Më 2 maj 2025, drejtori i Drejtorisë së Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, vizitoi Qendrën Islame Shqiptare “Dituria” në Düsseldorf-Rath, ku fali namazin e xhumasë dhe mbajti një fjalë rasti para xhematit.
Në fjalën e tij, drejtori Simnica përshëndeti imamin Bunjamin ef. Limani, kryetarin Muhamedin Ejupi dhe të gjithë xhematin, duke përcjellë përshëndetjet dhe falënderimet në emër të BIK-ut dhe Myftiut Naim ef. Tërnava. Ai vlerësoi kontributin e mërgatës shqiptare dhe theksoi rëndësinë e xhamive në diasporë si qendra adhurimi, edukimi dhe bashkimi për komunitetin.
Po ashtu, drejtori i njohu të pranishmit me institucionet edukativo-arsimore të BIK-ut dhe aktivitetet humanitare të Shoqatës “Bereqeti”.
Pasdite, ai vizitoi edhe Qendrën Shqiptare në Düsseldorf, ku fali namazin e ikindisë. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet BIK-ut dhe Unionit të Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani, të udhëhequr nga Mensur ef. Halili.