Kush është Fadil Rashiti ?

 


Fadil Rashiti ka lindur me 9 janar 1975 në fshatin Petrovë, komuna e Shtimes, nga babai Bajrushi dhe nëna Nexhmija.
Shkollën Fillore “Bajram Curri” e ka mbaruar ne Petrovë, dhe të mesmen Medresenë “Alauddin” të Prishtinës. Ka absolvuar në Fakultetin e Sundimeve Islame të Prishtinës në vitin 1998.
Fadil ef. Rashiti ka punuar imam i xhamisë në Petrovë gjatë viteve 1993 – 1998. Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkua në mars 1998. 
Ka qenë ushtar aktiv në Krojmir të Lipjanit në Brigadën “Ahmet Kaqiku”. Pas një kohë qëndrimi në pikën e Krojmirit, ai do të kalonte në fshatin Rrancë të komunës së Shtimes, për të formuar një pikë të re të Zonës Operative të Nerodimes.
Kontributi i tij në këtë pikë ishte i pakontestueshëm. I veshur me uniformë te UÇK-së, Fadil efendiu namazin e xhumasë së parë e fali në shtabin e kësaj pike në Rrancë. Mulla Fadili ka qenë pjesëmarrës në shumë beteja në grykën e Caralevës. Forcat serbe të trishtuara nga veprimet e ushtarëve çlirimtarë në këto anë, sidomos nga fundi i shtatorit 1998, kishin marë ofensivë për të depërtuar në zonat malore, ku ishin të përqendruara forcat e UÇK-së, veçanërisht në fshatin Jezerc të Ferizajit. Kjo ofensivë, Mulla Fadilin me shumë shokë: Emrush ef. Sumën, Besri ef. Topallin, Kadri ef. Ademajn etj., do t’i gjente të sistemuar nëpër istikame në kuadër të Brigadës “Ahmet Kaçiku”. Pas kësaj beteje, mulla Fadili me disa shokë shkuan në Shqipëri për t’u furnizuar me armë. Mirëpo më datë 17 dhjetor 1998, duke u kthyer me armatim nga Shqipëria, në kufirin artificial Kosovë – Shqipëri në Gorozhup Fadili ra shehid, së bashku me komandantin Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe me bashkëluftëtarë të tjerë.
Fadil Efendiu është varrosur në Marinë te Skenderajt, ku është ngritur lapidari i përbashkët për të rënët në Gorozhup.
Fadil efendiut post mortum i janë dhënë mirënjohje nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së (2003) dhe nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes (1999), kurse Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Shtime post mortum i ka dhënë Medaljen për Kontributin e dhënë në Luftën për Liri (2009).



Artikulli i kaluar
Kush është Beqir Krasniqi ?
Artikulli radhës
Kush është Arif Shala?