Sami Plakolli ka lindur më 13 mars 1970 në fshatin Letanc të komunës së Podujevës, nga nëna Nazifja dhe babai Naipi. Shkollën fillore “Vëllazërim Bashkimi” e ka mbaruar në Podujevë kurse të mesmen medresenë “Alauddin” të Prishtinës, në vitin 1989.
Pas mbarimit të medresesë, ka punuar si udhëheqës i furrës private të bukës “Gentes” në Letanc. Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkua në muajin korrik 1998.
Ushtrimet e kreu në Bajgorë, te komandanti i togut Rifat Maloku – Shpati, dhe më pastaj u vendos në pikën e Kaçadollit te komanduesi Selim Haziri – Bekria. Aty qëndroi deri në Ofensivën e Kaçadollit, në të cilën mori pjesë. Pas ofensivës, Samiu u dërgua në Majac, ku qëndroi për tri javë. Më vonë u kthye në Bradash, tek njësiti i “Bekrisë”.
Samit mori pjesë në të gjitha ofensivat, si në Bradash, Llaushë dhe Dumincë, në të cilat ishte gjithmonë me të vëllanë, Ganiun.
Ka qenë ushtarë aktiv në Bradash nën komandën e komandantit të togut Selim Hazirit (Bekria), në Brigadën 152 “Shaban Shala”. Bashkëluftëtarë të Samit ishin Flamur Plakolli, Verdi Ejupi, Fisnik Hasani dhe vëllai i Samiut, Ganiu.
Samiu ka rënë shehid, bashkë me Hajdin Halitin, më 11 prill 1999 në vendin “Kodra e Dëshmorëve” (ish Golesh) Në Orllan të Podujevës, ku është ndërtuar lapidari, në të cilin shkruan: “Heroizmi juaj është shembull i atdhedashurisë dhe të tillë u ngritët në altarin e lirisë”.
Është varrosur në fshatin Turiçicë në “Varrezat e Dëshmorëve” afër komandantit legjendar Zahir Pajaziti.
Në shenjë nderimi për punën dhe sakrificën sublime, shkolla fillore e Letancit mban emrin e dy bijve të këtij fshati: Hyzri Talla dhe Sami Plakolli – “”Hyzri – Samiu”, kështu që emri i tyre u gdhend në përjetësi.
Sami Plakollit i janë dhënë post mortum mirënjohje të ndryshme.
Ka lënë pasardhës një djalë e një vajzë.