mes tyre... Disa thonë se fjala është për Imam Ahmed ibn Hanbelin, disa për Ebu Hamid el Gazalin e disa për një tjetër. Unë në këtë rast jam përcaktuar për versionin në të cilin ceket emri i Imam Ahmedit. 
Një ditë, derisa Imam Ahmed Ibn Hanbeli po ligjëronte në xhami, dhe pikërisht kur kishte arritur te komentimi i ajetit të 29-të të sures “Er-Rrahman”: “Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (fal mëkate, largon brenga, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.)”, u ngrit një njeri dhe e pyeti: “Çfarë është duke bërë Zoti ynë tani”?. Imam Ahmedi mbeti i hutuar nga kjo pyetje, heshti dhe nuk iu përgjigj. U kthye në shtëpi dhe u hodh mbi libra duke u përpjekur të gjente përgjigjen e duhur. Tërë natën e kaloi duke menduar përgjigjen, po nuk e gjeti dot. Kur të nesërmen nisi ligjëratën, i njëjti njeri e përsëriti të njëjtën pyetje, e Imam Ahmedi sërish heshti, sepse nuk e dinte përgjigjen. Imam Ahmedi u kthye i thyer në shtëpinë e tij. Ishte lodhur shpirtërisht e psikikisht. Dëshironte me gjithë shpirt ta kuptonte esencën e tërë kësaj çështjeje. Ndihej paksa i turpëruar, sepse ishte imam i madh e i respektuar nga masa. Në këtë gjendje të mërzisë, në orët e vona të natës, e zuri gjumi dhe në ëndërr (ru’ja) pa të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., të cilit ia tregoi tërë ngjarjen, dhe pastaj e pyeti: O i Dërguar i Allahut, çfarë është duke bërë Zoti ynë tani? Atëherë Resulullahi s.a.v.s. iu përgjigj: “Shfaq (sjell në ekzistencë materiale) çështje e nuk i fillon ato (sepse Ai ende pa krijuar këtë ekzistencë, e as njerëzit, ka krijuar Lapsin dhe e ka urdhëruar të shkruajë të gjitha përcaktimet (gjërat-mekadrir) deri në Ditën e Gjykimit, prandaj Ai nuk ka nevojë që ato gjëra të fillojë t’i krijojë sërish, por, kur dëshiron që të shfaqet në ekzistencë një gjë, vetëm i thotë: “Bëhu” dhe ajo bëhet (shfaqet)(5)”. 
Imam Ahmedi, si një dijetar i madh, e kuptoi qartë mesazhin e të Dërguarit të Allahut... Të nesërmen, kur zbardhi dita e tretë, Imam Ahmedi e nisi ligjëratën e tij, i lehtësuar. E kërkoi me sy personin që ia kishte bërë pyetjen për dy ditë rresht dhe, kur shikimet e tyre u takuan, ai u ngrit sërish dhe ia bëri të njëjtën pyetje, e Imam Ahmedi iu përgjigj: “Allahu për çdo ditë “Shfaq çështje e nuk i fillon ato”. Atëherë, njeriu që e kishte pyetur, që në të vërtetë kishte qenë edhe vetë një dijetar i madh me nam dhe një prej evliave (të dashurve të Allahut), u ngrit dhe i tha: O Ahmed! Dërgoji pandërprerë salavate atij që ta mësoi këtë përgjigje”! 
Çfarë madhështie e njerëzve madhështorë, të këtij Ymeti madhështor! 
Ibn Ujejne, lidhur me po këtë ajet, ka thënë: “Koha tek Allahu është dy Ditë. Njëra Ditë është jetëgjatësia e kësaj bote (dynjaja), në të cilën Allahu xh.sh. kujdeset për urdhëresat, ndalesat, për jetën e vdekjen, sprovat, rrëskun, pranimin e pendimit etj., dhe Dita e dytë simbolizon jetën e Ahiretit, në të cilën Ai merr në Llogari krijesat, me shpërblimin dhe ndëshkimin e tyre etj.”. 



30. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po mohoni ju? 



Nga ajeti paraprak është plotësisht e qartë se Allahu xh.sh. është i Pastër dhe i zhveshur nga çdo e metë a mangësi. Çdo krijesë ka nevojë për ndihmën e Tij. Vetëm Atij I drejtohemi me lutje e përgjërime. Meqë i Lartmadhërishmi na ka bërë të ditur se dyert e mëshirës, të butësisë e të pendimit janë gjithmonë të hapura, kjo do të ishte e mjaftueshme që njerëzit dhe exhinët, si krijesa me intelekt, të ishin të parët që do të duhej ta falënderonin Atë për të gjitha këto mirësi e begati, që nuk i la në errësirë po i nxori nga ajo në dritën e besimit e të shpëtimit. 



Urtësitë e këtyre ajeteve: 
- Kjo botë dhe kjo gjithësi, një ditë do ta kenë fundin. Çdo gjë që është në Tokë e në qiej do të zhduket, e do të mbetet vetëm Zoti i Madhëruar. 
- Krahas njerëzve dhe exhinëve, procesit të zhdukjes do t’i nënshtrohen edhe melekët (engjëjt). 
- Vdekja, shikuar nga një aspekt, është një mirësi prej mirësive të Allahut ndaj njerëzve dhe exhinëve, sepse zhduk dhe mënjanon pengesën në mes jetës së përkohshme të kësaj bote dhe përjetësisë së Ahiretit.
 - Pas vdekjes, njeriu pushon nga të gjitha lodhjet, mundimet, dhimbjet dhe vështirësitë e kësaj bote, për të përjetuar përkohësisht një botë shpirtërore, deri në ringjallje, që të shijojë e përjetojë pastaj fizikisht e shpirtërisht mirësitë e Ahiretit. 
- Allahut si Krijues i kësaj ekzistence, çdo krijesë I drejtohet me lutje për mëshirë, sepse vetëm Ai është Absolut, i Gjallë, i Përhershëm. Ai çdo ditë fal e merr jetë, largon halle e brenga të njerëzve. Lartëson popuj e poshtëron mizorë e tiranë. 
Këtë shkatërrim dhe zhdukje e pason një nderim për njeriun, në varr, i cili, në bazë të veprave të tij në këtë botë, do të shpërblehet ose do të ndëshkohet. Ky shkatërrim në një mënyrë është një mirësi. 



______________
1. Tefsiri i Kurtubiut, vëll.XX, f. 132, Bejrut 2006 
2. Shih: “El-Mu’xhemul Kebir” nga Taberaniu 
3. Transmeton Tirmidhiu (5/540); dhe Imam Ahmedi (4/177). Shih: El-Imam el Hafidh Izzud-din Abdurrazik er-Rres’ani el Hanbeli - “Rumuzul Kunuzi fi Tefsiril Kitabil Azizi”, vëll.7, f. 558, Mekë, 2007. 
4. Suneni i Ibn Maxhes, 1/73. 
5. Sqarim Yni



 Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)